ATV

Category: Lajme

  • OKB paralajmëron për rrezikun në zonën rreth centralit bërthamor të Zaporizhias

    OKB paralajmëron për rrezikun në zonën rreth centralit bërthamor të Zaporizhias

    Kreu i agjencisë së OKB-së për energjinë bërthamore paralajmëroi se situata rreth centralit bërthamor në Zaporizhia, që kontrollohet nga Rusia është bërë më e “e rrezikshme” pasi zyrtarët e emëruar nga Moska filluan evakuimin e njerëzve nga zonat e rreth centralit.

    Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi bëri thirrje për masa të forta për të garantuar funksionimin e sigurt të centralit bërthamor më të madh në Evropë, ndërsa autoritetet po evakuojnë banorët në qytetin e afërt të Enerhodarit.

    “Situata e përgjithshme në zonën pranë termocentralit bërthamor në Zaporizhia po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe potencialisht e rrezikshme”, tha zoti Grossi përmes një deklarate të publikuar në faqen e internetit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

    “Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për rreziqet reale të sigurisë bërthamore me të cilat përballet centrali. Ne duhet të veprojmë tani për të parandaluar kërcënimin e një aksidenti të rëndë bërthamor dhe pasojat që mund të ketë mbi popullatën dhe mjedisin.”

    Zoti Grossi tha se ndërsa personeli i centralit bërthamor në Zaporizhia vazhdon të jetë në krye të detyrës, punonjësit dhe familjet e tyre janë në një “tension gjithnjë e më të madh”.

    Guvernatori i emëruar nga Rusia i pjesës së kontrolluar nga Moska të rajonit të Zaporizhzhias në Ukrainë tha të premten se ai kishte urdhëruar evakuimin e fshatrave afër vijës së frontit pasi në ditët e fundit bombardimet në atë zonë ishin intensifikuar.

    Një kundërofensivë e pritshme pranverore e Ukrainës kundër forcave ruse mund të shtrihet edhe në rajonin e Zaporizhias, 80 për qind e të cilit kontrollohet nga Moska.

    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të dielën se banorët po evakuohen në drejtim të Berdianskut dhe Prymorskut në brigjet e Detit Azov.

    Forcat ruse pushtuan centralin bërthamore të Zaporizhzhias në Ukrainë disa ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin kundër vendit fqinj në shkurt të vitit 2022. Shkëmbime zjarri kanë ndodhur shpesh pranë objektit, për të cilat palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.

    Zoti Grossi vizitoi për herë të fundit centralin bërthamor në Zaporizhia, në mars, në kuadër të përpjekjeve për të biseduar me të dyja palët për arritjen e një marrëveshjeje mbi masat mbrojtëse për të siguruar funksionimin e sigurt të centralit.

    Ai ka paralajmëruar vazhdimisht për rreziqet e operacioneve ushtarake rreth centralit bërthamor, i cili ndodhet në pjesën e rajonit të kontrolluar nga forcat ruse. /VOA

  • Ekspertët paralajmërojnë se vendi mund të varfërohet edhe më tepër, kërkojmë masa urgjente nga Qeveria

    Ekspertët paralajmërojnë se vendi mund të varfërohet edhe më tepër, kërkojmë masa urgjente nga Qeveria

    Ekspertët e ekonomisë po vlerësojnë se vendi nuk është në rrugë të duhur sa i përket zhvillimit ekonomik. Ata i thanë Ekonomia Online se në vend ka rënie të investimeve kapitale, nuk ka fuqizim të sektorit privat, nuk ka investime të huaja dhe se rekomandimet e eksperteve nga Qeveria po merren si armiqësi.

    Ata po ashtu janë të shqetësuar se vendi mund të kalojë në një shtet social dhe mund të varfërohet edhe më tepër.

    Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërgjaliu, tha se në vend ka rënie të investimeve kapitale dhe për këtë cështje është i domosdoshëm reagimi i Qeverisë.

    Ai tha se rekomandimet e eksperteve po shndërrohen në armiqësi nga pushteti dhe se në vend është shndërruar një qasje anti-biznes.

    “Duhet që të kuptohet se sot si ekspert i ekonomisë, të thuash diçka në interes të shtetit dhe qytetarit e pranohet si armiqësi përballë pushtetit edhe vërtet ne e kemi shumë të vështirë të japim konkludime dhe rekomandime tona sepse ato po shndërrohen në armiqësi. E dyta në këtë situatë dhe më këta parametra ekonomikë që ka Kosova ku kemi rënie të investimeve kapitale, kemi rënie të investimeve kapitale në nivel lokal, kemi këtë distancë të komunikimit dhe të dialogut, e kemi një qasje anti-biznes do të thotë se vërtet janë rrethana shqetësuese që duhet t’i brengos pushtetin, në veçanti ministrin e Financave”, tha ai.

    Gërxhaliu shtoi se Kosova është në rrezik që të shndërrohet në shtet social dhe sipas tij, me një qasje të tillë vendi vetëm do të varfërohet.

    Ai tha se është koha kur duhet që shteti të reflektojë të hartojë projekte në mënyrë që të ketë rimëkëmbje ekonomike përmes sektorit privat.

    “Vetë faktin që në vitin 2022 ke vetëm 13 për qind të shfrytëzimit të buxhetit për projekte kapitale, është e para, e dyta kam dro që tentativën është Kosova të shndërrohet në një shtet social dhe me veprimin të tilla ad-hoc dhe me një qasje sociale Kosova vetëm varfërohet. Nuk ka zhvillim nuk ka fuqizim të sektorit privat, nuk ka investitor dhe investime të huaja dhe si mund të krenohemi me këto rezultate”.

    “Në fund të fundit sa më tepër të ruhet paraja sot në këtë kohë të inflacionit ajo vetë vetë ju përjeton amortizim moral apo devalvohet. Është koha kur duhet që të kemi reflektim, duhet të kemi partneritet, duhet që të kemi projekte, duhet që të kemi rimëkëmbje ekonomike përmes sektorit privat dhe jo gjithmonë sektori private të jetë ai që do të jetë i atakuar sepse çdo atakim përballë sektorit privat është atakim direkt tekë qytetari i Kosovës”, tha ai.

    Ekonomisti Jakup Bellaqa, tha se duke marr parasysh që Kosova ka një ekonomi jo të zhvilluar duhet që të merren hapa që të frenohet inflacioni dhe të mos vështirohet jeta e qytetarëve.

    “Çdo Qeveri është e suksesshme në rast që merr masa dhe e zvogëlon dhe e frenon inflacionin dhe papunësi. Edhe ne si ekonomi që jemi në zhvillim dhe jo e zhvilluar do të ndikonte negativisht ne ngritjen e cilësisë së jetës. Këtu duhet që të ngritët cilësia e jetës, për tu ngritur ajo duhet që të frenohet inflacioni dhe duhet të frenohet mos rritja e çmimeve të energjisë elektrike. Duhet në këtë aspekt që të merren masa stabilizuese që të mos vështirohet jeta e qytetarëve”, tha ai.

    Ai po ashtu bëri thirrje që të mbështeten më shumë prodhuesit vendës, raporton EO. Madje sipas tij, duhet që të ndërmerren politika fiskale në artikujt bazik, ku TVSh të zbresë nga 18 për qind sa është tani, në 5 për qind.

    “Duhet të ketë politika doganore më të favorshme, të ketë më shumë eksport se sa import, taksat doganore duhet që të ulen. TVSh-ja duhet që të lihet brenda, jo edhe në kufi edhe brenda në mënyrë që të favorizohen prodhuesit e brendshëm”.

    “Kostoja e prodhuesve të vendit është më e ulët dhe do të kemi çmime tregu dhe çmime të prodhuesit, sepse çmimet janë ngritur dhe ende janë shumë të larat sepse kostot varëse të cilat ndodhin për shkak të transportit për shkak të doganave, taksave doganore edhe TVSh -së së brendshme. Andaj do të duhet që edhe si politikë fiskale të ndërhyje në artikujt bazike, TVSh duhet që të zbres nga 18 për qind në 5 për qind në artikujt bazike, po jo ti iket TVSh-ja”, tha ai.

  • Britania do të lirojë të burgosurit, i duhen 1.2 milion punëtorë

    Britania do të lirojë të burgosurit, i duhen 1.2 milion punëtorë

    Të burgosur, shpëtojeni ekonominë britanike. Kështu, siç zbulon gazeta “Times”, qeveria e Rishi Sunak, në vend që të lehtësojë vizat për emigrantët, ka vendosur të lirojë mijëra të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar, duke u ofruar atyre liri të përditshme në këmbim të punës, veçanërisht në sektorët më të prekur, si ai i kulinarisë, mikpritjes, shërbimit, ndërtimit dhe transportit.

    Në Mbretërinë e Bashkuar, për më shumë se një vit, ka 1.2 milionë vende të lira pune që nuk mund të plotësohen për arsye të ndryshme: pasojat e Covid-19, siç ndodh vërtet edhe në vendet e tjera evropiane, dhe nga një ekonomi globale e paqëndrueshme për shkak të luftës në Ukrainë dhe inflacioni që vjen bashkë me të. Por kjo plagë duket se përkeqësohet në të gjithë shtetin ishull nga Brexit dhe sistemi i ri dhe shumë i ashpër i imigracionit, i bazuar në pika, sipas modelit australian, i cili komplikon ndjeshëm fluksin e lehtë të punëtorëve evropianë dhe nga vendet e trete, siç ishte përpara se Londra t’i thoshte lamtumirë familjes së Bashkimit Evropian.

    Për ekspertët, ku është një paradoks i vërtetë fakti se mijëra emigrantë, përfshirë dhe ata shqiptarë, që rrezikojnë jetët e tyre duke kaluar ilegalisht kanalin deportohen për në atdheun e tyre, pa marrë parasysh kualifikimin apo lehtësimin e barrës për bizneset që nuk përmbushin stafin e tyre.

  • Mitrovica dhe Skenderaj mbeten pa ujë të pijes

    Mitrovica dhe Skenderaj mbeten pa ujë të pijes

    Komunat e Mitrovicës dhe Skenderajt janë pa furnizim me ujë të pijes për shkak të një defekti teknik i cili ka ndodhur në impiantin për trajtimin e ujit në Shipol.

    Sipas njoftimit për media nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”, ekipet e mirëmbajtjes janë duke punuar në sanimin e defektit.

    Është bërë e ditur që pritet që deri në orët e pasdites të rregullohet problemi dhe të rikthehet furnizimi me ujë të pijes.

  • Ekonomistët për Fondin Sovran: Jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik, strehë e punësimeve partiake

    Ekonomistët për Fondin Sovran: Jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik, strehë e punësimeve partiake

    Njohësit e çështjeve ekonomike janë shprehur pesimistë që me themelimin e Fondi Sovran “do stabilizohet ekonomia në Kosovë”, siç parashikoi kryeministri Albin Kurti të dielën gjatë një konference për media, teksa njoftoi se institucionet kosovare janë një hap më afër themelimit të Fondit Sovran.

    Madje për ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin, Fondi Sovran “është jashtë konceptit kohor të zhvillimit ekonomik”, meqë sipas tij, janë ministritë që merren me zhvillim ekonomik.

    “Unë jam pesimist që mund të ketë sukses ky fond. Më shumë Qeveria ka tendencë që t’i kontrollojë asetet e shtetit. Fondi Sovran do jetë një institucion për t’i centralizuar burimet dhe për t’i sistemuar bashkëpartiakët e tyre nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Shatri për Albanian Post.

    Profesori i Ekonomisë mendon se për ta zhvilluar vendin, Qeveria duhet të bëjë politika aktive makro-ekonomike.

    “Duhen politika fiskale për t’i ulur taksat për bizneset dhe të rriten investimet qeveritare duke marr kredi të mira. Në këtë mënyrë aktivizohet i gjithë potenciali”, shton ai.

    “Kjo qeveri i ka rritur tatimet dhe i ka bllokuar mjetet e buxhetit, kjo është forma ma pasive që mundet ta ketë një vend në botë. Mjetet e ndara në buxhet për investime kapitale nuk i kanë futur në punë. I kanë humbur dy vjet”.

    Në anën tjetër, ekonomisti Shyqeri Bytyqi, mendon se në përgjithësi krijimi i fondeve të tilla ka synim pozitive në ekonomin e një vendi, por sqaron se “fondet e sovranitetit krijohen nga vendet që kanë pasuri të mëdha natyrore apo teprica të fondeve të ndryshme përfshi edhe tepricat fiskale apo të eksportit”.

    Por, ai vuri në pah se në këto koncepte “Kosova nuk është shumë e shquar” me përjashtim të mungesës së mirë menaxhimit të buxhetit të shtetit që në shumicën e rasteve mbetet suficit.

    “Fondet sovrane luajnë një role të rëndësishëm në nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi. Megjithatë, rreziqet për një performancë pozitive të këtij fondi mbesin ato politike dhe menaxhues. Kosova ka përjetuar vazhdimisht jo stabilitet politik, gjë që mund të ndikojë në mos-arritjen e objektivave të fondit”, potencoi ai për AP.

    Prandaj, për Bytyqin, “ka rrezik” që fondi ta humb rolin e vet themelues dhe të mbetet vetëm si financues i ndërmarrjeve publike jo rentabile, “apo edhe që fondi të bëhet strehë e lehtë e punësimeve partiake”.

    “Është tejet e rëndësishme që fondi të menaxhohet në mënyrë të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm në të kundërtën jo që do të ndikon pozitivisht në përkrahje të zhvillimit ekonomike, por do të bëhet një pengesë e zhvillimit të tregut të lirë. Në fakt, praktika nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit na rezulton që menaxhimi ka lenë për të dëshiruar”.

    Çka është Fondi Sovran?

    Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

    Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

    Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

    Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

    Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.

    Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

    Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po largohen nga Kosova drejt Perëndimit.

  • Mbipopullimi i shkollave në kryeqytet ndikon në cilësi

    Mbipopullimi i shkollave në kryeqytet ndikon në cilësi

    Shkolla fillore “Pavarësia” në Prishtinë, për shkak të mbipopullimit, është detyruar që mësimin ta zhvillojë me tri ndërrime me orar të shkurtuar. Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se kjo situatë do të zgjidhet pasi të ndërtohen edhe shkollat e planifikuara në këtë zonë.

    Nxënësit e klasës së 6 të shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, në lëndën e mësimore ‘Edukata qytetare’ mësojnë të drejtat e tyre që u takojnë si fëmijë. Por mbarëvajtja e mësimit në këtë lëndë me numër të madh të nxënësve mbetet sfiduese.

    “Është e vështirë edhe puna e ligjërimit edhe puna e vlerësimit në krahasim me numrin e vogël të nxënësve. Vërehet dallimi. E kemi vërejt dallimin edhe me grupe në kohën e pandemisë kur kemi punuar, se suksesi më i madh arrihet kur numri është shumë më i vogël”, ka thënë për RTK-në Hatixhe Jakupi, mësimdhënëse e lëndës “Edukatë Qytetare”.

    1700 nxënës ka aktualisht kjo shkollë, ndërsa objekti ka kapacitet deri 800 nxënës. Si rrjedhojë drejtuesit e shkollës janë detyruar që mësimin ta ndajnë në 3 ndërrime dhe me orar të shkurtuar.

    “Ndërresa e parë fillon në 7;30, e dyta në 12 e 20, e treta në 15:40 minuta. Por kjo krejt e bartë edhe një dëm për cilësinë e mësimdhënies të zhvillimit të një procesi edukativo arsimor me pengesa të mëdha sepse kemi qenë të detyruar edhe orët mësimore t’i shkurtojmë nga pak. P.sh. 4 orët e para janë 40 minuta, aty ku janë nga 6 orë, derisa e 5-ta dhe e 6-ta janë nga 35 minuta. Përndryshe, ndërresa e tretë do të shkonte deri në orën 21:00”, ka theksuar Shefki Rusinovci, drejtor i shkollës “Pavarësia”.

    Ekspertët e arsimit thonë se mbipopullimi i nxënësve në shkolla kontribuon në uljen e cilësisë në arsim.

    “Ajo që na dëshmohet në çdo klasë padyshim që shkollat më 3 ndërrime, janë më shumë të imponuara me kushte jo më të mira të punës për mësimdhënësit, me kushte jo më të mira për mësimnxënie për nxënësit dhe të gjitha këto së bashku, padyshim që na kontribuojnë në një cilësi më të ulët”, është shprehur Rinor Qehaja nga Instituti Edguard.

    Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, tha se deri në shtator të këtij viti, shkollës fillore “Pavarësia” do t’i shtohet edhe një aneks.

    “Shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i aneksit dhe parashihet që të bëhet gjatë sezonit të verës. Shpresojmë shumë që të përfundojë gjithçka në shtator sepse është një ankesë që aneksi nuk është shumë i madh. Nga shtatori besoj se nxënësit e shkollës ‘Pavarësia’ do të kenë më shumë hapësira”, ka thënë Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

    Sipas saj, përurimi i shkollës së re në lagjen “Qëndresa” në Veternik dhe dy të tjerave që do të nisin së shpejti, njëra në Mati 1 dhe tjera në Sofali, do të kontribuojnë në lirimin e hapësirave në shkollën “Pavarësia”.

  • Kurti: S’pranojmë Republikë serbe në Kosovë

    Kurti: S’pranojmë Republikë serbe në Kosovë

    Kryeministri, Albin Kurti, të dielën para gazetarëve tha se Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit për Asociacionin ka përfunduar misionin dhe funksionin e vet, pasi u pyet për shkarkimin e tij.

    Bashkimi Evropian kritikoi vendimin e qeverisë kosovare, duke e cilësuar si shkelje të frymës së dialogut, por kryeqeveritari deklaroi se lirimi i ekipit nga detyra, ishte gjëja më e natyrshme dhe e logjikshme meqë ai ka kryer punën e vet me prezantimin e draftit në Bruksel.

    Kurti foli edhe për propozimin e tij për vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se nga ndërmjetësit s’mori përgjigje e pala serbe as që deshi ta lexojë.

    Në Bruksel, ai paraqiti nëntë nenet e marrëveshjes që sipas tij i shkeli Serbia, ku bëri të ditur se në takim u konfirmua se dakordimi mes dy vendeve është valid.

    Hapat e radhës dialogues kryeministri deklaroi se do të mësohen në takimin e ardhshëm që pritet të mbahet këtë muaj.

  • Serwer kritikon Përëndimin për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit: Administrata Biden po anon kah Serbia

    Serwer kritikon Përëndimin për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit: Administrata Biden po anon kah Serbia

    Profesori amerikan dhe njohësi i rrethanave politike e të sigurisë në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer, teksa ka komentuar shkrimin e New York Times për lidhjet e presidentit të Serbisë me botën e krimit, ka kritikuar perëndimin, meqë sipas tij po dëshirojnë që në rajon të vendoin paqe përmes shfrytëzimit të nacionalistëve.

    Serwer ka thënë se administrata e Joe Biden anon me qëndrime positive ndaj Beogradit pavarësisht çfarë ndodh.Sipas tij perëndimorët po e mashtrojnë veten dhe shton se këtë po e bëjnë me qëllim.

    “Zyrtarët perëndimorë janë duke mashtruar veten dhe këtë po e bëjnë për një qëllim. Ata kanë hequr dorë nga demokracia liberale në Serbi, në Kosovë, në Bosnje, në përgjithësi në Ballkan. Dhe ajo që ata po bëjnë është të përpiqen të përdorin nacionalistët për të ruajtur paqen, në thelb, për të stabilizuar rajonin. Kjo është një ide që ka ekzistuar gjithmonë në Perëndim, por është bërë shumë e spikatur në administratën e presidentit Biden dhe ajo anon shumë drejt të qenit pozitiv për Beogradin, pa marrë parasysh çfarë ndodh”, ka thënë për Zërin e Amerikës, profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer.

    Derisa gazetari amerikan Robert F. Worth thotë se ka serbë që mendojnë se situata në përgjithësi është edhe më keq se sa në kohën e Slobodan Milosheviçit.

    “Disa serbë më ka thënë që në disa forma situata është më keq se si ishte në kohën e Millosheviçit. Drejtësia është më e politizuar se sa ishte në atë kohë. Nuk ka luftë civile të përgjakshme më dhe kjo është një gjë e mirë, por Serbia tani është një vend ku policia, në disa nivele dhe në kohëra të ndryshme ka qenë e përfshirë në aktivitete kriminale”, thotë gazetari Worth./VOA/

  • Kryetari i Parlamentit të Austrisë sot me vizitë në Kosovë

    Kryetari i Parlamentit të Austrisë sot me vizitë në Kosovë

    Kryetari i Parlamentit të shtetit të Austrisë, Wolfgang Sobotka pritet ta vizitojë sot Kosovën.

    Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Sobotka do të zhvillojë edhe një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e Kuvendit të Kosovës.

    ‘’Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Ëolfgang Sobotka’’, thuhet në njoftim.

    Takimi pritet të nis nga ora 11:30 dhe pas takimit do të mbajë konferencë për media.

    Pas përfundimit të konferencës, kryetarët Konjufca dhe Sobotka do të marrin pjesë në “Punëtorinë për Demokraci – DEMOS-ti” dhe do të bashkëbisedojnë me nxënës filloristë, në hollin e Kuvendit.

  • Policët dhe zjarrfikësit në pritje të shtesave për rrezikshmëri

    Policët dhe zjarrfikësit në pritje të shtesave për rrezikshmëri

    Mbi 8,500 policë e qindra zjarrfikës që nga hyrja në fuqi e ligjit për pagat në sektorin publik nuk kanë marrë shtesën për rrezikshmërinë. Nga Sindikata e Zjarrfikësve thonë se as nuk janë të informuar sa do të paguhen për rrezikshmëri, ndërkohë që sindikata e Policisë pret që në muajin tjetër policët t’i i marrin shtesat për rrezikshmëri të grumbulluara nga shkurti.

    Ka 20 vite që uniformës i qëndron besnik dhe gjithherë është në gjendje gatishmërie.

    Zjarrfikësit Afrim Gashi, shteti ia ka besuar përgjegjësinë për të shpëtuar jetë dhe pronën, por në rast se diçka shkon keq gjatë intervenimeve, vet ai do të duhet të merret me pasojat.

    “Sigurimi shëndetësor neve nuk na është paguar asnjëherë, kushtet e punës nuk janë të mira. Nuk e plotësojnë standardin. Ka pasur zjarrfikës që është lënduar edhe është shëruar me mjete vetanake”, ka thënë Afrim Gashi, zjarrfikës.

    Dita ndërkombëtare e zjarrfikësve Gashin dhe kolegët e tij i ka gjetur në situatë kur lëndimet në vendin e punës i paguajnë vet, dhe nuk marrin pagesë për rrezikshmërinë.

    “As kontrolla sistematike, as sigurime shëndetësore, as rrezikshmëri në punë, as kompensim për ndërrimet e natës, as festë as për punë jashtë orarit, po flasim për mos-kompensim përgjatë vitit 2022”, ka thënë Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve.

    Me ligjin e ri për pagat në sektorin publik, zjarrfikësit mesatarisht paguhen për 30 euro më shumë, por nuk dihet sa do të paguhen për rrezikshmërinë.

    “Ne nuk e kemi të qartë sa do të jetë shuma, përgjigjen e kemi se do të kompensohemi në mënyrë retroaktive prej shkurtit, mirëpo shumë sa do të jetë, unë personalisht nuk e di, përgjigjen e kemi se lëvizje do të ketë”, ka thënë Beka.

    Për rrezikun me të cilin përballen për çdo ditë nuk janë paguar që nga shkurti edhe mbi 8500 policë të uniformuar. Vetëm se policët për dallim me zjarrfikësit, janë të njoftuar se për rrezikshmërinë do të paguhen nga 10 euro deri në 70 euro, ndërsa në të kaluarën janë paguar dyfish më shumë, nga 105 deri në 210 euro.

    Sindikata e Policisë bënë thirrje që në muajin tjetër policët t’i marrin pagat edhe me pjesën e rrezikshmërisë, përndryshe do të ndërmarrin hapa.

    Ministria e Financave dhe e Punëve të Brendshme muaj më parë kishin premtuar se në pagën e muajit mars do të nisë ekzekutimi i shtesave në pagë, premtim që nuk është mbajtur.

    Edhe para pesë ditëve thanë se edhe gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ende nuk e ka përfunduar punën.