ATV

Category: Lajme

  • Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, pritet nga Asambleja e New Yorkut

    Kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, pritet nga Asambleja e New Yorkut

    Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati gjatë qëndrimit të tij për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës(SHBA) është pritur nga Asambleja e New Yorkut.

    Kryetari Kastrati ka ndarë videon e takimit në Facebook dhe është shprehur mirënjohës ndaj gjithë anëtarëve të këtij institucioni të rëndësishëm në New York, me theks të veçantë anëtarit të Asamblesë, Sam Pirozzolo.

    “Po ndaj me ju një moment të veçantë nga vizita ime zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 🇺🇸, konkretisht pritjen emocionale dhe nderimin e jashtëzakonshëm që më bëri Asambleja e New Yorkut.U jam shumë mirënjohës gjithë anëtarëve të këtij institucioni të rëndësishëm në Shtetin e Neë Yorkut, me theks të veçantë anëtarit të saj, Sam Pirozzolo, që para gjithë të pranishmëve shpalosi angazhimet dhe kontributin tim ndër vite”, shkruan Kastrati.

    Kryetari i Malishevës ka falënderuar edhe bashkatdhetarët tanë në ShBA, për siç thotë ai kultivimin dhe fuqizimin e miqësisë shqiptaro -amerikane.

    “Pa dyshim, falënderimet më të sinqerta i takojnë bashkatdhetarëve tanë në ShBA, që historikisht kanë kultivuar e fuqizuar miqësinë shqiptaro -amerikane, kanë integruar vlerat tona kombëtare brenda shoqërisë amerikane, janë kontribuesit më të mëdhenj të kombit tonë për liri, pavarësi e zhvillim ekonomik, dhe shembulli më i mirë i një shqiptari që i promovon gjithë këto vlera, është miku ynë i mirë, Naser Nika, dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë, me të cilët ndihemi krenarë gjithë kombi shqiptar”, shkruan Kastrati.

  • Meta: Iniciativa e Edi Ramës ishte sjellje e një anshme edhe jo transparente

    Meta: Iniciativa e Edi Ramës ishte sjellje e një anshme edhe jo transparente

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar inciatiavën e kryeministrit Rama, pasi ky i fundit tha se u ka dorëzuar partnerëve ndërkombëtarë një draft-statut për Asociacionin, tha se kjo iniciativë ishte sjella krejt e një anshme edhe jo transparente.

    “Së pari iniciativa e kryeministrit Rama është tërësisht jo ndihmuese, për arsye se injoron institucionet e Kosovës, së dyti, vetë sjella krejt e një anshme edhe jo transparente, pas diskutimit që më shumë ndihmon për të shtuar protagonizmin e tij në një klimë që edhe kështu siç ndodhet, është pak më shumë se duhet e rënduar”, tha Meta.

    Sipas tij, gjuha e kryeministrit Rama ishte e padenjë jo vetëm për Kosovën, por edhe për kryeministrat e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

    “Gjuha e përdorur nga kryeministri Rama lidhur me këtë çështje sot, nuk kishte lidhje vetëm me gjuhën që duhet të ketë kryeministri i Republikës së Shqipërisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me shtetin e Kosovës, por ishte një gjuhë e padenjë edhe për kryeministrat e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Janë dy çështje krejt të ndryshme. Çështja që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës edhe Serbisë, e cila pas diskutimit kërkon angazhim të të gjithë aktorëve dhe pa dyshim kur bëhet fjalë për Kosovë, prej drejtuesve të Kosovës , kryeministrin e Kosovës, presidenten, parlamentin dhe opozitës së Kosovës”, tha Meta. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Alizoti: Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të bëjë asnjë propozim për Kosovën pa u konsultuar me shtetin e Kosovës

    Alizoti: Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të bëjë asnjë propozim për Kosovën pa u konsultuar me shtetin e Kosovës

    Deputeti i PD-së, i cili është edhe zëvendës kryetar i komisionit për punë të jashtme në Parlamentin e Shqipërisë, Tomor Alizoti, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kryeministri i Shqipërisë nuk mund të marrë asnjë vendim apo propozim për Kosovën pa u konsultuar së pari me shtetin e Kosovës.

    “Në radhë të parë, kryeministri shqiptar nuk mund të marrë vendime, propozime pa u konsultuar me shtetin e Kosovës. Kosova ka institucione. Qofshin lëvizjet e tyre pozitive, negative apo të rrezikshme. Në radhë të parë informohet shteti i Kosovës, informohet kryeministri i Kosovës, informohet parlamenti i Kosovës, pasi e kanë kaluar të gjitha këto procedura, atëherë zotri kryeministër i Shqipërisë, mund të kalojë dhe këtë propozim t’ua çojë ndërkombëtarëve”, tha Alizoti.

    Ai tha se kjo është absurde nga aspekti protokollare, por edhe nga ana e politikes së jashtme, sipas tij, është po më tragjike që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie direkte konsulti.

    “Pikërisht kjo gjë është absurde nga ana protokollare. Nga ana e politikës së jashtme është po më tragjike që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie direkte konsulti, qoftë edhe sikur të dy kryeministrat të kenë probleme politike ose komunikimi, duhet të funksionojnë në mënyra të ndryshme sepse Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete, të ngjashme, të afërta me njëra-tjetrën”, tha Alizoti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • I shqetësuar për situatën, Rama propozon një draft statut për Asociacionin

    I shqetësuar për situatën, Rama propozon një draft statut për Asociacionin

    Në tone shqetësimi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për zhvillimet politike në raport me situatën në veri të Kosovës.

    Ai tha se deklaratat e aleatëve strategjikë të shqiptarëve janë gjithnjë e më alarmante dhe se situata po merr përmasa të një tragjedie politike për Kosovën.

    Kryeministri shqiptar theksoi se nuk e kupton ngurrimin e Qeverisë së Kosovës për de-eskalim, duke rrezikuar sanksione nga aleatët e saj.

    Si një rrugëdalje dhe material për diskutim, kryeministri Rama tha se të mërkurën u ka përcjellë presidentit Emmanuel Macron, kancelarit Olaf Scholz, Këshillit Evropian dhe SHBA-së një draft-statut për Asociacionin.

    “Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit, dhe patjetër merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës, duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, tha Rama.

    Pasi tha se me mos-formimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia, mbajnë të hapur krizën politike, Rama u shpreh i bindur se Kosova përfiton në nivel ndërkombëtar nëse përmbush obligimet e saja.

    “Besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara dhe në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, tha Rama.

    Kryeministri i Shqipërisë tha se draft-statuti i Asociacionit është hartuar nga ekspertë amerikanë dhe evropianë, prej kohësh dhe është mbajtur pikërisht për situata të tilla tensioni e bllokimi të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Vizioni për asociacionin do të konkretizohet kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij”

    “Vizioni për asociacionin do të konkretizohet kur ka pajtueshmëri për shtyllat e tij”

    Asociacioni u bë temë diskutimi edhe në seancë të Kuvendit.

    I pyetur nga partia më e madhe opozitare, kryeministri Albin Kurti tha se pa u pranuar parimet e tij nuk mund të ketë thellim të mëtutjeshëm të draft-statutit për formim të asociacionit.

    “Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendët që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund ta thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative, ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti.

    “Aleatët kërkojnë propozim e jo vizion, jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi obligime ligjore ndërkombëtare. Të lutem trajtoji çështjet me seriozitet të veçantë”, tha deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

    Ndërkohë, në seancën e dytë që u mbajt këtë të enjte, kryeministri Kurti nga partia e tij mori mbështetje për deeskalimin e situatës në veri.

    “Asociacioni, veriu, të drejtat e serbëve në Kosovë për të cilat Vucicit nuk ia ndien fare, nuk janë qëllim në vetvete, por janë instrumente politike që i renditen objektivit madhor hegjemonist të Serbisë, e që është dominimi i Ballkanit”, tha deputeti i LV-së, Ardian Gola.

    Por, ndaj deklaratave të Golës reagoi deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.

    “Kur bëhet ironia dhe cinizmi bashkë me verbërinë politike, atëherë janë të rrezikshme për shtetin, sepse veçmas mund të jenë destruktive për ty si individ. Kur flet për mbështetje të Policisë, në të njëjtën kohë kur iu heq rrezikshmërinë prej pagës dhe i çon në veri dhe flet si duhet t’i mbështesim moralisht. A ia paguan morali bukën në fund të muajit?”, tha deputetja e LDK-së, Doarsa Kica.

    Deputetët mbajtën dy seanca plenare, fillimisht atë ku ishte vetëm një pikë e rendit të ditës, ajo për shqyrtimin e Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në vend e më pas seanca plenare ku ishin të paraparë 22 pika në rend dite.

    Deputetët arritën t’i miratojnë 5 marrëveshje ndërkombëtare. Prej tyre 3 me Republikën e Sllovenisë e gjithashtu edhe atë me Bashkimin Evropian për Programin IPA 2022. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Analiza të rëndësishme nuk kryhen në QKUK, institucionet heshtin

    Analiza të rëndësishme nuk kryhen në QKUK, institucionet heshtin

    71-vjeçarit Idriz Shtutica i është kërkuar analiza për intolerancën ushqimore.

    Por, ai këtë analizë nuk mund ta bëjë në institucionet publike, e në ato private thotë se po i kushton shumë.

    “Kjo është analizë që kushton rreth 100 euro, unë 100 euro e kom pensionin. Tash 1 muaj ditë çka me bo, ku me i marr paret e tjera për ushqim e për barna tjera. Po duhet në privat me i bo, edhe personeli mjekësor është i lidhur me privatin”, tha Idriz Shtutica, pacient.

    Se çmimet në laboratorët privatë e kalojnë shifrën prej 100 eurosh, është vërtetuar gjatë kontaktit që ATV-ja ka bërë me disa laboratorë privatë.

    Në anën tjetër, analiza e Intolerancës ushqimore ende nuk dihet se kur do të fillojë të bëhet në QKUK.

    Madje, në këtë laborator, ka mungesë edhe të aparaturave për kryerjen e kësaj analize.

    Mirëpo, duke pasur parasysh që me anë të kësaj analize zbulohet më lehtë se çfarë ushqime duhet t’i reduktojë pacienti për trajtimin e një sëmundjeje të veçantë, njohësit e shëndetësisë kërkojnë që QKUK-ja, ta funksionalizojë sa më shpejt këtë shërbim mjekësor.

    “Çka është e rëndësishme është se përveç se është shumë i kërkuar, nuk bëhet askund në sektorin publik në QKUK, e në asnjë institucion publik. Problematikë është se në institucionet private kushton shtrenjtë, përafërsisht në treg nga 80-200. Andaj, nëse QKUK-ja do ta kishte, do të ishte më mirë për shëndetin publik të popullatës”, tha Flora Hajrizi, nutricioniste.

    “Menaxhmenti i SHSKUK-së do të duhej ta merrte në konsideratë implementimin e një procedure të tillë. Në mënyrë që të kursehet xhepi i qytetarëve, të cilët harxhojnë me qindra euro, për ta kryer këtë analizë në sektorin privat shëndetësor”, tha njohësi i shëndetësisë, Bujar Vitia.

    Pavarësisht insistimit të ATV-së, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja nuk kanë kthyer përgjigje se a ka plan për blerjen e aparaturave që do të mundësonin që Intoleranca ushqimore të bëhej në laboratorin biokimik të QKUK-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i ulët

    Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i ulët

    Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është i ulët dhe i karakterizuar me pakënaqësi. Megjithatë, ka përmirësim krahasuar me vitet parapake.

    Këto janë gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi, bazuar në monitorimin e disa seancave gjyqësore nga ana e 20 qytetarëve të zgjedhur si monitorues në kuadër të raportit “Drejtësia në sytë e qytetarëve”.

    Megjithatë, sipas IKD-së, gjetjet janë të kënaqshme dhe tregojnë se sistemi i drejtësisë në fushën penale është pothuajse plotësisht transparent.

    Gjetjet, po ashtu, treguan se monitoruesit e zgjedhur, pas kësaj, kishin ndryshuar përshtypjet e tyre në lidhje me sistemin e drejtësisë.

    Vetë monitoruesit e zgjedhur thanë se kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme.

    Ndërsa, monitorimi i vazhdueshëm nga ana e organizatave, u tha se ka ndikuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

    Raporti “Drejtësia në sytë e qytetarëve” është pjesa e fazës së tretë të projektit të mbështetur nga EULEX-i “Ndërtimi i besimit në sistemin gjyqësor dhe rritja e realizimit të të drejtave të njeriut, përmes monitorimit të seancave gjyqësore nga qytetarët”. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • LV-ja, AAK-ja dhe AKR-ja shkarkojnë 20 aksionarë të dhjetë ndërrmarrjeve publike, emërojnë aksionarë

    LV-ja, AAK-ja dhe AKR-ja shkarkojnë 20 aksionarë të dhjetë ndërrmarrjeve publike, emërojnë aksionarë

    Që nga sot, dhjetë ndërmarrje publike në Prishtinë nuk do të menaxhohen më nga Lidha Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës.

    Partitë opozitare Vetëvendosje, AAK e AKR, u bënë bashkë të enjten në një seancë të jashtëzakonshme dhe me 26 vota për shkarkuan aksionarët e ndërmarrjeve publike komunale, të emëruar nga dy partitë që e udhëheqin kryeqytetin.

    “Duke përfaqësuar partitë e ndryshme për bindje të njëjta në raport me shqetësim për qytetarët e Prishtinës. Në veçanti me veprimet, parregullsitë, mosraportimin e rregullt, ngecjet e vazhdueshme, si dhe ankesat nga stafi dhe qytetarët në lidhje me performancën e tyre, konsiderojmë se është momenti i fundit për të reaguar ndaj mentaliteti mashtrues dhe nënshtrues që po tentohet të shpërndahet në kryeqytet. E që po lulëzon keqpërdorimi me mbi gjysmën e këtyre ndërmarrjeve nëpër zyrat e Prokurorisë, propozojmë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të komisionit në 10 ndërmarrjet publike të Prishtinës”, tha Endrit Zabërgja nga Nisma.

    Pas shkarkimit të aksionarëve paraprakë, opozita bëri emërimin e aksionarëve të rinj të dhjetë ndërmarrjeve publike.

    Ngrohtorja e qytetit ‘Termokos’- Sami Borovci dhe Gzim Mehmeti, Ndërmarrja Publike Banesore (NPB)- Arianit Beqiri dhe Besart Krasniqi, Kompania rajonale e mbeturinave ‘Pastrimi’ – Feim Osmani dhe Petrit Reçica, Ndërmarrja publike ‘Hortikultura’ – Valbona Ajeti dhe Taulant Maxharraj, Ndërmarrja publike ‘Trafiku Urban’- Gëzim Sveçla dhe Triera Kasumi- Berisha, Ndërmarrja publike ‘Sport Marketing’ – Endrit Zabërrgja dhe Bahri Gashi, Ndërmarrja publike ‘Stacioni i Autobusëve’- Mirsad Vitia dhe
    Besnik Mujeci, Ndërmarrja publike ‘Prishtina Parking’ – Flamur Kelmendi dhe Besnik Haziri, Ndërmarrja publike ‘Kuzhina Qendrore’ – Abrnora Berisha dhe Teuta Kadiu-
    Gjinolli, Ndërmarrja publike ‘Pallati i Rinisë’- Kushtrim Mushica dhe Endrit Gashi”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina.

    Në këtë seancë të jashtëzakonshme nuk kanë marrë pjesë asamblistët e LDK-së dhe PDK-së, që e ndajnë pushtetin në Prishtinë.

    Po në këtë seancë, kryesuesi i kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, dha dorëheqje nga LDK-ja, duke thënë se tash e tutje nuk do t’i përkasë asnjë subjekti politik. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Konsensus mes pozitës e opozitës, kalon ligji për zgjedhjet

    Konsensus mes pozitës e opozitës, kalon ligji për zgjedhjet

    E nisëm me disponim të mirë.

    Ky disponim i parapriu një gjëje që nuk ndodh aq shpesh në Kuvendin e Kosovës. Pozitë e opozitë u bënë bashkë dhe me 86 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, votuan miratimin e Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme.

    Kosova mbetet me një zonë zgjedhore dhe nga pesë deputetë sa kanë mundur të votohen deri më tani, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, mund të votohen dhjetë.

    Kurse, nga ky ligj, sipas Kryetarit të Komisionit Ad Hoc për reformën zgjedhore, Abelard Tahiri nga PDK-ja, do të favorizohet mërgata.

    “Kemi marrë edhe rekomandime nga grupet parlamentare. Për herë të parë diaspora do ta ketë mundësinë të votojë në tri mënyra, në njërën prej tyre edhe fizikisht në ambasada diplomatike të vendit tonë. Ky është një hap i madh që e forcon edhe lidhjen tonë me diasporën”, tha Tahiri.

    Pas një mocioni të deputetit Rrustemi, që kërkoi përshpejtim të procedurave, Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kaloi edhe në lexim të dytë.

    Paraprakisht atmosferë e mirë i shoqëroi edhe gjatë seancës për shqyrtimin në lexim të dytë të Ligjit. Të gjitha amendamentet e propozuara nga deputetët lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme kaluan, pos amendamentit të Isak Shabanit nga PDK-ja.

    “Numërimi në qendrën komunale të votimit, bëhet duke ofruar transparencë të plotë. KQZ-ja obligohet të sigurojë transparencë të plotë me ofrimin e mjeteve mbështetëse teknologjike”, tha Shabani.

    E për këtë, nënkryetari i komisionit ad hoc, Adnan Rrustemi, pati një përgjigje.

    “Nuk mund t’i vendosim një dispozitë strikte KQZ-së, duke mos i marrë parasysh mundësit e KQZ-së. Ky formulim parashihet në amendamentin e 15-të”, tha Rrustemi.

    Ndërkaq, miratimi i këtij Ligji u përshëndet edhe nga kryeministri i vendit.

    Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është hartuar nga Komisioni Ad Hoc për reformën zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Për SHBA-në, asociacioni është mënyrë për kontrollin e veriut nga Kosova

    Për SHBA-në, asociacioni është mënyrë për kontrollin e veriut nga Kosova

    Ndikimi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ushtron përmes Listës Serbe në shkaktimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri, sipas SHBA-së, mund të dobësohet përmes formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Në bashkëbisedimin me gazetarë, të martën, Zëvendës-Ndihmës-Sekretari amerikan, Gabriel Escobar, tha se Kosova përmes Asociacionit mund të rrisë kontrollin në veri.
    Por teksa draft-statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues e cilësoi skandaloz e të papranueshëm, opinionisti Agon Maliqi tha se pa pasur një dokument si referencë, është vështirë të dihet nëse Asociacioni forcon ose dobëson ndikimin e Serbisë.

    Deklaratën e Escobarit ai e sheh në kontestin e gjendjes aktuale në veri.

    “Më shumë e kishte fjalën në kuptimin se gjendja e tanishme dhe mungesa e çfarëdolloj rendi në veri e forcon Serbinë, sepse gjithçka funksionon përmes institucioneve paralele dhe popullsia lokale vazhdimisht e më shumë largohet nga institucionet e Kosovës dhe kërkon më shumë zgjidhje te Serbia. Ideja është që përmes një modeli të ri të qeverisjes ata ta gjejnë veten dhe ta shohin veten brenda rendit institucional të Kosovës”, tha Agon Maliqi, opinionist.

    Teksa pjesëmarrjen e serbëve lokalë në zgjedhjet e reja eventuale e sheh si pikënisje të një integrimi të lehtë, profesori Dritëro Arifi e vlerëson pikëpamjen amerikane në një plan më afatgjatë.

    “Perspektiva e z. Escobar në të ardhmen e afërt është se si do të duhej të dukej komplet një Kosovë e pavarur dhe sovrane, duke i pasur serbët e veriut në institucione. Pra në njëfarë forme, ndoshta jo menjëherë, por në planin afatgjatë serbët do të largohen nga Serbia, nëse ata e shohin një rrugë që në Kosovë mund të kyçen në institucione dhe mund të bashkëpunojnë me Qeverinë qendrore”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

    Vonesat në prezantimin e draft-statutit, të cilat Escobar i vlerësoi të pakuptimta, sipas Maliqit, po e paraqesin Kosovën si palë penguese në dialog.

    “Ndoshta gabimi më i madh i Qeverisë, sepse ka një vit që zyrtarët amerikanë insistojnë që Kosova ta sjellë variantin e saj maksimal se si e sheh Asociacionin dhe mungesa e prezantimit të një dokumenti të tillë e bën Kosovën si përgjegjëse dhe bashkëfajtore në dështimin e dialogut”, tha Agon Maliqi, opinionist.

    SHBA-ja ka përsëritur disa herë se asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe se nuk mund të jetë e as t’i ngjajë “Republikës Serbe” në Bosnjë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, e gjeni në videon më poshtë: