Analisti Xhevdet Pozhari, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar procesin e zgjedhjeve të kryetarëve në komunat në veri të Kosovës, tha se ky proces është garantuar nga faktori ndërkombëtarë, ndërsa tani janë ndërruar fjalët.
Sipas tij, dikush e ka prerë në besë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ky proces është garantuar nga faktori ndërkombëtarë. Ky proces është përkrahur dhe u është bërë thirrje atje grupeve kriminale që të mos pengohen kryetarët t’i ushtrojnë detyrat e tyre zyrtare. Iu është dhënë afat. Tash kanë ndërruar fjalët. Dikush e ka prerë Albin Kurtin në besë, jo e kundërta”, tha Pozhari. /atvlive.tv
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas arrestimit të tre policëve kosovar nga policia serbe.
Vuçiq ka deklaruar se janë në udhëkryq se a do të ketë paqe apo jo, duke shtuar se kthimi në normalitet do të jetë i vështirë.
“Disa gjëra janë të rëndësishme, për të shmangur spekulimet, tani jemi në udhëkryq se a do të kemi paqe apo jo, sepse është një njeri që dëshiron të bëjë luftë, ai është Albin Kurti, nuk kam dyshim. Kam frikë se e kemi kaluar Rubikonin dhe se kthimi në normalitet do të jetë i vështirë” – tha ai, raporton media serbe blic.
Si pasojë e gjuajtjeve më armë zjarri një person është vrarë në rrugën “C” në Prishtinë mbrëmjen e së mërkurës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Sot rreth orës 20:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “C” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete”, ka njoftuar Borovci.
Njësitet e policisë po punojnë për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në këtë rast.
“Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast”, ka shtuar tutje Borovci.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga policia serbe.
Rama përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Shqipëria është në të njëjtën linjë me aleatët ndërkombëtarë dhe po pret hetimin e KFOR-it në lidhje me këtë rast.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë. Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat”, ka shkruar Rama.
Klan Kosova shpreh shqetësimin lidhur me njoftimin e orëve të pasdites të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se e njëjta ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj KLAN KOSOVA SHPK, si dhe se është marrë vendim për atë që e kanë quajtur “pezullim të certifikatës së biznesit”.
Klan Kosova është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.
Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.
Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë.
Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.
Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndaj aksionit të njerëzve të uniformuar të Serbisë të cilët kidnapuan tre zyrtarët policor të Kosovës, vendimi i parë që është marrë nga Qeveria është bllokimi i mauneve të Serbisë.
“Hapi i ardhshëm pra është bërë sot, në koefidencë të ministrit të Brendshëm, në emër të sigurisë, ai ka marrë vendim që të bllokohen maunët, po thuhet mallrat,
sigurisht që ato janë edhe mallra. Në këtë kuptim është edhe veprimi tjetër politik i ndërmarrë ndaj Serbisë për bllokimin e maunëve”, tha Rexhaj.
Ai tha se ky veprim i Serbisë ka ardhur si hakmarrje ndaj aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, ku u arrestua Milun Milenkoviç, i njohur me nofkën “Llune”.
“Njerëz të uniformuar të Serbisë ose xhandarmerisë kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe normalisht, kur është një aksion i befasishëm, ata të cilët e realizojnë atë aksion, kanë përparësi edhe me atë arrestimin bombastik që është hedhur edhe në media. Mendoj që Serbia, këtë kidnapim e ka bërë në kuptimin e hakmarrjes së aksionit të djeshëm të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ku është arrestuar krimineli Milenkoviç me nofkën “Llune”, i cili ka sulmuar KFOR-in, ka rrahur të rinj dhe ka përfituar nga amnistia kur është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës mirëpo nuk është ndalur asnjëherë me veprimet banitideske dhe kriminale atje”, tha Rexhaj. /atvlive.tv
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe, si dhe ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar t’i denoncojë aktet e dhunës nga Serbia.
Kurti ka shkruar në Twitter se policët janë rrëmbyer brenda kufijve të Kosovës.
“Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer sot nga Forcat e Armatosura të Serbisë brenda kufijve të Kosovës. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të oficerëve dhe që komuniteti ndërkombëtar të denoncojë këto akte”, ka shkruar Kurti.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Three Kosova Police officers were abducted today by Serbian Armed Forces within Kosova's borders. Both the incursion of the forces & the abduction are open acts of int'l aggression. We call for the officers' immediate release, and for the int'l community to denounce these acts.
Kosova do të mbledh nesër Këshillin e Sigurisë, mëson KosovaPress nga burimet e saj.
Kjo mbledhje vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Pas autoriteteve kosovare, ka reaguar para pak qestesh edhe BE-ja për kidnapimin e tre policëve të Policisë së Kosovës brenda territorit të Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për ATV-në se janë në kontakt me të dyja palët.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht…”, i tha ATV-së, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai tha se u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që mund të kontribuojë në ngritjen e tensioneve mes dy vendeve.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve. Ne përsërisim thirrjen e BE-së për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”, shtoi Stano për ATV-në.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano me korrespondentin e ATV-së, Nefail Maliqi.
Gazetarja e ATV-së, Nexhmie Hyseni, në një lidhje të drejtpërdrejt në edicionin Qendror të lajmeve në këtë televizion, ka treguar se asnjë mjet që transporton mallra nga Serbia nuk është lejuar që të kalojë për në Kosovë.
“Jemi këtu në pikën kufitare në Merdare ku pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, asnjë mjet që transporton mallra nga Serbia nuk është lejuar që të kalojë për në Kosovë, përveç disa kamionëve pra që kemi parë me targa të Kosovës, por edhe të Shqipërisë që kanë kaluar në Kosovë”, tha gazetarja Hyseni.
Gjatë transmetimit të drejtpërdrejt nga pika kufitare në Merdare, shihen disa kamionë me mallra serbe që kanë mbetur të bllokur, të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës.
Ndërsa, sipas informacioneve jozyrtare, ajo tregon se në anën tjetër, nuk është ndaluar asnjë kamion që po transportonte mallra e që shkon në drejtim të Serbisë.
Hyseni tregoi se në këtë pikë kufitare janë arrestuar edhe tre qytetarë të Podujevës, për të cilët, ende nuk ku asnjë informacion.
“Gjithashtu, në këtë pikë kufitare dje pasdite janë arrestuar edhe tre qytetarë të Podujevë ku ne patëm edhe një prononcim me zëdhënësin e komunës së Podujevës, Fahri Zhitia, i cili ka thënë se ende nuk janë liruar, por edhe nuk kanë asnjë informacion për gjendjen e tyre”, tha Hyseni.
“Gjithashtu edhe ministria e punëve të jashtme u ka bërë apel të gjithë bashkatdhetarëve të Kosovës që të mos kalojnë përmes këtyre pikave kufitare me Serbinë. Po e përsëris asnjë kamion nuk është lejuar me targa serbe që të kalojë në Kosovë”, tregoi gazetarja e ATV-së, Nexhmie Hyseni. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: