ATV

Category: Lajme

  • Në Mal të Zi protestohet kundër Kosovës, Ministri Gjeka: Janë grupe pro-ruse, s’janë shqetësuese

    Në Mal të Zi protestohet kundër Kosovës, Ministri Gjeka: Janë grupe pro-ruse, s’janë shqetësuese

    Gjatë ditës të mërkurës dhe të enjtes, disa qytetarë në Mal të Zi protestuan në mbështetje të serbëve të veriut të Kosovës.

    Por, këto reagime, sipas Ministrit për të Drejtat e njeriut dhe pakica në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, nuk janë shqetësuese, raporton Klankosova.tv.

    Ai në “Sytë 7” në Klan Kosova tha se ata që reagojnë kundër Kosovës janë nga komuniteti serb, që janë diku afër 30% në Mal të Zi.

    Megjithëse, Gjeka tha se nuk janë të gjithë serbët e tillë, por vetëm disa grupe të vogla që janë edhe pro-ruse.

    Ai përmendi edhe faktin që muaj më parë, Komuna e Zetës, e përbërë nga serbë, kërkoi nga Parlamenti i Malit të Zi ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këto, Gjeka në “Sytë 7” në Klan Kosova tha se janë banale dhe vetëm politika për konsum ditor, e asgjë shqetësuese.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Pejë

    Gjendet pa shenja jete një person në Pejë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur pa shenja jete një person në një shtëpi në Pejë.

    Rasti ka ndodhur të enjten në ora 11:00.

    “Është raportuar për një person pa shenja jete në një shtëpi. Njësitet relevante policore dhe një ekipe e mjekëve kanë dal në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar se trupi i viktimës mashkull kosovar është pa shenja jete”, thuhet në raport.

    Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me urdhër të së cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

  • Osmani takoi Sunak: Mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar

    Osmani takoi Sunak: Mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur sot se ka takuar kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, në Moldavi.

    Osmani ka potencuar se me Sunakun ka biseduar për zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimin e fortë të Kosovës me Britaninë e Madhe.

    “Shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të vazhduar përpjekjet tona të përbashkëta për paqen dhe sigurinë afatgjatë.”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Moldavi ka takuar edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell e po ashtu edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn./KP

  • ​Vazhdojnë protestat në veri

    ​Vazhdojnë protestat në veri

    Protestuesit serbë tashmë janë mbledhur para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

    Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.

    Aktualisht situata në Zveçan, por edhe në komunat tjera veriore në përgjithësi është e qetë, ndërsa numri i protestuesve është simbolik.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

  • Murphy kërkon “angazhim agresiv” të ShBA-së në Ballkan

    Murphy kërkon “angazhim agresiv” të ShBA-së në Ballkan

    Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

    “Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

    Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

    Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

    “Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

    “Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

    Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

    “Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

    Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

    Një ditë më herët, kryeministri Kurti bëri të ditur se ka biseduar me zëvendëskëshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen, ku sipas tij, theksoi përkushtimin “për të punuar me SHBA-në për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.

    “Kjo [ulja e tensioneve] kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, thuhet në postimin e Kurtit në Twitter.

    Përpjekjet ndërkombëtare për të ulur tensionet në Kosovë u intensifikuan, derisa serbët vazhdojnë protestat në pjesën veriore të vendit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

    Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.

  • Apeli lë në fuqi dënimin prej 25 vite burgim për vrasjen në AKI, pala e dëmtuar do t’i kërkojë 1 milion euro

    Apeli lë në fuqi dënimin prej 25 vite burgim për vrasjen në AKI, pala e dëmtuar do t’i kërkojë 1 milion euro

    Valon Ibërdemaj do të qëndrojë 25 vite në burg pasi është dënuar nga shkalla e parë ndërsa aktgjykimi është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

    Këtë e ka konfirmuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Skender Musa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatës Themelore në Prishtinë ku me 18 mars të vitit 2022 Valon Ibërdemajn e kishte dënuar me 25 vite burgim për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në objektin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në shtator të vitit 2018.

    Avokati Musa ka thënë se është vendosur drejtësia me vërtetimin e vendimit të Apelit për vrasjen në AKI.

    “Si përfaqësues i familjes, palë së dëmtuar konsiderojmë̈ se është vendosur drejtësia për shkak se ka qenë një situate jashtëzakonisht e rëndë̈ e ndodhur në një institucion me një siguri maksimale”, ka deklaruar Musa për “Betimi për Drejtësi”.

    Ai ka thënë se çfarë ka ndodhur në shqyrtimet gjyqësore nuk mund të bëhet publike.

    Musa ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë që t’i paraqesin Qeverisë dhe të dënuarit Ibërdemaj kërkesë pasurore-juridike në vlerë mbi një milion euro.

    “Tash e tutje kompania juridike JURIDICA është duke i analizuar se cilët persona do t’i padisë dhe sipas të gjitha gjasave e paditur do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me të dënuarin dhe shuma e padisë̈ mbi një milion euro”, ka deklaruar Musa.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 qershor 2020 e ka mbyllur për publikun dhe mediat këtë rast.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.

    Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “Isa”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

    Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.

    Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.

    Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.

    Më këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë.

  • Kimbërli Uest përzgjidhet Prokurore e Specializuar e Gjykatës Speciale

    Kimbërli Uest përzgjidhet Prokurore e Specializuar e Gjykatës Speciale

    Kimbërli Uest (Kimberly West), e cila ka qenë më parë prokurore federale e SHBA-së me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, është përzgjedhur Prokurore e Specializuar pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian.

    Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit (Jack Smith) i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor 2022 për të marrë një post si Prokuror Special në Shtetet e Bashkuara.

    “Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues,” tha Uest. “Pres me kënaqësi të marr detyrën në ZPS dhe ta çoj përpara punën e saj.”

    Uest vjen në ZPS nga Firma Ligjore Eshkroft (Ashcroft Law Firm) në Boston, Masaçusets (Massachusetts), ku është partnere që nga viti 2019 dhe është përqendruar kryesisht në mbrojtje të çështjeve penale të lidhura me krimin ekonomik.

    Para se të merrte detyrën në këtë firmë, Uest punoi si prokurore për më shumë se dy dekada në role në nivel vendor, federal dhe ndërkombëtar.

    Uest ishte gjithashtu Shefe e Byrosë së Krimeve në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusetsit në periudhën nga viti 2015 deri në 2019. Në këtë rol, ajo mbikëqyrte një ekip prej 120 profesionistësh të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të një game të gjerë veprash penale në fushën e mashtrimeve financiare, korrupsionit publik, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe trafikimit të qenieve njerëzore; në mbrojtjen e të dënuarve në fazën e apelit; dhe në ndihmën për viktimat dhe dëshmitarët.

    Uest mori detyrën në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pasi erdhi nga Zyra e Prokurorit Federal të SHBA-së, Distrikti i Masaçusetsit, ku ajo shërbeu si Ndihmës-prokurore Federale e SHBA-së në Njësinë për Mashtrimet në Kujdesin Shëndetësor për dy vjet dhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare për gjashtë vjet. Znj. Uest mori detyrën në Njësinë e Sigurisë Kombëtare pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit.

    Për pesë vjet, në periudhën nga viti 2008 deri në 2013, Uest shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ajo ishte pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiqin për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në çështjen gjyqësore Përliq et al që u përqendrua në krimet e kryera në Mostar dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër.

    Uest ka gradën Juris Doctor (Doktor në Drejtësi) nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Safolkut, Masaçusets, dhe u bë anëtare e Dhomës së Avokatëve në Masaçusets. Ajo ka gjithashtu gradë universitare bachelor nga Kolegji i Bostonit, Masaçusets.

    Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit, i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe Dejvid Shvendimanit (David Schwendiman), i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018. Aleks Uajting (Alex Whiting) i cili ka shërbyer si Ushtrues i Detyrës së Prokurorit të Specializuar që nga nëntori 2022, do të vazhdojë në këtë rol derisa Uest të marrë detyrën e saj.

  • KE-ja i hedh poshtë kritikat se mban përgjegjësi të pjesshme për trazirat në veri

    KE-ja i hedh poshtë kritikat se mban përgjegjësi të pjesshme për trazirat në veri

    Bashkimi Evropian u kritikua se është pjesërisht përgjegjës për trazirat në veri të Kosovës, nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto, pjesëtarët e shtetit të të cilit, në kuadër të KFOR-it, patën pësuar lëndime në trazirat e së hënës në Zveçan. Ai e kritikoi BE-në se ka ndikuar në krijimin e jostabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor me anë të vonesave në procesin e zgjerimit. Por këtë kritikë e hodhën poshtë të enjten nga Komisioni Evropian

    Komisioni Evropian i ka hedhur poshtë kritikat se mban pjesërisht përgjegjësi për shkak të trazirave në Kosovë, shkaku që e ka vonuar procesin e zgjerimit të BE-së.

    Këto reagime nga Komisioni Evropian kanë ardhur pas kritikave që i ka shprehur ministri i Jashtëm i Hungarisë, Sijarto, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian, duke e vonuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe duke u vonuar në veprimet e veta, ka ndikuar që të krijohet jostabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që u pa me shpërthimin e tensioneve në veri të Kosovës.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për procesin e zgjerimit dhe se është prioritet që qasja ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se nuk varet gjithçka nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet anëtare dhe se Komisioni Evropian vazhdon të jetë i interesuar për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së.

    Ajo po ashtu rikujtoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një propozim të ri për të përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian edhe para se ato të bëhen anëtare të BE-së.

    Po ashtu, Komisioni ka paralajmëruar se do të kërkojë edhe më shumë mjete financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’ju ndihmuar atyre që të përgatiten sa më mirë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

  • Numër simbolik i protestuesve në veri, punonjësit komunalë nënshkruhen në listat e evidencës

    Numër simbolik i protestuesve në veri, punonjësit komunalë nënshkruhen në listat e evidencës

    Në tri komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për të gjashtën ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

    Të punësuarit në Komunën e Zveçanit të cilët prej ditës së djeshme po nënshkruhen në listat e evidencës para gjemborëve të KFOR-it për prezencën e tyre në punë, kanë filluar të arrijnë.

    Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.

    Aktualisht situata në Zveçan, por edhe në komunat tjera veriore në përgjithësi është e qetë, ndërsa numri i protestuesve është simbolik.

    Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.

  • Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Kuvendi me seancë të veçantë, diskuton për veriun

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të veçantë, ku do të diskutojnë për situatën në veri të vendit.

    Seanca pritet të fillojë në ora 10:00.

    Situata në komunat në veri të vendit është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

    Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

    Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

    Ndërsa një sinjal për tejkalim të situatës u pa tek të enjten, kur ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se me kryeministrin Albin Kurti kishin një takim produktiv dhe se kishin biseduar për marrëveshjen bazë me Serbinë. Në anën tjetër kreu i ekzekutivit tha se janë të angazhuar për qetësimin e situatës në veri të vendit.