ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani: Liria e medias, shtyllë e një demokracie të lulëzuar

    Presidentja Osmani: Liria e medias, shtyllë e një demokracie të lulëzuar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur sot se liria e medias nuk është vetëm shenjë e një shoqërie të shëndetshme, por ajo është një shtyllë e një demokracie të lulëzuar.

    “Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne festojmë sukseset e vazhdueshme të Kosovës në indekset ndërkombëtare, por gjithashtu ripërtërijmë angazhimin tonë për të mbrojtur rolin e paçmuar të medias së lirë dhe të paanshme”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    3 Maji shënohet në të gjithë botën si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë është caktuar që nga viti 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë kjo ditë do të shënohet me aktivitete të ndryshme.

    Kjo datë është një kujtesë për qeveritë për të respektuar angazhimin e tyre për lirinë e shtypit dhe të medias.

  • Petkoviq: Nuk do të lejojmë që Asociacioni të jetë në nivel të OJQ-së

    Petkoviq: Nuk do të lejojmë që Asociacioni të jetë në nivel të OJQ-së

    Shefi i grupit negociator serb për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq, ka deklaruar se “Kurti nuk do paqe”, dhe se ai qenka i “brengosur për zhvillimin e mëtejmë të situatës në Kosovë”.

    Petkoviq ka thënë se kjo ishte përshtypja e parë e shefit të tij, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se “është i brengosur për rrugët e hapura për kriza të reja në veri të Kosovës”.

    Ai ka shtuar se normalizimi i marrëdhënieve dhe diskutimet për këtë gati nuk ekzistojnë.

    “Nga ana e Prishtinës ka mohim të gjithçkaje për çka jemi pajtuar në lidhje me marrëveshjet për Asociacionin, e dëgjuam dje Kurtin duke thënë se nuk ka ekip menaxhues për të, dhe se ai nuk ka asnjë rol, edhe pse ka një marrëveshje e ndarë për mandatin e tij”, ka thënë Petkoviq.

    Sipas fjalëve të tij, “ekipi menaxhues në vitin 2018 ka pasur katër muaj për të përgatitur dokumentin, i cili është bërë me përkushtim, dhe i cili bazohet në katër marrëveshje nga Brukseli”.

    “Pala jonë i përmbahet dokumenteve të nënshkruara. E shihni këtë lloj hipokrizie, ata kërkojnë nga ne të respektojmë diçka që nuk është nënshkruar, edhe pse presidenti ynë e ka bërë të qartë se cilat janë vijat tona të kuqe dhe nga ana tjetër kemi katër marrëveshje të nënshkruara për të cilat Prishtina është zotuar, por se nuk duan t’i zbatojnë, për të mos përmendur se nënshkrimi i BE-së është vendosur edhe në marrëveshjen e Brukselit”, ka pretenduar Petkoviq.

    Ai gjithashtu ka thënë se Kurti nuk dëshiron paqe, marrëveshje të reja dhe as Asociacion.

    “Që kur ka ardhur në pushtet, ai përsërit se nuk e dëshiron formimin e Asociacionin. Është e nevojshme për ne, sepse ajo paraqet mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve në Kosovë. Kurti dëshiron të dëbojë popullin serb, prandaj ne po shkojmë nga kriza në krizë”, ka deklaruar Petkoviq.

    Sipas fjalëve të tij, “Serbia nuk do të lejojë që Asociacioni të jetë në nivel të një organizate joqeveritare”, duke shtuar se ka 10 vjet që lufton për formimin e saj.

  • ​Leposaviq, dy vëllezër në gjendje të dehur rrahin nënën e tyre

    ​Leposaviq, dy vëllezër në gjendje të dehur rrahin nënën e tyre

    Dy vëllezër derisa ishin të dehur kanë rrahur nënën e tyre në Leposaviq.

    Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se të njëjtit janë dërguar në mbajtje.

    “Leposaviq 02.05.2023 – 21:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (vëllezër) pasi të njëjtit në gjendje të dehur kishin sulmuar fizikisht nënën e tyre. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit, Gazetarët pa Kufij: Shqipëria dhe Kosova mes vendeve problematike

    Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit, Gazetarët pa Kufij: Shqipëria dhe Kosova mes vendeve problematike

    Organizata Gazetarët Pa Kufij shpreh shqetësimin për gjendjen e lirisë së medias, duke përmendur si arsye kryesore për keqësimin e situatës luftën, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, kërcënimin nga përmbajtja e rreme dhe propaganda, që sipas organizatës minojnë gazetarinë e mirëfilltë dhe profesionale.

    Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij, i bërë publik të mërkurën në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tre nga dhjetë vende.

    Indeksi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të vështira” ose “shumë të vështira”, për lirinë e shtypit.

    Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.

    Liria e shtypit në Evropë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur median brenda Rusisë.

    Shqipëria, Kosova shënojnë rritje, por vazhdojnë të jenë mes vendeve problematike

    Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit që u publikua të martën, edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.

    Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.

    Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani.

    Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të.

    Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë (me 12 vende) në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.

    Maqedonia e Veriut (e radhitur në vendin e 38-të) dhe Mali i Zi (në vendin e 39) janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.

    Bosnja, e radhitur në vendin e 64 ka një rritje prej tre vendesh në krahasim me një vit më parë.

    Hija e Luftës

    Liria e shtypit në Evropë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur median brenda Rusisë.

    Censura sistematike dhe eksodi i detyruar i mediave të pavarura ruse dhe të huaja kanë krijuar hapësirë për shpërndarjen e propagandës së koordinuar nga media pro-qeveritare.

    Terreni është bëri i favorshëm për një rritje të propagandës nga Rusia (164), e cila ka rënë edhe nëntë vende të tjera në Indeksin e vitit 2023, krahasuar me vendin e 155 para një viti.

    Në një kohë rekord, Moska ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Kremlinit në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës, duke goditur ndërkohë më fort se kurrë më mediat e fundit të pavarura ruse, të cilat janë ndaluar, bllokuar ose shpallur “agjentë të huaj”.

    Krimet e luftës në Ukrainë (e cila radhitet në vend të 79) kontribuan për t’i dhënë Rusisë një nga rezultatet më të ulëta.

    Agresioni rus ekslipson gjithë rajonin, veçanërisht Bjellorusinë (në vendin e 157-të), që është tani nën ndikimin e plotë të Rusisë. Indeksi është ndikuar edhe nga një përkeqësim i ndjeshëm në situatën e lirisë së shtypit në Azinë Qendrore.

    Lufta në Ukrainë ka prekur edhe Evropën Perëndimore, e cila shpesh përpiqet të gjejë një ekuilibër mes sigurisë dhe lirive. Disa vende kanë vendosur kufizime ndaj aktivitetit të gazetarisë me argumentin e “sigurisë kombëtare”.

    Në Greqi (vendi i 107-të), përgjimi i gazetarëve nga agjencitë e zbulimit solli në shkeljen më të rëndë të lirisë së shtypit në Bashkimin Evropian në vitin 2022 dhe është kjo arsyeja që Greqia ka renditjen më të ulët të mes vendeve të BE-së në Indeksin e vitit 2023.

    Gjithsesi Evropa, veçanërisht Bashkimi Evropian, është rajoni i botës ku është më e lehtë të jesh gazetar.

    Gjendja e Lirisë së Shtypit në Botë

    Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij, arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tre nga dhjetë vende.

    Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi. Por – në një zhvillim të pazakontë – Irlanda, një vend jo-nordik renditet i dyti, (me një rritje prej 4 vendesh), duke dalë para Danimarkës (që pasuar një rënie me një vend duke dalë në vendin e 3-të). Holanda (e 6-ta) është ngritur me 22 vende, duke u rikthyer në pozicionin që kishte në vitin 2021, përpara se të vritej gazetari i kronikës, Peter R. de Vries.

    Ndryshime ka edhe mes vendeve me gjendjen më të rëndë për lirinë e shtypit. Tre vendet e fundit këtë vit janë të gjitha aziatike aziatike: Vietnami (178), për shkak të vënies në shënjestër të gazetarëve dhe komentuesve të pavarur; Kina (4 vende më poshtë, duke u radhitur e 179-ta), vendi që që ka burgosur numrin më të madh të gazetarëve dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të përmbajtjes propagandistike; dhe në vend të fundit (180) është Koreja e Veriut.

    “Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit tregon një paqëndrueshmëri të madhe, me ngritje dhe rënie të mëdha dhe ndryshime të pashembullta , si rritja e Brazilit me 18 vende dhe rënia e Senegalit me 31 vende. Kjo paqëndrueshmëri është rezultat i një rritjeje të agresivitetit nga ana e autoriteteve në shumë vende dhe rritjes së sulmeve ndaj gazetarëve në mediat sociale dhe fizikisht. Paqëndrueshmëria është gjithashtu pasojë e shtimit të rritjes në industrinë e përhapjes së përmbajtjes së rreme, e cila prodhon dhe shpërndan dezinformata dhe ofron instrumentat për t’i prodhuar ato”, shprehet Sekretari i Përgjithshëm i Gazetarëve Pa Kufij, Christophe Deloire.

    Shtetet e Bashkuara (të radhitura në vendin e 45-të) kanë rënë tre vende. Të anketuarit shprehën shqetësim për mjedisin për gazetarët (veçanërisht për kuadrin ligjor në nivel lokal dhe dhunën e përhapur) pavarësisht nga vullneti i mirë i administratës së presidentit Biden, sipas raportit. Vrasjet e dy gazetarëve Jeff German në shtator 2022 dhe Dylan Lyons, shkakuan rënien në renditje.

    Brazili (92) u ngrit me 18 vende si rezultat i largimit të ish-presidentin Jair dhe zgjedhja e Lula da Silvës, duke paralajmëruar një përmirësim të situatës.

    Turqia është mes tre vendeve ku situata është bërë nga “problematike” në “shumë e keqe”. Ajo është në vendin e 165, duke humbur 16 vende në krahasim me vitin e kaluar pasi sipas raportit administrata e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka përshkallëzuar masat ndaj gazetarëve në prag të zgjedhjeve të planifikuara për 14 maj.

    Irani është në vendin e 177-të për shkak të shtypjes së ashpër të protestave të shkaktuara nga vdekja e studentes Mahsa Amini në paraburgim nga policia. Disa nga rëniet më të thella të Indeksit 2023 kanë qenë në Afrikë.

    Efektet e industrisë së përmbajtjes së rreme

    Indeksi i vitit 2023 nxjerr në pah efektet e shpejta që ka pasur në lirinë e shtypit, industria e përmbajtjes së rreme në ekosistemin digjital. Në 118 vende (dy të tretat e 180 vendet e përfshira në Indeks), shumica e të anketuarve pohon se aktorët politikë në vendet e tyre ishin përfshirë shpesh ose sistematikisht në fushata masive dezinformuese ose propaganduese.

    Raporti i organizatës Gazetarët Pa Kufij vë në dukjes se zbehja e dallimit mes së vërtetës dhe të rremes, reales apo artificiales, fakteve dhe të pavërtetave, po rrezikon të drejtën e informimit, duke dobësuar gazetarinë cilësore.

    Sipas raportit, zhvillimi i jashtëzakonshëm i inteligjencës artificiale po shkakton edhe më shumë kaos në botën mediatike./VOA

  • Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit

    Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit

    Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka liruar nga detyra Ekipin Menaxhues për hartimin e draftstatutit për Asociacionin e Komunave më shumicë serbe në Kosovë.

    Sipas Krasniqit pas prezantimit të drtaftstatutit në takimin e së martës në Bruksel, ky Ekip tash edhe vetë është pa status.

    “Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftstatusit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Ai ka thënë se vendimin e ka marr të mërkurën.

    “Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiqiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”, ka shkruar Krasniqi.

  • Kryeministri Kurti publikon versionin e tij për Asociacionin

    Kryeministri Kurti publikon versionin e tij për Asociacionin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar mbrëmë pas mesnatës vizionin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Pas takimit të 2 majit në Bruksel, Kurti tha se draft-statuti i ekipit menaxhues anëtare e të cilit është një deputete serbe, mbetet i papranueshëm për Kosovën.

    Kurti tha se ky ekip tashmë është dekomisionuar.

    “Një draft-statut i tillë çfarë lexuam është fundamentalisht i papranueshëm me kushtetutën e Kosovës, ligjshmërinë dhe të drejtat në Kosovë. Përkundër kësaj ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje dhe përkitazi me këtë unë kam prezantuar një draft-vizion se çfarë do të ishte korniza që rregullon të drejtat e pakicave në Kosovë”, tha ai”, tha Kurti në Twitter, ku edhe ka publikuar draft-vizionin e tij që e paraqiti në takimin me Vuçiqin e Borrellin.

     

  • Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, vazhdon edhe sot dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë

    Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala.

    Sipas njoftimit të bërë nga Dhomat e Specializuara, seanca do të fillojë në ora 09:30, derisa do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë me radhë (me kodin 11), i cili do të i’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme dëshmitari me numër 11, ka thënë se në dhomën ku mbaheshin të mbyllur në fabrikën e metaleve në Kukës, janë urdhëruar që t’i japin shuplakë njëri-tjetrit.

    “Na kanë detyru shoqi-shoqit me i ra shuplakë sa të mujsh, sa ma shumë n’mujsh me i ra”, tha ai.

    Lidhur me atë se kush i ka detyruar për këtë, ai tha se “erdhën nja dy persona edhe një civil aty dhe na urdhërun me i ra shoqi-shoqit”.

    Paraprakisht, dëshmitari dha sqarime lidhur me incidentet që i kishin ndodhur atij, njëherë që ishte rrahur me shufër gome në pjesën e kraharorit, që e përshkroi se kishte pasur shumë dhimbje të madhe dhe herën e dytë pas disa ditësh që i kishin mavijosur syrin me grusht.

    “Ishte mëngjes, ora nuk e di përafërsisht 9 a 10, hynë tre persona dhe ma ulën kryet që mos me mujt me pa dhe nuk e di qysh veç kur e kom pa që syni m’u mshel, më ranë me grusht, fort më ranë me grusht, qashtu që m’u mshel syni ma nuk di gja, s’kom pa gjo’’, tha tutje ai.

    Dëshmitari tha se syri iu ishte nxirë dhe kishe pasur pak gjakderdhje dhe dhimbje të mëdha, duke thënë se edhe sot e asaj dite syri i loton shumë shpesh.

    Kurse, i pyetur nëse atë ditë i kishin thënë diçka, ai tha se ka dëgjuar vetëm zëra, duke thënë ‘‘shpiuna, tradhtarë’’, që sipas dëshmitarit ishte për personat në atë dhomë.

    Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

     

  • Kjo është deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit për Personat e Zhdukur

    Kjo është deklarata e Kurtit dhe Vuçiqit për Personat e Zhdukur

    Më poshtë po ju sjellim deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Personat e Zhdukur:

    Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

    Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

    Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

    Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

    Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

    Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

    Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

    Ne angazhohemi bashkërisht,

    Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,

    Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,

    Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

    Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,

    Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

    Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

    Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,

    Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

    Detajet operacionale do të dakordohen në rundin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

  • Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin

    Pajtim për të zhdukurit, mospajtim për Asociacionin

    Qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por pajtueshmëri për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.

    Ky ishte epilogu i rundit të fundit të bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u zhvillua të martën në Bruksel.

    Ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve kërkuan nga palët qasje më konstruktive, derisa shprehën frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.

    Çfarë u tha për Asociacionin?

    Në mesin e pikave të rendit të ditës ishte draft-statuti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

    “Qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, tha Kurti, duke iu referuar entitetit me shumicë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili gëzon kompetenca që e sfidojnë pushtetin qendror.

    Kurti tha se dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

    “Unë kam propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”, tha Kurti, duke shfaqur shpresën se ai “do të trajtohet me seriozitet” nga ana e ndërmjetësuesve evropianë të dialogut.

    Vuçiq, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.

    “Në vitin 2015, unë dhe [kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa] Mustafa kemi nënshkruar parimet [për Asociacionin] dhe tani ata po heqin dorë nga të gjitha, duke thënë se askush nuk mund t’i pranojë ato, sepse kështu e thotë Gjykata Kushtetuese [e Kosovës]”, tha Vuçiq.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet.

    Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.

    “Pikëpamjet e palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij Asociacioni. Nuk kam pritur gjë tjetër… Por, edhe nëse nuk janë pajtuar, ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit”, tha Borrell.

    “Unë dua t’i nxis të dyja palët që të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim dhe të jenë të gatshme për të arritur kompromise. Procesi duhet të udhëhiqet nga marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të frymëzohet nga modelet ekzistuese të BE-së”, shtoi ai.

    Për të zhdukurit nga lufta

    Si pikë të rendit të parë të ditës, Kurti dhe Vuçiq miratuan fillimisht
    Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

    Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

    Borell tha se BE-ja e mirëpret miratimin e saj dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

    “Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

    Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, tha se Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, pranoi t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve.

    Çfarë ndodhi tjetër në Bruksel?

    Borrell tha se në takim u diskutua edhe për situatën në terren, sidomos në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

    Ai tha se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet lokale të 23 prillit, ka treguar se ky proces nuk ofron zgjidhje afatgjate të situatës dhe se ka potencial “të çojë në përshkallëzimin e saj”.

    “Kjo nuk është ajo që duam. Shpresoj që askush nuk e do, por rreziku ekziston”, tha Borrell.

    Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – shkuan në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetarët e tyre, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

    Pjesëmarrja ishte më pak se 4%, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit – e bojkotoi procesin.

    Borrell u bëri thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje, e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri

    “Kam frikë se mund të përballemi me situatë të keqe”, tha ai.

    Përpara kësaj here, Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e një marrëveshjeje të re që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Kjo marrëveshje, e njohur më herët si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

    Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

    Deri më tash, pikë e përmbushur e marrëveshjes është vetëm themelimi i Komitetit të Përbashkët Monitorues që do të mbikëqyrë zbatimin e saj./REL

  • Stuhia e pluhurit në Illionis të ShBA-së shkakton mbi 50 aksidente trafiku – disa të vdekur

    Stuhia e pluhurit në Illionis të ShBA-së shkakton mbi 50 aksidente trafiku – disa të vdekur

    Shumë viktima janë raportuar pasi një stuhi pluhuri shkaktoi përplasjen e të paktën 40 deri në 60 makinave përgjatë një autostrade kryesore në Illinois të hënën.

    Kapiteni i Policisë së Shtetit të Illinois, Ryan Starrick tha se të paktën “40 deri në 60 makina pasagjerësh” u përfshinë në aksidente dhe ata kanë raporte për “vdekje të shumta” dhe më shumë se 30 persona të shtruar në spital.

    Të paktën dy gjysmë kamionë morën flakë në përplasje, sipas Starrick, shkruan CNN.

    “Autostrada 55 në qarqet jugore të Sangamon dhe në qarqet veriore të Montgomery-t mbetet e mbyllur në të dy drejtimet për shkak të përplasjeve të shumta të shkaktuara nga një stuhi pluhuri, e cila ka ulur ndjeshëm dukshmërinë”, tha Departamenti i Transportit i shtetit në një postim në Twitter.