ATV

Category: Lajme

  • Kurti nderohet me një çmim nga Forumi Ekonomik i Vjenës

    Kurti nderohet me një çmim nga Forumi Ekonomik i Vjenës

    Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Prishtinë, për herë të parë, Forumi Ekonomik i Vjenës po mban konferencën Vienna Economic Talks – Prishtina 2023.

    Kryeministri Kurti ishte folës kryesor në sesionin hyrës, me ç’rast iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe i njoftoi ata për progresin dhe arritjet në dy vitet që po lëmë pas dhe për synimet e përbashkëta për vitet që na presin në të ardhmen.

    Përgjatë tri sesioneve, përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të diskutojnë për bashkëpunimin rajonal në fushën e investimeve përmes inovacionit teknologjik.

    Në këtë ngjarje, kryeministri Kurti, në emër të Republikë së Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Kosovës në këtë forum, pranoi çmimin nga Forumi Ekonomik i Vjenës për bashkëpunim dhe kontribut të shkëlqyeshëm në zhvillimin ekonomik të nivelit nacional dhe rajonal, çmim ky që u dorëzua nga Presidenti i Forumit Ekonomik, Ambassador Victor Jackovich.

    Në fjalën e tij falënderuese, kryeministri Kurti bëri thirrje edhe për më shumë bashkëpunim, ashtu që slogani i Forumit Ekonomik të Vjenës “Shkoni në jug lindje”, të bëhet sinonim me ‘nearshoring’ perëndimor. /kp

  • Apeli ende pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut

    Apeli ende pa vendim lidhur me masën e paraburgimit për ish-kryeshefin e KEK-ut

    Gjykata e Apelit ende nuk ka marrë vendim në rastin e kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili u arrestua më 19 prill nën dyshimin për vepra penale korruptive.

    Ai po dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit dhe që nga ajo kohë po qëndron në paraburgim.

    Mbrojtësi i Krasniqit, avokati Virtyt Ibrahimaga ka konfirmuar për Reporteri.net se janë në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me masën e paraburgimit.

    “Gjykata e Apelit nuk ka vendosur ende, nuk kemi ndonjë informacion se kur pritet të vendos, ne jemi në pritje të vendimit”, tha avokati Ibrahimaga.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, pasi dyshohet për kryerjen e tri veprave penale. Kundër këtij vendimi, mbrojtja e tij ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Njësia e Veçantë e Hetimeve kishte bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.

    “Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.

    Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm.

  • Tash e pesë ditë i humbur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e Nezir Osmanit

    Tash e pesë ditë i humbur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e Nezir Osmanit

    Tash e pesë ditë Nezir Osmani nga Prishtina vazhdon të jetë i humbur dhe për të nuk dihet asgjë.

    Familjarët e tij, kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e 60 vjeçarit, Nezir Osmani.

    Sipas familjarëve, Nezir Osmani ka dal nga shtëpia më 5 maj, dhe nuk është kthyer më.

    Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, mund të thërrasin familjarët në këta numra 044 219 050 ose të lajmërojnë Policinë e Kosovës.

  • Kurti: Parashikojmë zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme

    Kurti: Parashikojmë zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme

    Kryeministri Albin Kurti, në konferencën e titulluar “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, ka thënë se qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme.

    “Kam pasur kënaqësinë të jem pjesë e vendit ku ndajmë sfidat fitoret dhe vizionet me njëri-tjetrin, ndërsa përmenda arritjet e së kaluarës, jam edhe më entuziast për ato të së ardhmes që po shikojmë në vitet ambicioze dhe të gjelbra përpara”.

    Kurti përmendi edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme, raporton Ekonomia Online.

    “Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megabit të prodhuar nga energjitë e rinovueshme. Po krijojmë gjithashtu fondet e para sovrane të pasurisë së vendit tonë”.

  • Arrestohet 41-vjeçari, vuri në qarkullim 740 euro false, të gjitha monedha nga 2 euro

    Arrestohet 41-vjeçari, vuri në qarkullim 740 euro false, të gjitha monedha nga 2 euro

    Me datën 07.05.2023 rreth 15:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë tek një qendër tregtare në Ferizaj, një person i dyshuar aty kishte blerë produkte ushqimore në vlerë rreth 740 euro, të gjitha monedha nga dy (2) euro të dyshuara si të falsifikuara dhe ishte larguar.

    Policët e rendit, e më pas edhe policët hetues menjëherë i janë përgjigjur kësaj informate dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet .

    Pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, është identifikuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj personi i dyshuar H.R ( M/K) i moshës 41 vjeçar.

    Pas intervistimit të tij nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt hetimore , kurse monedhat në vlerë 740 euro, të gjitha monedha nga dy (2) euro janë konfiskuar, për procedura të mëtejme hetimore.

    Rasti është cilësuar ‘’ Falsifikim i parasë’’.

  • Detaje të reja rreth tragjedisë në Foggia

    Detaje të reja rreth tragjedisë në Foggia

    Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja rrëqethëse në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar i identifikuar si Taulant Malaj, vrau një shtetas italian dhe të bijën 16-vjeçare, pasi kjo e fundit ndërhyri për të mbrojtur të ëmën.

    Autori i vrasjes pasi kreu krimin e dyfishtë, ka filmuar ngjarjen makabre dhe pamjet së bashku me një rrëfim ua ka dërguar disa personave me mesazh në Whatsapp, shkruan Top Channel.

    Në videon me pamjet e rënda, Malaj dëgjohet të thotë: “E shikoni këtë këtu, ky është italiani. Gruaja ime…Ja fala njëherë, ky është i dyti. E shikoni, e kam therur vetë. Vetë e kam therur. I vrava që të tre, edhe çupën sepse ngacmonte edhe çupën.”

    Sikurse duket edhe nga pamjet, pas filmimeve jashtë, Malaj futet në banesë duke vijuar pandërprerë xhirimet e pamjeve horror. Aty shihet trupi i pajetë i të bijës i shtrirë në tokë, ndërsa i drejtohet bashkëshortes duke i thënë: “Shikoje këtu, vrasje këtu. Këta janë. Pusho o … pusho. Pusho. Boll o …Boll, boll, boll se ta fala njëherë, boll.”

    Ndërsa e shoqja dëgjohet të thotë “po çfarë bëre kështu”.

    “Shiko i kam therur dhe do t’i ther akoma, s’ka ardhur asnjë polici. Ku është djali? Do t’i ther tani”, thotë Malaj në video.

    Mediat italiane raportojnë se Taulant Malaj, dyshonte se gruaja e tij 39-vjeçe kishte një lidhje jashtëmartesore me tregtarin italian Massimo De Santis, pronar i “Jolly”, dy lokaleve të njohura në Torremaggiore dhe njëherazi, kunati i senatorit Gisella Naturale. Në rrethana ende të paqarta, ai ka qëlluar shtetasin italian në shkallët e pallatit, aty ku duken njollat e mëdha të gjakut.

    Gjatë konfliktit, Malaj ka tentuar të vrasë bashkëshorten, Tefta Malaj, por dyshohet se ka qenë vajza 16-vjeçare e çiftit, Gessica, që u qëllua për vdekje në vend të saj pasi ndërhyri për të mbrojtur nënën. Bashkëshortja e vrasësit shqiptar ka mbetur e plagosur dhe ndodhet në spitalin e Foggia në gjendje jo të rëndë shëndetësore, por e shokuar nga ngjarja.

    Pas vrasjeve, Malaj u arrestua pranë pallatit. Gjatë ndalimit nga policia, ai ka rrëfyer se po kërkonte djalin e tij pesë vjeçar. Në vendngjarje u sekuestrua arma e vrasjes, një thikë kuzhine. Familja shqiptare ishte me origjina nga Selenica e Vlorës, ndërsa nuk dihet nëse mes çiftit ka pasur konflikte të mëparshme.

  • Shkarkohet drejtoresha e Kulturës nga radhët e PDK-së në Istog – ajo fajëson shefin: Jo çdo kujt i pëlqen korrektësia

    Shkarkohet drejtoresha e Kulturës nga radhët e PDK-së në Istog – ajo fajëson shefin: Jo çdo kujt i pëlqen korrektësia

    Elianë Blakaj, ka njoftuar se është shkarkuar nga pozita e Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport mnë Komunën e Istogut. Sipas saj, arsyet e shkarkimit janë banale si “mosbindja ndaj urdhërave të shefit’’.

    Sipas saj, shkarkimi ndodhi për shkak se “nënkryetari kishte dëshirë të ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë të cilën e menaxhonte ajo”.

    “Pres njerëz që do të kënaqen me shkarkimin tim, ngase jo çdo kujt i pëlqen korrektësia, por fatbardhësisht ka shumë njerëz që do i mërziten shkarkimit tim”, shprehet ajo.

    Ajo shprehet se kryetari i degës ka vendosur për fatin e saj, dhe ka realizuar “përpjekjen e tij një vjeçare për shkarkimin e saj”.

    “Paaftësia e tij për të ushtruar pozitën e lartë që mbanë brenda Komunës, pamundësia e ushtrimit të kompetencave, dëshira për me kontrollu gjithçka dhe pamundësia për me blloku punën time bëri që ai të vendos për shkarkimin tim”, është shprehur ajo.

  • Këto janë çmimet e derivateve në Kosovë dhe rajon

    Këto janë çmimet e derivateve në Kosovë dhe rajon

    Çmimet e derivateve janë në rënie të vazhdueshme si në Kosovë ashtu edhe në rajon. Megjithatë, çmimi i karburanteve më i lirë deri më tani është në Maqedoninë e Veriut.

    Në këtë shtet fqinjë jugor, çmimi i derivateve ka rënë në 1.09 euro. Në tregun e Kosovës derivatet po tregtohen nga 1.19-1.29 euro për 1 litër, ndërsa në Shqipëri 1.50 euro dhe në Serbi 1.51 euro.

    Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi ka treguar arsyet përse ky shtet ka çmimet më të ulëta të derivateve në rajon.

    Sipas ministrit Bekteshi, fal politikave qeveritare për menaxhim me krizën, ky shtet ka çmimet e naftës më të lira në rajon.

    “Çmimi i derivateve të naftës përcaktohet në berzë, megjithatë politikat fiskale (akcizat, TVSH, etj.)kanë ndikim të konsiderueshëm në çmimin final që e paguajnë konsumatorët. Pikërisht, fal politikave qeveritare për menaxhim me krizën kemi çmimet e naftës më të lira në rajon”, ka njoftuar Ahmeti.

    Ai ka treguar edhe çmimet e naftës për shtetin e tij dhe vendet e rajonit.

    “Maqedonia e Veriut – 1.09 euro ose 67 den, Kosova – 1.19-1.29 euro ose 73-79 den, Shqipëria – 1.50 euro ose 93 den ose 169 lek, Serbia – 1.51 euro ose 182 din”, bën të ditur ai.

  • Nxitoi ta kryente krimin para se t’i mbushte 14 vjeç, detaje nga telefoni i 13-vjeçarit që vrau 9 persona

    Nxitoi ta kryente krimin para se t’i mbushte 14 vjeç, detaje nga telefoni i 13-vjeçarit që vrau 9 persona

    Ka përfunduar hetimi i telefonit të 13-vjeçarit i cili vrau tetë bashkëmoshatarë, rojën e shkollës Dragan Vlahoviq dhe që plagosi shtatë persona, në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”.

    Policia ka konfiskuar menjëherë telefonin e tij, si dhe kompjuterët dhe i gjithë materiali ishte dërguar për ekspertizë.

    Siç shkruan medium serbe “Politika”, pas hulumtimit të telefonit u konstatua se ai kishte planifikuar me detaje vrasjen e tmerrshme, si dhe të gjitha rrethanat për të shmangur burgun.

    Është konstatuar se menjëherë para krimit, ai ka kërkuar në internet kodin penal të Serbisë për të hetuar nëse fëmijët mund të mbajnë përgjegjësi penale dhe cilat janë dënimet.

    Në bazë të kërkimit të tij, konstatohet se sulmin në shkollë e ka organizuar tani sepse e dinte se i kishin mbetur më pak se dy muaj deri në ditëlindjen e tij të 14-të dhe se i kishte mbetur edhe aq kohë për t’u trajtuar si i papërgjegjshëm penalisht nëse kryente një krim.

  • FSK përfundon edhe një ushtrim në kuadër të përgatitjeve për “Defender Europe 2023”

    FSK përfundon edhe një ushtrim në kuadër të përgatitjeve për “Defender Europe 2023”

    Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të përgatitjeve për “Defender Europe 2023”, ka përfunduar ushtrimin fushor “Steel Alpha 2023”.

    Në këtë ushtrim sipas njoftimit janë kryer stërvitje për operacione të mbrojtjes, sulmuese, të sigurisë dhe stabilitetit.

    “Në kuadër të përgatitjeve për Ushtrim “Defender Europe 2023”, është realizuar Ushtrimi Fushor “Steel Alpha 2023” për valdimin e Kompanisë A dhe Togut IVR nga Regjimenti i Dytë i Forcave Tokësore. Në këtë ushtrim janë kryer stërvitje për operacione të mbrojtjes, sulmuese, të sigurisë dhe stabilitetit, duke i përfshi këtu edhe stërvitjet në nivel kompanie (LFX) me të gjitha sistemet e armatimit”, thuhet në njoftim.