ATV

Category: Lajme

  • Komandanti i KFOR-it takon presidentin Vuçiq dhe shefin e Ushtrisë së Serbisë

    Komandanti i KFOR-it takon presidentin Vuçiq dhe shefin e Ushtrisë së Serbisë

    Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, ka takuar në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Beograd, sikur thuhet në njoftim për të diskutuar situatën e përgjithshme të sigurisë në rajon dhe aktivitetet e KFOR-it në përputhje me rezolutën e OKB-së.

    Siç njofton KFOR-i, komandanti i KFOR-it shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në komunat veriore të Kosovës pas ngjarjeve të 29 majit të kaluar, kur disa paqeruajtës të KFOR-it u plagosën gjatë sulmeve të paprovokuara të elementëve kriminalë të cilët depërtuan në protesta paqësore.

    “Pas takimit me presidentin, komandanti i KFOR-it pati rastin të takojë gjeneralin Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ata ritheksuan bashkëpunimin e tyre dhe ranë dakord se të gjitha palët duhet të de-përshkallëzojnë tensionet”.

    KFOR-i deklaron se është i gatshëm të përballet me çdo lloj skenari dhe vazhdon të monitorojë situatën në terren.

    “KFOR-i rikujton se vazhdon të operojë në mënyrë të paanshme, brenda Rregullave strikte të angazhimit (ROE) dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për të zbatuar mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet. në Kosovë.

    Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.

  • Abdixhiku pas rrëmbimit të tre policëve: Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri

    Abdixhiku pas rrëmbimit të tre policëve: Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi forcat serbe kanë rrëmbyer sot tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka shkruar se lirimi i këtyre tre policëve është domosdoshmëri dhe për këtë sipas tij, bashkërëndimi dhe përafrimit me aleatët është pa-alternativë.

    Abdixhiku përmes një reagimi në Facebook është shprehur se Kosova nuk e meriton një ditë të tillë.

    Ai ka kërkuar përgjegjësi politike institucionale nga kryemnistri Kurti dhe vartësi i tij, teksa ka shtuar se ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri.

    “Të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri. Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar. Kosova nuk e meriton një ditë të tillë. Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga kryemnistri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, ka shkruar Abdixhiku.

    Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

  • ​Rrëmbimi i policëve, Osmani kërkon reagim të ashpër nga ndërkombëtarët

    ​Rrëmbimi i policëve, Osmani kërkon reagim të ashpër nga ndërkombëtarët

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar që ndërkombëtarët të reagojnë ashpër dhe të veprojnë të unifikuar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Ajo ka thënë se tre zyrtarët policor të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

    Osmani ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Akti i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka shkruar Osmani.

    Ajo ka thënë se zyrtarët policor duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

    “Policia e Kosovës ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët pa dallim, ndaj një akt i tillë kërkon një reagim të ashpër dhe veprim të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj tendencës së Serbisë për destabilizim të rajonit. Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht. Institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga angazhimi për sundimin e ligjit, sikurse edhe nga përkushtimi për paqe e stabilitet afatgjatë”, ka shkruar Osmani.

  • Kelani: Është deklarim i rrejshëm i palës serbe, policët janë kidnapuar në territorin e Kosovës

    Kelani: Është deklarim i rrejshëm i palës serbe, policët janë kidnapuar në territorin e Kosovës

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kleni, në një konferencë të jashtëzakonshme, tha para gazetarëve se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullues brenda territorit të Kosovës, transmeton atvlive.tv.

    Deklarimin e policisë serbe se arrestimi ka ndodhur në territorin e Serbisë, Kelani e quajti të rrejshëm.

    “Ata janë zyrtarë kufitar patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale. Është një deklarim i rrejshëm i palës serbe. Sa i përket arritjes në vendin e ngjarjes, mund të them që njësiti i cili ka qenë në përbërje prej tre zyrtarëve, ka parë persona të dyshuar në formën siç e thash të armatosur dhe të maskuar dhe menjëherë ka dhënë informacione për njësitë shtesë. Njësitet shtesë kanë shku menjëherë, sa më parë që kanë mundur të arrijnë në atë lokacion sepse ju e dini që rrethanat në brezin kufitar e vështirësojnë pak a shumë lëvizje të shpejta, kanë mbërri në atë lokacion dhe kur kanë mbërri kanë gjetë vetëm veturën zyrtare dhe jo zyrtarët policorë. Sa i përket çështjes se ata deklarojnë se janë në territorin e Serbisë dhe kanë marrë persona siç ata quajnë kriminel dhe jo zyrtarë policorë, dua të ju siguroj se ata janë tre zyrtarë policorë të moshës së shtyer rreth 50-vjeçarë, apo edhe mbi 50-vjeçarë, të cilët kanë shërby për vite më radhë në Policinë e Kosovës”, tha Kelani.

    Ai tregoi se kanë dërguar njesitet e Policisë së Kosovës në vendin ku janë kidnapuar tre zyrtarët policor të Kosovës si dhe kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe KFOR-in.

    “Vendi i ndalimit ka qenë në territorin e Kosovës dhe për këtë arsye ne kemi dërgu njësitë tona, kemi ftuar mekanizmat ndërkombëtarë përfshirë edhe KFOR-in që është përgjegjës për zonën kufitare që të jetë në atë pjesë dhe t’i kryejmë të gjitha detyrat bashkërisht”, tha Kelani. /atvlive.tv

    Konferencën e jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës e gjeni në videon më poshtë:

  • Ministria e Jashtme: Qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin nëpër Serbi

    Ministria e Jashtme: Qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin nëpër Serbi

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ftuar qytetarët e Kosovës të shmangin kalimin nëpër Serbi.

    Kjo për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit.

    “MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastetnëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.

    Teksa u bëhet thirrje qytetarëve që të përdorin rrugë alternative për udhëtim.

    |Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në njoftim.

  • Mblidhet Kryesia e AAK-së pas zhvillimeve në veri të vendit

    Mblidhet Kryesia e AAK-së pas zhvillimeve në veri të vendit

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë, pas rastit të kidnapimit në brendi të territorit të Kosovës, të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe zhvillimeve të tjera në veri të vendit.

    Mbledhja ka filluar rreth orës 16:00. Ndërsa pas përfundimit, në orën 17:00, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, do të ketë konferencë për medie.

  • Molliqaj: Arrestimi i tre policëve është aksion i Vuçiqit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre

    Molliqaj: Arrestimi i tre policëve është aksion i Vuçiqit, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre

    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është deklaruar pasi Policia e Kosovës tha se mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Sipas tij, arrestimi i të tre policëve kosovarë është aksion i paramenduar i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Arrestimi i policëve të Kosovës në vijën kufitare me Serbinë është aksion i paramenduar i Vuçiqit. Vuçiq ka filluar politikën si megafon i luftës, ai mbijeton në politikë përmes armëve”, shkroi ai në Facebook.

    Ai shtoi se “instrumentalizimi i policisë në shërbim të politikave ditore është taktikë e vjetër e liderëve autoritarë”.

    “Pati ose jo çështje, figura e fortë do hekur e barot. Aksionet me video-incizime janë përditësimi bashkëkohor i kësaj zeje të vjetër. Incizimet janë masë stigmatizuese paragjyqësore. Kështu është edhe kur e bëjmë ne, në veri të vendit ose në Prishtinë”, shtoi i pari i PSD-së.

    “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës”.

  • Kidnapimi i tre policëve, Bislimi akuzon Brukselin

    Kidnapimi i tre policëve, Bislimi akuzon Brukselin

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.

    Ai ka akuzuar Brukselin për mbyllje sysh, duke thënë se kjo është vrazhdësi, të cilën e krahasoi me atë të Serbisë në shkeljen e marrëveshjeve.

    “Vrazhdësia me të cilën Serbia po shkel marrëveshjet është e krahasueshme me vullnetin e Brukselit për t’i mbyllur sytë karshi këtyre shkeljeve”, ka shkruar Bislimi në profilin e tij personal në Facebook, derisa ka shpërndarë postimin e kryeministrit Kurti për kidnapimin e tre policëve.

  • Haxhiu kërkon nga ndërkombëtarët të përgjigjet për provokimet nga Serbia

    Haxhiu kërkon nga ndërkombëtarët të përgjigjet për provokimet nga Serbia

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

    Sipas saj, “Serbia kriminale ka rrëmbyer tre pjesëtarë të policisë së Republikës së Kosovës në Leposaviç”.

    Këto provokime, sipas Haxhiut, po organizohen nga shteti serb për ta destabilizuar situatën në veri të Kosovës.

    E para e MD-së u shpreh se për këto ngjarje duhet të përgjigjet faktori ndërkombëtar.

    Mes tjerash, Haxhiu në Twitter kërkoi që oficerët e PK-së të lirohen sa më shpejt dhe veprimet e tilla që ajo i cilëson agresive, të ndalen.

    “Për provokime si këto, të organizuara nga Serbia me qëllim të destabilizimit të situatës në veri, duhet të përgjigjet edhe faktori ndërkombëtar. Oficerët e policisë duhet të lirohen sa më shpejt dhe veprimet e tilla agresive të ndalen”, ka shkruar Haxhiu.

  • Kidnapimi i tre policëve, Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia

    Kidnapimi i tre policëve, Kosova ndalon hyrjen e të gjitha mallrave nga Serbia

    Qeveria e Kosovës pritet që së shpejti të nxjerr vendimin për ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës.

    Kështu ka mësuar Telegrafi nga burime brenda Qeverisë së Kosovës.

    Vendimi për ndalimin e hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë ka ardhur si pasojë e kidnapimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përveç agresion ky është edhe synim për destabilizim.

    Për këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të cilët kanë kërkuar nga organet ndërkombëtare lirimin e menjëhershëm të tyre.