ATV

Category: Lajme

  • Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale

    Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale

    Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon gjykimin ndaj krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Dje ka filluar dëshminë dëshmitari i gjashtë i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve.

    Dëshmitari i radhës i ZPS-së është dëshmitari i mbrojtur 4355.

    Po ashtu dje ka përfunduar dëshminë edhe dëshmitari i pestë me kodin 3165 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sikur ditët e kaluara edhe dje seanca në shumicën e kohës ka qenë me përmbajtje të redaktuar dhe në sesion privat.

    Seancat në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për këtë javë janë planifikuar të vazhdojnë deri të mërkurën.

  • Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Peja me 12 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Pejë me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Ferizaj me 32 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot stabil dhe me intervale të lehta me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 8 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 25 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Një 4-vjeçar bie në kanalin e Ibër-Lepencit, nisin kërkimet për ta gjetur

    Një 4-vjeçar bie në kanalin e Ibër-Lepencit, nisin kërkimet për ta gjetur

    Një fëmijë i moshës 4 vjeç ka rënë në kanalin e Ibër-Lepencit. Rasti ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë.

    Tashmë kanë filluar kërkimet për fëmiun, raporton Indeksonline.

    “Rreth orës 18:30, Policia ka pranuar informatën se në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë, dyshohet se një fëmijë i moshës rreth 4 vjeçar, ka rënë në kanalin e Ibër-lepencit. Policia me njesitet e saj ka dal në vendin e ngjarjes, si dhe janë njoftuar ekipet e emergjencave civile, zjarrfikësit, ekipet zhytësve për kërkim-shpëtimit. Mbi dyshimet fillestare në zonë e kanalit Iber-lepenc në fshatin Akrashticë kanë filluar kërkimet për fëmiun”, kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

     

  • Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e bibliotekës së Adem Demaçit, në kuadër të Javës së Bibliotekës

    Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e bibliotekës së Adem Demaçit, në kuadër të Javës së Bibliotekës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në hapjen e Bibliotekës së Adem Demaçit, në kuadër të Javës së Bibliotekës.

    Ajo mban emrin e madh Adem Demaçi, veprimtarit dhe intelektualit, të papërsëritshëm. Kështu tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

    ‘’Por, në këtë ditë të veçantë, Adem Demaçi është emri i prozatorit të dashurisë kuantike, pra emri i shkrimtarit. Qenia e kësaj biblioteke, na flet me fjalët e Adem Demaçit: “Imagjinata është imja, realiteti është i juaji.” E me këtë, baca Adem ose biblioteka e tij, na thotë se imagjinata ka shumë forma autonome dhe të mundshme, ndërsa realiteti është kombinimi i tyre kompleks në aktualitet’’, u shpreh ai.

    “Si të doni, sa të doni bëni realitet! Realiteti është në vullnetin tuaj.” Kjo është deviza që na propozon biblioteka, shtoi më tej ai, duke theksuar se gjithçka ka qenë realitet këtu, por që ta duam realitetin tonë, le të ushtrohemi me imagjinatën që është brenda këtyre rafteve të bibliotekës Demaçi, brenda mureve të bibliotekës Bogdani.

    Kjo bibliotekë, sipas kryeministrit, vërtet do të ketë këtej e tutje edhe librat e Demaçit, atij Demaçi, që lexoi e që i mbrujti ndoshta shumicën e prozave të veta në burg. Kështu që, sipas kryeministrit, çdo i ri mund të gjejë në të një udhë, mund të kryejë një udhëtim dhe të takojë një mendimtar e shkrimtar, personazhe dhe ngjarje për ta kuptuar shumë më thellë të tashmen e vet, të qytetit dhe njerëzimit, por dhe të tashmen e dikurshme të intelektualit dhe militantit që rrezikonte veten si askush tjetër për të gjithë neve.

     

  • Kryeministri Kurti priti përfaqësues të shoqatës kryesore italiane të bizneseve, Confindustria

    Kryeministri Kurti priti përfaqësues të shoqatës kryesore italiane të bizneseve, Confindustria

    Pas takimit me senatorët amerikanë Murphy dhe Peters, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Shefin e Stafit, Luan Dalipi mirëpritën përfaqësues të shoqatës kryesore të bizneseve në Itali, Confindustria, e cila ka anëtare mbi 150 mijë kompani të prodhimit dhe shërbimit dhe që punësojnë mbi 5.4 milionë persona.

    Stabiliteti institucional, mjedisi i përshtatshëm për biznes, politikat e qëndrueshme makroekonomike, zhvillimi ekonomik, progresi demokratik, sundimi i ligjit, gjykata komerciale, fuqia punëtore profesionale dhe e talentuar, pozita e përshtatshme gjeografike dhe një ekonomi e orientuar nga eksportit, ishin disa nga tiparet dhe përparësitë për investime dhe investitorë të huaj, veçoi kryeministri Kurti.

    Duke i falënderuar për interesimin dhe vizitën, ai i ftoi ata dhe partnerët e tyre që të eksplorojnë mundësitë që Kosova ofron.

    Në takim, të shoqëruar nga ambasadori i Italisë në Kosovës, Antonello De Riu, ishin Muharrem Salihu, biznesmen italiano-shqiptar me prejardhje nga Medvegja, Silvano Martinotti, përfaqësues i Confindustria për mjedis dhe sport, Valentina Lazzarini, Presidente e kompanisë Fidoimpresa S.P.A që bashkëpunon me Confidustria dhe Daniela De Giorgi, Drejtuese e Zyrës për Tregti në ambasadën e Italisë.

  • Qeveria e Kosovës thotë se komunat në veri do të funksionalizohen

    Qeveria e Kosovës thotë se komunat në veri do të funksionalizohen

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është duke bashkëpunuar me kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, për të organizuar seancat e asambleve komunale, si dhe betimin solemn të kryetarëve, bëri të ditur kreu i kësaj ministrie, Elbert Krasniqi.

    Betimi para kuvendit komunal i kryetarit të zgjedhur të komunës është një procedurë solemne që shënon marrjen e detyrës.

    Ministri Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se të hënën, më 22 maj, do të jepen të gjitha informacionet se kur dhe ku do të mbahen seancat e asambleve komunale në komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

    Megjithatë, ai theksoi se ende nuk janë saktësuar lokacionet për mbajtjen e seancave.

    “Ende jo. Jemi në proces e sipër. Ekipet janë duke punuar për t’i definuar të gjitha këto procese”, tha Krasniqi.

    Deri më tash, betimin solemn para Kuvendit Komunal e ka bërë vetëm kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj.

    Kryetarët e zgjedhur të tri komunave tjera të veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan, ende nuk e kanë bërë betimin solemn.

    Për dallim nga Zubin Potoku, i cili e ka asamblenë komunale funksionale, dy komunat tjera, Leposaviqi dhe Zveçani ende nuk i kanë të funksionalizuara ato.

    Kryetarët e komunave nuk mund ta kryejnë betimin pa funksionalizimin e asambleve komunale, para të cilave solemnisht marrin detyrën.

    Ministri Krasniqi nuk ka dhënë detaje se si do të funksionalizohen ato dhe në cilat objekte, si dhe ku do të funksionojë infrastruktura që mundëson punën e institucioneve komunale.

    Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, ndërkohë që në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.

    Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës jnëë mbajtur më 23 prill, pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

    Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që bartnin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

    Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

  • Borrell kërkon zbatim të shpejtë të marrëveshjeve Kosovë-Serbi: Të ndalen tensionet dhe provokimet

    Borrell kërkon zbatim të shpejtë të marrëveshjeve Kosovë-Serbi: Të ndalen tensionet dhe provokimet

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme në mes të Kosovës dhe të Serbisë është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Komentet e Borrellit fokusohen në nevojën e bashkëpunimit dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes tyre është rruga e vetme drejt normalizimit. Ai gjithashtu përmend tensionet dhe provokimet ndërsjellë që duhet të mbarojnë, si dhe mungesën e konstruktivitetit që duhet të përmbyset.

    Në lidhje me shtetet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, Borrell përmend Serbinë dhe thekson se mbajtja e lidhjeve me Rusinë nuk është në përputhje me rrugën evropiane dhe interesat e Serbisë.

    “Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë. Atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara”, ka thënë Borrell.

  • Senatori Murphy: Koha që Qeveria Kurti të tregojë nivel të ri serioziteti për Asociacionin

    Senatori Murphy: Koha që Qeveria Kurti të tregojë nivel të ri serioziteti për Asociacionin

    Senatori amerikan, Chris Murphy, që dje ka vizituar Kosovën ka shkruar në Twitter se është koha që “Qeveria Kurti të tregojë nivel të ri serioziteti për Asociacioni”.

    Ai ka kërkuar që Kosova duhet ta implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Por ka kërkuar edhe nga Beogradi që ta ”përmbushë fuindin e pazarit”.

    ”Në Kosovë përsërita bindjen time se Kosova duhet të ecë përpara në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Edhe Serbia duhet të përmbushë fundin e saj të pazarit, por është koha që qeveria Kurti të tregojë një nivel të ri serioziteti për Asociacionin”, ka shkruar ai.

    Kosova dhe Serbia në mars arritën një marëveshje në Ohër, ku pjesë e marrëveshjes së panënshkruar në letër ishte edhe implementimi i Asociacionit.

    SHBA-të, por edhe shtetet e Bashkimit Evropian vazhdimisht po kërkojnë që marrëveshja të zbatohet në plotëni, duke përfshirë edhe çështjen e Asociacionit.

  • ​Gërvalla: Serbia të zbatojë marrëveshjen, Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tonë

    ​Gërvalla: Serbia të zbatojë marrëveshjen, Suedia po bisedon me anëtarët për aplikimin tonë

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se shpreson që Presidenca suedeze e Këshillit të Bashkimi Evropian të ketë rezultate konkrete në bisedat që po bën me anëtarët e tjerë të Unionit në lidhje me aplikimin e Kosovës për në BE.

    Këto deklarata, Gërvalla i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të BE-së, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Gërvalla tha se në këtë takim e kanë paraqitur qartë pozicionin e Kosovës në lidhje me raportet me Serbinë ndërsa kanë kujtuar se Beogradi zyrtar në vazhdimësi refuzon të zbatojë marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në Bruksel dhe aneksin e saj të 18 marsit në Ohër.

    “Kam paraqitur qëndrimin e Republikës së Kosovës që në marrëveshjen që kemi lidhur në Bruksel dhe fazën e implementimit në Ohër e shohim si një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe që presim nga Serbia edhe pse sinjalet janë jo të mira, ngaqë jeni vetë dëshmitarë, që presidenti Vuçiq, ministri i Jashtëm Daçiq por edhe shumë të tjerë, në vazhdimësi jo vetëm refuzojnë implementimin por shpesh edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. Ka pasur intervenime të ndryshme nga disa ministra të cilat e kanë shprehur rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj që pozicionin e Republikës së Kosovës e kemi shfaqur shumë qartë”, deklaroi Gërvalla.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës foli edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ku deklaroi se Suedia ende është duke biseduar me shtetet anëtare rreth kësaj kërkese, por tha se ky shtet gjatë presidencës së saj është treguar i gatshëm për të çuar përpara kërkesën e Kosovës.

    “Ne shpresojmë që Presidenca suedeze të finalizojë bisedat që po zhvillon me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vijnë me një rezultat konkret, parashikimi se cili mund të jetë rezultati dhe kur nuk jam në gjendje të jap se nuk do të ishin serioze por besoj që me qasjen të cilën Suedia ka pasur gjatë presidencës së saj është treguar shumë e gatshme për të çuar përpara kërkesën tonë dhe për të biseduar me të gjithë anëtarët, pra edhe me ata që janë përkrahës të kërkesës sonë dhe me ata që hezitojnë pak më shumë”, tha Gërvalla.

    Gërvalla tha se takimet e tilla ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkani Perëndimor janë mundësi e mirë për të diskutuar sfidat për të cilat është duke kaluar Evropa dhe rajoni ynë.

    “E rëndësishme është gjithashtu që Evropa ka filluar, Bashkimi Evropian ka filluar të ndërgjegjësohet që Ballkani Perëndimor jo vetëm që është pjesë gjeografike e Evropës por duhet edhe më shumë të afrohet politikisht me Bashkimin Evropian me qëllim që në një të ardhme integrimi të jetë i shpejtë dhe i natyrshëm”, tha Gërvalla.

    Përpos Gërvallës, në këtë takim në Bruksel morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm nga pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

  • Sunak: Lufta në Ukrainë po hyn në një “fazë kritike”

    Sunak: Lufta në Ukrainë po hyn në një “fazë kritike”

    Rishi Sunak tha se lufta në Ukrainë po “po hynte në një fazë kritike”.

    Ai tha se mirëpriti kufizime më të forta mbi eksportet që ndihmojnë “makinerinë ruse të luftës”, duke iu referuar sanksioneve shtesë të vendosura nga Britania e Madhe për të përkuar me samitin.

    Ai tha gjithashtu se Perëndimi qëndron pas Ukrainës dhe se “liria duhet të fitojë”.

    “Putini duhet të dijë se ne nuk do të shkojmë askund,” tha ai.

    Kryeministri gjithashtu përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, duke shtuar: “Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”.