ATV

Category: Lajme

  • Varhleyi kërkon që Kosova e Serbia t’i zbatojnë pa vonesë marrëveshjet e dialogut

    Varhleyi kërkon që Kosova e Serbia t’i zbatojnë pa vonesë marrëveshjet e dialogut

    Komisioneri për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhleyi, bëri thirrje që të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë, përfshirë këtu edhe marrëveshjen e viti 2015.

    Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ai shtoi se përmes një dialogu të suksesshëm do të përfitojnë të gjithë. Sipas tij, të dyja palët duhet t’i zbatojnë pa kushte marrëveshjet e dakorduara.

    Ai tha se në takim pati një diskutim të mirë dhe të frytshëm dhe se i kanë prekur të gjitha elementet e progresit që i ka arritur Kosova në të kaluarën.

    “Ne e patëm një diskutim shumë të mirë dhe të frytshëm, mendoj që kemi prekur të gjitha  element e progresit. Mendoj që ka një porosi e qartë që vjen gjithmonë nga Kosova dhe Prishtina dhe kjo është se Kosova është e përkushtuar për përafrimin e saj me BE, ju e keni treguar këtë. përkushtim. Nga 1 janari qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza, ky është një sukses i përbashkët që jo vetëm që do të përjetohet por edhe do të shfrytëzohet”.

    “Jemi duke ardhur me raportin vjetor, kemi diskutuar për ta parë se deri sa është arritur kryerja e reformave. Këto reforma duhet të zbatohen, duhet të shihet si janë kryer reformat, kjo është kritike. E kemi prekur edhe temën e gjyqësorit sepse administrata është e ngadalshme, kemi raste të ndikimeve dhe kjo përbën një sfidë të madhe, kështu që kërkojmë zotimin e qeverisë që të gjitha praktikat të jenë në pajtim me Komisionin e Venecias. Kosova ka luftuar edhe në luftimin e korrupsionit duhet ti gjejmë edhe disa vendime të duhura”.

    “Jemi këtu dhe kemi zotimin e Qeverisë dhe presim që të gjitha politikat të vihen në zbatim. Kosova ka një ambient pluralizmi të mediave, dhuna ndaj mediave duhet të ndalet. Kemi prekur edhe situatën ekonomike. Shohim lajme të mira që kemi një rimëkëmbje pas pandemisë. Kosova duhet të bëjë rritje sa i përket konkurrencës edhe ekonomisë, duhet të bëhet hapa për investirot, duhet të krijohet klima për investitor. Ne mbetemi të zotuar që të jemi të pranishëm në Kosovë në çdo fushë. Duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur me Serbin, i gjithë rajoni do të përfitoj nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Një dialog ti tillë do të sjell edhe rezultat”, tha ai.

  • Gjermania i jep donacion FSK-së tre kamion në vlerë 405 mijë euro

    Gjermania i jep donacion FSK-së tre kamion në vlerë 405 mijë euro

    Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj njoftoi se Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së, ka marrë donacion tre kamion të autoshkollës me vlerë prej 405 mijë eurosh nga Gjermania.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mehaja ka bërë të ditur se sot në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes pranuam tre kamionë të autoshkollës në vlerë prej 405.000€ si donacion nga Gjermania, duke lehtësuar kësisoj përmes këtyre automjeteve zhvillimin e orëve praktike për ushtarakët të cilët janë në proces të licensimit për kategorinë C.

    “Me këtë rast, në ceremoninë e pranim-dorëzimit falënderova zëvendës ambasadorin e Gjermanisë në Republikës e Kosovës, z. Mathias Conrad, për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ofron për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shtetin tonë”, ka thënë Mehaj.

  • Presidentja Osmani: Kosova po forcon demokracinë dhe sundimin e ligjit

    Presidentja Osmani: Kosova po forcon demokracinë dhe sundimin e ligjit

    Presidentja, Vjosa Osmani, tha se Kosova po e dëshmon me rezultate konkrete avancimin drejt integrimit në Bashkim Evropian.

    Pas takimit me komisionerin për zgjerim të BE-së, Oliver Verhelyi, Osmani tha se Kosova ka përafruar politikën e jashtme me BE-në dhe po forcon demokracinë dhe sundimin e ligjit.

    Ndërsa komisioneri Oliver Verhelyi, tha se Kosova është e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në por duhet përshpejtim më i madh i reformave.

    Verhelyi përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksin e dakorduar në Ohër.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Varhelyi do ta takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas Komisionit Evropian “këto takime do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit, si dhe reformat kryesore, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit energjetik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Është bërë e ditur po ashtu se gjatë kësaj vizite, Varhelyi dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, do të lansojnë Programin për Çështjet e Brendshme BE-Kosovë, me qëllim që të harmonizohen më tej veprimet e Kosovës në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar me standardet e BE-së.

  • Aktakuzë ndaj katër personave në rastin e mashtrimit për investim në kriptovaluta

    Aktakuzë ndaj katër personave në rastin e mashtrimit për investim në kriptovaluta

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur sot se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave në rastin e mashtrimit për investim në kriptovaluta

    Aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve F.C., R.S., L.G. dhe E.S., në drejtim të veprave penale “Mashtrimi” dhe “Shmangia nga tatimi”.

    “Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur në vazhdimësi, duke filluar nga mesi i vitit 2020 e deri më 12.10.2022, në Prishtinë dhe në vende të tjera në Kosovë, duke vepruar në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë mashtruar të dëmtuarit, përmes komunikimit në forma të ndryshme dhe emra të rrejshëm përmes rrjeteve sociale, duke i vënë në lajthim kinse do të përfitonin shuma të mëdha të parave, me qëllim të investimit në kriptovaluta në një platformë të emëruar GREEN-SKRILL, ashtu që të dëmtuarit kanë vepruar në dëm të pasurisë së tyre, duke iu dhënë para kesh dhe duke iu dërguar shuma të ndryshme të parave në emër të pandehurve në institucionet mikrofinanciare, çka me këto veprime të pandehurit kanë realizuar përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, dhe atë në shumën e përgjithshme 304,539.00€ (treqind e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e nëntë euro), me ç ‘rast të dëmtuarve iu kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm pasuror. Me këto veprime te pandehurit kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, të pandehurit: F.C., (në cilësinë e pronarit të biznesit), R.S., (në cilësinë e personit fizik) dhe E.S., (në cilësinë e personit fizik) dhe L.G., (në cilësinë e personit fizik), në vazhdimësi, duke filluar nga mesi i vitit 2020 e deri më 10.10.2022, i janë shmangur tërësisht pagesës së tatimit dhe kontributeve pensionale, në atë mënyrë që derisa kanë pranuar të ardhura përmes institucioneve mikrofinanciare, nuk e kanë deklaruar tatimin që kërkohet me ligjin e Administratën Tatimore të Kosovës, çka me këto veprime i janë shmangur tatimit dhe kontributeve personale në vlerë prej 39,734.34€ (tridhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër euro).”, është bërë e ditur nga gjykata.

    Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga nenin 307 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Prokurori i Shtetit, siç është bërë ditur, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale, të cilat iu vihen në barrë, si dhe të pandehurit F.C., t’i vazhdohet masa e paraburgimit, pasi që ende nuk kanë pushuar shkaqet ligjore për qëndrimin e tij në paraburgim.

  • Prishtina do t’i subvencionojë familjet që kanë të ardhura më pak se 500 euro për t’i çuar fëmijët në çerdhe

    Prishtina do t’i subvencionojë familjet që kanë të ardhura më pak se 500 euro për t’i çuar fëmijët në çerdhe

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar sot vendimin për subvencionimin e familjeve në vlerë prej 70 euro për regjistrim të fëmijëve në institucione parashkollore private.

    Në vendim thuhet se subvencionimi do të vlejë vetëm për familjet që kanë të ardhura më pak se 500 euro në muaj.

    “Subvencionimi i familjeve do të bëhet në bazë të Thirrjes Publike ku përzgjedhjen në bazë të kritereve do të bëjë një komision i themeluar nga Kryetari i Kryeqytetit. Subvencionimi do të jetë në vlerë prej 100,000.00 Euro në vit nga kategoria e subvencioneve të Drejtorisë së Arsimit”, thuhet në vendim.

    Vendimi do të hyjë në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe shtatë ditë pas publikimit në gjuhën zyrtare në ueb faqen e komunës.

  • Varhelyi shkon edhe në Veri, shefi i Zyrës së BE-së zbulon agjendën

    Varhelyi shkon edhe në Veri, shefi i Zyrës së BE-së zbulon agjendën

    Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, sot ka ardhur në Kosovë në një vizitë zyrtare.

    Aktualisht, ai ka nisur takimin me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa pritet të vazhdojë për në Kryeministri për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.

    Për agjendën “intensive” ka treguar edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se Varhelyi sot do të shkojë edhe në komunat veriore të vendit.

    “I lumtur të pres Komisionerin e BE-së Oliver Varhelyi për një vizitë që do të thellojë marrëdhëniet BE-Kosovë dhe rrugën europiane. Sot ai do të ketë një agjendë intensive, duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrat e kabinetit. Ai do të vizitojë edhe Mitrovicën Veriore”, ka shkruar shefi i Zyrës së BE-së në Twitter.

    Për detajet e agjendës së tij ka shkruar edhe Komisioni Europian.

    “Këto takime do të jenë një mundësi për të rishikuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, duke përfshirë fushën e reformës në drejtësi, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftimin e KE.

    Gjatë kësaj vizite, Varhelyi do të marrë pjesë në lansimin e Programit për Çështje të Brendshme BE-Kosovë, për forcimin e ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Ky program i financuar nga BE-ja prej 6.5 milionë euro do të zbatohet në një periudhë trivjeçare me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës dhe do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

    Kosova dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), e cila është në fuqi që nga 1 prilli 2016.

    Komisioni do të raportojë sërish për progresin e Kosovës në rrugën e saj europiane në Paketën e zgjerimit 2023, e cila do të dalë në vjeshtë.

  • FSK dislokon një kontingjent në Maqedoninë e Veriut, tregon nivel të lartë të gatishmërisë

    FSK dislokon një kontingjent në Maqedoninë e Veriut, tregon nivel të lartë të gatishmërisë

    Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një njoftimi për media, thotë se kontingjenti i saj i dislokuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut tregon nivel të lartë të gatishmërisë.

    “Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës i dislokuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i atashuar në Task Forcën jug në batalionin shumëkombësh, ka realizuar operacionet e patrullimit në nivel togu duke përfshirë pika mobile të kontrollit, gjithashtu kanë vazhduar me operacione të mbrojtjes së kampit sipas skenarëve të përgatitura nga komanda më e lartë, me qëllim të testimit dhe gatishmërisë së trupave në ushtrim”, thuhet në njoftimin FSK-së.

    Tutje thuhet në njoftim se ushtarakët e FSK-së janë duke treguar gatishmëri dhe performancë të lartë, në kryerjen e detyrave dhe ndërveprushmërisë me partnerët pjesëmarrës në ushtrimin ndërkombëtar “Defender Europe 23”.

  • Fillon takimi ​Varhelyi-Osmani

    Fillon takimi ​Varhelyi-Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Verhelyi.

    Pas takimit, Osmani dhe Varhelyi do të deklarohen për media.

    Gjatë vizitës në Kosovë, Varhelyi do ta takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.

  • Anulohet gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ish-partnerja e tij nuk u paraqit në gjykatë

    Anulohet gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ish-partnerja e tij nuk u paraqit në gjykatë

    Për arsye se dëshmitarja Milena Popoviq, ish-partnerja e Ivanoviqit, e paraparë të dëshmojë në seancën e sotme nuk ishte prezentë, është anuluar gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

    Sipas konfirmimit zyrtar nga zyra e gjykatësit të rastit Valon Kurtaj, dëshmitarja Popoviq ka informuar gjykatën se sot nuk mund të jetë prezente, por se e njëjta ka deklaruar se në seancën e nesërme do jetë e gatshme të dëshmojë.

    Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e fundit të mbajtur me 14 mars Gjykata Themelore në Prishtinë, mori aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviq (ish-partnerja e Ivanoviqit), të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare (Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar), në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

    Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

    Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

    Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

    Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhë deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

    I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

    Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veturë thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr nga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

    Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyra dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

    Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

    Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

    Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dalë në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, akuzohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”.

    Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /BetimipërDrejtësi

  • Nesër varroset e reja që u vra nga ish-bashkëshorti në Gjermani

    Nesër varroset e reja që u vra nga ish-bashkëshorti në Gjermani

    Nesër në varrezat e fshatit Zasellë të Mitrovicës do të varroset Jetmira Beka, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj në Aachen të Gjermanisë. E ndjera do të varroset në ora 14:00.

    Të shtunën e javës së kaluar në parkingun e një qendre tregtare, dorasi e kishte therur viktimën në prani të motrës së saj.

    E ndjera dhe i dyshuari së bashku i kanë tre fëmijë. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata janë ndarë dhe si rrjedhojë nuk kanë qenë duke bashkëjetuar.

    Andaj, gjykata ua ka caktuar kujdestarinë e përbashkët ndaj fëmijëve dhe në ditën kritike, ata është dashur të takohen për të bërë shkëmbimin e fëmijëve.

    Ndonëse vrasja nuk ka ndodhur në sy të fëmijëve, ishte motra 18-vjeçare e viktimës ajo e cila e pa motrën e saj duke u qëlluar disa herë me thikë për vdekje.

    E gjithë ngjarja ka ndodhur përballë selisë së policisë në Aachen të Gjermanisë, ku sipas medieve gjermane, ka pasur edhe kalimtarë rasti të cilët mund të jenë dëshmitarë në gjykatë.