ATV

Category: Lajme

  • Hoxhaj në Forumin Global të AJC: Kosova dhe Izraeli ta mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën

    Hoxhaj në Forumin Global të AJC: Kosova dhe Izraeli ta mbështesin fuqishëm njëra-tjetrën

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, gjatë një vizite zyrtare në Izrael, ku bashkë me Grupin e Miqësisë me Izraelin nga Kuvendi i Kosovës, kanë zhvilluar takime me liderë izraelitë.

    Enver Hoxhaj, ish-ministri i jashtëm i Kosovës, gjithashtu mori pjesë në Forumin Global të Komitetit Amerikano-Hebre, ku foli për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Izraelit, por edhe arritjen e Kuvendit kur deputetët javën që lamë pas, votuan Deklaratë kundër antisemitizmit.

    Hoxhaj, ndër të tjerash tha se Kosova duhet të jetë shtet mik i Izraelit në Ballkan dhe Izraeli i Kosovës në Lindjen e Mesme, duke e mbështetur fuqishëm njëra-tjetrën!

    Ky është shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt: Miq të dashur, Kam kënaqësinë ta ndaj me ju një pjesë nga fjalimi im në Forumin Global 2023 të Komitetit Amerikano-Hebre, të mbajtur në Izrael.

    “Para se të vizitoja ndonjëherë Izraelin, të qëndroja zyrtarisht në Jeruzalem apo privatisht në Tel Aviv, 30 vite më parë, gjatë kohës së studimeve në Universitetin e Vjenës, u njoftova me idenë e shtetit të Izraelit, me shkrimet e mendimtarit të madh dhe të liderit historik, Theodor Herzl. Kjo ishte koha e okupimit serb në Kosovë dhe kur une isha student/aktivist, në Vjenë ishin disa hebrenjë austriakë në media dhe në diplomaci që e mbështetën kauzën e çlirimit dhe të shtetësisë së Kosovës! Kjo ishte koha kur neve, shqiptarëve të Kosovës, nuk mund të na ofrohej asgjë tjetër përpos shpresës! Nuk jam këtu për t’ju treguar histori të vogla personale, por jam këtu për ta falenderuar Komitetin Amerikano-Hebre, për mbështetjen për ta ndalur gjenocidin serb më 1999, sikurse edhe për mbështetjen që i dhanë refugjatëve shqiptarë kudo në Ballkan, gjatë luftës në Kosovë!

    Njëashtu, dua të falenderoj kryeministrin Benjamin Netanyahu, për mikpritjen e tij ndaj refugjatëve nga Kosova! Unë kam qenë disa herë në Izrael dhe në kohën kur vendet tona nuk kishin marrëdhënie diplomatike, ishte Komiteti Amerikano-Hebre adresa dhe platforma ime e vetme, dhe falë këtij bashkëpunimi kemi marrë vendime ta shpallim Hezbullahun organizatë terroriste!

    Jemi mirënjohës për njohjen ndaj Kosovës sikurse krenar me vendimin për ta hapur ambasadën e Kosovës në Jeruzalem. Ne jemi të interesuar që Kosova të jetë shtet mik i Izraelit në Ballkan dhe Izraeli i Kosovës në Lindjen e Mesme, duke e mbështetur fuqishëm njëra-tjetrën! Kosova është demokracia më e re në Ballkan, por edhe shoqëria më kritike, e cila duke i rezistuar regjimeve të huaja, veçanërisht atij serb, ka një vullnet për të debatuar dhe kundërshtuar çdo formë të pushtetit arbitrar! Natyrisht, kemi edhe një depat parlamentar demokratik dhe shpeshherë nuk pajtohemi mes vete për temat dhe çështjet politike të ndryshme, por jemi të bashkuar për tema të mëdha dhe të rëndësishme!

    Kështu, jam krenar që të ju informoj që Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash ka miratuar një Deklaratë për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, si dëshmi e fundit e marrëdhënieve të fuqishme mes Kosovës dhe Izraelit!”.

  • Kidnapimi i tre policëve – Escobar nesër mban konferencë për media

    Kidnapimi i tre policëve – Escobar nesër mban konferencë për media

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, nesër më 16 qershor, do të mbajë një konferencë online me gazetarë.

    Konferenca mbahet nga ora 15:00.

    Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

    Të marten, në Mitrovicën e veriut policia e Kosovës e ka arrestuar udhëheqësin e “Mbrojtjes Civile” Milun Millakoviq, i njohur si “Lune”.

    Kurse, gjatë ditës së djeshme janë kidnapuar tre policë nga ana e njësisë speciale të Serbisë.

  • Kurti: Para takimit me Vuçiqin në Ohër, ndërkombëtarët garantuan se Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje

    Kurti: Para takimit me Vuçiqin në Ohër, ndërkombëtarët garantuan se Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje

    Kryeministri Albin Kurti tha se ndërkombëtarët kanë garantuar më 17 mars, një ditë para takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër, se nëse ka dakordim për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, Lista Serbe do të merrte pjesë në zgjedhje, raporton Gazeta Express.

    “Një ditë para se të shkojmë në Ohër për atë aneksin e zbatimit, neve faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar: nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, ne ju garantojmë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje”, tha Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

    “Unë kam qenë i gatshëm që Lista Serbe me marrë pjesë në zgjedhje, përkundër asaj çka kanë thënë për mua e çka i kanë bërë Republikës tonë politikanët e Listës Serbe. Unë kam qenë i gatshëm”, tha ai.

    Kurti tha se përkundër zgjatjes së afatit të regjistrimit të partive për të garuar në zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore, Lista Serbe nuk aplikoi.

    “Dhe a e dini çka ka ndodh? Zgjatet për 5 ditë afati i regjistrimit, prej 17 mars në 22 mars. Nëse duan të marrin pjesë, pse jo. Ju ka kaluar afatin, po e zgjasim. Ne e bëjmë aneksin e zbatimit në Ohër më 18 mars, më 19, 20, 21, 22 mars, Lista Serbe nuk aplikon për t’u regjistruar. Çfarë të bëjmë ne tash? S’mund t’i marrim Listën Serbe me dhunë të garojnë në zgjedhje. Faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar se ata e sigurojnë këtë gjë. Prandaj e kemi zgjatur afatin dhe është bërë aneksi i zbatimit”, tha Kurti.

  • Vuçiqi bën drama para QUINT-it: U kërkon ta pengojnë Kurtin që të mos nisë luftën në Ballkan

    Vuçiqi bën drama para QUINT-it: U kërkon ta pengojnë Kurtin që të mos nisë luftën në Ballkan

    Aleksandar Vuçiq u takua me përfaqësuesit e shteteve të QUINT’it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

    “Kam folur me përfaqësues të BE-së dhe të QUINT-it. U kërkova që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre dhe ta pengojnë Kurtin të nisë një luftë të re në Ballkan” – thuhet në një postim në llogarinë zyrtare në Instagram të Vuçiq.

  • A janë kontaktuar familjarët e policëve të kidnapuar dhe si do të nxirren ata? Përgjigjet ministri Sveçla

    A janë kontaktuar familjarët e policëve të kidnapuar dhe si do të nxirren ata? Përgjigjet ministri Sveçla

    Ministri i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se menaxhmenti i Policisë ka kontaktuar me familjet e policëve të kidnapuar.

    Ai u shpreh se edhe gjatë ditë do të kontaktojnë me familjarët për të shprehur solidaritetin dhe për të parë për nevoja eventuale.

    lidhur me tre policët e rrëmbyer se cili është plani i Qeverisë që këta policë të nxirren nga Serbia, Sveçla tha se po punojnë me bashkësinë ndërkombëtare që ti bëhet presion Serbisë për lirimin e tyre.

    “Në momentin që është ditur pak a shumë se çfarë ka ndodhur, menaxhmenti i policisë ka kontaktuar me familjet dhe është në kontakt të vazhdueshëm. Ne gjatë ditës do të kontaktojmë me familjarët për të shprehur solidaritetin normalisht me ta edhe për të parë për nevoja eventuale”.

    “Sa i takon lirimit të tyre, Qeveria e Kosovës, është mobilizuar që të punojë edhe me bashkësinë ndërkombëtare që të kemi presionin e nevojshëm ndaj Serbisë që këta tre zyrtare te kthehen në Kosovë sa më parë, të kthehen te familjet e tyre është pune intensive, dhe unë besoj qe shume shpejt edhe do të sjell rezultate”.

  • Kurti përmend Thaçin: Shkaku i zotimit të njëanshëm të tij, ne s’kemi ushtri të Kosovës në veri

    Kurti përmend Thaçin: Shkaku i zotimit të njëanshëm të tij, ne s’kemi ushtri të Kosovës në veri

    Kryeministri Albin Kurti thotë se për shkak të një zotimi të njëanshëm të Hashim Thaçit ndaj NATO-s në kohën kur ishte kryeministër, ne nuk kemi ushtri të Kosovës në veri të vendit.

    “17 për qind e territorit te Kosovës është në veri të lumit Ibër. Është territor shumë i gjerë, janë qindra kilometra kufi malor, nuk është çështje e thjeshtë. Prandaj duke pasë parasysh kapacitetet që ka sot Kosova nuk mund të vendosësh njësite, patrulla, zyrtar policor për çdo 50 metra në këtë kufi të gjatë. Nuk është e mundshme të ruhet kufiri ashtu, do ti shtojmë policët por aq e madhe është ajo pjesë, teren i vështirë malor, nuk do të mund të ketë asnjëherë mjaftueshëm polic për ta ruajtur atë kufi. Kufirin e ruan ushtria në atë pjesë të vendit ushtria është KFOR-i”.

    “Thaçi ka dërguar një zotim të njëanshëm ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, ku i thotë qe forcat e sigurisë së Kosovës nuk do ta kalojnë lumin Ibër dhe që prej vitit 2013 ne nuk kemi ushtri në veri të Kosovës për shkak të këtij zotimi ndaj NATO-s. Rrjedhimisht NATO, përkatësisht KFOR-i është ushtria e Kosovës në veri të Kosovës dhe kufirin e ruan ushtria. Ne do të bëjmë maksimumin në policinë tonë por për të qenë plotësisht të suksesshëm aty duhet të jetë KFOR-i”, tha Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

  • Ekzekutimi me kallashnikov në Prishtinë dhe tentimi për të fshehur gjurmët, çka dihet deri më tani për rastin

    Ekzekutimi me kallashnikov në Prishtinë dhe tentimi për të fshehur gjurmët, çka dihet deri më tani për rastin

    Një vrasje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku një i dyshuar ka vrarë një person me kallashnikov.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se vrasja ka ndodhur rreth orës 20:00, te rruga C në Prishtinë.

    “Rreth orës 20:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “C” në Prishtinë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete”.

    I dyshuari për rastin teksa arratiset nga policia, në ikje e sipër në rrugën A në kryeqytet, i ia ka vënë flakën veturës së tij të tipit BMW.

    Në automjetin që të dyshuarit ia vënë flakën, zyrtarët policorë kanë gjetur dy kallashnikovë, armë këto të cilat dyshohen se janë përdorur për vrasjen e viktimës.

    Sipas raportimeve në media, personi i vrarë mbërmë është B.D. I dyshuari ndodhet ende në arrati.

  • Ç’pasoja mund të kenë masat ndëshkuese të BE-së?

    Ç’pasoja mund të kenë masat ndëshkuese të BE-së?

    Masat që Bashkimi Evropian i ka marrë kundër Kosovës, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në pjesën veriore, rrezikojnë projekte milionëshe sipas disave, por nuk pritet të ndikojnë në procesin e integrimit evropian.

    “Efektet e këtyre masave janë proporcionale, pasi që përçojnë mesazhin e rëndësishëm të pakënaqësisë nga ana e BE-së, por nuk shkaktojnë dëm thelbësor në rrugën tonë evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane.

    Masat e BE-së përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të nivelit të lartë, si dhe të vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Po ashtu janë paralajmëruar pasoja financiare, përkatësisht pezullimi i financimit të disa projekteve të propozuara nga Kosova në kuadër të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor.

    “Unë shpresoj që këto projekte, jashtëzakonisht të rëndësishme, në asnjë formë të mos anulohen, por pezullimi i tyre të arrijë efektin e nevojshëm të dakordimit të qëndrimeve mes Kosovës dhe BE-së”, thotë Shasha.

    Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Kosova mbështetet nga ky mekanizëm që nga viti 2009. Në një dokument të tij thuhet se në Kosovë janë mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh deri në shtator të vitit 2021.

    Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.

    Shasha thotë se për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera.

    Qeveria e Kosovës ka konfirmuar në muajin mars se Kosova, vitin e kaluar, ka përfituar nga ky instrument grante investuese për energjinë diellore në vlerë prej 53 milionë eurosh, të cilat kombinohen me hua nga bankat zhvillimore dhe arrijnë vlerën e 180 milionë eurove.

    Në shkurt, Qeveria ka informuar, po ashtu, se ka aplikuar edhe për 2 grante investuese dhe 4 grante të asistencës teknike në Kornizën Investuese, por nuk ka specifikuar më shumë në lidhje me to.

    “Ne po shkojmë mbrapa”

    Kosova ka aplikuar në dhjetor të vitit të kaluar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një nga masat ndëshkuese të BE-së përfshin edhe anulimin e disa takimeve mes Kosovës dhe bllokut evropian, që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA).

    Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2015, është hapi i parë drejt anëtarësimit në BE.

    Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosmbajtja e takimeve në kuadër të MSA-së – qëllim i të cilave është t’i udhëzojnë institucionet e Kosovës në lidhje me reformat – paraqet ngecje në procesin integrues të vendit.

    “Shumë shqetësuese mosmbajtja e këtyre takimeve. Shqetësues është edhe nëse merret vendimi për anulimin e fondeve. Këto fonde kanë ndihmuar ndër vite zhvillimin e vendit dhe pa to nuk mund të ketë zhvillim. Ne po shkojmë mbrapa, nuk ka progres – vetëm regres në proceset integruese”, thotë Krasniqi.

    Sipas saj, në një nga takimet e anuluara tashmë nga BE-ja është dashur të marrë pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    REL-i kontaktoi zyrtarë të kësaj ministrie, por ata thanë se nuk kanë informacione për këtë.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha REL-it se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për masat që BE-ja ka marrë ndaj Kosovës.

    “Vazhdojmë të besojmë se çfarëdo mase ndaj Kosovës, do të ishte e padrejtë dhe jofer”, tha ai.

    Pavarësisht kësaj, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të mërkurën se blloku nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare.

    Këto kërkesa përfshijnë tërheqjen e policisë speciale nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, si dhe të kryetarëve shqiptarë të komunave atje.

    Hyrja e këtyre kryetarëve në objektet komunale në veri, të cilat shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe, i ka rritur tensionet në këtë zonë, të cilat kanë kulmuar në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të NATO-s.

    Komuniteti ndërkombëtar kërkon po ashtu nga Kosova të organizojë zgjedhje të reja në veri, si dhe t’i kthehet dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se nuk mund “të bëjë kompromise me republikën demokratike” dhe se objektet komunale në veri janë pronë e shtetit. /REL

  • Fundoset anija në Greqi, 78 persona të vdekur dhe qindra të zhdukur

    Fundoset anija në Greqi, 78 persona të vdekur dhe qindra të zhdukur

    Të paktën 78 persona kanë vdekur dhe më shumë se 104 janë shpëtuar pasi një anije e mbushur me emigrantë, u fundos në brigjet e Greqisë jugore.

    Të mbijetuarit dhe zyrtarët grekë thonë se edhe qindra emigrantë të tjerë ndodheshin në bordin e saj, që ende rezultojnë të zhdukur.

    Një operacion kërkim-shpëtimi po realizohet, por është ndërlikuar nga erërat e forta.

    Qeveria greke tha se kjo është një nga tragjeditë më të rënda me emigrantë në Greqi, dhe ka shpallur tre ditë zie.

    Anija u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos, ndërkohë që autoritetet e rojës bregdetare thanë se ekuipazhi i saj kishte refuzuar ndihmën e ofruar nga ta.

    Roja bregdetare tha se anija ishte parë në ujërat ndërkombëtare të martën vonë nga një avion që i përkiste agjencisë kufitare të BE-së Frontex. Askush në bord nuk kishte veshur jelek shpëtimi, shtoi ai.

    Transmetuesi publik grek ERT tha se autoritetet kishin kontaktuar me varkën përmes telefonit satelitor në disa raste dhe kishin ofruar ndihmë, por u tha në mënyrë të përsëritur: “Ne nuk duam asgjë më shumë se të shkojmë në Itali”.

    Disa orë më vonë, rreth orës 01:40 të së mërkurës, dikush nga anija thuhet se ka njoftuar rojet bregdetare greke se motori i anijes nuk ishte duke funksionuar.

    Menjëherë pas kësaj, anija u përmbys, duke u dashur vetëm dhjetë deri në pesëmbëdhjetë minuta për t’u fundosur plotësisht.

    Alarm Phone, një linjë ndihmëse emergjente për emigrantët në det, tha se roja bregdetare ishte “në dijeni se gjendja në anije nuk ishte e mirë përpara se të dërgohej ndonjë ndihmë”, duke shtuar se autoritetet “ishin informuar nga burime të ndryshme” se anija ishte në telashe.

    Ai shtoi se njerëzit mund të kenë qenë të frikësuar të takojnë autoritetet greke sepse ata ishin të vetëdijshëm për “praktikat e tmerrshme dhe sistematike” të vendit.

    Besohet se anija po udhëtonte nga Libia në Itali, ku shumica e atyre që ishin në bord besohet të jenë burra rreth të 20-tave.

    Ata kishin udhëtuar për ditë të tëra.

    Të mbijetuarit thanë se janë rreth 500 deri në 700 persona në bord, dhe drejtori rajonal i shëndetësisë, Yiannis Karvelis paralajmëroi për një tragjedi të paprecedentë.

    “Numri i njerëzve në bord ishte shumë më i lartë se kapaciteti që duhet të lejohej për këtë anije”, tha ai.

    Rojet bregdetare greke thanë se kishin parë shumë njerëz në të, dhe se anija ishte fundosur në një nga pjesët më të thella të Mesdheut.

    Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou vizitoi disa nga të mbijetuarit dhe shprehu dhimbjen e saj për ata që ishin mbytur.

    Çdo vit, qindra njerëz vdesin duke u përpjekur të kalojnë Mesdheun. Në shkurt, një varkë me emigrantë u përmbys pranë Kutro, në rajonin e Kalabrisë në Italinë jugore, duke vrarë të paktën 94 njerëz – një nga incidentet më vdekjeprurëse të regjistruara në këtë rajon. /rel

  • Moti për sot dhe nesër me Erza Hotin

    Moti për sot dhe nesër me Erza Hotin

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 21 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Ferizaj 19 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot po ashtu me reshje shiu. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Fier me 28 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme: