ATV

Category: Lajme

  • Limaj: Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel është skandaloze

    Limaj: Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel është skandaloze

    Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin DIREKT në ATV, tha se ajo që ka ndodhur mbrëmë në Bruksel është skandaloze, pasi që sipas tij, Kurti ka treguar mos respekt ndaj vuajtjeve të plagëve për të pagjeturit, poshtu edhe mos njohuri se si mbrohem interesat shtetërore.

    “Së pari po flas për çështjen në parim të pagjeturit, një temë shumë e ndjeshme, barrë edhe plagë e hapur e lirisë së Kosovës që ne e gëzojmë sot. Mënyra se si iu ka qasur mbrëmë zotri Kurti tregon mos respekt ndaj krejt asaj vuajtje e dhimbje të asaj plage, tregon mos njohuri se si mbrohet shteti dhe interesat shtetërore, tregon mos vizion se në çka ngarkohet në të ardhmen vendi i tij”, tha Limaj.

    Ai tha se në miratimin e deklaratës së djeshme, Kurti ka amnistuar shtetin serb nga krejt ato çka ka bërë në Kosovë gjatë viteve 98-99.

    “Mbrëmë zotri Kurti, fatkeqësisht, në emër të Kosovës si kryeministër, ka amnistuar shtetin serb nga krejt ato çka ka bërë në Kosovë gjatë viteve 98-99, duke e bërë njëfarë barasvlere, fatkeqësisht të atyre krimeve që kanë ndodh individuale të mbas 99-tës me atë që ka bërë shteti serb. Kjo sepse obligimet që i ka marrë zotri Kurti nuk është dashur që në asnjë variant me i marrë Kosova. Tash e sa vite, Kosova nuk ka pranuar me i marrë ato obligime çfarë i ka marrë mbrëmë zotri Kurti. Pika 3 e thotë më së miri, kur marrëveshja i obligon të dyja vendet edhe i baraspeshon, i obligon në letra e dokumente, për të dhënë informacione të atyre njerëzve që janë të zhdukur. Të jemi të çartë, ne këtu nuk jemi duke folur për të ngritur viktimat e pjesës shqiptare mbi ato serbe, viktima është viktimë, por shumë më mirë me e pa shkakun si kanë ardhur këto viktima”, tha Limaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Limaj: Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut

    Limaj: Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut

    Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin DIREKT në ATV, duke folur për zhvillimet e djeshme në Bruksel, tha se Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut me Serbinë.

    “Ajo që ka ndodhur dje dhe sot dëshmon që Kosova, fatkeqësisht, atë që e kemi thënë se është në dorën e njerëzve të cilët nuk kanë lidhje me funksionimin e shtetit, nuk kanë lidhje me mënyrën e sjelljes shtetërore qoftë brenda e sidomos atje jashtë. Krejt çka po vjen, zotri Kurti po e vjel produktin e sjelljes së tij delitanteske, të papërvojë, arrogante dhe këto janë frutat e kësaj politike të mbrapsht e cila tani e dy vjet, fatkeqësisht, sidomos në raport me dialogun sjellja e tyre, Kosova po korrë rezultate katastrofale nga ky proces i dialogut”, tha Limaj.

    Ai madje tha se nuk ka besuar që qeverisja do të shkojë në këtë nivel të joseriozitetit dhe veprimeve skandaloze.

    “Kam filluar kohëve të fundit me u befasua edhe më shumë për të keq. Nuk është se kam pritur asgjë nga kjo Qeveri. Në fakt, unë jam munduar me i bë publike qëndrimet e mendimet e mia rreth qeverisjes me kohë, por nuk kam besuar edhe vet që ka me shku deri në këtë nivel ku jemi të joseriozitetit të veprimeve skandalozë të kësaj Qeverie”, tha Limaj. /atvlive.tv

  • New York Times: Vuçiq i lidhur me krimin dhe kontrollon gjithçka në Serbi

    New York Times: Vuçiq i lidhur me krimin dhe kontrollon gjithçka në Serbi

    Gazeta amerikane “New York Times” ka shkruar për lidhjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me njerëzit e krimit në Serbi.

    Artikulli i gazetës amerikane fillon me përshkrimin e konferencës për media që në vitin 2021 kishte mbajtur Vuçiq e ku kishte shpalosur arrestimin e një bande të krimit në Serbi, e që në fakt doli që kjo bandë kishte lidhje me presidentin Vuçiq dhe djalin e tij Danilo Vucic dhe ishte organizuar pikërisht për nevojat dhe me urdhër të presidentit serb.

    Bëhet fjalë për kreun e bandës i cili ishte trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, tashmë një figurë e njohur në Beograd. Ai ishte akuzuar më parë për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, por kurrë nuk kaloi shumë kohë në burg.

    Pas arrestimit të kreut të bandës, Belivuk përshkroi disa nga punët e pasme që banda pretendonte se kishte bërë për qeverinë, si frikësimi i rivalëve politikë dhe ndalimi i tifozëve që të këndonin kundër Vuçiqit në ndeshjet e futbollit – një shërbim i vlefshëm në një vend ku stadiumi mund të bëjë ose të prishë një president. Belivuk paralajmëroi se nëse Vuçiç “vazhdon procedurat e tij kundër meje”, ai do të kishte shumë më tepër për të thënë, thuhet tutje në hulumtim.

    Këto akuza të kreut të bandës, sipas NYT, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i kundërshtoi me zemërim.

    Sipas gazetës prestigjioze rasti Belivuk ka hapur një dritare drejt një të ardhmeje të zymtë të mundshme, në të cilën Vuçiç minon projektin evropian nga brenda, duke ndërtuar një shtet ku demokracia është një fasadë dhe bandat kriminale përdoren për të përhapur frikën. Sipas gazetës e njëjta taktikë ishte përdorur nga njerëzit që e futën Ballkanin në një luftë katastrofike tre dekada më parë.

    Kreu i bandës para gjykatës kishte folur për një takim që pretendonte se kishte pasur me Vuçiqin në një shtëpi private në Beograd, duke dhënë adresën e rrugës dhe numrin e banesës dhe emrin e pronarit. Ata u takuan atje vetëm një herë, shtoi ai, “sepse, siç tha shefi, nëse dikush na shihte ose na filmonte, nuk do të ishte mirë për të”.

    “Vuçiq tani ushtron pothuajse kontroll total mbi pothuajse çdo aspekt të jetës publike. Nga Parlamenti, gjykatat, policia dhe biznesi. Në fakt, arrestimi i Belivuk dhe bandës së tij mund të jetë një nga vendimet e pakta kyçe të viteve të fundit që Vuçiç nuk i kontrolloi”, thuhet tutje në hulumtimin e New York Times.

    Në hulumtimin e gazetës amerikane thuhet se Vuçiq ishte një mbështetës entuziast i partisë së Sheshelit dhe ai shpejt u bë anëtari më i ri i Parlamentit të Serbisë. Në vitin 1995, disa ditë pas masakrës së gati 8,000 myslimanëve boshnjakë rreth Srebrenicës, Vuçiç mbajti një fjalim në të cilin deklaroi: “Nëse na bombardoni, nëse vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind muslimanë”. Në dekadat që nga ajo kohë, Vuçiç nuk ka kërkuar kurrë falje plotësisht për krimet e kryera në emër të Serbisë apo për retorikën e tij. Ai i ka trajtuar si heronj disa kriminelë të dënuar lufte në lirimin e tyre nga burgjet jashtë vendit.

    NYT tutje portretizon presidentin Vuçiq si personi që udhëhoqi një grup protestuesish në mbështetje të Ratko Mlladiç, komandantit ushtarak të quajtur ndonjëherë Kasapi i Ballkanit. Një vit më vonë, kur lideri serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës Radovan Karaxhiç u arrestua, Vuçiç u kthye në rrugë, duke u dhunuar nga policia.

    Hulumtimi i gazetës amerikane flet edhe për vlerësimin e Freedom House në vitin 2019, i cili e uli Serbinë në vlerësimin vjetor të demokracive nga të lira në pjesërisht të lira, duke përmendur politizimin e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera dhe zgjedhjet e mbushura me ngacmime dhe ryshfet. Megjithatë, aplikimi i Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. është rrotulluar me qetësi, sikur burokratët në Bruksel nuk e kanë vënë re se Vuçiç po lëviz në drejtimin e gabuar, thuhet tutje në hulumtim.

    Sipas këtij hulumtimi një mjet i rëndësishëm i pushtetit për Vuçiqin janë mediat. Ai ka përdorur kompaninë shtetërore të telekomunikacionit për të blerë stacione televizive lokale dhe aleatët e tij drejtojnë një treshe organizatash mediatike që ndjekin paturpësisht linjën e Partisë Progresive dhe i japin kohë të bollshme transmetimit vetë Vuçiqit. Këto përfshijnë një rrjet televiziv të quajtur Pink.

    Në dy vitet që nga arrestimi i bandës Belivuk, Vuçiç ka thënë vazhdimisht se rasti shënoi një ndarje vendimtare me të kaluarën. “Ne do të pastrojmë institucionet shtetërore nga të gjithë bashkëpunëtorët e tyre”, deklaroi ai në konferencën e parë për shtyp pas arrestimeve. Më pas ai u tha një grupi gazetarësh: “Kjo është e rëndësishme për ne, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Pronarët e restoranteve dhe bareve nuk do të duhet të shqetësohen nëse dikush do të vijë dhe do t’i sulmojë ata dhe më pas kanë frikë ta raportojnë në polici sepse nuk e dinë nëse dikush në polici është i lidhur mirë me këta vrasës.

    Gazeta amerikane flet edhe për ndihmen që studiuesi dhe analisti amerikan i quajtur Daniel Serwer ndihmoi në organizimin e paraqitjes së parë publike të Vuçiqit në Uashington, D.C. Serwer punoi në Ballkan në vitet 1990 dhe ai dinte gjithçka për rrënjët nacionaliste të Vuçiqit. Por ai ishte i zhgënjyer me të dhënat e liderëve të tjerë politikë serbë.

    “Serwer e gjeti Vuçiçin inteligjent dhe serioz. Kishte disa shpresa, më tha ai, se Vuçiç mund të ishte një figurë e “Nixon në Kinë”, e aftë për të sjellë bazën konservatore të partisë së tij në një pajtim më të plotë me fqinjët e Serbisë.

    Serwer më tha se qëndrimi i tij ndaj Vuçiqit ka ndryshuar rrënjësisht. “Vuçiq tani është shumë serioz në lidhje me ‘botën serbe’,” tha ai. Këto fjalë, të thirrura shpesh nga nacionalistët serbë, përcjellin idenë se Serbia ka të drejtë të dominojë tokat ku jetojnë serbët etnikë, duke përfshirë disa vende fqinje. “Ai kishte mundësinë të lëvizte në një pro-BE. drejtim, dhe ai zgjodhi të mos e bënte.

  • Çerkini: Deklarata për të Zhdukurit është mashtruese dhe e mjerueshme

    Çerkini: Deklarata për të Zhdukurit është mashtruese dhe e mjerueshme

    Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini e ka quajtur të shëmtuar e mashtruese Deklaratën për të Zhdukurit e cila u miratuar gjatë takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

    Çerkini në një intervistë për KosovaPress u shpreh se me këtë deklaratë vetëm sa do të ngecë tutje procesi dhe nuk do të ketë asnjë progres për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

    Sipas tij, ky dakordim shkon në favor të atyre që nuk duan t’i zbulojnë krimet e luftës në Kosovë përfshirë edhe çështjen e të pagjeturve.

    “Janë marr vesh për një deklaratë, e cila deklaratë është për mua në ajër, nuk është në tokë. Kjo deklaratë nuk është e sotit, këto shkrime që i kanë dakorduar nuk janë të sotit, nuk ka asgjë që ky politikan as i Beogradit dhe Kosovës që nuk kanë parë edhe para 10 viteve. Unë them se këto deklarata janë mashtruese edhe për të shtyrë procesin e personave të pagjetur qysh e kanë shtyrë plotë që 25 vite dhe kjo shkon në favor të atyre që nuk duan me i zbulua krimet e luftës në Kosovë edhe me i zbulua ata njerëz që ne i kërkojmë edhe 1617 veta. Pse nuk jam i kënaqur? Sepse nuk kanë dal me një plan-program të caktuar se grupet dialoguese duhet të fillojnë menjëherë pavarësisht politikës në pjesën humane dhe një pikë e veçantë për personat e pagjetur t’ua tregojnë kohën kur mundem me vazhdua punën që e kanë punuar deri tash e 25 vite”, theksoi ai.

    Madje, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini nuk pret që kjo Deklaratë për personat e zhdukur e dakorduar mes palës kosovare dhe ajo serbe të zbatohet nga ana e Serbisë.

    Ai kërkon strategji konkrete për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    “Kjo nuk ka me e zgjedh dhe as si kanë punuar përpara bile-bile, edhe më keq sesa që kanë punuar në varrezat masive të cilat tash e 25 vite dihen ku janë, kanë informata se ku janë, kanë informata se kush i ka bërë krimet. Për zbardhjen e fatit të tyre duhet të krijojnë një strategji apo të punohet diçka konkrete në pjesën humane, njerëzore e jo politike… M’sa i kanë zbatuar deri më tani aq besojna që kanë me i zbatua edhe tash edhe pse kanë thënë nuk i zabtojmë haptazi, Vuçiq ka thënë, edhe sot kësaj dite kërkon gjakderdhje në pjesën veriore”, u shpreh Çerkini.

    Teksa ka shprehur pakënaqësitë karshi punës së ekzekutivit kosovar që po e bënë për zbardhjen e fatit për të pagjeturit, Çerkini thotë se Deklarata për personat e zhdukur e miratua dje në Bruksel nuk ka të caktuar as një afat kohor për zgjidhjen e kësaj çështje.

    “As që u përmend afati dhe as që është caktuar strategjia, as që kanë thënë se duhet për një kohë të shkurt të ulet grupi punues e të bisedohet në atë pjesën humane e të largohet politika. Politika ka vulosur një gjë që thotë duhet të punohet, dakordohet duhet të punohet bashkë, gjithë kanë punuar bashkë por çka politika nuk është kah i lejon atë që garantohet me konventa ndërkombëtare që garantojnë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve…..Karshi kësaj deklarate më prek në shpirt që po thonë jena dakorduar për një dokument ose një deklaratë që ka me u bë kjo e kjo e nuk është askund e përputhur apo e caktuar kur niset apo kur përfundon, mua më dhemb këtu se me fol paushall e mos me ditë as kur ka fillim dhe mbarim këto janë përralla për fëmijë“, thekson ai.

    Duke e konsideruar këtë deklaratë si të mjerueshme, Çerkini kërkon që familjarët e personave të zhdukur të takohen me Grupin punues dhe ata që ishin pjesë e takimit të djeshëm në Bruksel.

    “Ne familjarët së shpejti duhet të kërkojmë të kemi takim me Grupin punues dhe me njerëzit që kanë marr pjesë në këtë dialog apo në këtë marrëveshje mjerisht të shëmtuar unë e quaj një gjë kur e sheh krejtësisht të shëmtuar edhe me këtë nuk i besoj një gjëje që nuk është në trurin e neve familjarëve që do të bëhet diçka më mirë“, theksoi ai.

    Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel të martën kanë nënshkruar deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Në bazë të Deklaratës për personat e zhdukur palët janë zotuar se do të angazhohen:

    – Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,

    – Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas gërmimet,

    – Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen Personat e Zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet, dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

    – Për të vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtarë me rëndësi për përcaktimin e fatit të Personave të Zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varreve masive,

    – Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre,

    – Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe adresimin e nevojave të familjeve të Personave të Zhdukur etj.

    Ndërkaq, në takimin e tyre është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit nga ish-ekipi menaxhues, i cili sipas kryeministrit Kurti është i papranueshëm për Kosovën. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Qeveria e Kosovës ka shkarkuar ekipin menaxhues që e ka hartuar draft-statutit e Asociacionit.

  • Renditja në “Reporterët pa Kufij”, Rohde: Kosova me performancën më të mirë në rajon

    Renditja në “Reporterët pa Kufij”, Rohde: Kosova me performancën më të mirë në rajon

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i është gëzuar renditjes për pesë vende më lartë të Kosovës në organizatën “Reporterët pa Kufij”.

    Rohde thotë se Kosova ka arritur përparim të mëtejshëm në lirinë e medias për dy vjet radhazi, duke u renditur në vendin e 56-të në botë këtë vit.

    “Lajm i mirë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Sipas Indeksit të ri të Ditën Ndërkombëtare të Shtypit nga Reporterët pa Kufij, Kosova ka arritur përparim të mëtejshëm në lirinë e medias për dy vjet radhazi, duke u renditur në vendin e 56-të në botë këtë vit”.

    Tutje, Rohde vlerëson se Kosova me ngritje për pesë vende nga viti i kaluar është sërish ndër vendet me vendet me performancën më të mirë në rajon.

    “Pas kërcimit me 17 vende në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, dhe 5 vende të tjera këtë vit, Kosova është sërish ndër vendet me performancën më të mirë në rajon. Vazhdo Me punën e mirë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

  • LDK e AAK për takimin e mbrëmshëm: Asociacioni e dëmton shtetin e Kosovës, u barazuam me Serbinë

    LDK e AAK për takimin e mbrëmshëm: Asociacioni e dëmton shtetin e Kosovës, u barazuam me Serbinë

    Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë adresuar një varg kritikash në drejtim të Qeverisë takimin e mbrëmshëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Aty, u dakorduan për Deklaratën mbi Personat e Pagjetur, raporton EO.

    Nga LDK-ja e AAK-ja, e konsiderojnë si të papranueshëm dhe të dëmshëm dakordimin e mbrëmshëm, teksa thonë se marrëveshje e barazon Kosovën me Serbinë.

    Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, krahas deklaratës për personat e pagjetur, ka adresuar kritika edhe për çështjen e Asociacionit.

    Ai për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria ka ndryshuar sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni me kompetenca ekzekutive e dëmton funksionimin e shtetit të Kosovës.

    “Tema e të pagjeturve është një plagë e madhe e vendit tonë dhe krejt menaxhimin Qeveria në këtë pjesë ka bërë gabim edhe e ka një përgjegjësi serioze në këtë temë. Për temën e themelimit të Asociacionit, e para çka duhet t’i thuhet qytetarit është se shikoni ku ka rrëshqit kjo Qeveri, prej ‘Zajendica nuk kalon’ e leje që po diskutojnë por po postojnë foto në mbrëmje sesi po diskutojnë. Asociacioni me kompetenca ekzekutive e dëmton në esencë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe arritjet që i kemi deri më tani”, ka thënë Tahiri për EO.

    Tahiri ka pasur kritika edhe për mënyrën sesi ka funksionuar Ekipi Menaxhues që ishte themeluar për hartimin e statutit të Asociacionit. Ky ekip të martën ka prezantuar draft-statutin e Asocicionit gjatë takimi të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel.

    “Për mua është totalisht e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme sesi flet kryeministri që ‘unë nuk e kam ditë se cili ekip ka qenë’. Ai po dinë t’i shkarkojë njerëzit nëpër borde. I shkarkojë të gjitha bordet e i emëroi njerëzit e tij nëpër këto borde, e nuk e paska ditë për një temë që është jetike me interes të shtetit të Kosovës. Kjo është papërgjegjësi totale”.

    Ndërsa deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online, se dakordimi ndërmjet Kurtit e Vuçiqit, Kosovën e barazon me Serbinë si agresore.

    “Dakordimi që e kemi parë dje ne media ka qenë shqetësuese për Kosovën sepse në një mënyrë është barazuar fajësia me shtetin serb dhe me atë të Kosovës. Është shqetësueses sidomos për familjarët e të pa gjeturve. Ne nuk kemi pritur asgjë nga kjo marrëveshje, kemi thënë se nëse formohet kjo marrëveshje duhet të formohet që të dy shtetet ta njohin njëra-tjetrën. Mirëpo dje e kemi parë prapë një skandal të kryeministrit Kurti”.

    “Mbetet që të vije kryeministri në Kuvend dhe të raportoj për takimin që ka pasur, sot e pamë që ka shkarkuar edhe komisionin, ekipin për asociacionin vetëm të shpërqendroj atë se çka ka bërë mbrëmë në takim me Vuçiqin”, u shpreh ajo.

  • Escobar: Implementimi i marrëveshjes së Ohrit, nis me krijimin e Asociacionit

    Escobar: Implementimi i marrëveshjes së Ohrit, nis me krijimin e Asociacionit

    I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një takim virtual me gazetarët, ka folur për takimin e djeshëm në Bruksel.

    Escobar ka thënë se implementimi i marrëveshjes së arritur në Ohër, fillon me themelimin e Asociacionit.

    “Para takimit të djeshëm në Bruksel kemi diskutuar për implementimin e marrëveshjes së arritur në Ohër. Implementimi i saj fillon me themelimin e Asociacionit”, tha Escobar.

    Ai shtoi se tani në javët e ardhshme do të ketë takim në nivel të kryenegociatorëve dhe është koha që të lëvizim përpara.

    “Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë të ecim përpara me këtë”, tha Escobar.

    Liderët e Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit të djeshëm në Bruksel shprehën qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por u pajtuan për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.

  • Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Kurti krenohet me lirinë e medias në Kosovë: Në dy vjet rangimi u përmirësua për 22 vende

    Në Ditën Botërore të Mediave, kryeministri Albin Kurti, duke shpërndarë një statistikë të Reporterëve pa Kufij, është krenuar me lirinë e medias në Kosovë.

    Ai tha se Kosova është përmirësuar për 22 vende në këtë rangim të Reporterëve pa Kufij, duke shtuar se një shtyp i lirë është shtyllë e demokracisë në vend.

    “Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”.

  • A kemi media të lira në Kosovë? – Ja çka thonë qytetarët

    A kemi media të lira në Kosovë? – Ja çka thonë qytetarët

    Sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përmes një reagimi, ka shprehur shqetësimin në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve.

    AGK-ja ka kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të trajtojë me seriozitetin më të madh rastet e mbrojtjes së gazetarëve nga dhuna, e cila sipas tyre, vjen si rezultat i ushtrimit të aktivitetit raportues të çështjeve të cilat përbëjnë interes publik.

    Por jo njëjtë mendojnë edhe qytetarët lidhur me lirinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre.

    Ekipi i ATV-vë mori disa përgjigje të qytetarëve në Sheshin e Prishtinës, shumica e të cilëve u shprehen se në Kosovë mediat janë të lira.

    “Kemi media të lira në Kosovë, më të lira nuk ke askund se mediat tona”, thotë një qytetar.

    “Ka media të lira, si nuk ka të lira. Kosova e lirë është. Deri më tash mediat kanë raportuar lirshëm, nuk ka ndikim politika. Tutje nuk e di”, thotë një tjetër qytetar. /atvlive.tv

  • ​Kuvendi miraton dy projektligje

    ​Kuvendi miraton dy projektligje

    Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për investime të qëndrueshme dhe Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.

    Për këto projektligjeve votuan 61 deputetë, kurse deputetët opozitarë kritikuan përmbajtjen e këtyre projektligjeve.

    Në anën tjetër, Kuvendi nuk miratoi raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi deputetët e mazhorancën abstenuan, njofton kp.

    Pas diskutimeve të këtyre pikave, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30, ku pritet të shqyrtohen pika të tjera të cilat janë në rend të ditës.