ATV

Category: Lajme

  • “Erden Atiq më shumë është kryetar teknik”

    “Erden Atiq më shumë është kryetar teknik”

    Zyrtarisht të premten, Erden Atiq, u bë kryetar i Mitrovicës së Veriut.

    Por, këtë pozitë Atiqi sipas njohësve të çështjeve politike nuk do ta mbajë deri në fund të mandatit.

    Sipas Bakim Kabashit, në momentin që Kosova dhe Serbia do të kenë marrëveshje, Erden Atiq do ta lirojë pozitën e kryetarit.

    “Nuk mendoj që do t’i shkojnë mandatit në fund, sepse dihet që mandati i kryetarëve të komunave u ka mbetur edhe më pak se 3 vjet, kështu që pritet një marrëveshje politike dhe në momentin që do të ketë marrëveshje, do të shkohet në zgjedhje për kryetarët e komunave veriore”, tha Kabashi.

    Në mandatin e Atiqit mund të ndikojë edhe dalja e ulët e qytetarëve në votime.

    “Është vështirë ta dërgojë mandatin deri në fund, për shkak të legjitimitetit të cunguar, fakti që në zgjedhje kanë dalë për të votuar është rreth 3,5 për qind. Është vështirë në mungesë kaq të madhe të legjitimitetit ta dërgojë mandatin deri në fund”, tha Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”.

    Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë, thanë se dalja e ulët në zgjedhje nuk i kontribuon zgjidhjes politike.
    Më 23 prill, qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës zgjodhën kryetarët e rinj. Dy partitë shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar nga dy komuna. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • Flamuri i shtetit sefte në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut

    Flamuri i shtetit sefte në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut

    Pos kryetarit të ri, risi në ndërtesën komunale në Mitrovicë të Veriut ishte flamuri shtetëror.

    Për të siguruar mbarëvajtjen e ceremonisë së betimit të kryetarit të ri Erden Atiq, i cili i fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit, Policia shtoi praninë e saj me njësitë statike, patrulluese dhe ato të trafikut.

    Prezencën e shtoi edhe EULEX-i, teksa ekipe të KFOR-it vëzhguan gjithçka nga afër dhe nga larg.

    Më shumë se 40 ekipe të mediave, vendore, rajonale e ndërkombëtare përcollën ngjarjen – të paktën, pjesën të cilën u lejuan.

    Pak para orës 11, me masa të shtuara sigurie, në ndërtesën komunale mbërriti kryetari i zgjedhur.

    Pak pas tij, arriti edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ministria që ai udhëheq do ta bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së seancës solemne.

    Vetëm kameramanët u lejuan në sallën e kuvendit komunal.

    Me katër mandate boshe në asamble, por me kuorum të mjaftueshëm, Erden Atiq dha betimin.

    Gazetarët që u lanë korridoreve, gjetën forma alternative për ta përcjellë ceremoninë.

    Herë brenda e herë jashtë, gazetarët pritën deklarimet e akterëve pas seancës.

    Vetëm disa nga mediat u lejuan brenda, për të filmuar adresimin e kryetarit të ri.

    Derisa pjesa tjetër e mediave prisnin kryetarin, ai kreu takimin e parë si kryetar.

    Nën shoqërimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Nedzat Ugljanin, bashkëshortja të arrestuarit për krime lufte, Sladjan Trajkovic, Suzana, i shkoi në zyrë Atiqit.

    Deri tek objekti i komunës atë e shoqëruan rreth 20 gra të tjera.

    Kryetari i ri mori detyrën, por jo të gjithë punëtorët e pritën atë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Aksioni anti-drogë në Gjilan, konfiskohen heroinë në vlerë mbi 34 mjë euro

    ​Aksioni anti-drogë në Gjilan, konfiskohen heroinë në vlerë mbi 34 mjë euro

    Policia e Kosovës pas një pune të gjatë hetimore, kanë zhvilluar një operacion të gjerë në qytetin e Gjilanit, të koduar ‘Shpërndarësi’, me qëllim ndalimin dhe kapjen e personave të dyshuar për trafikim me narkotik.

    Sipas Policisë, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Prokurorinë dhe Gjykatën ka zhvilluar operacionin policor në katër lokacione të ndryshme ndaj katër personave të dyshuar.

    “Gjatë kontrollit te katër të dyshuarit (V.S., L.N., L.M., A.A.), janë gjetur dhe është konfiskuar në cilësi të provave materiale substancë, dyshohet të jetë heroinë me peshë 1,549.2 gramë me vlerë rreth 34.400 euro, substancë, dyshohet të jetë kokainë me peshë 54.7 gramë në vlerë rreth 5400 euro, para të gatshme të konfiskuara 2.010 euro, armë e shkurtër dhe 1 karikator me 15 fishekë, tri peshore elektronike, një telefon mobil, një veturë me targa vendore. Të gjithë të dyshuarit e përfshirë janë recidivist të veprave të tilla, ku edhe më herët nga DHTN-Gjilan kanë qenë të arrestuar për vepra penale të narkotikëve”, thuhet në komunikatë.

    Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit katër të dyshuarit e lart-cekur ndalohen për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës.

  • Nisin punimet për termocentralin diellor me kapacitet 150 MW

    Nisin punimet për termocentralin diellor me kapacitet 150 MW

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori sot pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve në projektin e termocentralit diellor me kapacitet 150 MW nga Solar Energy Group Europe, në fshatin Bec të komunës së Gjakovës.

    Ky moment, sipas kryeministrit Kurti simbolizon jo vetëm një hap të rëndësishëm drejt qëllimeve tona për të ngritur kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tone.

    Teksa veçoi miratimin e Strategjisë se re të Energjisë në Kuvendin e Kosovës, ai theksoi se orientimet e sektorit të energjisë për periudhën 10 vjeçare Qeveria tashmë i kanë vendosur në këtë strategji, me synimin që zhvillimi i sektorit të energjisë të shkojë drejt tranzicionit energjetik në përputhje me marrëveshjen e Sofies dhe Planin e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor 6, si dhe gradualisht drejt neutralitetit ndaj karbonit deri në 2050.

    “Sot ne jemi mbledhur këtu për të shënuar realizimin e vizionit tonë –atë të përpjekjes për pavarësi energjetike dhe transformimit të sektorit drejt energjisë edhe të pastër edhe të qëndrueshme’’, u shpreh kryeministri para të pranishmëve në këtë inaugurim.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe Strategjia e re e Energjisë, sipas kryeministrit, tregon përkushtimin për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe të qëndrueshëm për të investuar.

    Javën e kaluar kryeministri Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power lancuan ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW.

  • Përurohet Shkolla e re në Krushë të Madhe, Kurti: Arsimi cilësor është baza më e qëndrueshme për prosperitet për të ardhmen

    Përurohet Shkolla e re në Krushë të Madhe, Kurti: Arsimi cilësor është baza më e qëndrueshme për prosperitet për të ardhmen

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, sot mori pjesë në përurimin e Shkollës së re Fillore dhe të Mesme të Ulët “Bajram Curri”, në Krushë të Madhe, e që përkon me Ditën e shkollës.

    Duke e konsideruar këtë si festë të dyfishtë, kryeministri Kurti tha se në Krushën e Madhe, të dhembjes së madhe, sot po na bashkon gëzimi. Fëmijët e lindur në liri, po festojnë të lirë.

    “Kjo shkollë e mban emrin e një atdhetari tonë të madh, të lindur këtu, në Krushë të Madhe, pra Bajram Currit, të cilit në vitin që shkoi e kishim 160-vjetorin e lindjes. Si veprimtar i çështjes sonë kombëtare që u angazhua edhe për shkollën shqipe, duke ndihmuar për themelimin e klubeve e shkollave shqipe në Kosovë dhe duke mbrojtur alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit. E sot, bashkë po përurojmë një shkollë të re në vendlindjen e tij të dashur për të gjithë neve”, tha kryeministri Kurti.

    Para të pranishmëve, ai u shpreh se është i nderuar të ndaj me ta lumturinë e hapjes së shkollës së re, që është edhe një dëshmi e vendosmërisë së tyre të palëkundur, për të rindërtuar jetën, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të vegjlit e të rinjtë e Krushës së Madhe. Në këtë vend që pa shumë shkatërrim, sot po hapim dyert e një ndërtese të re shkollore.

    Ai vlerësoi se arsimi cilësor është baza më e qëndrueshme për prosperitet për të ardhmen, dhe se për ta ngritur cilësinë dhe për të përmirësuar kushtet arsimore, e kemi rritur buxhetin e arsimit edhe në këtë vit. Tanimë, siç shtoi ai, janë siguruar 18 milionë euro për investime fillestare për vitet e ardhshme në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në infrastrukturën përkatëse në shkolla.

    Më tej, kryeministri Kurti tha se me Strategjinë e Arsimit për periudhën 2022-2026, e cila është miratuar në Qeveri parashihen investime domethënëse në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme dhe teknologji të informacionit e të komunikimit.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës po punon me një qasje shumëdimensionale për ta forcuar shtetin, duke forcuar arsimin”, tha kryeministri.

    Objekti i ri i shkollës ka një sipërfaqe prej rreth 5000 m², me 23 klasa mësimi, 2 dhoma për parafillor me hyrje të veçantë, laboratorin, bibliotekën, dhomat e leximit dhe klasa e informatikës, të pajisura me inventar bashkëkohor.

  • Reuters: Partia shqiptare në pushtet merr detyrën në zonën e tensionuar me shumicë serbe

    Reuters: Partia shqiptare në pushtet merr detyrën në zonën e tensionuar me shumicë serbe

    Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për betimin e kryetarit të i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq.

    “Një kryetar nga partia shqiptare në pushtet në Kosovë u betua në detyrë në pjesën me shumicë serbe të qytetit të ndarë të Mitrovicës të premten, një muaj pas zgjedhjeve lokale të bojkotuara nga serbët vendas. Rreth 50,000 serbë që jetojnë në katër komuna të veriut të Kosovës refuzuan votimin në shenjë proteste për faktin se kërkesat e tyre për më shumë autonomi nuk janë përmbushur – një tjetër shenjë se një marrëveshje paqeje e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në mars nuk po funksionon”, shkruan Reuters, përcjell atvlive.tv.

    Në këtë shkrim thuhet se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 3.47%, dhe serbët vendas kanë deklaruar se nuk do të punojnë me kryetarët e rinj në katër komunat veriore. Po ashtu, në të njëjtin shkrim thuhet se serbët në rajon kurrë nuk kanë pranuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2018, pasi që ende shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. /atvlive.tv

  • Boroviq: Serbët nuk u larguan me forcë nga institucionet në veri të Kosovës

    Boroviq: Serbët nuk u larguan me forcë nga institucionet në veri të Kosovës

    Avokati nga Beogradi, Borivoje Boroviq ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe ministri i tij, Ivica Daçiq, janë vet përzënë nga institucionet serbe në veri të Kosovës.

    Boroviq në një intervistë për mediet në Serbi, shprehet se në këto institucione kanë qenë të punësuar të gjithë serbë.

    “Janë pastruar të gjitha institucionet serbe në veri të Kosovës. Kemi pasur institucionet e drejtësisë, gjykatat, policinë, Gazivodën/Ujmanin, të gjitha i kem pasur. Atë nuk e bënin dot shqiptarët me forcë. Gjithçka dihet. Ato nuk mund t’i largonin shqiptarët me forcë. Ishte marrëveshja e Brukselit, pra i përzunë Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi nga ato institucione serbe, pastaj të gjitha i dorëzuan te institucionet shqiptare. Në rregull dhe nëse një person që mund të kishte mirëkuptim në atë moment, do të thoshte në rregull, nuk do të ketë luftë, do të ketë paqe dhe se në këto institucione janë të gjithë serbë të punësuar”, ka shtuar ai.

    Ai tregon momentin kur e kishte marrë një lëndë për ta mbrojtur një serb, i cili pretendonte se është sulmuar nga shqiptarët, porse sipas avokatit ky rast nuk ka ndodhur.

    “Unë, së fundmi, kam marrë një lëndë, për ta mbrojtur një person, ku në euforinë për të treguar se si funksionon Kushtetuta edhe në Kosovë, këtu e kanë arrestuar dhe e kanë akuzuar për sulm ndaj rendit kushtetues të Serbisë për arsyeje se, kinse, ka shpërndarë fletushka dhe ka përkrahur disa shqiptarë të cilët u thoshin serbëve ‘Shporruni në Serbi nëse nuk dëshironi të hyni në institucionet e Kosovës’”, tregon avokati serb.

    “Asgjë nuk është e saktë, nuk ekziston asnjë dëshmi. Ekziston vetëm një provë se njerëzit me kapela e kanë rrahur atë në një kafene në Kosovë. Me dorë dhe me këmbë të thyer nuk mund të shërohej në Leposaviq, sepse nuk ka mjekë, të gjithë janë larguar nga institucionet, nuk mund të dorëzonte kallëzimin penal, nuk janë institucionet aty në Kosovë, nuk është as policia serbe. Ai ka shkuar në Rashkë dhe ka dorëzuar një kallëzim penal për ‘rrahje të rëndë’ dhe ka shkuar në spital”, pohon Boroviq.

    Po ashtu, ai vazhdon duke thënë se ky serb pasi ishte paraqitur në Spitalin e Rashkës është burgosur dhe tani gjendet pa asnjë ndihmë mjekësore.

    “Njerëzit tanë prej këtu, me dijeni të plotë se gjendet në spital e kanë arrestuar, e kanë sjellë këtu në burg pa ia dhënë të drejtën e shërimit, pa marrë parasysh se mjekët kanë qenë kundër që ai të deportohet nga spitali, sepse nuk ka guxuar që të largohet nga shtrati i spitalit”, thotë ai.

    “Tani qëndron në dhomën e burgut, pa asnjë ndihmë mjekësore, ka filluar hetimi, nuk ka dëshmitarë, i është caktuar masa e paraburgimit deri në sigurimin e dëshmitarëve, sepse nuk mund t’i sigurojnë dëshmitarët meqë nuk kanë autorizim në Kosovë”, vazhdon Boroviq.

    Avokati shton se ka ardhur vetëm një dëshmitar i cili ka thënë se “ndoshta kjo është e saktë”.

    “Ka ardhur vetëm një dëshmitar i cili ka thënë, ‘ndoshta kjo është e saktë’, nuk e di, dhe se ka edhe persona tjerë që janë në arrati, e normal nuk janë të qasshëm, për ç’arsye klienti im duhet ende të presë në burg, që t’i kapin edhe tjerët që gjinden në tjetër territor, në të cilin policia jonë nuk ka kompetenca. Dhe ai ka qenë kundër çdo gjëje që ka raportuar rreth patetikës së vet”, shton avokati.

    “Kur i kam thënë trego letërnjoftimin tënd ai ka nxjerrë letërnjoftimin e Kosovës. I kam thënë se ky është i njëjti parim kur përkrahet Lista Serbe që hyn në Qeverinë e Kosovës dhe betohen në Kushtetutën e Kosovës, e me këtë, pra kur betohen në atë Kushtetutë, ata mund të bëhen shënjestër e të njëjtit persekutim, sepse e paskan shkelur kushtetutën e vendit tonë”, tregon ai.

    Në fund, Boroviq pyet se kush është dashur të përgjigjet pse është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit.

    “Kush është dashur të përgjigjet pse është nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit? Sipas marrëveshjes së parë, edhe kësaj të dytës për të njëjtën vepër penale? Do të thotë krejt kjo është një farsë, i gjejnë disa të shkretë, shembull ky person të cilin e kam përmendur, e nuk e pata planifikuar por ja që doli gjatë bisedës, i ka katër fëmijë, vozitë kamion dhe patjetër ka nevojë të ketë kontakt me njerëzit në Kosovë, pra edhe me shqiptarët”, shton tutje Boroviq.

    “Por nuk ka asnjë fletushkë, as nuk ekziston një gjë e tillë, s’ka asgjë, as nuk ka ndonjë motiv ai që të merret me politikë, e të ju thotë serbëve shkoni në Serbi nëse nuk doni të hyni në institucione”, përfunfon ai.

  • Për herë të parë në QKUK bëhet thyerja laserike e gurëve në traktin urinar tek një fëmijë trevjeçar

    Për herë të parë në QKUK bëhet thyerja laserike e gurëve në traktin urinar tek një fëmijë trevjeçar

    Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës bën të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovë, për herë të parë u realizua me sukses thyerja (lithotrsipsia) laserike e gurëve në traktin urinar tek një fëmijë tre vjeçar.

    Në njoftim thuhet se ky intervenim u realizua në bashkëpunim të ngushtë në mes të ekipës profesionale të Kirurgëve pediatrik të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Klinikës së Anesteziologjisë dhe me specialistë të Klinikës së Urologjisë.

    “Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve tani në ambientet e Spitalit të ri të fëmijëve ‘Sheikha Fatima’ po vazhdon të zgjerojë gamën e shërbimeve intervente endoskopike me metoda minimale invazive, me qasje dhe pajisje bashkëkohore dhe kjo fal angazhimit e profesionalizmit të personelit të specializuar në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

  • ​Betimi i kryetarit në veri, Policia: Situata kaloi pa incidente

    ​Betimi i kryetarit në veri, Policia: Situata kaloi pa incidente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se betimi i kryetarit të veriut të Mitrovicës ka kaluar qetë dhe pa incidente.

    Institucioni i sigurisë kishte bërë planifikimet për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës ë zyrtarëve të komunave veriore.

    “Në kuadër të detyrave dhe autorizimeve ligjore, Policia e Kosovës ka bërë planifikimet e saja për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mundësimin e ushtrimit të së drejtës së zyrtarëve të komunave veriore të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatën e Policisë.

    Sipas Policisë, qëllimi i planifikimeve ka qenë për të krijuar ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët.

    “Situata ka kaluar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët pa dallim dhe njëherit vazhdon t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, për çdo rast që ndërlidhet me sigurinë dhe rendin publik”, është thënë ndër të tjera në komunikatë.

    Në një seancë solemne në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës, ka dhënë betimin kryetari i ri, Erden Atiq.

    E veçanta e kësaj ishte flamuri shtetëror i Kosovës, i cili është vendosur për herë të parë në këtë objekt.

    Gjithçka ka kaluar pa incidente, ndërsa përreth objektit të Komunës është parë prezencë e shtuar e forcave të sigurisë.

  • ​Promovohet libri që përshkruan torturat e përjetuara në Burgun e Dubravës

    ​Promovohet libri që përshkruan torturat e përjetuara në Burgun e Dubravës

    “Tmerri ka emër”, është libri i cili u promovua nga ish i burgosuri politik, Asllan Selimi, në 24 vjetorin e Masakrës së Dubravës.

    Ky ditar historik ka kujtime nga lufta, burgu, gjykimi, dënimi dhe një prej masakrave më të mëdha kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit.

    Në emër të familjes, Ramadan Selimi ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në promovimin e këtij libri.

    “Në emër të Asllanit, në emër të bashkëshortes, të ju falënderoj për pjesëmarrjen kaq masive. Po ndihemi shumë krenar. Falënderim të veçantë për penalistët këtu dhe gjithë ata qe përgatiten këtë libër”, ka thënë ai.

    Ish i burgosuri politik, Nait Hasani, ka thënë se Asllani në librin e tij ka përshkruar torturat e përjetuara dhe largimin nga burgu i Dubravës.

    “Në këtë libër me kujtime, Asllani e ka përshkruar prej arrestimit të tij në Mitrovicë. Ai ishte i angazhuar me detyrat e tij të ndërlidhjes, përmes vëllaut të tij Rexhep Selimit. UÇK ishte e padukshme dhe ishte kudo dhe ishte bërë tmerr edhe i Serbisë. Rritja e UÇK-së binte në sy të popullatës që kërkonte liri. Arrestimi i Asllanit dhe torturat e përjetuara janë dëshmi e mjaftueshme e torturave qe kemi përjetuar”, ka thënë Hasani.

    Për këtë libër ka folur edhe ish gjenerali Kudusi Lama.

    “Ajo çfarë më befasuan, edhe kur don të flet te nëna madhështore; ai e përshkruan nënën e një luftëtari tjetër, janë madhështitë që na sjell. Edhe në burgjet e Serbisë, është zhvilluar luftë. Unë në procesin e leximit të librit, shumë herë e kam gjeture vetën me rrahje të shpeshta të zemrës, është e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, sipas redaktorit të këtij libri, Lan Qyqalla, ky ditar duhet të ketë vend në sirtarët e bibliotekave të shkollave.

    “Ditari ka rrjedhën e ngjarjeve të burgjeve sllave. Të rrënqethë trupin me përshkrim real, të mbush me lot për torturat qe janë përjetuar të burgosurit shqiptarë. Nuk e përshkruan ngjarjen në formën e pesimizmit. Ky ditar ka motivimin e qëndresës së atdhetarëve”, ka shtuar ai