ATV

Category: Lajme

  • Konjufca: S’do të ketë marrëveshje të shpejtë për Asociacionin

    Konjufca: S’do të ketë marrëveshje të shpejtë për Asociacionin

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve. Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje. Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.

    Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Konjufca kritikoi ekipin menaxhues që ka propozuar draftstatutin e Asociacionit duke thënë se mbrojti interesat e Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ishte emëruar nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk i kurseu gjithashtu nga kritikat.

    “Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Republikës së Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për neve meqenëse atje prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Po shihni edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesa të Kosovës, bile-bile njëra prej tyre ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit. Kështu që nuk patëm ne çfarë të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues, ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili faktikisht është një lloj ‘Republike serbe’ brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

    Konjufca deklaroi se çdo propozim për statut të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme.

    Ai tha se i pëlqeu dhe e mbështet aktin e shkarkimit të ekipit menaxhues.

    “Një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuçiqit e jo interesat e popullit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria, nuk ka çfarë të kërkojë në pozicione zyrtare, nuk ka se si të përfaqësojë popullin dhe qytetarët e Kosovës, pra ata e përfaqësuan Serbinë në ditën e djeshme dhe fort mirë që u shkarkuan… Shumë mirë ka vepruar Qeveria e Kosovës, për ne nuk është kurrfarë befasie sepse personat të cilët janë caktuar prej Vuçiqit dhe prej Rakiqit, nuk mund të shkruanin statut tjetër, natyrisht që e kanë shkruar për të shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionimin unitar të shtetit tonë”, vijoi Konjufca.

    Konjufca deklaroi se propozimi i Kurtit për “vetëmenaxhimin e serbëve” është brenda asaj se çfarë e lejon Kushtetuta e Kosovës, por tha se kjo nuk i pëlqen Serbisë e prandaj nuk do të ketë marrëveshje.

    Kreu i Kuvendit u shpreh se shteti serb duhet të braktisë politikat e tij të nacionalizimit fashist që i ka trashëguar nga Millosheviqi.

    “Jam i bindur që në përputhje me Kushtetutën tonë këtu nuk është diçka e pranueshme për Serbinë, prandaj konsideroj që pozicionet janë shumë të largëta, pozicionet janë të papajtueshme mes palëve andaj nuk pres fare që të ketë një marrëveshje të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pikërisht për shkak të drejtimit politik që e ka Serbia sot. Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizimit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve ’90-ta, e konsideron Kosovën pjesë të saj, ka bërë gjenocid, nuk ka pendesë për krimet e kryera, nuk distancohet prej asaj veprimtarie që e ka bërë në Kosovë, prej shkeljes masive të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, në fund edhe gjenocidin që e ka ushtruar në Kosovë nuk ka kurrfarë pendese nga ana e Serbisë”, tha Konjufca.

    Kreu i Kuvendit deklaroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj dhe “punë e madhe” nëse kjo është e papranueshme për Serbinë, pasi sipas tij, nuk bëjnë kompromis me kushtetutshmërinë e Republikës.

    Sipas tij, Kushtetua e Kosovës lejon që Asociacioni të jetë në formën e një shoqate.

    “Ajo çka lejon Kushtetua është shumë e kufizuar. Nëse do të dëshironim të krijonim një hapësirë për një Asociacion i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për besë hapësira është shumë e vogël, hapësira është të krijohet një Asociacion simbolik diçka, e cila do të ishte në formë të një shoqate. Nuk ka mundësi më shumë, s’ka hapësirë për institucione të karakterit ekzekutiv. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”, tha Konjufca.

    Sa i përket mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se kanë trajtuar çështje nga fushëveprimtaria e saj. Sipas tij, i janë përkushtuar 4 rregulloreve të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës. Tri prej tyre kanë kaluar ndërsa për një tjetër ritet që të kalohet javën e ardhshme.

  • Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjyqin kundër Pjetër Shalës

    Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjyqin kundër Pjetër Shalës

    Po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Prokuroria vazhdoi sot me intervistimin e dëshmitarit që mban numrin 11, i cili pretendon se është mbajtur më shumë se një muaj i ndaluar në një dhomë. Ai tha se është liruar nga aty pas çlirimit të Kosovës. Dëshmitari i mbrojtur tregoi edhe për emrin e personit, i cili e kishte marrë në pyetje gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar. Pjetër Shala po e ndjek seancën nga Qendra e Paraburgimit, përmes video-lidhjes.

    Në seancën e sotme po vijohet me pyetjet e prokurorit të specializuar. Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së tha se Xhemshit Krasniqin e kishte parë vetëm kur e ka marrë në fabrikën e metaleve në Kukës.

    Sipas dëshmisë së tij, në dhomën ku është mbajtur i ndaluar nuk ka pasur gjithmonë dyshekë për të fjetur.

    Në pyetjet tjera të prokurorit të specializuar u vijua në seancë private.

    Më pas, ai e pyeti dëshmitarin se kur u lirua nga dhoma ku është mbajtur më shumë se një muaj.

    Dëshmitari: Lirimi ndodhi kur hyri NATO në Kosovë dhe u hapën dyert dhe vetëm kam dalë prej aty”.

    Prokurori: Gjatë kohës sa u mbajte i ndaluar, përpara se të liroheshit, a ju mori njeri në pyetje. Mbaj mend që na ke thënë që një herë gjatë ditës ju bën disa pyetje?”, u përgjigj dëshmitari që mban numrin 11.

    Dëshmitari i gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës tha se Osman Kryeziu e kishte marrë në pyetje.

    Prokurori: Ju mori njeri në pyetje gjatë ndalimit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Prokurori: Kush ju mori në pyetje, a e dini se kush ishte ky person, e njihni identitetin e tij?

    Dëshmitari: Në atë moment as nuk e dija, as nuk e kam njohur. Pas çlirimit në Kosovë e kam kuptuar që ka qenë Eqrem Kryeziu… gabim, Osman Kryeziu”, tha ai.

    Dëshmitari shtoi se e ka parë një herë këtë person dhe se në kohën kur e mori në pyetje i kishte thënë që është gjykatës ose prokuror, por nuk i kishte treguar se cilën organizatë e ka përfaqësuar.

    Prokurori i specializuar kujtoi deklaratën e tij dhënë prokurorisë, kur kishte thënë të kundërtën.

    Prokurori: Në kohën që i keni dhënë intervistë prokurorisë, kemi diskutuar për këtë intervistën tuaj dhe ju keni thënë ‘e di që kur më mbajtën për një muaj më morën në pyetje, më quan tek një person që ishte prokuror dhe ai më tha jam prokurori i UÇK-së. Më morën rreth gjysmë ore në pyetje dhe që nga ajo kohë nuk e kam parë më’. Nga kjo që keni thënë aso kohe prokurorit, ky burri ju ka thënë ka qenë prokuror i UÇK-së. A e mbani mend?

    Dëshmitari: Nuk më kujtohet, të vërtetën me ju thënë. Ka mundësi edhe që më ka thënë”, tha ai.

    Prokurori i specializuar e pyeti nëse atë kohë e dinte se kush e kishte mbajtur të ndaluar, por transmetimi është dhënë me përmbajtje të redaktuar.

    Në dokumentet e paraqitura për dëshmitarin, të cilat nuk u transmetuan për publikun, ai u shpreh se personi në fotografi është Osman Kryeziu.

    Tutje, dëshmitari shtoi se i ka përjetuar rëndë ato çfarë ai pretendon se kanë ndodhur në dhomën ku është mbajtur.

    Mbrojtësi i viktimave tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.

    Pas pauzës do të vijohet me kundërpyetjet e palës mbrojtëse për dëshmitarin, i cili nisi dëshminë gjatë së martës.

    Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

    Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

    Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala është arrestur më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje vriten nga të shtënat në një shkollë në Beograd

    Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë.

    Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

    Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (14), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia, por pa dhënë detaje për motivin e sulmit.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha më herët se i dyshuari, nxënës i klasës së shtatë, ka qëlluar disa herë nga arma e të atit në drejtim të nxënësve dhe sigurimit të shkollës.

    Millan Nedelkoviq, kryetar i komunës së Vraçarit, ku ndodhet shkolla, u tha gazetarëve se nxënësi ka sjellë një armë në çantën e shpinës dhe se të shtënat kanë ndodhur në korridorin e shkollës.

    Ai tha se shkolla ka kamera sigurie, por se nuk ka detektorë metalikë.

    Të gjitha rrugët përreth shkollës, që ndodhet në qendër të Beogradit, janë të bllokuara, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ministri i Arsimit i Serbisë, Branko Ruzhiq, dhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq.

  • Detaje të reja për bastisjen e dy shtëpive mbrëmë në Prishtinë nga Gjykata Speciale

    Detaje të reja për bastisjen e dy shtëpive mbrëmë në Prishtinë nga Gjykata Speciale

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ ka thënë se Gjykata Speciale të martën në mbrëmje ka bastisur dy shtëpi në Prishtinë.

    “Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë. Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së. Nuhi Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhrin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga z. Ahmeti. Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

    KMDLNj ka shtuar se është në pritje të përfundimit të intervistimit në mënyrë që të mësojë për arsyet e bastisjes dhe qëllimet e intervistimit.

  • Edhe dy muaj paraburgim ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve, dyshohen për vrasjen e të riut në Prizren

    Edhe dy muaj paraburgim ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve, dyshohen për vrasjen e të riut në Prizren

    Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK-së), për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe katër të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli dhe R.S., të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M, J.B dhe R.S, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur për vazhdimin e masës së sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.H, A.V,B.M dhe J.B, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet prej datës 03.05.2023 deri më datën 03.07.2023, ndërsa për të pandehurin R.S, masa e paraburgimit do ti llogaritet prej datës nga data 06.05.2023 deri më datën 06.07.2023”, konfirmoi Gashi.

    Lënda e rastit të Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, dhe të tjerëve ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

    Gjykata Themelore në Prizren, më 2 shkurt 2023, kishte marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

    Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

    Të ngjajshme
    Mungojnë pesë të akuzuar dhe katër avokatë, shtyhet gjykimi…

    3 Maj, 2023, 10:51
    Refuzojnë të deklarohen dy të akuzuarit për vrasjen e dy…

    2 Maj, 2023, 16:09
    Avokati i njërit të akuzuar mungon për arsye shëndetësore,…

    2 Maj, 2023, 15:49
    Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

    Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

    “Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

    Me këtë, Hoxhaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal.

    Sidoqoftë, dy ditë pas vrasjes së V.C, më 5 janar 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte publikuar analizën me titull “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”. Edhe në analizën e IKD-së, të publikuar në shkurt të vitit 2022, ishte theksuar se Dibran Hoxhaj ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë. Ky recidivist në medie proklamohej se ka kryer 198 vepra penale, derisa bënte të ditur se e gjithë kjo e kaluar e tij kriminale filloi me rastin e hapjes së lokalit të lartcekur. Sipas IKD-së, në të gjitha këto raste, është paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij, por se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist. Për veprat penale për të cilat është dënuar Hoxhaj, dënueshmëria sipas ligjit ka shkuar deri në 10 vite burgim. “Betimi për Drejtësi” ia ka kushtuar edhe një emision Dibran Hoxhajt me titull ” Recidivisti i “amnistuar”. /BetimipërDrejtësi

  • Haradinaj: Shqetësuese sulmet që i bëhen mediave dhe gazetarëve dhe tendenca e pushtetit për kontroll ndaj tyre

    Haradinaj: Shqetësuese sulmet që i bëhen mediave dhe gazetarëve dhe tendenca e pushtetit për kontroll ndaj tyre

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se liria e medias dhe fjala e lirë, janë vlerë e panegociueshme e demokracisë.

    Haradinaj ka thënë kështu me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.

    “Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, por edhe si çdo ditë tjetër reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias”, ka shkruar Haradinaj.

    Sipas Haradinajt, shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen mediave dhe gazetarëve dhe tendenca e pushtetit për kontroll ndaj tyre.

    “Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!”.

    “Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre”, është shprehur Haradinaj.

    Ai ka thënë se mbrojtja e fjalës së lirë është vlerë e panegociueshme e demokracisë.

    “Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Mblidhet Kryesia, vendos për seancën e radhës

    Mblidhet Kryesia, vendos për seancën e radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur për të vendosur për seancën e radhës.

    Në rend dite janë dy pika: Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e mëparshme të Kryesisë së Kuvendit si dhe Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

    Më pas do të ketë seancë nga ora 11:00. Në seancë në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara që nga muaji shkurt, mars e prill.

    Në javët e fundit, disa seanca të Kuvendit janë shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

    Rendi i ditës i seancës:

    I. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 2 shkurt dhe 22 mars 2023:

    24. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

    II. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 shkurt 2023:

    17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 shkurt 2023:

    8. Votimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
    12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

    IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 mars 2023:

    9. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,
    10. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,
    11. Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,
    12. Emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    13. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

    V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 23 mars 2023:

    6. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,
    9. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
    10. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
    11. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
    12. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-210 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-218 për organizimin e tregut për produktet bujqësore,
    15. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill 2023:

    4.  Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
    5.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,
    6.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,
    7.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,
    8.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe  punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,
    9.  Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,
    10.  Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,
    11.  Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.

  • Aktakuzë ndaj një personi për blerje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve

    Aktakuzë ndaj një personi për blerje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka informuar se ngritur sot aktakuzë , aktakuzë kundër një personi, me inicialet B.K për dy vepra penale.

    Siç ka informuar Prokuroria, i pandehuri B.K. akuzohet për veprat penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge në vazhdim’’, Lidhur me veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’.

  • Sfidat e sistemit bankar përballë inteligjencës artificiale

    Sfidat e sistemit bankar përballë inteligjencës artificiale

    Nga Adrian Civici

    “Inteligjenca artificiale është një teknologji që bën gjithçka që zakonisht bën një qenie njerëzor, por që e bën më mirë dhe më shpejt!” Siç deklaron Elon Musk, “me siguri do të ketë një konceptim të ri të punës sepse ajo që do të ndodhë është se robotët do të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka më mirë se ne”. Por, deri në cfarë pike dhe me cfarë rreziqesh e të panjohurash?

    Aplikacionet e inteligjencës artificiale nuk po modernizojnë vetëm sektorin bankar, por të gjithë botën. Në vitet e fundit, zhvillimet e shpejta në kuadrin e revolucionit 4.0 dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në gjithë sistemin bankar në vecanti dhe tregjet financiare në përgjithësi, është rritur në mënyrë eksponenciale. Nga software-t e projektuar për të stimuluar bashkë-bisedime me njerëzit e deri te algoritmet inteligjente analizuese e parashikuese, inteligjenca artificiale po bëhet me shpejtësi pjesë thelbësore e sektorit bankar e financiar.

    Rëndësia dhe gjithëpërfshirja e ndikimit të dixhitalizimit në sektorin bankar sot është e padiskutueshme. Si në të gjithë sektorët e jetës dhe zhvillimit, bankat duhet të rakordojnë dy kërkesa kryesore: të ruajnë nivelin dhe standartet e konkurrencës në treg, dhe njëkohësisht të kënaqin klientët që kërkojnë shërbime gjithnjë e më të thjeshta, më efikase dhe më të personalizuara.

    Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë efektivisht në arritjen e këtyre qëllimeve. Skenarët e aplikimit të inteligjencës artificiale janë më të gjera dhe më të larmishme sesa thjesht dhe vetëm prezantimi i thjeshtë i sistemeve, platformave ose algoritmeve specifikë.
    Është integrimi i këtyre mjeteve apo instrumenteve të reja në organizimin ekzistues dhe kuadrin teknologjik që do të bëjë diferencën. Bankat janë në një pozicion unik për të përfituar nga potenciali i madh i inteligjencës artificiale. Duke shfrytëzuar IA, bankat mund të thjeshtojnë operacionet, të ulin kostot, të përmirësojnë shërbimin ndaj klientit dhe të menaxhojnë më mirë rreziqet e goditjet e ndryshme.

    Inteligjenca artificiale është një revolucion i vërtetë që lejon sektorin bankar të rimendojë efikasitetin e sistemit të tij. Në mënyrë të pashmangshme, ekspertët dhe profesionistët e IA janë gjithnjë e më të kërkuar, dhe ditë pas dite, në horizont po lindin e kërkohen profesione të reja.

    Natyrisht, nuk është e lehtë të përkufizosh dhe as të kufizosh inteligjencën artificiale.
    Në fund të fundit “inteligjenca artificiale është një teknologji që bën gjithçka që zakonisht bën një qenie njerëzor, por që bën më mirë dhe më shpejt!” Siç parashikohet nga Elon Musk, “me siguri do të ketë një konceptim të ri të punës sepse ajo që do të ndodhë është se robotët do të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka më mirë se ne”. Por, deri në cfarë pike dhe me cfarë rreziqesh e të panjohurash?

    Tregu global i teknologjisë së inteligjencës artificiale është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga viti 2019, duke arritur në 6.67 miliardë dollarë, ndërkohë që pritet të arrijë në 22.6 miliardë dollarë deri në vitin 2025 dhe pritet të arrijë në 64.03 miliardë dollarë deri në vitin 2030. Edhe pse kjo teknologji e ka bërë jetën më eficente dhe më të lehtë për konsumatorët dhe bizneset, ajo ka ngritur dhe një sërë pikëpyetjesh e shqetësimesh për të ardhmen.

    Pyetja më e rëndësishme që kërkon përgjigje është : cilat janë përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemin bankar dhe financiar, si dhe mundësitë e sfidat perspektive të kësaj teknologjie.

    Si po përdoret sot inteligjenca artificiale në banka dhe financa?

    Krijoni përvoja më të personalizuara të klientit.
    Integrimi i IA në banka dhe financa ka ndihmuar në krijimin e përvojave më të personalizuara të klientëve. Bankat dhe institucionet financiare po përdorin IA për të analizuar të dhënat e klientëve dhe për të krijuar oferta të personalizuara të produkteve dhe shërbimeve. Për shembull, Software e projektuar për të stimuluar bashkë-bisedime me njerëzit, janë mjete të njohura të IA për të bashkëvepruar me klientët dhe për t’u ofruar atyre informacion në kohë reale. Ato gjithashtu mund t’i ndihmojnë klientët të përfshihen në procesin e aplikimit për kredi, duke ofruar këshilla të personalizuara për llojet e kredive që i përshtaten më mirë nevojave të tyre. Sipas një studimi të kryer në 34 bankat nga më të mëdhatë në botë, rezulton se mbi 85% e tyre tashmë kanë zbatuar inteligjencën artificiale në funksionet e back-office.

    Identifikimi dhe parandalimi i mashtrimeve dhe krimeve kibernetike

    IA përdoret gjithashtu për të identifikuar dhe parandaluar mashtrimet e formave dhe natyrave të ndryshme në banka dhe financa. Modelet e IA mund të analizojnë transaksionet financiare për të zbuluar sjellje mashtruese dhe anomali në modelet e shpenzimeve. Bankat mund të përdorin IA për të identifikuar transaksione të pazakonta dhe aktivitete të dyshimta në kohë reale, duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive.
    Modelet e IA mund të përdoren edhe për të parashikuar sjelljet mashtruese në të ardhmen, duke i lejuar bankat të ndërmarrin veprime parandaluese për të shmangur humbjet financiare. Siç theksohet nga një sondazh i Deloitte, organizatat që disponojnë një vizion të guximshëm me një strategji IA kanë afërsisht 1.7 herë më shumë gjasa për të arritur rezultate të larta në krahasim me institucionet që nuk e bëjnë këtë. Kështu, duke përdorur grupe të mëdha dhe komplekse të dhënash, bankat mund të krijojnë korniza mbrojtëse rreziku që mund të ofrojnë analiza të sakta dhe në kohë.

    Drejton operacionet e back-office

    Inteligjenca artificiale po përdoret për të përmirësuar operacionet e back-office në sistemin bankar dhe financiar të tilla si përpunimi i dokumenteve dhe menaxhimi i llogarisë së klientit. Detyrat e back-office, si futja e të dhënave dhe verifikimi i dokumenteve, mund të automatizohen duke përdorur IA, duke i krijuar mundësi punonjësve të bankave që të përqendrohen në detyra më të rëndësishme. IA mund të ndihmojë gjithashtu bankat të përmirësojnë saktësinë dhe efikasitetin e procesit duke reduktuar gabimet njerëzore dhe duke ofruar analiza më të sakta të të dhënave. Zëvendësimi i punës manuale me automatizimin jo vetëm që përmirëson efikasitetin, por gjithashtu redukton gabimet njerëzore dhe u lejon bankave t’i përgjigjen luhatjeve të kërkesës.

    Modelet e IA mund të përdoren për të analizuar dokumentet dhe për të nxjerrë informacionin përkatës, duke kursyer kohë dhe burime njerëzore e materiale.

    Për më tepër, automatizimi i detyrave të back-office mund të zvogëlojë gabimet njerëzore, duke përmirësuar efikasitetin dhe saktësinë e proceseve të trajtimit të të dhënave. Sipas disa rezultateve të publikuara nga Kabineti i auditit dhe këshillimit financiar Earnst & Young, kursimet në koston e funksionimit të bankave dhe institucioneve financiare reduktohen me 50-70% si efekt i përdorimit të metodave të automatizimit dhe robotikës. Zëvendësimi i punës manuale me automatizimin jo vetëm që përmirëson efikasitetin, por gjithashtu redukton gabimet njerëzore dhe u lejon bankave t’i përgjigjen luhatjeve të kërkesës.

    Nëpërmjet përdorimit të sistemit RPA (Robotic Process Automation), bankat mund të automatizojnë proceset e biznesit të bazuara në rregulla më strikte dhe të reduktojnë kostot e personelit dhe gabimet njerëzore.

    Në vazhdim, RPA do të integrohet më thellë me IA, duke përmirësuar efikasitetin e saj në trajtimin e skenarëve më kompleksë të biznesit dhe duke përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve financiare. Rezultati i operacioneve të bazuara në algoritmet inteligjente analizuese e parashikuese mund të identifikojë korrelacione e modele mjaft eficente. Një nga funksionet kryesore të një instrumenti të Inteligjencës Artificiale është të studiojë të gjitha transaksionet bankare dhe lëvizjet e flukseve në kanalet aktive të shpërndarjes, në të gjitha degët dhe të gjitha pikat e kontaktit dhe ATM-të; gjë që bën të mundur analizimin e tendencave, variacioneve sezonale dhe përfitimit të çdo shërbimi për të zhvilluar strategji të zgjuara e efektive.

    Sistemet e integruara të menaxhimit dhe kontrollit.

    Në botën e sotme të shërbimeve financiare, bankat dhe institucionet e tjera financiare e monetare duhet të menaxhojnë jo vetëm të dhënat e tyre, por edhe të dhënat e palëve të treta. Problemi themelor në këtë rast është krijimi i seteve të të dhënave që nuk janë të integruara në një sistem të vetëm. Ky është një problem madhor sepse nënkupton faktin se bankat nuk janë në gjendje optimale që të analizojnë të gjitha të dhënat që kanë në dispozicion për të marrë vendimet më të mira të mundshme, sidomos në situata specifike me nivel të shtuar rreziku.

    Për të krijuar këto sisteme me një burim të vetëm të dhënash e informacionesh, mund të përdoren algoritmet e inxhinierisë së të dhënave. Në shumë banka të avancuara në këtë drejtim kjo njësi apo proces quhet “Qendra e menaxhimit dhe Kontrollit të Integruar”. Përfitimi i kësaj qasjeje është se i lejon bankat të marrin vendime më të mira bazuar në të gjitha të dhënat e tyre në dispozicion dhe jo vetëm në një grup të reduktuar të tyre.

    Teknikat e modelimit sasior dhe menaxhimit të riskut.

    Që nga kriza e rëndë ekonomiko-financiare e viteve 2008-2012, institucionet rregullatore bankare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë menaxhimit të rrezikut dhe kanë sugjeruar vazhdimisht që institucionet bankare e financiare të pajisen me instrumente transparente, eficente dhe të verifikueshme të matjes së rrezikut. Në të njëjtën kohë, start-ups dhe fintek-ët e ndryshëm, të inkurajuar nga zgjerimi i dixhitalizimit dhe sasia në rritje e të dhënave të disponueshme, po përdorin gjithnjë e më shumë zgjidhje të ofruara nga inteligjenca artificiale.

    Për t’u “lidhur me këta lojtarë të rinj”, bankave po u kërkohet të zhvillojnë modele më të besueshme, në mënyrë që të reduktojnë kohën e vendimmarrjes dhe të përmirësojnë eficencën e tyre. Teknikat e modelimit sasior përdoren për të përfituar më shumë nga të dhënat, për të ulur kostot dhe për të rritur efektivitetin e përgjithshëm. Në të njëjtën kohë, po zhvillohen me shpejtësi të madhe metoda të tipit machine learning,

    Dhënie këshillash të personalizuara për klientët.

    Përdorimi i IA po ju krijon shumë mundësi bankave që të ofrojnë këshilla financiare të personalizuara për klientët e tyre, duke analizuar zakonet e shpenzimeve dhe historinë financiare të cdo klienti. “Këshilltarët financiarë” mund të përdorin IA për të ndihmuar klientët të ndërtojnë plane afatgjata kursimesh dhe investimesh, duke ofruar parashikime të menaxhimit dhe rritjes së portofolit në kohë reale.

    Inteligjenca artificiale është bërë e domosdoshme në analizën e rreziqeve të financimit, të ashtuquajturat targetim dhe pikëzim. Duke studiuar me saktësi situatën e një klienti që kërkon të bëjë një aplikim për financim dhe duke vlerësuar kapacitetet e tij të pagesës së kësteve apo detyrimeve periodike ndaj bankës, kjo ndihmon këshilltarin e kredisë apo atë të riskut që t’i përgjigjet shumë shpejt kërkesës duke kufizuar nivelin e rrezikut.

    Ndihmojnë bankat të identifikojnë burime të reja të ardhurash.

    Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë bankat të identifikojnë tendencat e reja të të ardhurave duke analizuar të dhënat e klientëve dhe duke identifikuar mundësitë e pashfrytëzuara dehe oportunitete të paidentifikuara të biznesit. Për shembull, IA mund të ndihmojë bankat të ofrojnë oferta të personalizuara të produkteve financiare për klientët e mundshëm bazuar në historinë e tyre financiare dhe zakonet e shpenzimeve. Kjo do t’u mundësonte bankave të maksimizojnë fitimet e tyre duke ofruar zgjidhje financiare më të përshtatshme për nevojat e klientëve të tyre.

    Ndihmojnë në rritjen e besnikërisë së klientëve dhe lidhjen e tyre me bankën.

    IA mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet që banka ka me klientët dhe perspektivat e këtyre marrëdhënieve. Ndërveprimi i tyre në çdo pikë kontakti (njerëzor ose i automatizuar) gjeneron të dhëna të vlefshme që mund të përdoren për të analizuar sjelljen, kënaqësinë dhe rrezikun e braktisjes, për të personalizuar më tej udhëtimin e klientit. Një instrument i inteligjencës artificiale mund të sistematizojë mbledhjen, analizën dhe klasifikimin e këtij informacioni dhe të rivendosë të dhëna të tjera që mund të futen në menaxhimin e rradhëve në sportele, caktimin e takimeve me një këshilltar bankar, etj. Të gjitha pikat e kontaktit të bankës me klientët “paraqesin një mesazh të qëndrueshëm”, me rekomandime për produkte dhe shërbime, duke rezultuar në një përvojë tërheqëse dhe të përqëndruar te klienti. Përveç kësaj, shërbimet e IA mund të ndihmojnë në zhvillimin e programeve të personalizuara dhe krijimin e shërbimeve të reja të përshtatshme për të gjitha llojet e klientëve, në mënyrë që të ndërtohet një besnikëri ndaj bankës e bashkëpunim partneriteti afatgjatë.

    Analiza e natyrës, karakterit dhe emocioneve të klientit.

    Me ardhjen e të dhënave të mëdha dhe të mësimit të makinerive, analiza e ndjenjave të klientëve është një fushë kyçe për bankat në aplikimin e AI. Bankat tashmë kanë akses në një mori të dhënash të klientëve, por shumica e këtyre të dhënave janë të pa strukturuara dhe për këtë arsye të vështira për t’u kuptuar nga kompjuterët dhe algoritmet e ndryshme. Sidoqoftë, IA mund t’i kuptojë këto të dhëna dhe të nxjerrë njohuri të reja prej tyre.
    Për shembull, kur një klient telefonon bankën dhe ka nevojë për ndihmë për një problem të caktuar, një system specifik i IA mund të analizojë “problemin e klientit, të identifikojë shqetësimet e tij dhe ti japë zgjidhje në kohë reale”. Kjo i lejon bankat të përcaktojnë nëse stafi i tyre po zgjidh në mënyrë efektive çështjet me klientët, si dhe të ndërmarrë veprime nëse nuk po trajtojnë shqetësimet e klientëve.

    Përfitimi më i madh i IA është personalizimi.

    Një bankë e së ardhmes duhet të jetë në gjendje të ofrojë njohuri, sinjalizime dhe rekomandime të përshtatura për qëllimet financiare të një individi/klienti, bazuar në mënyrat e tyre specifike të shpenzimeve, planet aktuale të kursimeve dhe investimeve, sigurimin shëndetësor, etj.

    Disa banka tashmë po përdorin me sukses algoritmet inteligjente analizuese e parashikuese analitikë parashikuese për të përcaktuar dhe parashikuar nevojat financiare të klientëve. Ky është hapi i parë drejt një banke të personalizuar, pasi bankat duhet të dinë se si t’u drejtohen klientët përpara se t’u ofrojnë shërbime të personalizuara. Bankat kanë nevojë për një set të dhënash të fragmentuara midis sistemeve dhe departamenteve të ndryshme. Këto sisteme mund të përdoren për të analizuar postimet e mediave sociale dhe reagimet e tjera të klientëve.

    Duke identifikuar opinionet dhe vlerësimet e klientëve për bankën që qarkullojnë në internet, bankat mund të përdorin IA për të parashikuar se si klientët do të reagojnë ndaj eventeve të veçanta – si lançimi i një produkti ose shërbimi të ri – apo edhe ndryshimet në kushtet e tregut që mund të ndikojnë tek klientët.

    Por, gjithashtu, përdorimi në rritje i IA në banka dhe financa ngre shqetësime për rreziqet që lidhen me këtë teknologji. Këto janë tre nga rreziqet kryesore që evidentohen më shpesh:

    Potenciali për gabime dhe mashtrime.

    Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e mirë në përpunimin e sasive masive të të dhënave në kohë rekord, por gjithashtu mund të bëjë gabime nëse algoritmet nuk janë programuar saktë, ose, nëse të dhënat e përdorura nuk janë të sakta e të plota. Për më tepër, IA mund të përdoret nga hakerat apo mashtruesit financiarë për të kryer mashtrime të sofistikuara, gjë që paraqet një rrezik të konsiderueshëm për institucionet financiare.

    Humbja e vendeve të punës.

    Automatizimi i shumë detyrave të kryera më parë nga punonjësit e bankave mund të çojë në zvogëlimin e numrit të tyre dhe përppasojë edhe në zvogëlimin e numrit të punonjësve të sektorit.

    Vende pune që zhduken … por, edhe vende të reja pune që krijohen.

    Profesionistët e industrisë bankare janë të sigurt për përfitimet e Inteligjencës Artificiale. Studime e analiza të shumta dedikuar këtij problem dëshmojnë se punësimet në sektorin bankar nuk pritet të zvogëlohen, por përkundrazi, pritet të rriten, se teknologjitë inteligjente do të krijojnë perspektiva të reja karriere profesionale në këtë sektor.

    Në mënyrë të shpejtë e specifike, në sektorin bankar e atë financiar po shfaqen figura të reja profesionale e profesione të reja, ndër më kryesoret e më prezentet mund të përmenden : menaxher inovacioni, inxhinier IA, ekspert krimi kibernetik, specialist software-sh dhe algoritmesh, inxhinier Big Data, mbikqyrës sistemesh algoritmike, etj.

    Përkeqësimi i pabarazive.

    Nëse IA përdoret për të marrë vendime për kreditimin ose investimin, ajo mund të riprodhojë paragjykime të pranishme në të dhënat e përdorura dhe të futura në system, të cilat mund të ndikojnë në mënyrë disproporcionale në grupe të caktuara sociale apo profesionale. Nëse IA përdoret në mënyrë joetike ose të pabarabartë, atëherë ajo mund të përforcojë pabarazitë në vend që t’i zvogëlojë ato. Prandaj është thelbësore që bankat dhe institucionet financiare t’i marrin parasysh këto rreziqe dhe të sigurohen që përfitimet e mundshme janë të balancuara me rreziqet dhe shqetësimet etike.

    Por, në fund të fundit, IA është një teknologji në zhvillim eksponencial dhe ndikimi i saj në banka dhe financa do të rritet vazhdimisht. Kompanitë që miratojnë në mënyrë proaktive IA për të përmirësuar operacionet e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për klientët do të jenë më të përgatitura për tu përballur me një botë financiare në ndryshime drastike.

  • Beograd: Nxënësi vret rojën e shkollës, plagosë edhe mësuesen e shokët e klasës

    Beograd: Nxënësi vret rojën e shkollës, plagosë edhe mësuesen e shokët e klasës

    Në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar të Beogradit sot në mëngjes rreth orës 8:00 ka pasur të shtëna me armë zjarri, kur njëri nga nxënësit ka qëlluar disa herë në drejtim të shokëve të klasës dhe personelit të sigurisë.

    Sipas informacioneve të para nga mediat serbe, ka mbetur i vrarë roja i shkollës si dhe është plagosur rëndë mësuesja e historisë dhe ka disa nxënës të lënduar të tjerë.

    RTS shkruan se mësuesja dhe tre fëmijët janë pranuar në Qendrën Emergjente në Beograd dhe të gjithë kanë plagë me armë zjarri në zonën e gjoksit.

    Nxënësit e tjerë janë evakuuar dhe shumica e fëmijëve ndodhen jashtë të cilët po kontaktojnë me prindërit e tyre përmes telefonit.

    Policia ka arrestuar të miturin e dyshuar, nxënës i klasës së shtatë, i cili siç dyshohet ka qëlluar disa herë me armën e babait të tij.

    Siç mësohet jozyrtarisht, fëmijët fillimisht kanë menduar se dikush ka hedhur fishekzjarre dhe sipas pretendimeve të nxënësve të pranishëm, autori i ngjarjes i identifikuar si K.K. që qëlloi kurrë nuk kishte problem me askënd.

    Nxënësit thonë se ka qenë i qetë dhe i tërhequr dhe se pesë minuta para përfundimit të orës së mësimit ka hyrë dhe ka nisur të qëllojë.

    Sipas raporteve, jo të gjithë fëmijët e braktisën shkollën sepse disa mësues i mbyllën fëmijët në klasa.

    Te shkolla ka një prezencë të shtuar të policisë si dhe të autoambulancave.Horror në Beograd, nxënësi vret rojën e shkollës dhe plagos mësuesen e shokët e klasës