ATV

Category: Lajme

  • Borrell i vë kushte Kurtit për rundin e ri të dialogut

    Borrell i vë kushte Kurtit për rundin e ri të dialogut

    Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

    Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke ia prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.

    “Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja. Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, tha Borrell në letrën që i dërgoi Kurtit.

    Zyrtari evropian ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

    “Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.

    Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka dërguar Borrellit planin prej pesë pikash për shtensionimin e situatës në veri.

    Ai këtë plan e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani).

    Borrell është ndalur edhe në pikën tre të planit të Kurtit që Policia e Kosovës, NATO dhe misioni për Sundim të Ligjit i BE-së në Kosovë, EULEX, të kryerjen e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë.

    Zyrtari i lartë evropian tha se kjo çështje mund të diskutohet pas shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

    “Megjithatë, kjo nënkupton se ju duhet të merrni në konsideratë opsionet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe t’i trajtoni ata si partnerë, që nënkupton koordinim paraprak me ta”, tha Borrell.

    Ai tha se kjo nuk ka ndodhur gjatë operacionit policor të 13 qershorit në Mitrovicë të Veriut, kur u arrestua Millun Millenkoviq, që Kosova e akuzon se është një prej organizatorëve të ngjarjeve të dhunshme ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj dhe për ngjarje të tjera.

    “Prandaj, çdo rol i ardhshëm i masave të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet në të kaluarën kanë treguar se jo çdo masë e marrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë, në kontekstin e një mjedisi shumë të ndjeshëm”, tha Borrell.

    Ai i bëri thirrje Kurtit që të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, duke plotësuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.

    “Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, ne mund të përqendrohemi në normalizim, përmes zbatimit, nga të dyja palët, të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimitdhe Aneksit të saj. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të nis menjëherë pa vonesa dhe parakushte”, tha ai, duke paralajmëruar se nëse Kosova dështon të shtensionojë situatën, do të përballet me masa.

    Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë më 13 qershor se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

    Ndërsa më 14 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbushë kërkesat ndërkombëtare.

    BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi./REL

  • Kamionëve u ndalohet, kontrolle të shtuara për veturat me targa serbe që hyjnë në Kosovë

    Kamionëve u ndalohet, kontrolle të shtuara për veturat me targa serbe që hyjnë në Kosovë

    Qeveria e Kosovës tha se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, institucionet kanë vendosur që të ndalojnë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.

    Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

    “Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.

    Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

    Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

    “Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiq në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

    Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

    Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. /REL

  • Qeveria shkarkon dy borde e emëron një

    Qeveria shkarkon dy borde e emëron një

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike të mërkurën në të cilën ka marrë katër vendime.

    Ajo ka miratuar emrat e kandidatëve që do t’i propozohen Kuvendit të Kosovës, për pozitat e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë.

    Emrat e propozuar kanë qenë: Arta Qorolli – Isufi, Drita Desku, Adnan Preniqi, Arjeta Pajaziti – Qerimi, Kujtim Hoxha, Naim Sahiti, njoftoi Kryeministria në një komunikatë për media.

    Po ashtu, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për bartje të së drejtës së shfrytëzimit, nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës, te Ministria e Shëndetësisë me qëllim të ndërtimit të objekteve të Institutit Special në Shtime dhe Qendrës Rehabilituese të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime.

    Ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës “NKEC”, me këtë përbërje: Alban Krasniqi, kryesues, Elvisa Destanovic, anëtare, Dhurata Gutaj, anëtare, Ismet Vrapqani, anëtar.

    Si dhe, ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve dhe ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë Sh. A., me këtë përbërje:

    Izja Mjeku, kryesuese; Arlindja Nallbani, anëtare; Besnik Aliu, anëtar; Valbona Fazliu Xheladini, anëtare.

  • Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër

    Berisha: Kurti s’më ka folur pasi u bë kryeministër

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha foli në lidhje me zhvillimet në veri të Kosovës dhe qëndrimin e Tiranës zyrtare.

    Teksa hodhi akuza në lidhje me mbështetjen që sipas tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po i jep Beogradit, Berisha u ndal dhe te marrëdhënia e tij personale me kryeministrin Albin Kurti.

    Berisha në “Euronews Albania” tha se me Kurtin nuk ka pasur asnjë takim që pasi ai është zgjedhur kryeministër, dhe mund ta ketë takuar dy-tre herë gjithsej gjatë karrierës politike.

    Ai shtoi se nuk e ka këshilluar për veprimet që duhet të ndërmarrë, pasi këto kohë nuk kanë pasur komunikim.

    “Në mënyrë absolute Kurti nuk ka ardhur në zyrën time, as nuk kam asnjë komunikim. Atëherë nuk ka ardhur për të më kërkuar mendimin por për të mbështetur mendimin tim, pasi siç e dini njeriu i parë që kundërshtoi në mënyrë intensive çështjen e ndarjes së Kosovës isha unë. Pastaj filluan me radhë edhe autoritetet politike në Kosovë. Erdhën njëri pas tjetrit për t’u solidarizuar me qëndrimin tim, por jo se pata ndonjë lidhje”.

    “Hera e fundit që mund të kem komunikuar me Kurtin mund të ketë vite, kam drekuar njëherë gjatë kohës që ishte në opozitë. Pasi ai u zgjodh kryeministër nuk kam pasur asnjë komunikim. Ky është personi që kam takuar më pak nga politikanët e tjerë të Kosovës. Kam ngrënë një drekë me të e kam takuar dy tre herë dhe kaq”, ka thënë mes tjerash Berisha.

    Ndër të tjera, ai tha publikisht se është kosovar.

    “Kosova është dheu im, duhet ta dijë e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota që unë jam kosovar. I kam thënë një fjalë luftëtarëve të Kosovës në 92-shin, Adem Jasharit dhe grupit të tij, që gjysmën e kohës e kam për Shqipërinë, gjysmën tjetër për Kosovën, këtu unë nuk mund të ndryshoj. Kosova, Malësia e Gjakovës është etnikisht pjesë e Kosovës”, tha Berisha.

  • Sveçla: Nuk e dimë se ku po mbahen policët

    Sveçla: Nuk e dimë se ku po mbahen policët

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se, për shkaqe të sigurisë, ka urdhëruar që në të gjitha pikat e kalimit kufitar të ndalohet hyrja e maunave nga Serbia. Ky vendim vjen pasi forcat serbe kanë rrëmbyer tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, brenda territorit të vendit tonë.

    Sveçla ka theksuar se vendimi do të jetë në fuqi deri në një vlerësim tjetër të sigurisë.

    “Ka edhe informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë pikën kufitare në Merdare, ku unë tashmë kam dhënë urdhër që për shkaqe të sigurisë në gjitha pikat e kalimit kufitar, të ndalohet hyrja e maunave që vijnë nga Serbia. Kjo masë do të vazhdojë deri në një vlerësim tjetër të sigurisë, por gjithashtu do të vazhdojmë me shtirjen e rendit dhe ligjit”, ka thënë Sveçla.

    Ndërsa lidhur me policët e rrëmbyer, ministri i Brendshëm ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhen por ka theksuar se janë nën arrest dhe po mbahen në duart e institucioneve të Serbisë.

    “Nuk e dimë ku janë, lokacionin ku po mbahen, janë nën arrest në duart e institucioneve të Serbisë. Reagimi ynë është i qartë. Nën një jemi duke u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare që ajo të jetë jashtëzakonisht e qartë për këtë hap kriminal të Serbisë, po ashtu që të shfrytëzojmë gjithë influencën që zyrtarët që kanë kryer detyrat e tyre, në shtetin e tyre, në territorin e tyre të kthehen sa më parë në Kosovë bashkë me pajisjet, me gjithë gjërat”, ka shtuar ai.

    Në mesditë, Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. /KP

  • KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe për rastin e tre policëve të Kosovës

    KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe për rastin e tre policëve të Kosovës

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen që ndodhi në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Policia e Kosovës tha se tre zyrtarë të saj janë “kidnapuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

    “KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre policëve të Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të pranuar informacion zyrtar lidhur me atë që ndodhi”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

    Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur policët dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

    Policia tha se për këtë ngjarje ka njoftuar KFOR-in.

  • Sulmi ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan dënohet edhe RSF për Evropë dhe Federata Evropiane e Gazetarëve

    Sulmi ndaj ekipit të ATV-së në Zveçan dënohet edhe RSF për Evropë dhe Federata Evropiane e Gazetarëve

    Gjatë ditës së djeshme ekipi i ATV-së i përbërë nga gazetari Fatlum Jashari, kameramani Blend Thaçi dhe vozitësi Enis Sherifi, janë sulmuar nga protestuesit serbë në Zveçan.

    Lidhur më këtë sulm, kanë reaguar Reporterët Pa Kufij për Evropë (Reporters Sans Frontières (RSF)) si dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ).

    “Gjatë mbulimit të tensioneve në Zveçan, ekipi i ATV-së u sulmua me gurë duke plagosur 2 gazetarë dhe duke dëmtuar veturën e tyre”, ka thënë Pavol Szalai, përgjegjës për Reporterët Pa Kufij për Evropë, i cili ka dënuar ashpër rastin ën fjalë.

    Ai u ka bërë thirrje autoriteteve lokale dhe ndërkombëtare që të mbrojnë gazetarët në kryerjen e punës së tyre.

    Edhe Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, ka dënuar sulmin ndaj gazetarit te ATV-se ne veri, duke thanë se “sulmi ndaj kolegëve të ATV, për EFJ-në është akt i shëmtuar dhe i papranueshëm”.

    Në kontekstin e një vale të dhunës dhune në veriun e Kosovës, Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe organizatat tjera ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias, kanë reaguar ndaj sulmeve të gazetarëve në veri të vendit.

    Përmes një shkrimi në uebfaqen zyrtare të RSF-së, është kërkuar nga Ministria e Brendshme, policia si dhe KFOR-i që menjëherë të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke u mundësuar atyre të vazhdojnë të raportojnë në nga protestat e tensionuara në veri të vendit.

    Pavol Szalai, përgjegjës i RSF për Evrope, Ricardo Gutierrez, sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Nefail Maliqi korrespondent i ATV-së në Gjenevë, të shoqëruar më kolegë gazetarë shqiptyarë.

    Kujtojmë se sulmi ndaj ekipit të ATV-së është dënuar edhe nga BE-ja. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në përgjigjen për redaksinë ATV-së, ka thënë BE e dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të këtij televizioni që ndodhi dje në Zveçan.

    “Më vjen shumë keq për sulmin që ndodhi kundër jush dhe ekipit tuaj, dhe ne si BE e dënojmë ashpër këtë. Mediat nuk mund të sulmohen në asnjë rrethanë dhe nuk mund të pengohen të bëjnë punën e tyre. Ata që janë përgjegjës për këtë sulm të mjerueshëm duhet të mbajnë përgjegjësi. Shpresoj që lëndimet që keni marrë do të shërohen së shpejti pa asnjë ndërlikim”, thuhet në përgjigjen e Stanos drejtuar redaksisë së ATV-së. /atvlive.tv

  • Vjen reagimi nga “Reporterët Pa Kufij” dhe partnerët e tyre për sulmet ndaj gazetarëve në veri

    Vjen reagimi nga “Reporterët Pa Kufij” dhe partnerët e tyre për sulmet ndaj gazetarëve në veri

    Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe organizatat tjera ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias, kanë reaguar ndaj sulmeve të gazetarëve në veri të vendit.

    Përmes një shkrimi në uebfaqen zyrtare të RSF-së, është kërkuar nga Ministria e Brendshme, policia si dhe KFOR-i që menjëherë të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke u mundësuar atyre të vazhdojnë të raportojnë në nga protestat e tensionuara në veri të vendit.

    Reagimi i plotë:

    Në kontekstin e një vale të dhunës dhune në veriun e Kosovës, Reporterët Pa Kufij (RSF) dhe organizatat tjera ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias, kërkojnë nga Ministria e Brendshme dhe policia të vendosin menjëherë një protokoll sigurie dhe komunikim të rregullt midis institucioneve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve për të garantuar kushtet e sigurta të punës së tyre.

    Organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit janë shumë të shqetësuara për valën e fundit të sulmeve të dhunshme ndaj gazetarëve në Kosovë, që ka qenë më intensivet në historinë e kohëve të fundit në vend. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të vendosin menjëherë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke u mundësuar atyre të vazhdojnë të raportojnë në protestat e tensionuara në veri të vendit.

    Në fund të prillit, u zhvilluan zgjedhje lokale të jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe, ku këta të fundit i bojkotuan ato. Të enjten e kaluar, më 26 maj, kryetarët e rinj të zgjedhur, shqiptarë etnik, u përpoqën të hynin në zyrat e tyre, të shoqëruar nga policia e Kosovës. Protestat për të ndaluar dorëzimin e ndërtesave eskaluan dhe u shpërndanë nga policia dhe trupat e forcave paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO duke përdorur gaz lotsjellës.

    Që atëherë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dokumentuar të paktën 20 sulme dhe incidente të tjera kundër gazetarëve dhe medias. Sulmet përfshijnë sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias dhe vandalizmin e pajisjeve si kamerat dhe makinat. Të paktën katër gazetarë ose punonjës të medias janë lënduar. Në Zveçan, gazetarët që punojnë për mediat shqiptare u detyruan të qëndronin brenda ndërtesës së bashkisë për një orë për të parandaluar sulme të tjera. Në të njëjtën kohë, gazetarët serbë gjithashtu pretendojnë diskriminim nga zyrtarët kosovarë në qasjen në këto vende.

    Duke injoruar thirrjet e përsëritura të AGK-së, policia e Kosovës dhe KFOR-i nuk kanë vendosur një protokoll për të garantuar sigurinë e gazetarëve gjatë protestave të dhunshme: nuk ka procedura të standardizuara veprimi ose strategji të efektshme për zvogëlimin e rrezikut. Pavarësisht kontakteve të disa individëve, bashkëpunimi dhe komunikimi në mes të autoriteteve të zbatimit të ligjit, gazetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, siguria mungon në nivel strukturor. Veçanërisht, nuk ka pasur komunikim midis gazetarëve dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit para dhe gjatë këtyre tensioneve të fundit. Nuk janë marrë masa për të koordinuar identifikimin e gazetarëve dhe garantuar mbrojtjen e tyre.

    Ne dënojmë shënjestrimin e dukshëm ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias nga të gjitha fraksionet gjatë këtyre protestave dhe trazirave. Për t’u siguruar që ata të përmbushin detyrën e tyre në interes publik për të raportuar nga vendi i ngjarjes, i bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme dhe policisë që menjëherë të vendosin komunikim të rregullt ndërmjet organeve të rendit me gazetarët dhe përfaqësuesit e tyre, para, gjatë dhe pas protestave. Forcat e zbatimit të ligjit duhet të zbatojnë urgjentisht protokollet bazë të sigurisë dhe procedurat operative për të përmirësuar kushtet e sigurta të punës së gazetarëve në rrethana të tilla dhe për të siguruar aksesin e tyre në vendet përkatëse. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje KFOR-it që të ketë prioritet mbrojtjen e gazetarëve si pjesë e misionit të tyre për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë. Së fundi, punëdhënësit e medias janë përgjegjës për t’u ofruar gazetarëve trajnime dhe këshilla për sigurinë, pajisje mbrojtëse dhe përgjigje adekuate në rast të traumave fizike ose psikologjike.

    Ndërkohë, ne inkurajojmë të gjitha palët që të zvogëlojnë tensionin dhe të ndalin menjëherë sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Ne do të vazhdojmë të ndjekim situatën ngushtë.

    Nënshkruar nga:

    ARTICLE 19 Europe
    Balkan Investigative Network in Albania (BIRN Albania)
    Civil Rights Defenders
    Committee to Protect Journalists
    European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)
    European Federation of Journalists (EFJ)
    Free Press Unlimited (FPU)
    Index on Censorship
    International Press Institute (IPI)
    Justice for Journalists Foundation
    OBC Transeuropa (OBCT)
    Reporters Without Borders (RSF)
    The Daphne Caruana Galizia Foundation

    Reagimin e plotë në gjuhën angleze e gjeni në këtë link:

    https://rsf.org/en/attacks-northern-kosovo-rsf-and-its-partners-call-better-protection-journalists-0

  • BE dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të ATV-së

    BE dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të ATV-së

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në përgjigjen për redaksinë ATV-së, ka thënë BE e dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të këtij televizioni që ndodhi dje në Zveçan.

    “Më vjen shumë keq për sulmin që ndodhi kundër jush dhe ekipit tuaj, dhe ne si BE e dënojmë ashpër këtë. Mediat nuk mund të sulmohen në asnjë rrethanë dhe nuk mund të pengohen të bëjnë punën e tyre. Ata që janë përgjegjës për këtë sulm të mjerueshëm duhet të mbajnë përgjegjësi. Shpresoj që lëndimet që keni marrë do të shërohen së shpejti pa asnjë ndërlikim”, thuhet në përgjigjen e Stanos drejtuar redaksisë së ATV-së.

    Kujtojmë se dje, më shumë se dhjetë persona, shumica e tyre të maskuar sulmuan me gurë, cung, shkopinj, shkelma e grushte veturën dhe ekipin e ATV-së që gjendej brenda saj.

    Si pasojë të tre anëtarët e ekipit televiziv pësuan lëndime trupore – ndrydhje nga gurët dhe prerje nga copëzat e xhamit – ndërsa vetura u demolua.

    Fillimisht, rreth orës 13, vetëm pesë minuta pasi kameramani Blendi Thaçi dhe gazetari Fatlum Jashari u ndalën për pamje tek ndërtesa e komunës në Zveçan, vozitësi Enis Sherifi, i cili kishte shkuar më poshtë për t’u parkuar në një vend të sigurt, njoftoi se është sulmuar nga një person.

    Pas vendimit për t’u larguar shpejtë nga aty, derisa shoferi po afrohej filluan sharjet dhe ofendimet ndaj gazetarit e kameramanit.

    Pas paralajmërimit që morën nga një grua, se tensioni është rritur për shkak të arrestimit në Mitrovicë të Veriut, ekipi tre-anëtarësh i ATV-së u nis për të dal nga Zveçanin.

    Pak sekonda pas, rreth 150 metra tutje, në afërsi të rreth-rrotullimit, një veturë e tipit Golf me ngjyrë të errët dhe me targa të Serbisë, i doli në pritë të veturës së ATV-së dhe bllokoi rrugën.

    Personi i njëjtë që kishte sulmuar kameramanin më herët, doli nga ajo veturë dhe krahas sharjeve në gjuhën serbe, provoi që me dhunë hapte derën e veturës së ATV-së dhe të nxirrte ekipin jashtë.

    Ai dhe dy të tjerë të maskuar, filluan sulmin me gurë, shkelma e grushte ndaj veturës.

    Tutje, më shumë se 10 persona tjerë, shumica të maskuar, iu bashkuan sulmit me mjete të forta – teksa ekipi po përpiqej të lëvizte prapa me veturë për të gjetur strehë të sigurt.

    Nën rrebesh gurësh ekipi i ATV-së u strehua në te një ekip i KFOR-it italian, qw u bë shkas për ndaljen e sulmit.

    Pas rreth 45 minutash të tensionuara nën mbrojtjen e KFOR-it, ekipe po ashtu italiane të EULEX-it ndihmuan largimin e sigurt të ekipit të ATV-së nga Zveçani.

    Rasti është iniciuar në Stacionin e Policisë në Mitrovicë të Jugut, ndërsa ekipit të ATV-së i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. /atvlive.tv

  • ​Caktohet masa e paraburgimit për Millenkoviqin

    ​Caktohet masa e paraburgimit për Millenkoviqin

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim Millun Millenkoviq-Llune, i dyshuari për organizimin e sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan. Millenkoviq u arrestua dje në veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës.

    Gjykata ka shkruar se “i pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”.

    Lidhur me kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit, Gjykata Themelore ka vendosur për shkak të të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatë.

    Të martën, Policia e Kosovës ka arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, Milun Milenkovic-Llune.

    Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar tre zyrtarë të Policisë së Kosovës./KP