ATV

Category: Lajme

  • 45 milionë € borxhe i kanë konsumatorët KRU “Prishtinës”, Mjeku tregon për orarin e shkyçjeve

    45 milionë € borxhe i kanë konsumatorët KRU “Prishtinës”, Mjeku tregon për orarin e shkyçjeve

    Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një prononcim për EO ka thënë se borxhi i konsumatorëve në këtë kompani, që nga paslufta, kap vlerën prej 45 milionë eurosh.

    Siç tha Mjeku, 80 për qind e ujit shfrytëzohet nga amvisëria, ndërsa borxhi i kësaj kategorie të konsumatorëve përbën shumicën e borxhit, saktësisht 40 milionë euro. Ndërsa, bizneset dhe institucionet kanë borxh prej 5 milionë eurosh.

    Ajo ka sqaruar se i kanë dërguar dhjetëra lëndë te përmbaruesi, duke shtuar se më ketë formë kanë arritur që të inkasojnë një shumë të madhe të madhe të borxheve.

    “Borxhi i konsumatorëve të amvisërisë, institucioneve, bizneseve të vogla dhe të mëdha, ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, po flasim që nga paslufta deri më sot është mbi 45 milionë euro. 80 për qind e sasisë së ujit shpenzohet nga amvisëria, ndërkaq borxhi, vetëm i konsumatorëve të amvisërisë, është rreth 40 milionë euro. 5 milionë euro janë borxhe të bizneseve të vogla e të mëdha dhe të institucioneve”.

    “Në përmbarim dërgohen ata konsumatorë që kanë borxhe mbi 100 euro. Kemi dërguar me dhjetëra lëndë, jemi duke përgatitur çdo ditë nga zyra ligjore lëndë të tjera. Pikërisht për këtë arsye u kemi bërë apel edhe qytetarëve që t’i shmangin taksat ndaj përmbaruesve. Pra, ta paguajnë borxhin para se lënda e tyre të shkojnë te përmbaruesi privat. Me përmbarim kemi arritur qe ta marrim një shumë të konsiderueshme të parave nga borxhlinjtë”.

    Mjeku ka bërë të ditur se çdo të mërkurë dhe premte, me asistencë të Policisë së Kosovës, bëjnë çkyqjen e tri llojeve të konsumatorëve.

    Sipas saj, ata që kyçen në mënyrë ilegale, përveç që kyçen nga furnizimi me ujë, ushtrohet edhe kallëzim penal.

    “Veç kemi filluar me çkyqje intensive nga sistemi i rrjetit te furnizimit me ujë të pijshëm. Fillimisht jemi duke aplikuar çkyqje te ata konsumatorë që kanë borxhe të grumbulluara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe ndaj atyre konsumatorëve që janë të kyçur ilegalisht në sistem. Si konsumatorë ilegalë përfshihen të gjithë ata që kanë marrë pëlqimin për kyçje, kanë plotësuar kushtet teknike, mirëpo nuk i kanë dërguar ende listat e konsumatorëve në K.R.U Prishtina”.

    “Çdo të mërkurë dhe premte, me asistencë të Policisë së Kosovës, dalim që t’i çkyqim tri lloje të konsumatorëve, ata që kanë borxhe të mëdha, ata që janë të kyçur ilegalisht, por edhe një kategori e konsumatorëve të cilët pas çkyqjes nga ana jonë, kyçen në mënyrë ilegale. Këta të fundit, përveç që kyçen nga furnizimi me ujë, ushtrojmë edhe kallëzim penal”.

  • Nisin inspektimet në terren për programin e subvencioneve për pagesa direkte, Peci: Do të inspektohen të gjitha të mbjellat

    Nisin inspektimet në terren për programin e subvencioneve për pagesa direkte, Peci: Do të inspektohen të gjitha të mbjellat

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka parë nga afër ecurinë e inspektimeve për kulturat bujqësore dhe aplikuesit në Programin për Pagesa Direkte/Subvencione 2023, raporton Ekonomia Online.

    Vizita e inspektimit u bë në fshatin Cërnillë të Ferizajt, ku fermeri Jeton Statovci tregoi për të mbjellat që i posedon. Tha se aktualisht i ka afër tetë hektarë me grurë.

    I shoqëruar nga inspektoret e AZHB-së në komunën e Ferizajt, Peci tha se duke marr parasysh se këtë vit ka ndryshime në aspektin e kritereve të aplikimit dhe vlerësimit, kanë marrë vendim që inspektimi të bëhet në shtatë komuna të Kosovës.

    “Arsyeja e vizitës sime në Ferizaj është për të parë nga afër inspektimet që po realizohen nga inspektorë të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë. Viti 2023 është viti rekord i të mbjellave në territorin e Kosovës dhe ky rekord i të mbjellave duhet të shoqërohet edhe me rekordin e inspektimeve. Ne e kemi zgjedh inspektimin përveç formës sesi ka qenë herëve të kaluara, ne kemi përzgjedh shtatë komuna në shtatë regjione të Kosovës, në të cilat inspektimi për të gjitha kulturat bujqësore do të jetë 100 për qind”, tha Peci, teksa shtoi se dikasteri që ai e drejton do të kërkojë korrektësi edhe nga ana e fermerit.

    “Synimi dhe ambicia jonë është që të rrisim meritokracinë dhe për të instaluar meritokracinë nuk mjafton vetëm vullneti politik i ministrit apo zyrtarëve në Ministrinë e Bujqësisë. Meritokracia duhet me u jetësu edhe nga ana e fermerëve. Ne po duam që të shohim në aspektin e dyanshëm korrektësinë edhe aplikimin korrekt edhe nga ana e fermerëve, jo si në formë të kërcënimit por çdo cent i taksapaguesve të shkojë në adresë të duhur dhe në këtë rast angazhimi jonë është që buxheti i Ministrisë së Bujqësisë ta ketë adresën e vetëm 100 për qind fermeri dhe për këtë arsye ne kemi përzgjedhur shtatë komuna në të cilat do të inspektohen të gjitha të mbjellat por edhe nga sektori i blegtorisë”, tha tutje Peci.

    Ndërsa fermeri Jeton Statovci, tha se është i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga Ministria e Bujqësisë. Tha se falë kësaj mbështetje, ka arrit t’i mbjellë afër tetë hektarë grurë.

  • Kërkesa për hetimin e masakrës së Dubravës, test juridik për Specialen

    Kërkesa për hetimin e masakrës së Dubravës, test juridik për Specialen

    Kërkesa e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enveri Dugolli drejtuar Prokurorit të Specializuar në Hagë për të hetuar masakrën e Dubravës po konsiderohet si test juridik për Specialen.

    Përkundër që ka nisur dy shkresa karshi ZPS, Dugolli nuk ka marrë ndonjë përgjigje, por beson se kjo gjykatë ka juridiksion lëndor ta trajtojë edhe kërkesën e tij.

    E, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaruan për KosovaPress se nuk i komentojnë hetimet e tyre në medie.

    24 vjet pas masakrës së Dubravës, i mbijetuari i kësaj masakre, Enver Dugolli po kërkon hetim nga ana e Gjykatës Speciales për krimet e Serbisë ndaj të burgosurve shqiptarë. Enver Dugolli, i cili është edhe deputet i Lëvizës Vetëvendosje konsideron se përmes shkresave të tij ka dhënë mjaftueshëm argumente që Specialja të nis hetimin e kësaj masakre.

    Test juridik për Gjykatën Speciale kërkesën e Dugollit e konsideroi avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, i cili për KosovaPress u shpreh se gjithmonë ka pasur dilema nëse kjo gjykatë do t’i trajtojë apo jo të gjitha krimet e pretenduara në Kosovë.

    Edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj kallëzimin penal të deputetit Dugolli karshi Zyrës së Prokurorit të Specializuar e konsideroi si një test për këtë gjykatë.

    Ndryshe, gjatë këtyre ditëve po bëhen 24 vjet, që në Burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

    Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Ndërsa, për këtë masakër ende nuk është dënuar askush.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015. DHSK dhe ZPS hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./KP

  • Masakra e Stagovës, Osmani: E përhershme përpjekja për t`i sjellë autorët para drejtësisë

    Masakra e Stagovës, Osmani: E përhershme përpjekja për t`i sjellë autorët para drejtësisë

    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar sot 24-vjetorin e masakrës së Stagovës në Kaçanik.

    Ajo ka potencuar se përpjekja e vazhdueshme për t`i sjellë autorët e krimeve para drejtësisë është e përhershme.

    “24-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit dhe dogjën gjysmën e shtëpive. Qëllimet barbare të regjimit kriminal ishin evidente: shfarosja dhe spastrimi etnik. Kujtimi për martirët e Stagovës është i përhershëm, sikurse edhe përpjekja e vazhdueshme për t`i sjellë autorët e krimeve para drejtësisë.”, është shprehur Osmani.

    Sot, bëhen 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut. Më 21 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi. 21 maji 1999, pos që ka sjellur dhimbje të pashërueshme për banorët, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive./KP

  • Përfundon kontesti mes Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj maqedonase

    Përfundon kontesti mes Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj maqedonase

    Kontesti ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) që nga e shtuna e 20 majit është zyrtarisht një gjë e së kaluarës.

    Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit iu bashkua Sinodit të Kishës Ortodokse Maqedonase-Kryepeshkopatës së Ohrit, që është faza përfundimtare në tejkalimin e mosmarrëveshjeve në mes të KOS-it dhe KOM-it.

    Kuvendi i Kishës Ortodokse Serbe njoftoi të shtunën, në fund të seancës së tij, se ka marrë vendim për integrimin e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit në Sinodin e Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit.

    Mosmarrëveshja mes dy kishave ndodhi kur Kisha Ortodokse Maqedonase u nda në mënyrë jokanonike nga Kisha Ortodokse Serbe, duke u deklaruar plotësisht e pavarur, gjë të cilin Kisha Ortodokse Serbe dhe kishat e tjera ortodokse nuk e njohën, transmeton Beta.

    Pas një refuzimi afatgjatë të Kishës Ortodokse Maqedonase për t’u kthyer në statusin e mëparshëm, Kryepeshkopata Ortodokse e Ohrit u formua si autonome brenda Kishës Ortodokse Serbe.

    Nga kuvendi i vitit të kaluar, Kisha Ortodokse Serbe i dha Tomos (akt kishtar i nxjerrë nga patriarku dhe sinodi) me të cilin e njohu autoqefalin për Kishën Ortodokse Maqedonase, por mbeti për t’u shpallur është statusi i Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit.

    Për këtë arsye, siç thuhet në njoftim, “Kuvendi mori një vendim për dhënien e lirimit kanonik të hierarkisë së kësaj kishe autonome nga Kisha Ortodokse Serbe dhe integrimin e saj në Sinodin e Kishës Ortodokse Maqedonase, në përputhje me kanonet e shenjta dhe kushtetutat e të dy kishave tona vendore, si dhe marrëveshjen e arritur më parë nga Sinodet e të tre strukturave kishtare”.

    Në qarqet kishtare, në prag të këtij kuvendi, integrimi i Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit në Kishën Ortodokse Maqedonase, u përmend si zgjidhja më e mundshme me ndarjen e dioqezave në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që peshkopët e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit të kenë dioqezat e tyre.

    Në njoftim thuhet se në Kuvend kanë qenë të pranishëm kryepeshkopët e Kryepeshkopatës Ortodokse të Ohrit. Në prag të kuvendit, siç u mësua, mësojmë, në Patrikanë janë takuar delegacioni i Kishës Ortodokse Maqedonase me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije. /REL

  • Escobar: Asnjëra palë s’po e zbaton marrëveshjen, jemi në pritje të versionit të Kosovës për statutin e Asociacionit

    Escobar: Asnjëra palë s’po e zbaton marrëveshjen, jemi në pritje të versionit të Kosovës për statutin e Asociacionit

    Kritika për Kosovën dhe Serbinë, për mos zbatim të marrëveshjeve të arritura, kanë ardhur të shtunën nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Escobar i cili mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi në një intervistë për RTK-në dhe kritika për palët mos progresin e ngadalshëm në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

    “Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash”.

    Escobar thotë se të gjitha nenet pa përjashtim duhet të zbatohen.

    “Është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA që është statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti”, shtoi emisari amerikan.

    Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë se serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione.

    “Mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj”.

    Ai ka dhënë edhe idenë e tij se si e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën”, ka deklaruar tutje Escobar.

  • Serwer përkrah thirrjen e QUINT-it për respektim të vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

    Serwer përkrah thirrjen e QUINT-it për respektim të vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

    Shtetet e QUINT-it sot kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët përmes të cilës kanë kërkuar që Kosova të implementojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Manastirit të Deçanit.

    Kjo thirrje është bërë me rastin e shtatë vjetorit të vendimit të Kushtetueses për kontestin pronësor në mes të Komunës së Deçanit dhe Manastirit.

    E me këtë thirrje të shteteve të QUINT është pajtuar edhe profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer.

    Ai ka shkruar shkurtimisht “PO”, duke treguar se i bashkohet thirrjes së QUINT-it.

  • Greqia në zgjedhje, shtatë shqiptarë janë garë

    Greqia në zgjedhje, shtatë shqiptarë janë garë

    Prej orës 07:00 deri në 19:00 në shtetin grek qendrat e votimit do të jenë të hapura që votuesit të shprehin vullnetin e tyre për të zgjedhur partinë që kërkon ti qeverisë për mandatin e ardhshëm, ndërkohë që risi është numri i shqiptarëve të cilët kandidojnë për të qenë pjesë e parlamentit grek.

    Plot 7 prej tyre kërkojnë karrigen e deputetit, edhe pse shanset që njeri prej tyre të fitojë janë tejet minimale, shkruan Euronews, transmeton Paparaci.

    Dy prej kandidatëve Fatos Malaj dhe Niko Bilika kandidojnë për partinë PASOK, njëri në Athinë dhe tjetri në Selanik. Ndërsa tre kandidatë të tjerë Adiljan Koxhaj, Makrina Koci dhe Angjelos Jahollari konkurrojnë me Partinë “Siriza” në Selanik dhe Evia.

    Sidorela Kalthi garon për Partinë Komuniste greke në Kretë dhe Paty Vardhami kandidon në Athinë me nismën “MERA 25”.

    Kandidimi i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare greke shihet pozitivisht si shenjë e integrimit të plotë të tyre në jetën publike të vendit helen, ndërkohë që ka zëra brenda vet emigrantëve se këta kandidatë janë duke u përdorur për të tërhequr votat e shqiptarëve drejt partive të caktuara politike dhe se asgjë nuk do të ndryshojë të nesërmen.

    Shqiptarët vazhdojnë të përballen me mjaft sfida me statusin e tyre të qëndrimit, vonesat kohore për marrjen e dokumenteve dhe sigurimet shëndetësore.

    Te drejtën e votës e kanë mbi 80.000 shqiptarë në gjithë Greqinë, nga të cilët vetëm 9000 janë në Athinë.

  • Pacientët e QKUK-së në lista të pritjes që nga viti 2018

    Pacientët e QKUK-së në lista të pritjes që nga viti 2018

    Shëndetësia kosovare vazhdon të ballafaqohet me probleme të ndryshme. Mungesa e profesionistëve dhe e aparaturave ka shkaktuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike. Për shërbime të caktuara ka raste kur qytetarët presin nga viti 2018. Shoqata e Pacientëve kërkon më shumë transparencë.

    Pacientët që kërkuan shërbime të caktuara në Klinikën e Ortopedisë 5 vjet më parë, ende janë duke pritur.

    Me të njëjtin problem po përballen edhe të tjera klinika, ndonëse janë krijuar grupe punuese për revidimin e listave. Një nga arsyet është mungesa e stafit, materialit shpenzues apo aparaturave.

    Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë, thotë se ka pak staf krahasuar me kërkesat e klinikave. Thotë se janë detyruar t’i shpeshtojnë edhe kujdestaritë.

    “Jemi 45 anesteziolog dhe ky është numër i vogël që duhet të ndahet në 34 njësi brenda QKUK-së. Klinika e Ortopedisë ka më së shumti kërkesa dhe tash me objektin e ri kanë shtuar kapacitetet por ne nuk kemi shtuar numrin e anesteziologëve”, tha Gazmend Spahia, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë

    Pritje ka edhe për shërbime radiologjike, ndërkohë edhe numri i këtyre profesionistëve nuk konsiderohet i mjaftueshëm pasi nga QKUK-ja duhet të asistojnë në spitalet rajonale.

    “Kërkesat në klinikën e radiologjisë ende janë shumë të larta ku brenda ditës vijnë deri në 50 kërkesa për ekzaminim me rezonancë magnetike. Kemi zbut listën e pritjes”, tha Shkëndije Nuza, drejtoreshë e Klinikës së Radiologjisë.

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve ka kërkuar më shumë transparencë në krijimin e listave.

    “Duhet të menaxhohen pak më ndryshe dhe listat duhet të jenë më transparente normalisht të kodifikuara për të ruajtur privatësinë”, tha Besim Kodra nga PRAK.

    Kodra konsideron se duhet shmangur mundësitë për keqpërdorim në krijimin e listave pasi dëmtohen qytetarët që detyrohen të harxhojë shuma të mëdha parash në institucionet private.

  • 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    Sot, bëhen 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut.

    Më 21 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
    21 maji 1999, pos që ka sjellur dhimbje të pashërueshme për banorët, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

    Nga 180 shtëpi sa ka pasur fshati Stagovë më 20 maj, të nesërmen ushtria dhe policia serbe ka djegur dhe shkatërruar mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi.

    Pra, këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serb të Millosheviçit, që ka qenë jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi, në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

    Për shënimin e kësaj dite, këshilli organizues nga fshati Runjevë dhe Stagovë, në bashkëpunim me OVL- UÇK dhe Komunën e Kaçanikut, organizon manifestim përkujtimor në fshatin Stagovë, në orën 12:00.

    Pas përmbylljes së manifestimeve do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik.