ATV

Category: Lajme

  • ​Sulmi në Leposaviq, i lënduar edhe kameramani i Tëvë1

    ​Sulmi në Leposaviq, i lënduar edhe kameramani i Tëvë1

    Në Komunën e Leposaviqit sot janë sulmuar fizikisht ekipe të medieve nga Prishtina, derisa po raportonin nga atje.

    Lëndime trupore, krahas kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani.

    Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar.

    “Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë redaksia e Tëvë1 për AGK-në.

    AGK nëpërmjet një komunikate thekson se sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm dhe ka ftuar organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë.

    “Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force – KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin”, thuhet në njofitm.

  • Ministri Krasniqi për situatën e krijuar sot në Leposaviq: Menaxhimi i bandave serbe nga KFOR-i, aspak profesional

    Ministri Krasniqi për situatën e krijuar sot në Leposaviq: Menaxhimi i bandave serbe nga KFOR-i, aspak profesional

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shkuar sot në Leposaviq për t’u takuar me kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemin.

    Megjithatë, vizita e tij u pengua nga grupet kriminale serbe, të cilat sulmuan veturën e ministrit Krasniqi dhe jo vetëm.

    Sipas ministrit Krasniqi, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it.

    “Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e lega me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë. Personat që sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq, ish-deputeti Slavko Simiq dhe ish-polici Filipoviq” ka thënë mes të tjerash Krasniqi.

    Ky është reagimi i plotë i tij:

    Sot, nga bandat kriminale u pamundësua takimi i Kryetarit të Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemi me drejtorët e rinj të sapoemëruar. Në anën tjetër, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it.

    Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e lega me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë. Personat që sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq, ish-deputeti Slavko Simiq dhe ish-polici Filipoviq.

    Prokuroria duhet të merret me urgjencë me këta përgjegjës dhe banda kriminale prapa tyre për sulmin dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe dëmtimin e pasurisë publike.

  • Kritikat ndaj KFOR-it, Escobar i përgjigjet kryeministrit Kurti

    Kritikat ndaj KFOR-it, Escobar i përgjigjet kryeministrit Kurti

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke pritur përfundimin e hetimeve lidhur me rrëmbimin e tre policëve kosovarë.

    Sa i përket kritikës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar, ka thënë se SHBA-ja dhe KFOR-i janë në pritje të fakteve.

    “Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake”, tha Escobar në një konferencë për media online të premten.

    Escobar ka thënë po ashtu se beson që Qeveria e Kosovës duhet ta heqë ndalesën ndaj mallrave serbe.

    Kurti, të enjten nuk është shprehur i befasuar me veprimet e Serbisë, por ka thënë se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi kidnapuan tre policë kufitarë në veri.

    Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin.

  • Protestuesi e gjuajnë me ngjyrë veturën e ministrit Elbert Krasniqi në Veri

    Protestuesi e gjuajnë me ngjyrë veturën e ministrit Elbert Krasniqi në Veri

    Gjatë ditës së sotme është gjuajtur me ngjyrë vetura e ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili kishte shkuar për vizitë te kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

    Në këtë takim është njoftuar për vendimet e fundit të Hetemit, për emërimin e disa drejtorëve, duke dhënë dhe emrat.

    Kosovo Online ka publikuar disa video ku shihet se vetura e ministrit Krasniqi është gjuajtur me ngjyrë.

  • ​Paraqitja e provave të ZPS-së kundër Shalës duhet të përfundojë deri më 6 korrik

    ​Paraqitja e provave të ZPS-së kundër Shalës duhet të përfundojë deri më 6 korrik

    Trupi gjykues, në rastin kundër Pjetër Shalës, synon që paraqitja e provave nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) të përfundojë me 6 korrik 2023. Kjo është bërë e ditur përmes një urdhri të lëshuar në përfundim të seancës gjyqësore në të cilën ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të tetë të prokurorisë.

    Kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka bërë të ditur se datat 21 dhe 22 gusht janë caktuar për nisjen e paraqitjes së provave nga avokati i viktimave.

    Gjithashtu, ajo e ka caktuar 18 shtatorin datë provizore për nisjen e paraqitjes së provave nga mbrojtja e Shalës.

    “Trupi gjykues cakton ditën e mërkurë 6 korrik 2023 si datë në të cilën duhet t’i përfundojë argumentet ZPS, përpara se ta përfundojë argumentin e saj, ZPS duhet të paraqesë kërkesat për pranimin e materialeve sipas nenit 37 të ligjit, apo materiale të tjera, po kështu përpara se përfundojë argumentet e saj ZPS dhe pas përfundimit të dëshmitarit të fundit të ZPS-së, palët dhe mbrojtësi i viktimave duhet të dorëzojnë kërkesat për pranimin e materialeve të shfrytëzuara gjatë pyetjeve që u kanë bërë dëshmitarëve të fundit të ZPS-së, që do të thotë dëshmitarëve të cilëve do të japin dëshmi midis datës 26 qershor dhe 5 korrik”, ka thënë kryegjykatësja.

    Përmes urdhrit, ajo ka bërë të ditur se më 6 korrik, para orës 16:00, ZPS duhet të jap njoftim me shkrim se nuk ka më dëshmitarë për të thirrur, apo materiale të tjera për të paraqitur si prova.

    Ndërsa, gjatë kësaj dite ka dëshmuar dëshmitari i tetë i ZPS-së, Zbynek Dolejsi, një ekspert për identifikimin e ADN-së.

    Dëshmitari ka folur rreth një raporti të vitit 2009 dhe më pas për një tjetër të vitit 2023.

    Pas përfundimit të intervistimit nga prokuroria, ai është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Shalës.

    Dëshmitari ka thënë se në raportin gjenetik të cilin e ka përpiluar si ekspert nuk janë shkruar të gjitha metodat që janë përdour për të përcaktuar afërsinë biologjike midis personit A dhe personit B.

    Dolejsi, i cili ka thënë se është shef i Departamentit Gjenetik në Institutin e Kriminologjisë së Pragës, në Republikën Çeke, ka thënë se instituti nuk e ka për detyrë të tregojë të gjitha të metodat që i ka përdorur në nxjerrjen e raportit të vitit 2009.

    Gjatë kësaj seance, mbrojtja e Shalës e ka pyetur dëshmitarin se kush i ka sjell kampionet për vlerësimin e afërsisë biologjike për personat në fjalë, pyetje kjo që është kundërshtuar nga kryetarja e trupit gjykues.

    Sipas kryegjykatëses, Mappie Veldt Foglia, dëshmitari mund të pyetet vetëm për të dhënat që i ka shkruar në raportin e tij si ekspert.

    E sipas dëshmitarit, për hartimin e raportit të vitit 2023 janë përdorur të dhënat e raportit të vitit 2009, por që nuk janë përfshirë të gjitha metodat e përdorura.

    “Mbase mund t’i kemi marrë në një mënyrë më të shpejtë, në raportin e 2009-ës nuk jepen të gjitha metodat që ne kemi përdorur. Gjithashtu nuk përcaktohet as cikli që përdoret për prodhimin e raportit. Këto janë të dhëna që nuk janë dhënë në këtë raport. Sipas mendimit tim prej eksperti dhe në deklaratën time prej akt-ekspertizës, ne nuk jemi të detyruar që të japim të gjithë informacionin që përftohet përmes aktiviteteve tona prej ekspertësh, sa i takon kampionëve të komplikuar, kështu që janë përdorur kite të tjera nga kompani konkurrente për të bërë verifikimin e pozicioneve kromozomale të nevojshme në mënyrë të tillë që të mund të përftoheshin sa më shumë rezultate të ishte e mundur”, ka thënë dëshmitari.

    Avokatja: Fatkeqësisht nuk mund t na jepni këtë informacion, megjithatë na thatë më herët që duhet të përsërisni disa herë analizën nga segmente të pjesa e kockës. Sa herë e keni përsëritur këtë analizë për kockën?

    Dolejsi: Po, gjithsej janë marrë 5 kampionë, pra gjithsej kocka u pre në segmente të tjera, pra u nda në disa pjesë.

    Avokatja: Të dhënat për nëntë lokuse të cilat nuk ka nevojë t’i identifikojë nuk janë të paraqitura në raportin e vitit 2023. Këtë pyetje desha t’i bëjë dëshmitarit. A keni në dispozicion të dhëna nga analiza e 2009 e cila nuk është e përfshirë në raportin e vitit 2023, në çfarëdo formati?

    Dolejsi: Ne kemi marrë të dhënat nga kodi që ka të bëjë me kromozomin Y dhe nuk besoj që kjo është pjesë e shtojcës, janë 11 tregues të Y dhe kjo është e njëjtë edhe për subjektin A dhe për fragmentin e eshtrës. Por kaq kemi arritur të sigurojmë.

    Me këtë ka përfunduar intervistimi nga mbrojtja e Shalës ndërsa nuk ka pasur pyetje nga avokati i viktimave dhe as nga turpi gjykues.

    Gjykimi kundër Pjetër Shalës do të vazhdojë më 26 qershor nga ora 09:30.

    Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./KosovaPress

  • KPM: Klan Kosova obligohet që brenda 30 ditësh të plotësojë dokumentacionin e biznesit

    KPM: Klan Kosova obligohet që brenda 30 ditësh të plotësojë dokumentacionin e biznesit

    Komisioni i Pavarur për Media (KPM), i ka dhënë afat prej 30 ditëve televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

    KPM-ja tha se dështimi për të vepruar në pajtim me rregulloren e shërbimeve mediale, brenda afatit të përcaktuar do të rezultojë me masa sanksionuese, sipas ligjit.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Qeverisë së Kosovës më 14 qershor ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova SHPK.

    Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

    ARBK-ja në bazë të akteve ligjore ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, deri në një vendim tjetër.

    KPM-ja në mbledhjen e mbajtur të premten, ka sqaruar se rregullorja e KPM-së për dhënën e licencës për shërbime mediale, kërkon që kompania private të jetë ligjërisht e regjistruar në Kosovë.

    KPM-ja tha se është njoftuar nga ARBK-ja më 14 qershor 2023, se ka pezulluar certifikatën e biznesit për Klan Kosova.

    “Duke pasur parasysh se ofruesi i shërbimit medial, Klan Kosova, është licencuar nga KPM-ja mbi bazën e kësaj certifikate të biznesit, e cila vë në dilemë ligjshmërinë e këtij biznesi, rekomandon që në afat prej 30 ditëve nga pranimi i këtij vendimi të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit konform rregullores për ofruesit e shërbimeve mediave”, tha Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarura për Media.

    Për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, ka pasur reagime nga organizatat e mediave vendëse dhe ndërkombëtare.

    Të premten, reagime kanë ardhur edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

  • “Pa bukë e ujë”, MPJD thotë se policët e kidnapuar po trajtohen çnjerëzisht në Kralevë

    “Pa bukë e ujë”, MPJD thotë se policët e kidnapuar po trajtohen çnjerëzisht në Kralevë

    Shefi i kabinetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sharr Jakupi, ka thënë se policët e Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe, janë duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga Serbia.

    Sipas Jakupit, policëve kosovarë nuk po u jepet as ushqim e as ujë, teksa shtoi se njërit nga ta, përkundër kërkesës për kujdes mjekësor, një gjë e tillë nuk i është ofruar.

    “Raporte thellësisht shqetësuese në lidhje me trajtimin e tmerrshëm të tre policëve tanë të rrëmbyer me forcë nga Republika e Kosovës, aktualisht të ndaluar në Kralevë. Pavarësisht se u është zgjatur 30 ditë paraburgimi për akuzën e ‘armëmbajtjes pa leje’, krimi i vërtetë janë kushtet e turpshme që po përballojnë. Të privuar nga ushqimi dhe uji, oficerët i janë nënshtruar një trajtimi krejtësisht çnjerëzor. Duke shtuar fyerjen ndaj lëndimit, një oficer, në nevojë të dëshpëruar për kujdes mjekësor, është lënë pas dore, duke iu dhënë vetëm një injeksion të pashpjegueshëm që nga ndalimi i tij”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se mostrajtimi i duhur mjekësor ndaj policëve kosovarë është shqetësim i madh.

    “Fakti që zyra ndërlidhëse e Kosovës në Beograd paralajmëroi autoritetet serbe dhe komunitetin diplomatik për nevojën e trajtimit mjekësor, vetëm për t’u injoruar tërësisht nga autoritetet serbe, është një shqetësim i madh’, ka thënë ai.

    “Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë me zë të lartë këto mizori dhe t’i bëjë presion Serbisë që të lirojë menjëherë oficerët tanë. Heshtja dhe mosveprimi i barabartë bashkëfajësi”, ka vijuar ai.

  • Sulmohen gazetarët në veri, Konjufca: Nëse BE-ja toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka kuptim

    Sulmohen gazetarët në veri, Konjufca: Nëse BE-ja toleron agresionin e Serbisë, dialogu s’ka kuptim

    Kyetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka dënuar ashpër sulmet e sotme ndaj gazetarëve kosovarë në veri të vendit dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

    “Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

    Ai po ashtu tha se i bën thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, si shkaktare të këtyre tensioneve, “sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit”.

    Ai madje tha se nëse BE-ja i toleron këto veprime të Serbisë, atëherë dialogu nuk ka më kuptim.

    “Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, ka thënë ai.

    Konjufca theksoi se Kosova nuk do t’i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t’i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

    Sipas Konjufcës, duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë.

    “Që nga pengimi i të drejtës ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale përmes sulmesh të dhunshme e me armë zjarri kundrejt policisë së Kosovës, ushtarëve të KFOR-it, sulmeve ndaj gazetarëve e deri te rrëmbimi i tre policëve kufitarë nga ushtria serbe brenda territorit të Kosovës, Serbia po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë, saktësisht të kundërtën e asaj që po kërkon bashkësia ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

  • Avokati serb e konfirmon: Paraburgim prej 30 ditësh për tre policët e kidnapuar

    Avokati serb e konfirmon: Paraburgim prej 30 ditësh për tre policët e kidnapuar

    Avokati serb, Çedomir Stajkoviç, ka konfirmuar përmes rrjetit social Twitter se Gjykata në Kraljevë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre policëve të kidnapuar nga policia serbe.

    “Prokuroria në Kralevë ka iniciuar procedurë penale kundër 3 policëve të arrestuar të Kosovës (Rifat Zeka, Beqi Sefini, Mustafa Shemi) për veprën penale “mbajtje dhe mbajtje pa leje e armëve dhe lëndëve shpërthyese” nga neni 348 paragrafi 4 i Kodit Penal”.

    “Gjykata në Kraljevë caktoi paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Duke ditur praktikën e gjykatave, kjo është bërë pothuajse me siguri për dy arsye: a) rrezik ikje; b) shqetësimi i publikut: këta janë emra të bazave ligjore, jo domosdoshmërisht fakte. Ky paraburgim mund të zgjasë deri në 6 muaj gjatë hetimit (kontrollohet çdo 30 ditë me vendim të ri gjyqësor) dhe gjatë gjykimit mund të zgjasë deri në përfundim të gjykimit”, ka shkruar Avokati serb, Çedomir Stajkoviç në Twitter.

  • ​Skandali me videon intime, Gjici shkarkohet dhe dorëhiqet

    ​Skandali me videon intime, Gjici shkarkohet dhe dorëhiqet

    Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, fillimisht ka njoftuar dorëheqjen nga kjo pozitë, e më pas është bërë e ditur se edhe është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave, pas publikimit të një videoje ku shihet duke kryer veprime të turpshme në zyrën e tij.

    Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Gjici kërkoi ndjesë të thellë publike çdokujt që sipas tij, sot ka parë atë material të shëmtuar video.

    “Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ia arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam më se i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë, por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, theksoi Gjici.

    Gjici tha se nuk mund të jem më njeriu që punon në zyrë shteti, pasi shtoi se ka tradhtuar besimin mijëra njerëzve që i besuan.

    “Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme, ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen”, tha Gjici.

    Më pas, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi gjatë një prononcimi për mediat pas mbledhjes se Këshilli i Ministrave ka shkarkuar nga detyra kryetarin e bashkisë së Kukësit.

    Safet Gjici ishte zgjedhur kryetar i Kukësit në vitin 2019 ndërsa u rikonfirmua si kryetar në zgjedhjet e majit të këtij viti. Ai ishte pjesë e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama.