ATV

Category: Lajme

  • Policia jep detaje për gjendjen aktuale në Veri

    Policia jep detaje për gjendjen aktuale në Veri

    Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mëngjesin e së martës është e qetë, thanë nga Policia e Kosovës.

    Edhe sot serbët lokalë kanë vazhduar me protesta.

    Situata është e qetë dhe aktualisht nuk ka ndonjë incident të shënuar.

    “Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha për REL, Veton Elshani nga Policia e Kosovës.

    Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

    Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën në Zveçan me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

    Si pasojë e përleshjeve, të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, sikurse edhe disa protestues.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.

    Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të shkonin në zyrat komunale më 26 maj, kur dhe u ngritën tensionet.

    Kosovës i është kërkuar që të heqë dorë nga “masat e dhunshme” dhe “veprimet e njëanshme”. Por, autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si legjitime veprimet e tyre në veri.

    Zgjedhjet në veri u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm në nëntorin e kaluar – që të gjithë nga Lista Serbe – për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe serbët gjerësisht bojkotuan procesin e votimit./REL

  • Kompania izraelite: Grupi Wagner është nisur në Kosovë

    Kompania izraelite: Grupi Wagner është nisur në Kosovë

    Kompania izraelite “Terror Alarm”, në një cicërimë të saj, mbrëmë ka thënë se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”, raporton KosovaPress.

    Kompania që lëshoi njoftimin është e njohur për paralajmërimet e autoriteteve për sulmet terroriste dhe parandalimin e shumë prej tyre në kulmin e sulmeve të ISIS në Evropë të viteve 2014-2017.

    Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram.

    Postimi në llogarinë e twitterit, “Terror Alarm” e bëri mbrëmë, pas eskalimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

    Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

  • Franca e dënon dhunën në veri, i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë menjëherë masa

    Franca e dënon dhunën në veri, i kërkon Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë menjëherë masa

    Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka reaguar ndaj situatës në veri të Kosovës.

    Sipas kësaj ministrie, Franca e dënon dhunën në veri dhe u bën thirrje palëve, sidomos Qeverisë së Kosovës, të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve.

    “Franca dënon dhunën që ka ndodhur në veri të Kosovës në termat më të ashpër të mundshëm dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht qeverisë së Kosovës, që menjëherë të ndërmarrin masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, ka shkruar në Twitter Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.

  • Kurti bisedon me kryediplomatin italian dhe të dërguarin britanik, Peach: Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste

    Kurti bisedon me kryediplomatin italian dhe të dërguarin britanik, Peach: Në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë të hënës ka pasur dy biseda telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë.

    Kurti në një postim në Twitter shkruan se ministrit Tajani i ka përcjell mirënjohjen e thellë të Qeverisë dhe popullit të Kosovës për guximin e ushtarëve italian.

    “Në një telefonatë të dytë sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio_Tajani, përcolla mirënjohjen e thellë të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës për veprimin e guximshëm të ushtarëve italian në kuadër të KFOR-it për të ruajtur paqen përballë ekstremizmit të dhunshëm. I uroj shërim të plotë dhe të shpejtë të lënduarve”, shkruan Kurti.

  • KFOR: Të hënën në veri u plagosën 30 ushtarë, palët të marrin përgjegjësi për situatën

    KFOR: Të hënën në veri u plagosën 30 ushtarë, palët të marrin përgjegjësi për situatën

    Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate drejtuar mediave, ka bërë të ditur se nga zhvillimet e ditës së hënë në veri mbetën të plagosur 30 ushtarë.

    Aty thuhet se KFOR-i iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme. Ndërkohë që detaje ka dhënë për të plagosurit.

    “Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën”, thuhet në komunikatë.

    Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën.

    “Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet aty.

    Bëhet e ditur se komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve dhe familjet e tyre:

    “Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme”, bëheet e ditur të ketë thënë Ristuccia.

    KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

  • Edhe veturës së ATV-së i shpohen gomat, fillon mbledhja e turmës në Zveçan

    Edhe veturës së ATV-së i shpohen gomat, fillon mbledhja e turmës në Zveçan

    Provokimet e protestuesve serb në Zveçan, sot kanë nisur më herët.

    Para pak minutash huliganët serb kanë shpërthyer gomat e veturës së ATV-së.

    Sulme ndaj mediave ka pasur edhe ditën e djsheme, ku pos që iu anë shpuar gomat, ato janë ngjyrosur me simbole nacionaliste nga protestuesit serb, si dhe janë goditur nga plumbat.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur tejet i shqetësuar me situatën në të cilën kanë raportuar kolegët gjatë ditës së hënë në komunat veriore. /atvlive.tv

  • Lista Serbe i bashkohet protestuesve në Zveçan

    Lista Serbe i bashkohet protestuesve në Zveçan

    Pjesëtarët e Listës Serbe i janë bashkuar protestuesve që tashmë kanë filluar te mblidhen para komunës së Zveçanit.

    Slavko Simic dhe Goran Rakic ndodhen bashkë me serbët e tjerë aty.

    Edhe dje që të dy ishin pjesë protestave para të njëjtës komunë.

    Madje ata ishin negociatorët kryesorë me KFOR-in për të shpërndarë protestuesit serbë që në mbrëmje eskaluan duke shkaktuar dhunë ndaj pjesëtareve të KFOR-it.

  • KFOR-i fton Kosovën e Serbinë të marrin përgjegjësi për situatën në veri

    KFOR-i fton Kosovën e Serbinë të marrin përgjegjësi për situatën në veri

    Misioni paqeruajtës i KFOR-it i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të marrin përgjegjësi për situatën e krijuar në veri, duke bërë thirrje që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejmë i situatës.

    Në një komunikatë. drejtuar mediave, KFOR-i bëri të ditur se se 30 ushtarë janë plagosur të hënën në komunën e Zveçanit gjatë dhunës së protestuesve serbë. 11 ushtarë italian dhe 19 nga kontingjentin hungarez kanë pësuar lëndime të shumëfishta, përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse e shpërthyese.

    Lëndimet e tyre, sipas KFOR-it, nuk janë të rrezikshme për jetën.

    “Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën. Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, duke kryer mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

    KFOR-i bëri të ditur se komandanti i misionit, gjeneralmajor, Angelo Michele Ristuccia, po i përcjell personalisht zhvillimet.

    “KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, thuhet tutje.

  • Situata në veri, anulohet “Defender Europe 2023”

    Situata në veri, anulohet “Defender Europe 2023”

    Situata e tensionuar në veri të vendit ka bërë që aktiviteti i paraparë për sot (e martë) në kuadër të ushtrimit të madh ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 2023” të anulohet, njofton Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

    Nga ky dikaster nuk është bërë e ditur nëse Dita e Vizitorëve e paraparë për sot do të zëvendësohet në një tjetër.

    “Ju njoftojmë se për shkak të situatës në veri të vendit, aktiviteti i paraparë për sot (DV DAY), në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Si pasojë e protestave të dhunshme një ditë më parë, u plagosën 25 ushtarë të KFOR-it.

    “Defender 23” në Kosovë ka nisur më 21 maj, ushtrim ky që udhëhiqet nga ushtria amerikane dhe synim ka rritjen e ndërveprueshmërinë në mes të partnerëve si dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s dhe partnerëve për të reaguar në rast kërcënimi ndaj kontinentit të Evropës.

    Kosova ka qenë nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2021 por sivjet Forca ka pjesëmarrje më të madhe, me mbi 1300 pjesëtarë.

    Ndërsa janë mbi 300 pjesëtarë të njësive partnere që kanë zbarkuar bashkë me FSK-në në Babaj të Bokës-vendi ku po zhvillohet ushtrimi.

    Pjesë e “Defender Europe 23” janë 25 vende të NATO-s me mbi 22 mijë trupa ushtarak. /KosovaPress/

  • Deputetja britanike për ngjarjet në veri: Bandat serbe po paguhen dhe armatosen nga Beogradi

    Deputetja britanike për ngjarjet në veri: Bandat serbe po paguhen dhe armatosen nga Beogradi

    Alica Kearns, kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ka shkruar një cicërimë në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Ajo ka theksuar se në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosën me armë nga Beogradi.

    “Inkurajoni këdo që ndjek ngjarjet në Kosovë të lexojë këtë artikull të NYT për Vuçiqin, dhe lidhjet e tij me grupet e krimit të organizuar dhe përdorimin e bandave për t’i realizuar dhe siguruar interesat e tij. Në veri të Kosovës, bandat serbe po paguhen dhe armatosen me armë nga Beogradi.” – ka shkruar Kearns.