ATV

Category: Lajme

  • ​Krasniqi-Kurtit: Për Zubin Potok e Zveçan, as nuk guxon e as ki të drejtë me fol

    ​Krasniqi-Kurtit: Për Zubin Potok e Zveçan, as nuk guxon e as ki të drejtë me fol

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka paralajmëruar kryeministrin se nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në Zubin Potok dhe Zveçan. Siç tha i pari i kësaj partie, për këto dy komuna ‘ty nuk t’i vet letrat më njeri i lemë’. Në debatin parlamentar për situatën në veri, ai shtoi se kryetari në veri të Mitrovicës nuk është në objekt të komunës, por në zyrë në Lagjen e Boshnjakëve.

    Gjatë seancës plenare, Krasniqi theksoi se heroi i Albin Kurtit është Oliver Ivanoviqi, i cili dikur siç tha ai, i printe bandave për sulme ndaj shqiptarëve.

    “A e din kush i ka prirë bandave që e kanë bërë sulmin ndaj shqiptarëve? Heroi i Albin Kurtit, Oliver Ivanoviqi. Oliver Ivanoviqi ka qenë ai që e ka koordinuar me rojet e urës e me kriminelët serbë vrasjet e shqiptarëve edhe përndjekjet e tyre. Unë kam qenë në atë anë, ky (Albini) nuk ka mundur të jetë fatkeqësisht. Por, Oliver Ivanoviqin që sot e shpall hero, se ky është shpëtimtari i serbëve na tregoi, ky do ta çlirojë komunitetin serb në veri, aty kanë qenë. Lej pallavrat zotëri, lej”, deklaroi Krasniqi, transmeton KP.

    Tutje, Krasniqi ka vijuar me pyetjet për Kurtin nëse do të tërhiqet.

    “Si ndihesh që je shqiptari i parë në Kosovë, që ke përgjegjësi institucionale e që të penalizon Amerika publikisht, të thotë ‘s’guxon me ardh në Uashington’. Si ndihesh që je kryeministri i Kosovës, që është çliruar, është bërë shtet, është zhvilluar, vetëm dhe para se gjithash me Amerikën, që ta përjashtojnë ushtrinë, që prapë Amerika të ka ndihmuar dhe të ka lejuar ta bëjë, prej stërvitjes më të madhe ushtarake? Pse nuk po përgjigjesh? Edhe mbi të gjitha pse nuk po përgjigjesh të tregosh se a ki me u tërheq, a nuk ki me u tërheq? A ki me u tërheq se dole prej takimit me Borrellin edhe paralajmërove zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

    Kreu i PDK-së e ka paralajmëruar Kurtin se nuk do të mund të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme në Zubin Potok e Zveçan.

    “Unë po të tregoj diçka ti zgjedhje të jashtëzakonshme mundesh me shpresua me mbajt, por për dy komuna, as nuk guxon e as ki të drejtë, e as mundesh me fol, këtë dije. Për Zveçan, për Zubin Potok, ty nuk ti vet letrat më njeri i lem ( i lindur). A duhet me i çu në komuna kryetarët? Po. Pse nuk po e çon Erden Atiqin në komunë? Pse more po i gënjen të mëdhenj e të vogël, po ju thua që Erden Atiqi është në komunë. Erden Atiqi është në zyrën e Ardiana Hoxhiqit o zotëri. Qeveritë tona e kanë bërë atë zyre ndërlidhëse. Hajde merri për dore Xhelal Sveçlën me kaçketë (kapele), Elbert Krasniqi me pancir edhe ti, e hajde e çojmë Erden Atiqin në Mitrovicë të veriut ku është komuna ”, ka deklaruar ai.

    Seancën e plotë të Kuvendit e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani bisedoi me presidenten e PE-së për zhvillimet e fundit

    Osmani bisedoi me presidenten e PE-së për zhvillimet e fundit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka bashkëbiseduar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    Osmani ka potencuar se i ka shprehur mirënjohje Metsolës për mbështetje për përafrimin e Kosovës me BE-në.

    ”Diskutuam për zhvillimet e fundit dhe përpjekjet tona të përbashkëta duke u mbështetur në vullnetin e Parlamentit Evropian për të avancuar rrugën e Kosovës drejt BE-së.”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Moldavi ka takuar edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn e po ashtu edhe kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak. /kp

  • ​Përfundon protesta në Graçanicë, lirohet qarkullimi i rrugës

    ​Përfundon protesta në Graçanicë, lirohet qarkullimi i rrugës

    Ka përfunduar protesta e serbëve lokalë në Graçanicë, e cila u mbajt në shenjë solidariteti me serbët në veri të Kosovës.

    Kësisoj u lirua për qarkullim edhe rruga Prishtinë-Gjilan.

    Përmes pankartave të ndryshme protestuesit potencuan mbështetjen ndaj serbëve të Kosovës në veri.

    Sot është dita e pestë e protestave në tri komunat veriore të Kosovës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ku po kundërshtohet ushtrimi i detyrave të kryetarëve të zgjedhur në objekte komunale.

  • Tensionet në veri, Lajçak dhe Escobar në Kosovë e Serbi javën e ardhshme

    Tensionet në veri, Lajçak dhe Escobar në Kosovë e Serbi javën e ardhshme

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

    Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore:

    Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

    Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.

    Bashkimi Evropian e kishte quajtur arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve si një “dalje nga faza e menaxhimit në krizave në një fazë të normalizimit”.

    Mirëpo, për shkak të përshkallëzimit të situatës ditëve të fundit në veri të Kosovës, për çka përgjegjësia iu bart autoriteteve të Kosovës, të cilat insistuan që kryetarët e zgjedhur të komunave të hynë në ndërtesa, prapë aktiviteti i BE-së është kthyer në menaxhimin e krizave.

    Diplomatët në BE thonë se duhet siguruar që tensionet e fundit në veri të mos e rrezikojnë marrëveshjen e arritur, prandaj bëjnë thirrje që tensionet të ulen menjëherë dhe në mënyrë të pa kusht, dhe që palët t’i kthehen dialogut dhe procesit të normalizimit.

    Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

    Përshkallëzimi në veri të Kosovës kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

    Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

    Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

  • Von Cramon ia shton edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Borrellit: Të hetohen dhe ndiqen sulmuesit e KFOR-it

    Von Cramon ia shton edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Borrellit: Të hetohen dhe ndiqen sulmuesit e KFOR-it

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka shtuar edhe një kërkesë shtesë tri kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i bëri dje publike pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

    Von Cramon kërkon që të ketë hetim të plotë dhe ndjekje penale për ata që sulmuan ushtarët e KFOR-it.

  • Osmani: Vuçiq vajtoi dhe u ankua, takimi u bë pas insistimit të Scholz e Macron

    Osmani: Vuçiq vajtoi dhe u ankua, takimi u bë pas insistimit të Scholz e Macron

    Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informal dhe jo negociues. Tutje, ajo tha se Kosovës iu kërkuan zgjedhje të reja në veri

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka thënë se presidenti serb, Vuçiq ankohej, vajtonte dhe nuk tregonte të vërtetën në takimin me të.

    Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informativ dhe jo negociues.

  • Kurti lëshon sallën e Kuvendit

    Kurti lëshon sallën e Kuvendit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas shumë diskutimeve mbi çështjen e Veri, sanksionin nga SHBA-ja e opsionin e zgjedhjeve të reja, është parë duke e lëshuar sallën e Kuvendit.

    Kurti e lëshoi sallën pas replikave e kundër-replikave mes tij e dy krerëve të opozitës, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku.

    Ka qenë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili me të marrë fjalën, pa kryeministrin duke dalë nga salla, e mes tjerash u shpreh “Kryeministër është mirë me nejt, me i dëgjuar deputetë mos me i ikë përgjegjësisë as këtu as për veri, prandaj kthehu ulu në karrige, se qashtu ke ikë edhe prej veriu”, tha ai.

    Seancën mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në videon më poshtë:

  • Dimal Basha: Kur unë dal me folë për Amerikën, këta tuten këtu

    Dimal Basha: Kur unë dal me folë për Amerikën, këta tuten këtu

    Deputeti i VV-së, Dimal Basha është duke folur për gjendjen në veri. Ai fjalimin e tij e filloi me një shaka ku tha se “Kur unë dal me fol për Amerikën këta tuten këtu”.

    Por, që fjalimin e vazhdoi duke lavdëruar Qeverinë për veprimet në veri, duke thënë se situata nuk është kanë kurrë më mirë.

    “Qytetarët duhet ta dijne se ku jemi ka me veriun, situata nuk është kanë kurrë më mirë. Referendumin e kanë ndal, kriminelët po e hupin rrugën e tyre, kontrabandimi është ndalë. Nuk ka ma mirë si përfundim mos harroni se qysh e kemi gjete“, tha ai.

    Ai u tregua i ashpër edhe me ndaj kërkesave të Borellit.

    “A me shku na me zor me i kap me i pru ne zgjedhje a? Asociacioni sytë e Borellit janë aty, a ka dikush prej opozitës me i tha se keq e ki pse po tutni kaq shumë”, tha ai.

    Seancën mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në videon më poshtë:

  • ​Agjencitë turistike duhet të pajisen me leje

    ​Agjencitë turistike duhet të pajisen me leje

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton subjektet që ofrojnë veprimtari të agjencive organizatore të udhëtimit (tour operatorët) si dhe udhërrëfyesit turistik (guidat turistike), se me hyrjen në fuqi të akteve nënligjore, që dalin nga Ligji për Turizmin, obligohen të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë, respektivisht pajisjes me kartelë identifikimi dhe regjistrimit në regjistrin turizmit.

    MINT nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se agjencitë organizatore të udhëtimit, që organizojnë paketa të udhëtimit, turne ose ekskursione, duhet të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë dhe të sigurojnë përmbushjen e detyrimeve për ofrimin e këtyre shërbimeve.

    “Me përmbushjen e kritereve dhe kushteve të përcaktuara sipas ligjit për turizmin dhe akteve tjera nënligjore, agjencitë do të mund të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët, respektivisht për turistët, të cilët i blejnë këto shërbime. Turistët vendorë dhe ata ndërkombëtarë tani do të jenë të siguruar, që paketa turistike të zbatohet sipas marrëveshjes kontraktuale me agjencinë organizatore. Kjo është bërë e mundur meqenëse agjencia e udhëtimit duhet të sigurojë përmbushjen e detyrimeve të saja kontraktuale ndaj palëve të treta përmes një polise të vlefshme sigurimi. Udhërrëfyesit turistikë, me rastin e regjistrimit në regjistrin e turizmit dhe pajisjes me kartelën identifikuese të lëshuar nga MINT, do të publikohen duke u promovuar zyrtarisht si udhërrëfyes turistikë për të operuar në territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa nuk lejohet operimi i udhërrëfyesve turistikë të huaj brenda territorit të Republikës së Kosovës pa shoqërimin e një udhërrëfyesi turistik vendor të regjistruar në MINT, si parashihet me ligjin e turizmit dhe aktet nënligjore në fuqi. Subjektet me rastin e aplikimit për leje, kartelë identifikimi, plotësojnë edhe formularin me të dhënat e kërkuara për përfshirje në regjistrin e turizmit. Deri në funksionalizimin e platformës elektronike të “Regjistrit të Turizmit” aplikimet bëhen në formën fizike për pajisjen me leje për agjencitë organizatore të udhëtimit dhe kartelë identifikimi dhe regjistrim të udhërrëfyesve turistikë. Po ashtu, njoftohen operatorët ekonomikë se me hyrjen në fuqi të këtyre udhëzimeve administrative, agjencitë organizatore dhe udhërrëfyesit turistik obligohen të pajisen me leje për ushtrimin e veprimtarisë, respektivisht pajisjes me kartelë identifikimi dhe regjistrimi në regjistrin e turizmit, në të kundërt Ministria do të veprojë sipas procedurave të mbikëqyrjes dhe inspektimit të paraparë me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • ​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

    ​Lista Serbe përsërit kushtet për Qeverinë e Kosovës

    Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka përsëritur kërkesat që sipas tij duhet t’i plotësojë Qeveria e Kosovës në mënyrë që të ndërpriten protestat në veri.

    Duke folur para gazetarëve, Rakiq i ka ndarë kërkesat në dy faza ku faza e parë sipas tij është tërheqja e policisë nga komunat e veriut, lirimi i të gjithë të arrestuarve nga protestat, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të mos shkojnë në objektet komunale, raporton KP.

    Ndërsa faza e dytë sipas tyre është tërheqja e njësitë speciale nga veriu i Kosovës, formimi i Asociacioni si dhe ndërprerja e procedurave gjyqësore ndaj të gjithë të dyshuarve, duke përfshirë këtu edhe të arrestuarit e protestës.

    Ai nuk ka dashur të flas për zhvillimet e djeshme ku ndërkombëtarët kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, duke thënë se zyrtarisht nuk kanë asnjë përgjigje.