ATV

Category: Lajme

  • AGK: KFOR dhe ndërkombëtarët nuk po u ofrojnë mbrojtje gazetarëve, tjetër sulm ndaj tyre

    AGK: KFOR dhe ndërkombëtarët nuk po u ofrojnë mbrojtje gazetarëve, tjetër sulm ndaj tyre

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar për shkak të një tjetër sulmi ndaj gazetarëve, kësaj here në Komunën e Zveçanit, pasi një veturë e mediumit ekipit të televizionit Kanal 10 është dëmtuar.

    Sipas AGK-së, këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda.

    “Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit”, thuhet në njoftim.

    AGK-ja, u ka bëre thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve.

    Gazetarët e ndryshëm edhe në komunën e Leposaviqit janë sulmuar derisa kane qenë duke raportuar për gjendjen aktuale që është duke ndodhur atje.

  • Vendosen tela me gjemba afër objektit të Komunës së Zveçanit

    Vendosen tela me gjemba afër objektit të Komunës së Zveçanit

    Ushtarët e KFOR-it kanë vendosur telat me gjemba afër objektit të Komunës në Zveçan.

    Aktualisht situata është e qetë.

    Ushtarët e KFOR-it kanë krijuar barrikadë afër objektit të komunës.

  • Milosavljeviq: Protestat në veri po zhvillohen të qeta, nesër do të jenë masovike

    Milosavljeviq: Protestat në veri po zhvillohen të qeta, nesër do të jenë masovike

    Sergjan Milosavljeviq, ish-kryesues i Kuvendit Komunal në Zveçanin, ka thënë para mediave se protestat po zhvillohen të qeta por sipas tha ai dikush sikur po donë t’i tensionojë ato.

    Ai ka përsëritur kërkesat për mosardhjen e kryetarëve të ri një objektet e komunave dhe tërheqjen e forcave të policisë nga veriu.

    Milosavljeviq potencoi edhe lirimin e menjëhershme të të arrestuarve të protestës së djeshme, derisa paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodhë, nesër do të ketë protesta edhe më masovike në të gjitha komunat e veriut.

  • MPB-ja mohon se ka marrëveshje për tërheqjen e policisë nga Zveçani

    MPB-ja mohon se ka marrëveshje për tërheqjen e policisë nga Zveçani

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet e disa mediave në Serbi se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani.

    Sipas marrëveshjes së pretenduar, protestuesit e ndaluar një ditë më parë, do të lirohen po ashtu.

    “Lajmi që ka dalë në media se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it, nuk qëndron”, thanë nga MPB-ja për REL-in.

    Më 29 maj u arrestuan pesë të dyshuar për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit.

  • Dy kryetarë punojnë nga objektet komunale, një nga Zyra për Komunitete

    Dy kryetarë punojnë nga objektet komunale, një nga Zyra për Komunitete

    Kryetari Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse, bënë të ditur burimet e Radios Evropa e Lirë.

    Siç merr vesh REL-i, kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për “arsye sigurie”.

    Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin.

    Ndërkaq, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

    “Këtu sot e kemi filluar punën… Tash, le ta shohim”, tha shkurtimisht ai më 30 maj.

    Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Ata po kërkojnë po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

    Tensionet në veri u rritën në veri më 26 maj, kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

    Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet, 30 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

    Pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan.

    Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

    Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë. /REL

  • ​Stojkoviq për situatën në Kosovë: Serbët të tërhiqen, të refuzojnë ndërhyrjet e Vuçiqit

    ​Stojkoviq për situatën në Kosovë: Serbët të tërhiqen, të refuzojnë ndërhyrjet e Vuçiqit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i vetmi përgjegjës për të gjitha ngjarjet në veri të Kosovës, sepse çdo vendim individual që ka sjellë deri tek kjo gjendje është vetëm përgjegjësi e tij, tha kryetari i shoqatës Oktobar, Çedomir Stojkoviq.

    Ai ka pohuar se serbët e Kosovës janë shantazhuar nga Beogradi zyrtar, gjegjësisht nga vet Vuçiqi.

    “Ata janë shantazhuar që të bojkotojnë zgjedhjet, që do të thotë se Aleksandar Vuçiq ka ndërhyrë drejtpërdrejt në proceset demokratike në veri të Kosovës, duke i penguar, në kundërshtim me të gjitha standardet dhe veçanërisht në kundërshtim me traditën demokratike të Evropës, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ndërmjetësuan që të arrihet pajtimi, pra një marrëveshje”, ka thënë ai për një medium serb.

    Sipas tij, tani në Kosovë po ndodh një realitet tjetër nga ai që u kishte premtuar serbëve Aleksandar Vuçiq kur “urdhëroi serbët të bojkotojnë zgjedhjet”.

    “Serbët tani duhet të dalin para KFOR-it, bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve të Kosovës me këtë fakt dhe të shpallin se vendimet për bojkot për shkak të ndërhyrjes agresive të Aleksandar Vuçiqit në procesin zgjedhor nuk janë vendime të tyre zgjedhore, por rezultat i shantazhit politik dhe një pohim i tillë është më se i mjaftueshëm, arsye për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e bojkotit dhe për rrjedhojë për të fituar zgjedhje të reja”, tha kryetari i shoqatës Oktobar.

    Serbët nga veriu i Kosovës, siç tha ai, duhet ta dinë, por edhe duhet të thonë se Aleksandar Vuçuq i ka mashtruar, sepse sipas tij, ai nuk ka mundur të mos e dijë se do të ndodh kjo pasojë e bojkotit.

    “Tani serbët nga Kosova duhet të tërhiqen menjëherë nga bllokadat dhe menjëherë të kërkojnë zgjedhje të reja me arsyetimin se janë shantazhuar nga Beogradi që t’i bojkotojnë këto dhe se u është premtuar zhvillimi i ngjarjeve ndryshe nga këto, dhe të mbajnë tubime demokratike për këtë nëse është e nevojshme, për të treguar vullnetin e tyre të vërtetë për zgjedhje të reja, për shkak të mashtrimit të Aleksandër Vuçiqit, dhe më pas të integrohen në sistemin juridik të Kosovës pas përfundimit të tyre përmes negociatave të drejtpërdrejta me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

    Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të harrojë faktin se Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe se ai më pas ka thënë në mediat serbe se “serbët nuk duhet ta tradhtojnë atë”, dhe se “duhet ta lënë të mashtrojë bashkësinë ndërkombëtare nëse ky është plani i tij”, dhe se ishte pikërisht ai që urdhëroi serbët të bojkotojnë zgjedhjet dhe kështu solli sot këto pasoja.

    “Nga e gjithë kjo rezulton se Vuçiq ka hyrë në Marrëveshjen e Ohrit që në fillim jo me mirëbesim, por me keqbesim dhe me qëllimin real për të mos e zbatuar atë. Dhe kjo po tregohet pikërisht tani në terren, sepse Vuçiq fillimisht urdhëroi bojkotimin e atyre zgjedhjeve, si rezultat i së cilës serbët nuk janë në pushtet në komunat veriore, dhe tani ai do të përdorë pikërisht këtë fakt për të bllokuar zbatimin e Marrëveshjes, sepse është e qartë se Bashkësia e Komunave Serbe nuk mund të formohet në mënyrë legjitime pa pjesëmarrjen e atyre serbëve në formim, gjë që nuk mund të ndodhë nëse serbët bojkotojnë ato zgjedhje dhe po i bojkotojnë me urdhër të Vuçiqit”. përfundon Stojkoviq.

    Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

    Dje (e hënë), protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

    Si pasojë e protestave të dhunshme një ditë më parë, u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it.

  • Tensionohet situata në Leposaviq, sulmohen gazetarët

    Tensionohet situata në Leposaviq, sulmohen gazetarët

    Gazetarët që po i përcjellin nga afër ngjarjet në veri të vendit janë sulmuar në Leposaviq.

    Tensionimi i situatës nisi papritur, derisa gazetarët nisën të marrin pamje të zyrtarit të Listës Serbe, Zoran Todiç.

    “Jemi gjuajtur me vezë kur deshëm të xhirojmë Zoran Todiçin”, raporton gazetari i ATV-së nga vendi i ngjarjes.

    Gjatë këtij sulmi ndaj gazetarëve, ekipit të televizionit Tëvë1 ua kanë thyer kamerën. /atvlive.tv

  • ​Eurodeputeti Waitz dënon sulmet në veri: Rezultat i politikave etno-nacionaliste të Vuçiqit

    ​Eurodeputeti Waitz dënon sulmet në veri: Rezultat i politikave etno-nacionaliste të Vuçiqit

    Eurodeputeti Thomas Waitz i ka quajtur krejtësisht të papranueshme sulmet e djeshme kundër gazetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it nga protestuesit serbë. Sipas tij, këto janë rezultat i politikave ento-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit.

    Waitz theksoi se kriza aktuale në veri të Kosovës mund të shpërqendrojë nga problemet e Vuçiqit në vend, porse ka thënë se nga kjo nuk do të përfitojë as Serbia dhe as Kosova në planin afatgjatë. Prandaj, ai bëri thirrje për depërshkallëzim të menjëhershëm të situatës, shkruan KosovaPress.

    “Sulmet e djeshme kundër gazetarëve dhe @NATO_KFOR-it nga serbët etnikë në veri të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Përshkallëzimi duhet të përfundojë menjëherë. Ne kemi nevojë për paqe dhe zgjidhje politike për krizën në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Dialogun Beograd/Prishtinë”, ka shkruar ai.

    Eurodeputeti ka apeluar edhe Partinë Popullore Evropiane (EPP) që t’i japë fund bashkëpunimit me Vuçiqin. Derisa bën të ditur se BE tashmë po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë.

    “Këto përshkallëzime janë rezultat i politikave etno-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit dhe retorikës përçarëse. Edhe ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët janë bërë objektiv i kësaj gatishmërie për dhunë. I dënoj sulmet me termat më të fortë. Partia Popullore Evropiane (EPP) duhet t’i japë fund urgjentisht bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiqin, kundër të cilit në Serbi po zhvillohen protesta masive. BE tashmë po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë”, ka thënë ai.

  • BE do takim Kurti-Vuçiq në Bratisllavë

    BE do takim Kurti-Vuçiq në Bratisllavë

    I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje që të organizojë një takim ad hoc mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të organizohet në Bratislavë të Sllovakisë.

    Sipas burimeve diplomatike, “kjo është një ide dhe një përpjekje” dhe se “ende nuk ka konfirmime nga palët se a janë të gatshme për një takim të tillë”.

    Kryeqyteti sllovak është përmendur si vend i mundshëm ku do të mund të takoheshin të dy bartësit e dialogut, për shkak se që të dy janë ftuar të marrin pjesë në konferencën për siguri globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.

    Kryeministri Kurti kishte paralajmëruar se do të merrte pjesë në një panel të martën pasdite me me temën: “E shkrirë – Ballkani Perëndimor dhe rruga drejt BE”-së.

    Por, nga Qeveria e Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kurtit në këtë konferencë në Sllovaki, mund të anulohet.

    “Ka qenë e planifikuar [që Kurti] të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, thanë nga Qeveria e Kosovës.

    Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është paraparë të marrë pjesë në një panel të mërkurën, me temën: “Rruga e hapur – Ballkani Perëndimor kthehet në punë”. Në këtë panel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Prania e Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe e Lajçakut në këtë konferencë, është parë si mundësi që të organizohet një takim i përbashkët i tyre.

    Për një takim të tillë, sipas burimeve diplomatike, Lajçak e ka edhe mbështetjen e disa prej shteteve më të rëndësishme perëndimore.

    Një takim i tillë po shihet edhe si përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, zonë ku serbët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

    Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me trupat e misionit të KFOR-it. Ky mision tha se tre ushtarë janë plagosur nga armët e zjarrit, ndërkaq edhe 27 të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme.

    Pas përleshjeve të së hënës, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen për “uljen e menjëhershme” të tensioneve.

  • ​Gjendet pa shenja jete një person në Fushë Kosovë

    ​Gjendet pa shenja jete një person në Fushë Kosovë

    Një person është gjetur pa shenja jete në Fushë Kosovë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e dirur se viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

    “Njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet aty.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    Rasti duke u hetuar.