ATV

Category: Lajme

  • Situata në veri, qytetarët po maltretohen në kufij me Serbinë

    Situata në veri, qytetarët po maltretohen në kufij me Serbinë

    Ngjarjet në veri të vendit, po ndikojnë edhe në lindje të saj.

    Qytetarët që e përdorin pikën kufitare te Dheu i Bardhë për të kaluar në Preshevë e Bujanoc, po keqtrajtohen nga policia kufitare e Serbisë.

    Të njëjtin fat e pati të enjten edhe Sylejman Pllana, të cilit iu ndalua kalimi matanë pikës kufitare, për, siç thotë ai, pa ndonjë arsye.

    “Me këtë veturë nuk mundesh me kalu, po thashë e kam autorizimin, jo thanë ti nuk mundesh, këta le të kalojnë e ti duhesh me u kthy! E qysh me ja bo, unë para dy jave kalova njëjtë. U ndryshu ligji po thonë, e s’po di çka ka ndryshu”, tha Sylejman Pllana, qytetar.

    Por ky nuk është i vetmi qytetar i kësaj pjese që ka probleme të tilla, pasi ka të tjerë që edhe po arrestohen pa asnjë arsyetim. Krejt këto, sipas nënkryetarit të komunës së Bujanocit, po bëhet për t’i larguar ata nga këto treva.

    “Po ndalohen fillimisht në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, merren në pyetje nga inspektorët e BIA-t dhe dërgohen në mbajtje për 24 apo 48 orë në Vranjë. Disa raste kanë ndodhë në këtë pikë kufitare e në veçanti miq që vijnë për vite rresht dhe asnjëherë nuk janë ndalu, ndërkaq në këto rrethana po”, tha nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu.

    Madje, Musliu thotë se policët serbë po trillojnë tregime vetëm për t’i arrestuar ata, siç tregon se i ndodhi edhe një familjari të tij.

    “I është ngritur aktakuzë kinse ky i dyshuar e ka rrahur një serb në Kosovë, që nuk ka dijeni ky që në jetën i tij i ka ndodhur, por është një skenar i Serbisë në raport me këta qytetarë që po iu bëhet ky presion”, tha Musliu.

    Megjithatë, me krejt këto padrejtësi, qytetarët e Luginës edhe më të zhgënjyer ndihen me Kosovën, pasi thonë se nuk po bën asgjë për ta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Vetëm gjysma e QKUK-së monitorohet nga kamerat e sigurisë

    Vetëm gjysma e QKUK-së monitorohet nga kamerat e sigurisë

    Pak hapësira të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës monitorohen nga kamerat e sigurisë.

    Një ndër këto hapësira që mungojnë kamerat, është edhe pjesa e pranimit të pacientëve për shërbime mjekësore në Klinikën e ORL-së.

    Mosmonitorim ka edhe në barnatoren e Klinikës së Internos.

    Pacientët e familjarë të tyre thonë se Klinikat e QKUK-së, e sidomos barnatoret furnizuese të klinikave, duhet të kenë kamera të sigurisë, për t’i evidentuar parregullsitë.

    “Patjetër që duhet të rritet numri i kamerave të sigurisë, se çdo gjë mandej është nën përcjellje, e normal që gjërat vërehen më mirë”, thotë një familjar.

    “Jemi 5-6 të shtrirë në dhomë, jemi bërë si familje, por kamera të sigurisë duhet të ketë edhe nëpër dhoma”, tha Fahri Zeqiri, pacient .

    Madje, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, menaxhmenti i ri i SHKUK-së duhet sa më parë të marrë vendim për vendosjen e kamerave të sigurisë, sidomos në disa pjesë që është më se e nevojshme.

    “Sa i përket mosmonitorimit të kamerave të sigurisë në QKUK, unë mendoj se është një problematikë me të cilën do të duhej të merrej menaxhmenti i ri i SHSKUK-së. Sepse nuk duhet të lejohet që në disa pjesë të mos ketë kamera të sigurisë”, tha Drizan Shala, njohës i fushës së sigurisë.

    Ndërkohë, drejtoria e SHSKUK-së, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se vetëm 50 % e hapësirave në QKUK, janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë.

    “Në QKUK i kemi të mbuluara 50% të hapësirave, përfshirë hapësirat e brendshme dhe ato të jashtme. Klinikat që posedojnë kamera, i kanë të vendosura vetëm në korridore, sepse nuk lejohet të vendosen në hapësira ku ka pacientë. I kemi dy dhoma të monitorimit, të cilat monitorohen nga 1 punonjës i IT-së”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së SHSKUK-së.

    SHSKUK-ja ka bërë të ditur se në të ardhmen parashihet rritja e numrit të kamerave, gradualisht sipas planit të saj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Lushtaku: Ja je me Amerikën, ja me Rusinë. Nuk ka mes!

    Lushtaku: Ja je me Amerikën, ja me Rusinë. Nuk ka mes!

    Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në emisionin DIREKT në ATV, duke komentuar raportet e Kosovës me SHBA-në, tha se në raport me aleancat është e qartë se “ja je me Amerikën, ja me Rusinë”.

    “Në jetojmë në këtë vend dhe shtëpia e vetme që e kemi, e kemi Kosovën. Por, edhe në drejtimin e aleancave duhet t’i kuptojmë se ja je me Amerikën, aj je me Rusinë. Nuk ka mes në këtë drejtim. Nuk jena Zvicër, jemi një Ballkan ku në aspektin gjeopolitik luan rol shumë përcaktimi gjeostrategjik dhe sigurisht që në sferat e interesit, edhe vetë Kosova është në strategjinë e SHBA-ve, gjë që ne si shqiptarë duhet të jemi krenarë dhe falënderues”, tha Lushtaku.

    Ai tha se Kosova duhet të mendojë me mendje të kthjellët se çfarë po do të arrijë me aksionet në veri.

    “Ne duhet më mendojmë me mendje të kthjellët se çfarë po duam me arritë me aksionet në veri. Absolutisht, deri të premten kur kanë shkuar edhe vetë kryetarët në veri të vendit, kryesisht të Vetëvendosjes në komunat me njësinë speciale, nuk kemi thënë asgjë publikisht sepse nuk i kemi ditur koordinatat apo bashkëveprimet mes Qeverisë dhe SHBA-ve. Me daljen e ambasadorit Hovenier që ka deklaruar se s’ka koordinim dhe bashkëveprim, sigurisht që ne kemi reaguar”, tha Lushtaku.

    Intervistën e plotë të Mërgim Lushtakut në emisionin DIREKT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Lushtaku: Idetë e Albin Kurtit kanë pasoja për Kosovën, ai po eksperimenton

    Lushtaku: Idetë e Albin Kurtit kanë pasoja për Kosovën, ai po eksperimenton

    Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në emisionin DIREKT në ATV, tha se Albin Kurti, çdo herë ia ka huqë sa i përket shtetësisë së Kosovës dhe se idetë e tij po kanë posoja për Kosovën.

    “Albin Kurti çdo herë ia ka huqë sa i përket shtetësisë së Kosovës. E dimë shumë mirë, edhe prej procesit të Rambujesë, edhe procesit të Pavarësisë së Kosovës, edhe shtet ndërtimit, edhe funksionimit të shtetit dhe ja ku jemi sot, me gjithë atë arritje që e ka bërë PDK-ja me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, besoj që as këtu nuk ka dilemë që Albin Kurti, edhe këtu del i gabuar, por fatëkeqësisht po shihet se ka pasoja prapa kësaj sepse më nuk është Albin Kurti në opozitë që ato idetë e tij të pa logjikuara, të pa menduara, të pa analizuara, mund t’i implementonte në opozitë, e tash në pozitë ka mundësi edhe t’i implementojë edhe të eksperimentojë”, tha Lushtaku.

    Ai tha se Kurti po eksperimenton me Kosovën.

    “Fatkeqësisht, po eksperimenton edhe me Kosovën sepse ne e kemi parë në diskutimin edhe elektoral që vet Albin Kurti i thoshte disa fjalë si klithma elektorale, sikur ka qenë ajo “amelika, amelika”, por kam mëndu që kanë qenë vetëm sa për fushata, por po del që i ka edhe ideologji edhe orientim”, tha Lushtaku. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Rama më shumë ‘goditi’ Kurtin se sa Vuçiqin”

    “Rama më shumë ‘goditi’ Kurtin se sa Vuçiqin”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

    Pas këtij lajmi, ka pasur reagime të ndryshme në Shqipëri si nga politika, po ashtu edhe nga shoqëria civile.

    Gazetari nga Shqipëria, Sebastian Zonja, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin DIREKT në ATV, tha se lidhur me deklarimin e kryeministrit Rama, reagimet në Shqipëri kanë qenë të ndara, pro dhe kundër.

    “Reagimet mund t’i ndajmë në dy grupe. Njëra palë e cila thotë se nuk është se po flet Rama, por janë duke folur ndërkombëtarët me gjuhën e Ramës dhe pjesa tjetër e cila thotë dhe artikulon se kjo që po bënë Rama është domosdoshmërisht në krahë të Serbisë, sepse në të gjithë fjalimin e tij, po ta shohësh me kujdes, Rama ia kushton më së shumti goditjes së Albin Kurtit se sa të jetë duke e goditur presidentin Vuçiq”, tha gazetari Zonja. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Studentët të pakënaqur me jetesën në konvikte dhe ushqyerjen në mensë

    ​Studentët të pakënaqur me jetesën në konvikte dhe ushqyerjen në mensë

    Studentët që jetojnë në konvikte në Prishtinë si dhe që ushqehen në mensë nuk janë shumë të kënaqur me shërbimet që iu ofrohen. Kjo bazuar në rezultatet e një hulumtimi të realizuar nga Parlamenti Studentor në të cilën ka përfshirë rreth 500 djem dhe vajza që jetojnë në konvikte dhe ushqehen në mensë.

    Studentët që jetojnë në 8 konviktet janë ankuar për dhoma të vogla, shtretër të dëmtuar, mungesë të dollapëve dhe të frigoriferëve.

    Denis Krasniqi, pjesë e Parlamentit Studentor, duke prezantuar rezultatet tha se të anketuarit kanë deklaruar probleme edhe me mykin, insektet dhe erën e keqe në dhomat ku jetojnë.

    “19.87% janë përgjigjur se kanë hasur në insekte,17.84% janë përgjigjur se kanë hasur në myk, nxehtësi joadekuate kanë deklaruar 43.81% që është tejet shqetësuese për neve si studentë, rrjedhje të ujit kanë hasur vetëm 7.7% dhe erë të keqe që është dhe kjo shqetësuese kanë hasur 43.61%, kurse nga asnjëra prej këtyre janë përgjigjur 25% e të anketuarve… 58.1% janë përgjigjur se hasin në banjo të papastra, 66.73% kanë thënë që mungesa e ujit të nxehtë është problem tjerët i madh për studentët që ballafaqohen vazhdimit. Sjellja e pahijshme e stafit kanë deklaruar 20.89% e studentëve, pra që stafi ka sjellje të pahijshme ndaj tyre dhe asnjëra prej këtyre janë përgjigjur 12.77%”, tha Krasniqi.

    Studentët janë shprehur se ajo çfarë i mungon më së shumti jetesës në konvikte janë programet artistike dhe kulturore, hapësira për zhvillimin e sportit dhe siguria.

    Në nivel të përgjithshëm, bazuar në të dhënat e paraqitura në lidhje me kënaqshmërinë e studentëve me jetën në konvikte tregojnë një situatë jo shumë të mirë.

    Alban Halimi, gjithashtu nga Parlamenti Studentor, u shpreh se nga ky raportim del se Qendra e Studentëve në Prishtinë ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të eliminuar këto pakënaqësi të studentëve.

    “Kënaqësia e studentëve me jetesën në konvikte, 11.5% e studentëve shprehen se janë të kënaqur me jetë në konvikte, që tregon një nivel shumë të ulët të kënaqshmërisë së përgjithshme të studentëve, ndërsa një përqindje mesatare 51.6% e studentëve janë mesatarisht të kënaqur por edhe ata kanë shqetësime të ndryshme të cilat i kemi paraqitur në këtë raportim. Ndërsa të pakënaqësitë e studentëve, 27.68% e studentëve shprehin pakënaqësi në lidhej me kushtet dhe shërbimet ne konvikte, 9.09% e studentëve janë shumë të pakënaqur dhe shprehin një shqetësim të thellë”, deklaroi Halimi.

    Numri më i madh i të anketuarve janë shprehur edhe “mesatarisht të kënaqur” edhe me cilësinë e ushqimit në mensë.

    “Mesatarisht të sigurt” janë përgjigjur në masë të madhe kur janë pyetur edhe sa ndihen të sigurtë të konsumojnë ushqim në mensë bazuar në eksperiencat personale.

    Shqetësime janë shprehur edhe me ushqime me afat të skaduar, të ftohta, radhë të gjata të pritjes e të tjera.

    “Kemi rezultuar se 73.63% janë deklaruar me radhë të gjata të pritjes, gjithashtu 61.46% janë deklaruar që ka ushqim të ftohtë, 31.64% janë deklaruar me enë të papastra, 18.25% janë deklaruar ushqim me afat të skaduar, 17.03% sasi e pamjaftueshme e ushqimit për studentët”, tha Halimi.

    Halimi tha se ka ankesa edhe për ushqime të njëjta, jo të freskëta dhe me vlera të dobëta ushqyese.

    Edhe këtu, konkluzionet e këtij hulumtimi në lidhje me kënaqësinë e studentëve në lidhje me cilësinë e ushqyerjes në mensë tregojnë një situatë jo të mirë dhe shprehin shqetësime.

    “Kur jemi të konkluzionet në raport me kënaqëshmërinë e studentëve gjatë ushqyerjes në mensë, mund të themi që kënaqësia e përgjithshme e ushqyerjes në mensë vetëm 4.12% e studentëve shprehen se janë të kënaqur me cilësinë e ushqyerjes në mensë që tregon një nivel shumë të ulët të kënaqësisë së përgjithshme të studentëve ndërkaq një përqindje mesatare 42.68% e studentëve janë mesatarisht të kënaqur me cilësinë e ushqyerjes por edhe ata kanë shqetësime të ndryshme të cilat i kemi cekur në këtë raport. Kur jemi te pakënaqësia e studentëve, 33.4% e studentëve shprehen pakënaqësi në lidhje me cilësinë e ushqyerjes në mense dhe 19.79% e studentëve janë shumë të pakënaqur dhe shprehin një shqetësim të thellë për cilësinë e dobët të ushqimeve në mensë”, tha Halimi.

    Sipas Parlamentit Studentor të gjitha përfundimet bashkë me sugjerimet e tyre për të ndërmarrë masa të menjëhershme do t’i dërgohen të gjitha institucioneve relevante. /KP

  • ​Miratohet projektligji, zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave

    ​Miratohet projektligji, zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave

    Kuvendi i Kosovë, me 81 vota për, ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Buxhetin 2023, që i hap rrugë zhbllokimit të të hyrave vetanake të komunave për vitet e kaluara, transmeton KP.

    Po ashtu, deputetët e legjislativit i zgjatën mandatin Komisionit At-hoc për procesin e vettingut dhe miratuan Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për minierat dhe mineralet.

    Ndërkaq, Kuvendi dështoi sërish të miratohet Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • ​Shoqëria civile: Partitë politike, unanime në cenimin e integritetit zgjedhor

    ​Shoqëria civile: Partitë politike, unanime në cenimin e integritetit zgjedhor

    Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në dy lexime Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tyre, praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme, në procedura të përshpejtuara, janë në kundërshtim dhe të dëmshme me standardet e jetës parlamentare.

    Në reagimin e organizatave është theksuar se projektligji në fjalë nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore.

    “Kuvendi i Kosovës miratoi sot projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme, në të dy leximet brenda të njëjtës seancë, e për më shumë dhe pa kosto financiare. Praktikat e miratimit të projektligjeve të rëndësishme në procedura të përshpejtuara janë në kundërshtim dhe të dëmshme për standardet e jetës parlamentare. Ky projektligj, nuk adreson nevojën për reformë zgjedhore, që u proklamua si e tillë edhe në vetë emrin e komisionit ad-hoc. Për më tepër, përmbajtja e këtij projektligji përveç pjesës ‘kozmetike’, nuk adreson shumë prej mangësive përmbajtjesore të sistemit. e në disa raste veçse i përkeqëson ato”, është thënë në reagim.

    Organizatat e shoqërisë civile kanë deklaruar se do të ndjekin edhe format e tjera për kundërshtimin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

    “Ne shprehim kundërshtimin tonë dhe vazhdojmë të alarmojmë publikun dhe të gjithë akterët se reforma zgjedhore, e nisur para më shumë se një dekade, u shfrytëzua nga partitë politike për akomodim të interesave partiake në dëm të integritetit zgjedhor, e jo me qëllim burimor të përmirësimit të sistemit zgjedhor dhe nivelit të përfaqësimit politik në Kosovë. Koalicioni i OJQ-ve të cilët janë të angazhuar për rritjen e integritet zgjedhor, duke vlerësuar këtë ligj të një rëndësie të veçantë për nivelin e demokracisë Kosovare, do të ndjek edhe format tjera për kundërshtimin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, i cili do ta cenojë integritetin zgjedhor”, është theksuar në reagim.

    Sipas tyre, projektligji i miratuar reflekton më shumë kompromis në mes të partive politike të cilat kanë shtyrë përpara interesat e tyre në raport me integritetin e kandidatëve, votimin preferencial dhe jashtë vendit.

    “Ndonëse me efektet të cilat do të cenojnë vlerat dhe standardet dhe integritetin zgjedho , me këto pasoja të këtij projektligji do të ballafaqohemi qysh në procesin e ardhshëm zgjedhor. Lista e kandidatëve dhe të zgjedhurit që mund të jenë pjesë e pjesë e Kuvendit të Kosovës, kuvendeve komunale apo kryetarë të komunave, potencialisht do të jenë individë të dënuar për vepra penale me më pak se një vit burgim, me kusht apo me gjobë – e që përbëjnë rreth 80% të rasteve vetëm viteve të fundit. Në anën tjetër, pozita e Kryesuesit dhe anëtarëve të KQZ-së do të politizohen dhe do dëmtohet kredibiliteti dhe imazhi i këtij institucioni të pavarur, për shkak se shkarkimi i tyre për shkelje të integritetit do të mund të bëhet vetëm me miratim të 2/3 të anëtarëve”, kanë deklaruar organizatat.

    Organizatat përkrahëse janë: Demokraci për Zhvillim (D4D); Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF); Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD); Lëvizja FOL; Organizata ÇOHU./KP

  • ​Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, lëndohet një person

    ​Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, lëndohet një person

    Një person ka pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në rrugën Prishtinë-Podujevë.

    Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka informuar se në aksident janë përfshirë dy vetura.

    “Sot rreth orës 15:30, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën Prishtinë-Podujevë. Në aksident janë përfshirë dy automjete, ku një persona ka pësuar lëndime trupore.”, ka bërë të ditur Ahmeti.

    Ndërkohë, njësia rajonale e trafikut është duke u marrë me rastin.

  • ​Policia arrestoi një avokat, kërkoi para nga një palë në procedurë

    ​Policia arrestoi një avokat, kërkoi para nga një palë në procedurë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një avokat të dyshuar për veprën penale “ushtrim i ndikimit”.

    Personi i dyshuar ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan.

    Sipas Policisë, i njëjti kishte thënë se këto para do t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve në mënyrë që të nxjerrët një vendim në dobi të palës së mbrojtur nga i dyshuari, transmeton KP.

    “Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar H.J (avokat, mashkull kosovar, viti i lindjes 1985), pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ‘ushtrim i ndikimit’. I dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan me premtimin që këto para i t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari”, ka bërë të ditur Policia.

    Pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë./