ATV

Category: Lajme

  • Varhelyi shkruan për takimin me Kurtin, vë theksin te Asociacioni

    Varhelyi shkruan për takimin me Kurtin, vë theksin te Asociacioni

    Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar.

    Për këtë takim ka shkruar Varhelyi në një postim në Twitter, duke theksuar temat për të cilat kanë biseduar.

    “Diskutim i hapur me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe anëtarët e kabinetit [qeveritar] mbi progresin e rrugës europiane të Kosovës. BE-ja po ofron mbështetje të madhe për zhvillimin ekonomik të lidhur me zbatimin e mëtejshëm të reformave dhe zbatimin e marrëveshjes së dialogut, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha ai.

    Në konferencën e përbashkët që pati më herët me Osmanin, Varhelyi tha se presin që marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet pa kushte.

    “Është bërë progres në vitin e kaluar. Tash është esenciale që të dyja palët t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha ai, duke përmendur edhe konkluzat e Këshillit Europian.

  • Policia arreston 14 persona, mbyll 17 qendra të masazhit e 15 lokale të muzikës live

    Policia arreston 14 persona, mbyll 17 qendra të masazhit e 15 lokale të muzikës live

    Drejtoria për Hetimin e Trafilkimit me Njerëz e Policisë së Kosovës ka qenë pjesë e zbatimit të operacionit “Operation Chain”, i cili është zhvilluar njëkohësisht në 47 shtete të botës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për një javë ka zbatuar Planin Operativ “Stuhia 2023’, ku në këtë operacion kanë qenë të përfshirë 262 zyrtarë.

    Në kuadër të këtij operacioni janë bërë operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim e fëmijëve në rrugë.

    Gjithashtu, në njoftimin për media është bërë e ditur se është bërë inspektimi dhe kontrollimi i lokaleve me muzikë live, qendrave të masazhit, si dhe kontroll të shtuara në të gjitha pikë-kalimet kufitare.

    Si rezultat i këtij operacionit është bërë identifikimi i 3 viktimave të trafikimit, dhe i 11 viktimave të supozuara të trafikimit, të cilat janë referuar për shërbime dhe trajtim sipas procedurave.

    Ndërkohë, janë arrestuar edhe 14 persona të dyshuar për veprën e trafikimit dhe veprave tjera që ndërlidhen me trafikimin e njerëzve.

    “Referimi i 6 rasteve në stacione policore për armë-mbajtje pa leje, dëmtim të vulave zyrtare dhe hapje ilegale të lokaleve të mbyllura, – Inspektimi/kontrollimi i 55 lokaleve ‘Muzike Live’, në të cilat janë legjitimuar 377 punëtore, nga te cilët 275 të gjinisë femërore, 188 shtetas të huaj. Nga lokalet e kontrolluara, 15 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative, – Inspektim i 51 ‘Qendrave të Masazhit’, në të cilat janë legjitimuar gjithsej 153 punëtore, nga të cilët 129 të gjinisë femërore dhe 33 shtetas të huaj. Prej këtyre ‘Qendrave Masazhi’, 17 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Arrestohet një person në kryeqytet për kontrabandim me mallra

    Arrestohet një person në kryeqytet për kontrabandim me mallra

    Një person është arrestuar sot në Prishtinë për veprën penale “Kontrabandim me mallra”.

    “Njësia policore gjatë patrullimit në brezin kufitar kanë ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike duke ndaluar një automjet kombi pa targa, me vozitës të dyshuarin me iniciale (M.K.) Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar; Njëqind e katër (104) pako me vaj motorik, katër (4) fellne mercedes AMG, Gjashtë (6) goma të veturës”, ka bërë të ditur Policia.

    I dyshuari me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse policore të Drejtorisë Rajonale Kufitare Veri.

  • Grenell për drekë te Rama: Duhet bërë më shumë për ta liruar Hashim Thaçin nga Haga

    Grenell për drekë te Rama: Duhet bërë më shumë për ta liruar Hashim Thaçin nga Haga

    Ish-emisari presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell është duke qëndruar për vizitë në Shqipëri.

    Gjatë vizitës së tij në Tiranë ai ka zhvilluar takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin edhe kanë ngrënë drekë.

    Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Twitter nga vetë Rama.

    Kam drekuar me kryeministrin me Edi Rama. Nga aleati ynë i madh i NATO-s, Shqipëria dhe ne ramë dakord se duhet bërë më shumë për ta çliruar Hashim Thaçi nga 3 vitet e burgut të tij në Hagë. Akuzat kundër tij janë të rreme dhe dëshmitarët thonë se janë manipuluar nga Jack Smith’’, ka shkruar Grenell.

    Grenell ka qenë më herët i angazhuar në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë por që ai është shkarkuar nga kjo pozitë pas ardhjes në krye të Joe Biden në SHBA.

  • Paraburgim ndaj një personi për “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit”

    Paraburgim ndaj një personi për “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit”

    Gjykata Themelore në Gjilan ka informuar sot se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Z. H për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit”

    “Ekziston dyshimi i bazuar se në fund të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, në Gjilan me qëllim të rregullimit të nënshtetësisë së Republikës së Kosovës, i pandehuri Z. H. i merr nga i pandehuri A. R. shumën prej 10.000 (dhjetë mijë) euro, me qellim që të njëjtat t’ia dorëzon të akuzuarit M. D. – zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Vitisë, ashtu që pas dhënies së tërthortë të ryshfetit i pandehuri A. R., nga i pandehuri Z. H., pranon ekstraktin e lindjes dhe certifikatën me shënimet personale të tij, e më pas aplikon dhe pajiset në mënyrë të kundërligjshme me letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Më këto veprime i pandehuri Z. H. dyshohet se ka kryer veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale dhënia e ryshfetit”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit.

    Palët, siç është potencuar, kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit.

  • ​DhTIK: Rritja e tatimit në pronë godet bizneset, kompanitë nuk përfitojnë nga “Superpuna”

    ​DhTIK: Rritja e tatimit në pronë godet bizneset, kompanitë nuk përfitojnë nga “Superpuna”

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka ngritur shqetësimin e saj për rritjen e tatimin në pronën e paluajtshme.

    Drejtues të kësaj dhome në një konferencë për media kanë theksuar nga shtrenjtimi i tatimit në pronë, do të jetë një goditje e rëndë për bizneset në vend.

    Kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DhTIK), Skënder Krasniqi ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkëpunimit me bizneset sa i përket plotësimit ndryshimit të ligjeve në vend, veçanërisht atë për pronën e paluajtshme.

    Krasniqi ka theksuar se situata pas pandemisë Covid-19, dhe agresionit rus në Ukrainë, bizneset janë në situatë të vështirë.

    Përkitazi me këtë, ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesë të bashkëpunimit nga ana e Qeverisë me bizneset. Madje, ai ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të jenë më pran komunitetit të biznesit.

    Përveç kësaj, Krasniqi ka reaguar ndaj Qeverisë edhe për mënyrën e implementimit të projektit “Superpuna”.

    “Ne si Dhomë e Tregtisë duam të shprehim shqetësim publik për mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e Kosovës në lidhje me situatën jo të mirë të të bërit biznes në Kosovë dhe situatën jo të mirë në përgjithësi në botë dhe ndryshimet e mëdha që po ndodhin sidomos gjatë këtyre tre vjetëve nga pandemia COVID, lufta në Ukrainë dhe për nevojë të jashtëzakonshme që kemi ndryshime dhe reagime më të shpejta të qeverisë. Ftojmë kryeministrin, Albin Kurti, ministrat, e sidomos ministrin e Financave, Hekuran Murati që të na vizitojë dhe të diskutojmë më shumë para se të marrin vendime të tilla ose propozime për ndryshimin e ligjeve ose plotësim ndryshimin e ligjeve të cilat po shkojnë pa e pas një reagim ose bashkëpunim të mjaftueshëm me biznese”, tha Krasniqi.

    Sekretari i përgjithshëm në DhTIK, Shyqiri Bytyqi theksoi se rritja e tatimit në pronë do të pengojë në zhvillimin e bizneseve.

    “Marrë parasysh këto rrethana, rritja e barrës tatimore do të pengojë zhvillimin e këtyre bizneseve. Kjo na detyron neve si do të reagojmë me kohë që të tërheqim vëmendjen publikisht që këto gjëra të mos ndodhin, por të bëhen angazhime në krijimin e një klime të favorshme për biznese, në mënyrë që ta tejkalojnë krizën që është shkaktuar dhe vazhdon të shkaktohet. Pra, bizneset tona nga kriza që ka ekzistuar deri më tani akoma nuk janë këndellë dhe nuk janë ato biznese që kanë një siguri në qëndrueshmërinë e tyre”, theksoi Bytyqi.

    Ish-ministri i Arsimit, Bytyqi ka thënë po ashtu se ri-vlerësimi i pronave për rezidentët nuk janë vlerësime reale.

    Ai tha se me plotësim ndryshimin e Ligjit në pronë që pritet të ketë shkallë progresive dhe rritje të tatimit në pronë, do të ndikon tepër negativisht në zhvillimin e qëndrueshmërisë së bizneseve në Kosovë.

    “Nga informacionet që tashmë ne kemi ajo që ka ndodhur në rivlerësimin e pronave për rezidentët, është parë që është rritur një vlerë e madhe e pronave duke u bazuar në çmimin e tregut ashti siç kanë dalë me deklarim Ministria e Financave. Ne e kemi tërheq vërejtjen për tregun prapë, sepse këto rivlerësime kanë ndodhë për shkak të rritjes së çmimeve si pasojë e krizës dhe nuk janë vlerësime reale. Sepse brenda një periudhe me stabilizimin e krizës këto çmime mund të bien, dhe i bie që edhe kostoja e pasurive mund të ndryshojë. E njëjta gjë do të pritet në vlerësimin e pronave komerciale me formën teknike që janë zbatuar tek prona rezidente ku do të ndikonte edhe në rritjen e vlerës së pronave të bizneseve. Dhe rrjedhimisht nga plotësim ndryshimi i ligjit në pronë që pritet të ketë shkallë progresive dhe rritje të tatimit në pronë do të ndikon shumë negativisht në zhvillimin e qëndrueshmërisë së bizneseve në Kosovë. Nga propozimi i draft plotësimit të ligjit pritet që shkalla progresive për tatimin në pronë të kenë një rritje nga 0.10 që është shkalla minimale deri në 0.50, që i bie që të ketë një rritje pothuajse 50 për qind e tatimit në pronë si shkallë tatimore, por jo si vlerë”, theksoi ai.

    Bytyqi po ashtu ka shpjeguar rritjen e tatimit në pronë nga 200 mijë në 700 mijë euro.

    “Në analizën që ne kemi bërë një biznes, i cili aktualisht në Kosovë mund të ketë një metrazh diku rreth 60 mijë metra katror e që tashmë në Prishtinë tatimi në pronë është rreth 200 mijë euro, me futjen, nëse miratohet kështu si është draft propozim ligji për plotësim ndryshimin e ligjit të tatimit në pronë do të ketë një rritje të barrës të tatimit në pronë rreth 700 mijë euro. Pra, shihet se 300 për qind kemi rritje të menjëhershme vetëm me futjen e shkalles progresive pa e futur edhe mundësinë e rritjes së vlerës së aseteve. Dhe kjo barrë e rëndë padyshim se do të ndikojë shumë negativisht tek bizneset. Barra e rëndë tatimore jo vetëm që do të krijojë jostabilitet, por do të jetë një pengesë e madhe në investimet e planifikuara. Do të fillojnë që të ndërpriten investimet e planifikuara, do të ketë rrezik të shkurtimit të vendeve të punës, dhe falimentimit të bizneseve. Është shumë e arsyeshme reagimi me kohë që derisa është ende në Parlament t’i bëjmë ftesë deputeteve ta shqyrtojnë me kujdes këtë plotësim ndryshim të ligjit dhe mos të dëmtohen bizneset, sepse me këto shkallë dëmtimi më i madh do të jetë për bizneset më të mëdha”, tha Bytyqi.

    Në këtë konferencë për media, kryetari i Bordit, Krasniqi theksoi po ashtu se janë të shqetësuar edhe për mënyrën e zbatimit të projektit “SuperPuna”.

    Ai theksoi se po kushtëzohen bizneset për të përfituar nga ky projekt, që sipas tij, shumica e bizneseve nuk po arrijnë të marrin mbështetjen nga “SuperPuna”.

    “Ne si Dhomë e Tregtisë kemi shprehur shqetësimin tonë edhe për projektin e punësimit “Superpuna” dhe për metodat që qeveria ka bërë për mënyrën e përfitimit, ku për këtë nuk ka mjaftueshëm kërkesa për punësim ose shumica e bizneseve nuk po i plotësojnë kërkesat, për shkak se detyrimi që së pari biznesi të paguaj dhe pastaj shteti të alokojë mjetet te biznesi, është një ngarkesë, sepse sikur biznesi të kishte mundësi financiare, ne i kishim punësuar dhe nuk kishte pasur nevojë me marrë përkrahje prej shtetit. Prandaj, kjo pagesë do të duhej që automatikisht të kalojë te biznesi apo te punëtori dhe të mos pritet një apo dy muaj të dalin ato mjete”, theksoi Krasniqi.

    Edhe Arsim Selmonmusaj nga DhTIK, tha se nëse qeveria e Kosovës vazhdon me këto politika fiskla, ekziston rreziku që bizneset të ikin nga vendi.

    “Deri më tani e dimë se një pjesë e madhe e rinisë dhe një pjesë e profesionistëve kanë ikur nga Kosova dhe çdo ditë po vazhdon ky trend. Nëse vetëm vazhdohet me këto politika fiskale dhe me këto trendë të rritjes dhe vështirësive te të bërit biznes në Kosovë, atëherë dhe biznesi fillon që të largohet në një ambient më të favorshëm sesa këtu”, tha Selmonmusaj.

    Projektligji për tatimin në pronën paluajtshme është në Kuvendin e Kosovës, i cili ka kaluar në lexim të parë në Komisionin për Buxhet. Shtrenjtimi i tatimit në pronë mbi 100 për qind e në disa raste edhe mbi 700 për qind ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti, i cili është kundërshtuar nga qytetarët, opozita dhe bizneset. /KosovaPress

  • ​Shqipëria krah aleatëve perëndimor në mbështetje për Ukrainën

    ​Shqipëria krah aleatëve perëndimor në mbështetje për Ukrainën

    Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka rikonfirmuar mbështetjen politike të Shqipërisë, krah aleatëve perëndimorë për Ukrainën.

    Ai ka marrë pjesë në takimin e 12-të të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.

    Peleshi ka theksuar se do të vijojë ndihma logjistike si kontribut i nevojshëm për popullin ukrainas në mbrojtje të integritetit territorial dhe paqes.

  • Plagosja në Gjakovë, arrestohet i dyshuari

    Plagosja në Gjakovë, arrestohet i dyshuari

    Një person u arrestua lidhur me rastin e plagosjes që ndodhi sot në Gjakovë.

    Policia informoi se u konfiskua një armë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë, si dhe dy fishekë.

    Sot rreth orës 12:21 është pranuar informatë së në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë një person ishte qëlluar me armë zjarri. Njësitet e nevojshme policore menjëherë ju kanë përgjigjur rastit ku në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja si dhe është kuptuar se viktima mashkull i moshës madhore ishte qëlluar me armë zjarri. Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë, dhe nga personeli mjekësore jemi njoftuar se gjendja e tij shëndetësore për momentin është stabile (jashtë rrezikut për jetë). Sektori Rajonal i Hetimeve, të mbështetur edhe nga njësitet tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, pas një angazhimi operativ dhe hetimor rreth orës 14:00 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një të dyshuar lidhur me rastin në fjalë: A.N., mashkull i lindur në vitin 2001, shtetas i Republikës së Kosovës.”, bëri të ditur Policia.

    Lidhur me rastin, u njoftua edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit, i dyshuari u ndalua në mbajtje për 48 orë si dhe rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”./KP

  • “Defender 23”, në Kosovë organizohet Dita e Vizitorëve

    “Defender 23”, në Kosovë organizohet Dita e Vizitorëve

    Në Kosovë po zhvillohet ushtrimi më i madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe ‘23”. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se me 30 maj do të organizohet Dita e Vizitorëve të Shquar.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, dhe nga vendet partnere, pritet të jenë pjesë e kësaj ditë në kuadër të ushtrimit që po zhvillohet në Babaj të Bokës.

    Vizita do të zhvillohet në Aeroportin e Gjakovës pastaj do të lëvizin për në Babaj të Bokës.

    Gjithashtu, mediat do të mund të filmojnë pjesë nga aktivitetet ushtarake.

    “Defender 23” në Kosovë ka nisur më 21 maj, ushtrim ky që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

    Gjatë këtij ushtrimi do të validohen kapacitetet e këmbësorisë së FSK-së, atij të regjimentit të parë.

    Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021 por sivjet Forca ka pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

    Ndërsa janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që kanë zbarkuar bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës-vendi ku po zhvillohet ushtrimi.

    Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarak.

  • Plagoset një person afër gjykatës në Gjakovë

    Plagoset një person afër gjykatës në Gjakovë

    Një person është plagosur sot,në afërsi të gjykatës në Gjakovë, dhe i nëjjti është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal të kësaj komune.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në mesditë.

    “Sot rreth orës 12:21 kemi pranuar informatë se një person është i plagosur në rrugën ‘Bardhyl Qaushi’ – Gjakovë. Njësitet e nevojshme policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se një person i moshës madhore është qëlluar me armë zjarri. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës”, ka thënë ai.

    Sipas Elezajt, gjendja e viktimës për momentin është stabile (jashtë rreziku për jetë).

    Ai ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.