ATV

Category: Lajme

  • Zogaj: Ka shumë prona të Komunës së Prishtinës që janë të uzurpuara, duhet ndihmë nga Prokuroria dhe Policia

    Zogaj: Ka shumë prona të Komunës së Prishtinës që janë të uzurpuara, duhet ndihmë nga Prokuroria dhe Policia

    Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka shumë prona që vazhdojnë të jenë të uzurpuara për vite të tëra, të cilat janë pronë e Komunës së Prishtinës.

    “Ne kemi edhe prona të komunës së Prishtinës të cilat janë të uzurpuara, me vite e vite të tëra dhe për të cilat kemi një qasje të njëjtë sikur për pronat e Ministrisë së Bujqësisë, ato të AKP-së dhe të institucioneve të tjera”, tha Zogaj.

    Ai tha se nuk i takon vetëm Komunës së Prishtinës që të merret me këtë temë, por u duhet ndihmë edhe nga Prokuroria dhe Policia.

    “Kjo nuk i takon vetëm Komunës së Prishtinës me u marrë me këtë temë, por është temë me të cilën duhet me u marrë edhe nivele më të larta dhe duhet ndihmë edhe prej prokurorisë edhe prej policisë me i liru pronat dhe me i kthy te pronarët e vet. Ne po e kërkojmë këtë ndihmë edhe për pronat e Komunës së Prishtinës”, tha Zogaj.

    Ai përmendi se në Zonën Industriale ka shumë prona që janë uzurpuar të cilave ende nuk iu është bërë ndonjë zgjidhje.

    “Ka prona të komunës së Prishtinës krejt në Zonën Industriale. Ka prona e prona të uzurpuara vite e vite përpara të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje. Ka qira mbi qira, ka biznese të shumta të cilat sot funksionojnë aty e që janë në prona publike të kohës së më parshme”, theksoi Zogaj. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Uzurpimi” i pronave në qendër të Prishtinës, Besian Mustafa i bënë thirrje prokurorisë që të merret më seriozisht me këtë temë

    “Uzurpimi” i pronave në qendër të Prishtinës, Besian Mustafa i bënë thirrje prokurorisë që të merret më seriozisht me këtë temë

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili njëherësh ishte edhe ministër i Bujqësisë, në një intervistë në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për pronat në qendër të Prishtinës, për të cilat dje ministri aktual i Bujqësisë Faton Peci kishte denoncuar se ato po përdoren kundërligjshëm.

    “Ka qenë një raport i tërë i auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës për këtë temë dhe shumë tema të tjera. Me to jemi marrë në mënyrë intensive. Kryesisht, shumica dërmuese për mos të thënë të gjitha, këto prona janë në menaxhimin dhe pronësinë e Institutit Bujqësor të Kosovës, aty është edhe gjeneza e këtij problemi dhe strumbullari i gjithë këtij keq menaxhimi, prandaj në bashkëpunim edhe me auditorin e përgjithshëm edhe me prokurorin e shtetit, jam marrë me këtë temë”, tha Mustafa.

    Ai tha se për këto prona, do të duhej ta kishte më të qartë prokuroria se sa vet Ministria e Bujqësisë.

    “Ministria e Bujqësisë e ka të qartë se kujt i ka dhënë kontratën për qiradhënie, nëse ka pasur ndonjë mandej ndonjë uzurpim të hapësirave ose keq menaxhim në kuptimin e zgjerimit të atyre hapësirave ose ndërrimit të planit arkitekturor, pastaj natyrisht që me ligj merret prokuroria me këto raste. Jemi marrë edhe ne”, tha Mustafa.
    Ai tha se i bashkëngjitet ministrit Peci për t’i bërë thirrje prokurorisë që të merret seriozisht me këtë temë.

    “Zotri Peci ka vazhduar ato përpjekjet tona, ka dërguar me një nivel tjetër sepse është tepër gjatë aty, tani ka kaluar gati dy vite e gjysmë dhe pjesën tjetër, i bashkëngjitëm atij dhe kujt do që prokuroria të merret seriozisht me këto tema”, u shpreh Mustafa. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Ministri Peci inspekton nisjen e vaksinimit nga ajri kundër tërbimit të kafshëve të egra

    Ministri Peci inspekton nisjen e vaksinimit nga ajri kundër tërbimit të kafshëve të egra

    Vaksinat kundër tërbimit të kafshëve duhej të shpërndaheshin me aeroplan.

    Për këtë projekt ishte përgatitur edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, por, për shkak të kushteve klimatike fluturimi s’qe i mundur.

    “Ky aktivitet ka për synim shpërndarjen e vaksinave për kafshët e egra, me synim që të kujdesemi për aspektin shëndetësor të kafshëve, por njëkohësisht përveç aspektit shëndetësor edhe parandalimin e mundësisë së shpërndarjes së sëmundjeve, qoftë kafshët e egra, por edhe kafshët shtëpiake. Krejt kjo është në funksion të rritjes së angazhimit tonë, si institucione për të ruajtur shëndetin publik, qoftë për qytetarët, por edhe për kafshët”, tha Peci.

    Ai foli edhe për vendet ku do të shpërndahen këto vaksina.

    “Vaksinat shpërndahen në shumicën e territorit të Republikës së Kosovës, kryesisht në zonat malore, kodrinore-malore, por edhe të kullosave, nuk përfshihen zonat ku ka lumenj, ose ku ka liqene dhe si total objektivi është shpërndarja e 250 mijë vaksinave”, tha Peci.

    Vaksinat kundër tërbimit të kafshëve janë të sigurta dhe s’paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo të kafshëve, bazuar në përshkrim të prodhuesit të vaksinës.

    “Për AUV-in, ky projekt është shumë i dobishëm dhe AUV i bën të gjitha përpjekjet që këtë sëmundje ta ketë nën kontroll. Aktivitete të cilat zhvillohen për këtë sëmundje janë vaksinimi vjetor i tërbimit të kafshëve shtëpiake, gjithashtu me këtë projekt vaksinohen edhe kafshët endacake”, tha Bafti Murati nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

    Projekti do të duhej të zgjaste 6 ditë, por varet edhe nga moti, derisa financohet nga Komisioni Evropian. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Fillon projekti “Ora e leximit” në shkollat e kryeqytetit

    Fillon projekti “Ora e leximit” në shkollat e kryeqytetit

    Bazuar në rezultatet e fundit të Testit PISA, 15-vjeçarët në Kosovë janë cilësuar si performues të dobët të leximit. Tani Komuna e Prishtinës po ndërmerr hapa me synim t’i përmirësojë ato, përmes projektit “Ora e Leximit” që tashmë ka filluar në disa shkolla.

    “Kur e marrim një libër të lexojmë e bëjmë secilin kapitull me strategjitë e lexim-kuptimit dhe ato na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë se çfarë po lexojmë”, thotë Noa Sefa, nxënëse.

    Që nxënësit të performojnë më mirë në Testin PISA nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës thonë se do të realizojnë edhe projekte të tjera.

    “Në 13 shkolla veçse ka filluar ora e leximit, dhe kemi marrë komente jashtëzakonisht të mira prej prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve. Kështu do të vazhdojmë menjëherë me implementimin dhe do të vazhdojmë prej javës së ardhshme furnizimin në të gjitha shkollat e Prishtinës. 300 mësimdhënës veçse janë trajnuar, kështu që do të jetë e lehtë që ta zbërthejnë projektin dhe të fillojnë me implementim. Shpresojmë që prej shtatori do të jetë edhe një vit i ri shkollor dhe do të jetë më e rëndësishme”, tha Besianë Musmurati nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

    Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me organizatën ETEA.

    “Mbi 95 për qind e mësimdhënësve që kanë pilotuar projektin e kornizës në shkolla kanë vlerësuar se kjo qasje e mësimdhënies dhe mësimnxënies kontribuon direkt në të mësuarit logjik, ndërsa 97 për qind e mësimdhënësve kanë konsideruar se ky projekt mundëson qasjen në libra të mirë, të përshtatshëm për fëmijët”, tha drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti.

    Koncepti i këtij projekti është marrë nga Suedia dhe Kanadaja. Të dyja këto shtete kishin pasur probleme në lexim-kuptim të nxënësve në të shkuarën. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Kurti prezanton procesin hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032

    Kurti prezanton procesin hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032

    Reformë për politikëbërjen dhe dokument kryesor orientues karshi rinisë po cilësohet të jetë strategjia shtetërore për rini, për vitet 2024-2032.

    Gjatë prezantimit të procesit hartues si dhe planit të veprimit për 2 vjet, kryeministri Albin Kurti tha se në qendër do të jetë i riu.

    “Strategjia shtetërore për rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet ta përcaktojë rolin e vet. Përveçse është strategji e cila na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikëbërjen ndërsektoriale karshi rinisë. Në të kaluarën kemi pasur planifikim dhe zbatim të fragmentuar, e zaten kur ka pak planifikim, zbatimi është i fragmentuar, i pakonsoliduar dhe shpesh kontradiktor”, tha Kurti.

    Në prezantimin e procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini kryeministri tha se planifikimi i së ardhmes po bëhet me të rinjtë. Strategjia për Rini është bërë në bashkëpunim me zyrën e OKB-së në Kosovë.

    “Kam përshtypje shumë të mira për këtë dokument dhe gjithashtu se si e keni artikuluar këtë në mënyrë shumë konstruktive, për zgjidhje për situatën e të rinjve që janë në Kosovë, nevojat e tyre dhe shpresat e tyre”, tha koordinatorja e UNKT-së, Arnhild Spence.

    Strategjia shtetërore për rini ka për synim përmirësimin e situatës së të rinjve të grupmoshave 15-24 vjeç.

    Strategjia, mes tjerash, synon edhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet organizatave rinore, si dhe ndërmjet organizmave qendrorë dhe atyre komunalë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Komisioni për shëndetësi shqyrton projektligjin për sëmundjet ngjitëse

    Komisioni për shëndetësi shqyrton projektligjin për sëmundjet ngjitëse

    Pas miratimit në Qeveri, Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse po shqyrtohet në komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

    Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që një pjesë e rëndësishme e projektligjit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, të rregullohet për shkak se është i paqartë.

    “Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që çështja e transportit të mostrave të qartësohet dhe të definohet më mirë. Ne jemi duke punuar që sa më shpejt ta rregullojmë. Komisioni ka shqyrtuar amendamentet e propozuara nga grupi punues, pra gjysma e punës është përmbyllur”, tha Kollçaku.

    Edhe pse nuk është kompletuar ende, Kollçaku ka përmendur efektet që pritet t’i sjellë ky ligj.

    “Do të kemi një ligj shumë më të mirë, në rastet siç jemi përballur me pandeminë Covid 19”, tha Kollçaku.

    Ndërkohë, ish-Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ky ligj është proceduar me vonesë dhe ka shumë mangësi.

    “Është një ligj i ri i cili është proceduar me shumë vonesë, pas vitit të kaluar, i cili nuk ishte përmbushur. Pasi ligji ka pasur shumë të meta, normal është dashur deputetët të konsultohen me mekanizma të tjerë”, tha Zemaj.

    Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigje i ka thënë ATV-së, se ky projektligj është i sponsorizuar nga ata, andaj janë të gatshëm për çdo lloj sugjerimi.

    “MSh-ja si sponsoruese do të jetë e gatshme të japë kontributin e saj për çfarëdo sqarimi, definimi, apo plotësimi deri në miratimin e ligjit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, para dy muajve ka bërë të ditur se me këtë ligj do të jetë më i lehtë monitorimi i situatave me sëmundje ngjitëse. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët

    ​Hoti: Pasiguria politike dhe ekonomike po i largon investitorët

    Paqartësia në dialogun me Serbinë dhe Marrëveshja e Ohrit po ndikojnë në rënien e investimeve të jashtme në Kosovë, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

    Sipas tij, dakordimi në Ohër e ka betonuar status quo-në në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Hoti ka thënë me këtë paqartësi politike nuk mund të ketë as investime vendore.

    “Asnjë investim i jashtëm i rëndësishëm nuk është parë në dy vitet e fundit dhe as nuk duket në perspektivë. Një investitorë i huaj që ishte në procedura për të marrë statusin e investitorit strategjik u refuzua nga Qeveria, edhe pse vendimi i Qeverisë ishte dërguar për miratim në Kuvend”, ka shkruar ai në Facebook.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se bizneseve nuk po u ofrohet siguri as në politikat e brendshme ekonomike.

    “Pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me komunitetin e bizneseve, Qeveria mori këto vendime: i ndryshoi normat tatimore të tatimit në pronë, të cilat u bën progresive dhe e rritën deri në trefish ngarkesën e tatimit në pronë për biznese; vendosi tua marrë komunave menaxhimin e zonave ekonomike dhe të vendos ato zona nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të një Agjencie të re Qeveritare; dhe vendosi të shfuqizojë ligjin për investime të huaja dhe ligjin për investime strategjike. Të dyja këto ligje i shkriu në kuadër të ligjit të investimeve të qëndrueshme, i cili do ta dëmtoj shumë përceptimin pozitiv që ka Kosova sa i përket mbrojtjes së investimeve të jashtme”, ka shtuar ai.

  • Gjiganti gjerman pritet të jetë klubi i ri i Xhakës

    Gjiganti gjerman pritet të jetë klubi i ri i Xhakës

    Sot u bë e ditur nga “LondonWorld” që Granit Xhaka ka vendosur që të largohet nga skuadra e Arsenalit në fund të këtij sezoni.

    Mesfushori me prejardhje kosovare ka vendosur që ta mbyll kapitullin e tij me Arsenalin, dhe të largohet nga “Topçinjtë” këtë verë, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, gazetari i njohur, Fabrizio Romano ka shkruar për Xhakën, ku edhe e ka treguar destinacionin e mundshëm të radhës për mesfushorin 30 vjeçar.

    Xhaka pritet që të rikthehet në Bundesliga, ku Bayer Leverkuseni është në bisedime të avancuara për të siguruar shërbimet e yllit të Arsenalit.

    Thuhet se Bayer Leverkuseni mund ta mbyll një marrëveshje për afro 15 milionë euro me Arsenalin.

    Në anën tjetër, kushtet personale mes Xhakës dhe Bayer Leverkusenit janë shumë afër për tu arritur. Xhaka ka pranuar një marrëveshje katër vjeçare, e cila do ta mbajë atë te Leverkuseni deri në qershor të vitit 2027, nëse gjithçka shkon sipas planit.

    Marrëveshja nuk do të nënshkruhet dhe kompletohet para fundit të këtij sezoni, pasi që Xhaka dëshiron të jetë 100% i fokusuar te Arsenali.

  • Një varg shkeljesh ka gjetur IPK-ja në stacionin policor të Obiliqit

    Një varg shkeljesh ka gjetur IPK-ja në stacionin policor të Obiliqit

    Hetuesit policorë në Stacionin e Obiliqit janë vonuar t’i procedojnë me kohë lëndët në Prokurori. Inspektorati Policor gjatë inspektimit në këtë stacion ka gjetur mangësi edhe në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

    Sipas raportit të IPK-së rreth vlerësimit të performancës, është vënë në pah nevoja për marrjen parasysh edhe të dëshmitarëve të tjerë potencialë, rritjen e cilësisë së kallëzimeve dhe gjatë evidentimit të dosjeve në SMIL të përfshihen dhe urdhrat mbrojtës.

    “Vlerësimi i rrezikut bazuar në indikatorë përkatës, jo në të gjitha rastet, është kryer sipas rregullit. Është e nevojshme që gjatë intervistimit të palëve të parashtrojnë numër më të madh të pyetjeve, lidhur me rastin dhe që në konsultim me Prokurorin kompetent, të përfshijnë dhe dëshmitarë të tjerë potencialë që mund t’i kontribuojnë zbardhjes së rastit. Gjatë hartimit të kallëzimit penal nevojitet të ngrihet performanca në vendosjen e saktë të të dhënave të mbledhura, përmes veprimeve hetimore, të tregohet ndaj kujt ngrihet kallëzimi, evidenca për të dëmtuarit apo viktimat dhe të arsyetohet saktë ngritja e kallëzimit, mbështetur në faktet e grumbulluara përmes veprimeve hetimore”, thuhet në raportin e IPK-së.

    IPK-ja gjatë inspektimit në këtë stacion ka hasur spërkatës kimikë dhe jelekë antiplumb me afat të skaduar.

    “IPK-ja ka inspektuar ad-hoc pesë (5) zyrtarë policorë, për të parë se sa ata janë të kujdesshëm dhe i mirëmbajnë armët e pajisjet, përfshirë dhe municionin. Pistoletat kanë rezultuar të pastra. Spërkatësi kimik dhe jelekët antiplumb janë hasur me afat të skaduar. Fishekët janë ndërruar këtë vit dhe janë zyrtarë. Sa i përket spërkatësit kimik, duhet pasur parasysh se përdorimi eventual i tyre mund të ndikojë në shëndetin e personave, me të cilët mund të ketë ballafaqim”, thuhet në raport.

    Ndërkohë, për të gjitha vërejtjet Inspektorati Policor i ka rekomanduar Komandantit të Stacionit, t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme, të cilat, sipas juristëve, janë të domosdoshme.

    Policia e Obiliqit në komentet që ia ka dhënë IPK-së ka thënë se sa i përket furnizimit me jelekë antiplumb dhe spërkatës, tashmë i ka adresuar kërkesat në Drejtorinë e Logjistikës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Asnjë hap para nuk ka lëvizur procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të BQK-së

    Asnjë hap para nuk ka lëvizur procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të BQK-së

    Asnjë hap para nuk ka lëvizur procesi për përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

    Që nga 7 prilli kur Komisioni për Buxhet i rekomandoi kryetarit të Kuvendit ta kthejë procesin në pikën zero, ky institucion vazhdon të heshtë duke e lënë kështu procesin të bllokuar.

    Derisa Banka Qendrore thotë se janë në pritje të Kuvendit për dhënien e dritës së gjelbër, për ta hapur për herë të dytë konkursin, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje as për televizionin.

    Asnjë informacion nuk e kanë as anëtarët e Komisionit parlamentar për Buxhet, të cilët thonë se kjo po bëhet qëllimisht.

    “Këtu ka konflikt të brendshëm partiak të Lëvizjes Vetëvendosje dhe po shihet se ata po mundohen secili me ndiku në përzgjedhjen e guvernatorit dhe më thanë shkurt e shqip, këtu ka lojë pazari”, tha anëtari i Komisionit për Buxhet, Mërgim Lushtaku.

    Lushtaku shtonë se anëtarët e panelit për përzgjedhjen e guvernatorit do të duhej të shkarkoheshin, pasi, sipas tij, mund të përsëriten sërish gabimet e njëjta.

    “Anëtarë të panelit e kanë sjellë në këtë fazë këtë proces, ata nuk janë më kredibilë për të udhëhequr një proces tjetër për guvernatorin e Kosovës”, tha Lushtaku.

    Pas përfundimit të mandatit të ish-guvernatorit Fehmi Mehmeti, më 29 mars në këtë pozitë si ushtrues detyre erdhi Bashkim Nurboja.

    Parregullsitë e bëra gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator, bënë që ky proces të përsëritet edhe një herë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: