ATV

Category: Lajme

  • ​Pozita e vështirë e shqiptarëve në Luginë, Kamberi bisedon me ambasadorin Hill

    ​Pozita e vështirë e shqiptarëve në Luginë, Kamberi bisedon me ambasadorin Hill

    Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka takuar ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe shefin e OSBE-së atje, Jan Braathu. Ai ka bërë të ditur kanë biseduar për pozitën e vështirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

    Kamberi ka njoftuar se bashkë me Ragmi Mustafin, kanë pasur një drekë pune me dy diplomatët që ai i ka quajtur miq të mëdhenj të Luginës.

    “Drekë pune me dy miqtë e mëdhenj të Luginës së Preshevës, Ambasadorin e SHBA-ve, SH.T. z. Christopher R. Hill dhe shefin e Misionit të OSBE në Serbi, SH.T. z. Jan Braathu. Pozita e vështirë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe neglizhenca e gjatë që kërkon masa urgjente të domosdoshme, ishin temat tona të përbashkëta gjatë këtij takimi”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

    Ai gjithashtu ka falënderuar ambasadorët për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në drejtim të avancimit të të drejtave të pakicave në Serbi.

  • Sulmohen fizikisht gazetarët në veri të Mitrovicës

    Sulmohen fizikisht gazetarët në veri të Mitrovicës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka njoftuar se janë sulmuar fizikisht gazetarët e televizionit RTV21.

    Në reagimin e tyre thuhet se gazetarja Lirie Dibrani dhe kameramani Berat Bahtiri, janë sulmuar fizikisht nga serbët gjatë raportimit në sheshin Car Llazar, dhe iu është marrë pajisja me të cilin po xhironin.

    Ekipi ka njoftuar AGK-në se aktualisht janë duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës.

    “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është thellësisht i shqetësuar me pamjet e sulmit ndaj kameramanit, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që ta trajtojnë rastin sa më parë në mënyrë që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

  • Shqipëria i ofron KFOR-it mbështetje të plotë për veriun

    Shqipëria i ofron KFOR-it mbështetje të plotë për veriun

    Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn.

    KFOR-i njoftoi se ka marrë mbështetje të plotë nga Shqipëria për zhvillimet e fundit, si dhe u ka uruar shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar në protestat e serbëve.

    Kjo u bë e ditur në Twitter.

    “Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, zhvilloi një bisedë me Bajram Begajn. Presidenti i Republikës së Shqipërisë shprehu mbështetjen e plotë për misionin e KFOR-it dhe aktivitetet e tij, si dhe u uroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar në demonstrata”, thuhet në njoftim.

  • Trazirat në veri, NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

    Trazirat në veri, NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

    Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

    “Në përgjigje të trazirave të fundit dhe plagosjes së 30 pjestarëve të forcave të NATO-s në Kosovë, NATO ka drejtuar vendosjen e Forcave Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor, të cilat ishin në gatishmëri shtatëditore”, thotë komunikata e KFOR-it.

    Në komunikatë bëhet e ditur se një batalion shtesë shumëkombësh i forcave rezervë është urdhëruar për t’i reduktuar statusin e gatishmërisë nga katërmbëdhjetë ditë në shtatë ditë në mënyrë që të jenë gati të përforcojnë KFOR-in nëse është e nevojshme.

    “Dislokimi i forcave shtesë të NATO-s në Kosovë është një masë e kujdesshme për t’u siguruar se KFOR-i ka aftësitë që i nevojiten për të ruajtur sigurinë në përputhje me Këshillin e Sigurimit të OKB-së” tha Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së forcave të NATO-s.

    Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.

  • Në Bruksel po diskutohen masa ndaj Kosovës e Serbisë në rast se i refuzojnë hapat e propozuar për shtensionim

    Në Bruksel po diskutohen masa ndaj Kosovës e Serbisë në rast se i refuzojnë hapat e propozuar për shtensionim

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se në Bruksel aktualisht është duke u mbajtur takimi i Komitetit për Siguri dhe Politikë, të cilët po diskutojnë për masa të mundshme ndaj Kosovës e Serbisë në rast se palët s’i dëgjojnë hapat e propozuar për shtensionim të situatës.

    Ai tha se për situatën e krijuar ka dërguar në Kosovë edhe Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Përbashkët i Bashkimit Europian, Charles Fries.

    “Ndërkohë shtetet anëtare janë informuar rreth zhvillimeve dhe derisa ne flasim tani ata janë informuar në Komitetin për Siguri dhe Politikë dhe kanë diskutuar për masat që duhet ndërmarrë derisa palët vazhdojnë të rezistojnë ndaj hapave të propozuar drejt deeskalimit. Palët pritet që të kontribuojnë për bashkëpunim të frytshëm rajonal për sigurinë në Europë dhe të tejkalojnë trashëgiminë e të kaluarës”.

    Borrell tha se ka mjaft dhunë aktualisht në Europë dhe se më s’mund të përballojnë një konflikt tjetër.

    “Ka mjaft dhunë, ka pasë mjaft dhunë. Ne kemi shumë dhunë në Europë sot. Ne nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër dhe shpresoj që zëri ynë të dëgjohet dhe që njerëzit të sillen sipas kësaj kërkese”.

  • AGK dënon sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan

    AGK dënon sulmin ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një reagimi në faqen zyrtare në facebook, ka dënuar sulmin ndaj ekpes së ATV-së që ndodhi sot në Zveçan.

    “Mëngjesin e sotëm, vetura e ATV-së ka qenë cak i sulmit nga protestuesit serbë. Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë shpërthyer gomat veturës me qëllim të pengimit të raportimit. Kjo situatë me të cilën po përballën gazetarët është tejet shqetësuese, dhe po rëndohet çdo herë e më shumë, pasi ata po vazhdojnë të jenë target i protestuesve serbë”, thuhet në reagim.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë kolegëve gazetarë, kameramanë, fotoreporterë dhe shoferët e ekipeve të tyre, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në rast nevoje t’i drejtohen për ndihmë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje.

  • KFOR-i shton prezencën në Leposaviq, ushtarët amerikanë hynë në oborrin e komunës

    KFOR-i shton prezencën në Leposaviq, ushtarët amerikanë hynë në oborrin e komunës

    KFOR-i ka shtuar prezencën në Leposaviq.

    Gazetari i ATV-së nga vendi ngjarjes raporton se trupat amerikane tashmë kanë hyrë në oborrin e komunës së Leposaviqit.

    Kujtojmë se gjatë ditës së sotme në Leposaviq, kanë vazhduar t’i sulmojnë gazetarët, ku raportohet se janë sulmuar tri vetura të mediave të ndryshme, dy prej tyre media të Shqipërisë.

    AGK-ja, u ka bëre thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. /atvlive.tv

  • ​Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet policore, e serbët protestat në veri

    ​Borrell: Kosova t’i pezullojë operacionet policore, e serbët protestat në veri

    Gjendja e tensionuar në veri të Kosovës, ka nxitur reagimin e shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka kërkuar nga autoritetet e kosovare t’i pezullojë operacionet policore rreth objekteve të komunave në veri të Kosovës.

    Borrell të martën në një konferencë për media ka bërë thirrje që edhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen.

    “Bashkimi Evropian dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që e kemi parë ditët e fundit. Veprimet e dhunshme ndaj qytetarëve, ndaj mediave, ndaj forcave të rendit dhe trupave të KFOR-it janë absolutisht të papranueshme dhe sjellin një situatë shumë të rrezikshme. Ne, Bashkimi Evropian, qëndrojmë fuqishëm prapa KFOR-it të NATO-s në përmbushjen e mandatit të saj në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Sot në mëngjes kam kontaktuar sërish me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe gjatë natës me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. U kërkova të dyja palëve që urgjentisht të marrin masa për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte, dhe çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm duhet të shmanget dhe të rivendoset qetësi. Si hap i parë, do të prisja që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor me fokus në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, dhe protestuesit e dhunshëm të largohen dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi me dy liderët”, theksoi Borrell.

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell se BE-ja pret që palët ta vazhdojnë dialogun.

    Borrelli konfirmoi se po punohet që të organizohet një takim urgjent i nivelit të lartë për dialog.

    “Bashkimi Evropian pret që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri që garanton qetësi dhe siguri për të gjithë qytetarët dhe për të hapur rrugën për zbatimin e marrëveshjes së re në rrugën drejt normalizimit. Për këtë jam duke punuar në organizimin e një takimi urgjent të dialogut të nivelit të lartë… Nuk duhet të ketë dhunë, ka pasur shumë dhunë, tashmë kemi shumë dhunë në Evropë, nuk mund të përballojmë një konflikt tjetër. Shpresoj se zëri im do të dëgjohet dhe njerëzit do të sillen në përputhje me këtë kërkesë”, theksoi ai.

    Ai më tej theksoi se zëvendës sekretari i tij i përgjithshëm për Siguri dhe Mbrojtje, Charles Fries është në Kosovë, dhe së bashku me misionin për sundimin e ligjit EULEX si reaguesi i dytë i sigurisë do të përgjigjen për situatën në terren.

  • ​Dëshmitari i 7-të tregon kur shkoi në shtabin në Kukës dhe si takoi Shalën

    ​Dëshmitari i 7-të tregon kur shkoi në shtabin në Kukës dhe si takoi Shalën

    Dëshmitari i shtatë i ZPS-së kundër Pjetër Shalës gjatë dhënies së dëshmisë të tij para Gjykatës Speciale se në muajin maj të vitit 1999, kishte arritur në shtabin, në Kukës dhe se aty e kishte takuar Pjetër Shalën. Madje sipas dëshmisë së tij, në ditën e dytë të qëndrimin në këtë lokacion, ai edhe kishte luajtur me letra me Shalën.

    Derisa dëshmitari me kodin numër 1, po i përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ai përshkruaji se si dukej magazina ku ai kishte qëndruar.

    Prokurori: A mund t’ia përshkruash trupit gjykues se si dukej ky vend

    Dëshmitari: Shtabi i kanë pas zyrat si të hyjsh tek rampa në anën e majtë kanë qenë zyrat dhe në dhomat çka kanë pas në dytin kat nuk kam qenë. A në fund të fundit atje ka qenë kuzhina në anën tjetër të majtë. Në anën tjetër kanë qenë dhomat ku kam qenë unë i mbyllur. Pasi ma kanë ndërruar vendin në anën e djathtë kam qenë dhoma ku kam qenë unë i mbyllur

    Prokurori i specializuar kërkoi të di më shumë informacione se çfarë kishte bërë dëshmitari në ditën e dytë të qëndrimit në këtë magazinë.

    E dëshmitari tha se atë ditë kishte qëndruar me Pjetër Shalën, me një polic ushtarak dhe po ashtu një polic tjetër ku në mbrëmje edhe kanë luajtur letra.

    Prokurori: Çfarë bëtë ditën e dytë a ju kujtohet

    Dëshmitari: Ditën e dytë kemi ndejt me të njëjtit njerëz me Pjetrin janë kanë edhe një i policisë ushtarake dhe një polic tjetër dhe kah mbrëmja kemi luajtur edhe letra.

    Prokurori: Dhe atë ditë ditën e dytë a ke qenë në gjendje të lëvizësh lirisht aty brenda shtabit, shembull me dal prej magazinës në oborr, a ke mund të lëvizësh lirshëm atë ditë

    Dëshmitari: Ishin kanë duke verifikuar për ne e ne se kemi ditur

    Më pas, prokurori i ZPS-së,Minicis pyeti dëshmitarin e shtatë se gjatë qëndrimit të tij a kishte parë persona tjerë krahas atyre që i përmendi.

    Dëshmitari deklaroi se kishte parë një person nga Drenica, i cili qëndronte në magazinën e ushqimit, dhe në ditën e tretë kishte parë edhe tre romë.

    Dëshmitari: Po i kam parë këta që janë marr me magazinën tjetër të ushqimit ka qenë një i Drenicës… dhe një tjetër qysh ka qenë

    Prokurori i specializuar, Filippo De Minicis tutje për magazinën ku kishte qëndruar dëshmitari, dhe duke dhënë detaje dëshmitari i shtatë u shpreh se poshtë magazinës ka qenë një ordinacë e vogël mjekësore dhe zyrat e komandantëve.

    Ndërsa, në katin e dytë u shpreh se nuk e di se çka ka pas pasi nuk ka qenë aty.

    Për t’i freskuar kujtesën dëshmitarit lidhur me të dhënat shtesë për herën e parë që i ka parë këta persona, ZPS kërkoi që të përdorej deklarata e tij e mëhershme, por që më pas seanca kaloi në sesion privat.

    Ndërsa, trupi gjykues qysh në nisje të dhënies së dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të ZPS-së kundër Pjetër Shala tregoi se dëshmia e këtij dëshmitari do të jetë kryesisht e mbyllur për publikun.

    Derisa, dëshmitari po e jep dëshminë e tij nga salla e gjyqit, Pjetër Shala këtë dëshmi kundër tij po e dëgjon përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

    Shala i njohur si komandat “Ujku” po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KP

  • Vazhdojnë negociatat mes Listës Serbe dhe KFOR-it në Leposaviq

    Vazhdojnë negociatat mes Listës Serbe dhe KFOR-it në Leposaviq

    Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Slavko Simiq dhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, kanë biseduar me komandantin e KFOR-it amerikan, të cilit sërish ia kanë përcjellë kërkesat që njësiti special i Policisë së Kosovës të tërhiqet dhe kryetari i sapozgjedhur Lulzim Hetemi të largohet nga ndërtesa e komunës, ku ndodhet që nga dje.

    Todiq theksoi se serbët e mbledhur para ndërtesës së komunës nuk duan asnjë incident, por vetëm “duan të sigurohen që të punojnë pa probleme në institucionet e tyre”.

    “Jeta në Leposaviq është paralizuar, ata kanë ardhur këtu me përdorimin e forcës. Ata duhet të shkojnë, që ne t’i kthehemi jetës normale,” i tha Todiq komandantit të KFOR-it amerikan, i cili zëvendësoi kontingjentin italian para komunës së Leposaviqit.