Brenda dy javëve pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit.
Kështu ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ka postuar një përmbledhje, në gjuhën shqipe, e të gjitha shkeljeve të Serbisë.
“Shkelje këto që kryeministri Kurti i prezantoi para ndërmjetësve evropianë në takimin e 2 majit në Bruksel”, ka shkruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e rënies së heroit Luan Haradinajt, ka shkruar se ishte një djalosh luan nga Gllogjani, që bëri aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim.
Kurti ka shkruar në Facebook se ende nuk kishte filluar mirëfilli lufta në Kosovë dhe ende nuk kishte dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur disa nga djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së.
“Ndër ta ishte edhe një djalosh luan nga Gllogjani, student i kulturës fizike në Tiranë, me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim: Luan Haradinaj! I treti nga shtatë djemtë e Hilmiut dhe Rukies, bashkë me vëllezërit e tij dhe me shokë veprimtarë, që nga fillimi i tyre, Luani iu bashkua grupeve të armatosura bërthamë që ngritën UÇK-në në Dukagjin. Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit dhe Rexhep Selimit në Drenicë ashtu siç kishte koordinuar veprime dhe aksione me grupin e Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit në Llap. Deri në ditën e rënies, më 6 maj 1997, Luan Haradinaj e kishte kaluar me dhjetëra herë kufirin jugosllav që i mbante të ndarë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. Atë ditë, ai ishte bashkë me një grup ushtarësh që po hynin në Kosovë, mes të cilëve i vëllai Ramushi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur po kalonin kufirin, ata u pikasën nga patrullat kufitare të ushtrisë serbe në Qafëmullar, duke nisur luftime të ashpra me ta në një terren që ndonëse kodrinor ishte i zhveshur. I patrembur siç ishte treguar që nga fillimi, Luani luftoi përballë forcave armike të Serbisë e në mbrojtje të shokëve, derisa i goditur ballazi ra dëshmor lirie, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së. Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve”, ka shkruar ai.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla, në kurorëzimin e tyre si monarkët e rinj të Mbretërisë së Bashkuar.
Duke ndarë disa fotografi nga ceremonia, Osmani ka thënë se aleanca mes dy vendeve uron të vazhdohet gjatë mbretërimit të Mbretit Charles.
“Urimet tona të përzemërta për Madhëritë e Tyre Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla për këtë kurorëzim historik. Aleanca midis dy vendeve tona dhe lidhjet midis popujve tanë u forcofshin gjatë mbretërimit të Mbretit!” ka shkruar Osmani në Twitter.
Our heartfelt congratulations to Their Majesties King Charles III and Queen Camilla on this historic #Coronation.
May the alliance between our two countries, and the bonds between our peoples continue to grow stronger during the King’s reign! 🇽🇰🇬🇧 pic.twitter.com/QuTWLJJGEo
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur sot mbledhjen e përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë e mërgatë.
Kryetari i kësaj partie, njëherit kryeministri i vendit, Albin Kurti, i njoftoi ata me aktualitetin politik dhe me ecurinë e procesit të dialogut.
“Çështjet organizative gjithashtu janë trajtuar nga drejtuesit e qendrave me ç’rast është theksuar rëndësia e bashkërendimit organizativ në mes të strukturave organizative të LV-së dhe organizatës së saj, RVV-së”, thuhet në njoftim.
Një 28-vjeçare shqiptare është vrarë me armë zjarri nga ish-partneri i saj në Itali pasi i kishte dhënë fund lidhjes. Autori sipas mediave italiane e ka qëlluar me plumb në kokë. Pas vrasjes, ai ka telefonuar policinë dhe është vetëdorëzuar, ku ka pohuar se shkak ka qene fundi i një lidhjeje.
Mediat e huaja shkruajnë se shqiptarja jetonte prej vitesh në Itali dhe punonte në sektorin e kateringut. Sakaq rezulton se ka pasur precedentë të mëparshme kriminal, për krime ndaj pronës dhe trafik droge gjatë vitit 2022.
Kolonelja e Policisë së Kosovës, Afërdita Mikullovci, ka marrë pjesë në sesionin e 16-të të kursit të udhëheqjes/lidershipit së Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Glynco, Georgia (Shtetet e Bashkuara të Amerikës).
Sipas njoftimit të policisë, kursi i lidershipit i mbajtur nga 24 prill deri 4 maj 2023, ku pjesëmarrës ishin 27 udhëheqës/drejtues të policisë shtetërore, lokale dhe të qarkut të Shteteve të Bashkuara dhe Kolonel Mikullovci si delegatja/pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja e Kolonel Mikullovcit u bë e mundur përmes bashkëpunimit dhe financimit të përbashkët nga Departamenti i Drejtësisë, Programit Ndërkombëtar për Asistencë dhe Trajnim për Hetimet Penale (DOJ-ICITAP) dhe Qendra Federale e Trajnimit për Zbatimin e Ligjit (FLETC)”, thuhet në komunikatën për media.
Kolonel Mikullovci bëhet e ditur se ishte përzgjedhur nga kandidatët e nominuar të ICITAP në mbarë botën. Ajo theksoi se ndihet e privilegjuar për mundësinë e dhënë dhe është krenare për pjesëmarrjen e Policisë se Kosovës në këtë trajnim si pjesëmarrësja e parë ndërkombëtare.
“Shkëmbimi i përvojave edhe njohuritë e fituara në këtë kurs, ashtu siç mund të them është edhe motoja/mantra e kursit të “Lead by Heart- Udhëheq nga zemra” do të thotë të vendosësh njerëzit në radhë të parë, t’i shërbesh komunitetit dhe të shërbesh me përkushtim për vendin dhe qytetarët”, u shpreh ajo.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se më 6 maj të vitit 1997, ditën kur ra për të mos vdekur kurrë, Luan Haradinaj ishte vetëm 23 vjeç.
Megjithatë, mosha e tij e re nuk paraqiti asnjëherë pengesë për idealin që ai kishte në zemër. Përkundrazi, për lirinë e Kosovës, Luani ishte ndër të parët që nuk bëri kurrfarë kompromisi – as me vdekjen.
Krasniqi ka shkruar në Facebook se pa guximin, frymëzimin dhe sakrificën e Luanit dhe të bashkëluftëtarëve të tij – Kosova si shtet i pavarur do të mbetej përjetësisht vetëm një ëndërr.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se për muajin mars, janë gati 2 mijë të punësuar e të validuar në superpuna, për punësimin e të cilëve tashmë është proceduar subvencioni.
Murati ka shkruar në Facebook se një fakt interesant e që i bën të krenohen është edhe përbërja gjinore e të punësuarve, pasi mbi 51% janë vajza.
“Pra përveç adresimit të problemit të punësimit të të rinjve në përgjithësi, superpuna po ndihmon edhe në rritjen e punësimit për vajzat e gratë në veçanti. Punë dhe drejtësi”, thuhet në njoftim.
Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, gjatë intervistimit të të dyshuarit N.P. (viti i lindjes 1958, mashkull kosovar serb) për një rast të dyshimit të sulmit fizik ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ka lindur dyshimi i bazuar se i njëjti posedon armë.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse ku janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi për gjykatën një revole e tipit VZOR 50 Cal, një revole e tipit Cervena Zastave e kalibrit 7.65mm, një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62mm, një pushkë e tipit M48, dyqind e njëzet e nëntë fishekë të kalibrit 7.9mm, dyqind fishekë të kalibrit 7.62mm, njëzet fishekë të kalibrit 7.65mm, një mbrojtës për tyta dhe një brushë për pastrim të armëve.
“Prokurori i shtetit ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ,,Dhunë në familje’’ dhe ,,Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, rasti do të procedohet në prokurorinë themelor”, thuhet në komunikatë.
Qytetari nga Prishtina, përkatësisht nga lagjja “Dodona” ka dëshmuar me faturat e tij se çmimi për tatimin në pronë për këtë vit i është rritur për rreth 700 për qind krahasuar me vitet e kaluara.
Qytetarët vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth faturave për tatimin në pronë që u kanë ardhur me çmime shumëfish më të larta se viteve paraprake.
Shqetësim të njëjtë ka një qytetar nga Prishtina, ku tatimi i ishte rritur rreth 700 për qind më shumë se që paguante zakonisht. Nga 9.93 euro sa ka pasur obligim tatimor më parë për një parcelë prej 1 ari, këtë vit këtij tatimpaguesi nga Prishtina, i ka ardhur fatura 69.71 euro. Ky banor nga Prishtina (emër i njohur për redaksinë) shprehet i habitur me çmimin kaq të lartë që është aplikuar sivjet për pronë.
“Nuk e kuptoj pse është ardhur kjo faturë kaq e shtrenjtë për rreth 700 për qind këtë vit. Bëhet fjalë për një parcelë vetëm 1 ari në Prishtinë”, është shprehur ai.
Nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës janë goditur me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë, mesatarisht më shumë se 100 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Për rritjen e tatimit në pronë përveç qytetarëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), e cila ka bërë përgjegjëse për këtë rritje Ministrinë e Financave që drejtohet nga Hekuran Murati.
Rritja e tatimit në pronë, sipas KMDLNj-së është plaçkitje nga ana e shtetit.
“Ministria që drejtohet nga Hekuran Murati ka tërë përgjegjësinë për këtë rritje – plaçkitje përmes tatimit në pronë e adresoi te komunat duke deklaruar se këto mjete shkojnë në buxhetin e komunave në kohën kur komunat po arsyetohen se Ministria përkatëse ka përgjegjësi dhe se komunat nuk kanë as mundësi e as përgjegjësi ligjore të ndërhyjnë në vendimet e ministrisë. Realisht, qytetarët e Kosovës që pamëshirshëm po plaçkiten, qoftë nga një vendim diskriminues i ministrisë, qoftë nga mungesa e kompetencave të komunave të ndërhyjnë në caktimin e shumës së tatimit në pronë, janë të pafuqishëm të mbrojnë buxhetin familjar dhe biznesor, edhe ashtu të rrezikuar shumë nga kriza e përgjithshme ekonomike”, është bërë e ditur në njoftim.
Edhe Instituti Kosovar Drejtësi i ka kërkuar qeverisë ta pezullojë shumëfishimin e tatimit në pronë deri më 2025. IKD e ka quajtur të padrejtë vendimin e marrë nga Ministria e Financave.
Vendimi i Ministrisë së Financave për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë është kundërshtuar edhe nga qytetarët e vendit, ndonëse disa kanë kërkuar të falet tatimi deri në 200 euro për secilin tatimpagues.
LDK, nëpërmjet rezolutës në Kuvend kishte kërkuar që fillimisht Ministria e Financave të pezullojë rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimit paraprak.
Ndërsa, pas propozimit të Qeverisë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, dy javë më parë ka miratuar në parim Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, mes polemikave të shumta të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetëve opozitarë. Në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk kanë arritur ta shqyrtojnë në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme që mundëson faljen deri 100 euro për çdo tatim pagues për vitin 2023. Po ashtu, si shembull konsiderohet nga tatimpaguesit se nga 1000 euro, 2000 apo 5000 euro tatim dhe falja e mëvonshme e 100 eurove nuk është asnjë ndihmë as përkrahje nga qeveria.