ATV

Category: Lajme

  • Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë

    Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë

    Lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe, e ka kërkuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

    Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin hungarez, Victor Orban, i cili vizitoi Tiranën, Rama tha se mbajtja e tyre është e paarsyeshme.

    “Duhet të kthehen në shtëpitë e tyre se s’kanë bërë asnjë krim edhe sikur ta presupozojmë që janë kapur disa qindra metra në anën tjetër, apo në këtë anë, njëra palë thotë kështu, njëra palë ashtu, pala e tretë që merret me këtë punë thotë edhe kështu edhe ashtu, nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje kufiri do të thotë kthehu prapa. Kaq!”, tha Rama.

    Madje, sipas Ramës, zgjidhja për çështjet mes Kosovës e Serbisë dihet.

    “Dokumenti i marrëveshjes është në tryezë. Dhe mundësia historike është në tryezë, për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, jo vetëm nga ata që e njohin deri sot, por nga të gjithë, edhe nga Serbia”, tha Rama.

    Situatën e komentoi shkurt edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

    “Javën e ardhshme do ta kemi një takim bilateral me Serbinë, pra hungarez dhe serbë dhe shpresoj që deri atëherë, kjo çështje do të zgjidhet”, tha Orban.

    Ndërkohë, tre policëve iu është shqiptuar masa e paraburgimit nga Gjykata e Lartë në Kralevë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja

    Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja

    Refuzimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Zëvendës-Ndihmës Sekretarit, Gabriel Escobar, do ketë për përgjigje pasojat.

    Pasi përsëriti kërkesat ndaj Kosovës për shtensionimin e situatës në veri, në një bashkëbisedim online me gazetarë, Escobar foli për ndikimin që veprimet në veri kanë në gjithë rajonin.

    “Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një shtet dhe një lider nuk mund të kenë në dorë drejtimin e gjithë rajonit dhe stabilitetin evropian. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin, do të kenë pasoja”, tha Escobar.

    Duke mos e mohuar as rolin e Serbisë, zyrtari i lartë amerikan, në masë të madhe, e bëri përgjegjëse Kosovën për krizat në veri që nga fundi i vitit të kaluar – për, siç u shpreh, veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

    Escobar tha se në të dyja shtetet ka njerëz që e ushqejnë krizën.

    “Është shumë e qartë se ka elementë – dhe ne e kemi ditur gjithmonë këtë – në spektrin politik të Serbisë, që e çojnë përpara retorikën nacionaliste, kur është fjala për Kosovën. Diçka e tillë është jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm për serbët, por për gjithë rajonin”, tha Escobar.

    Refuzimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas tij, është pengesë në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

    Teksa përsëriti thirrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për lirimin pa kushte nga Serbia të tre policëve kosovarë, Escobar tha se po presin përfundimin e hetimeve për ngjarjen.

    SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Kosovës shtensionimin e situatës në veri, duke larguar kryetarët dhe njësitë speciale të policisë nga ndërtesat komunale; mbajtjen e zgjedhjeve të reja; dhe kthimin në dialogun për normalizim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeministri Kurti nuk ka vendosur nëse do të shkojë për takim në Bruksel, por do ta informojë

    Kryeministri Kurti nuk ka vendosur nëse do të shkojë për takim në Bruksel, por do ta informojë

    Jo në panelin sipas agjendës së publikuar, kryeministri Albin Kurti në Forumin e Prespës për Dialog, u paraqit në një intervistë dhe diskutim me publikun.

    Kjo përkundër se mungesa e tij në panelin e parë, u lidh me çështje sigurie.

    “Të nderuar zonja dhe zotërinj, sot vendosëm që paneli të jetë më i shkurtër për shkaqe sigurie”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovachevski.

    Më vonë në një intervistë në kuadër të Forumit, Kurti falënderoi SHBA-në për kërkesën publike drejtuar Serbisë, për lirimin e tre policëve pa asnjë kusht.

    Referuar draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kërkesave që Kosova ta hartojë një të tillë, Kurti kritikoi formën e punës së ndërmjetësit evropian.

    “Unë kam thënë, me tri shtyllat që kam propozuar, mund ta shkruaj draft-statutin, por presidenti i Serbisë refuzoi. Ai tha se me këto tri shtylla, nga 22 kompetencat që unë i dua për Asociacionin mbetet vetëm një. Qartazi ai dëshiron një Republikë Serbe në Kosovë. Unë po them, le të frymëzohemi nga modeli kroat, që është një storie suksesi. Pra, nuk është esenca të prodhohen draft-tekste të ndryshme, por të pajtohemi për parimet dhe pastaj të shkruajmë tekstin. Ne mund të sjellim tekste të ndryshme dhe të provojmë të gjejmë në fund vlerën mesatare aritmetike siç zakonisht bën Përfaqësuesi i Posaçëm Lajcak, por kjo nuk po na çon përpara. Nëse nuk pajtohemi për shpirtin e tekstit, është e padobishme të provojmë të pajtohemi për germën e tekstit”, tha Kurti.

    Në një panel tjetër, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, foli për nevojën për vendime të mëdha nga Kosova dhe Serbia, si kontribut për stabilitetin në rajon.

    “Askush nuk mund të vërë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm. Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”, tha Begaj.

    Në një video-adresim, sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, duke përsëritur se kanë shtuar trupat e KFOR-it.

    Në një konferencë në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, refuzoi t’i bashkohet kërkesës amerikane për lirimin e tre policëve kosovarë – duke thënë se mbetet valid qëndrimi i së enjtes i Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në seancën e radhës të Kuvendit, e cila u caktua të mbahet të enjten, është ftuar në interpelancë

    Në seancën e radhës të Kuvendit, e cila u caktua të mbahet të enjten, është ftuar në interpelancë

    Rishikimi i buxhetit dhe rritja e pagave në sektorin publik, do të jetë tema e diskutimit në seancën e ardhshme të Kuvendit. Në këtë seancë para deputetëve do të duhej të përgjigjet ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Kështu u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, që përveç pyetjeve parlamentare e deklarimeve jashtë rendit të ditës, të ketë edhe interpelancë me ministrin.

    “Është paraparë t’i lihet kohë më shumë interpelancës me Ministrin Murati e pikave të tjera ku janë marrëveshjet ndërkombëtare e projektligjet është dakorduar që të lihen për një ditë tjetër”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari – Lila.

    Kërkesa për interpelancë erdhi nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila kërkon rritjen e vlerës së koeficientit.

    “E para lidhet me bllokimin total që Qeveria u ka bërë investimeve kapitale. E më pas edhe rritja e koeficientit të pagave në 129 euro”, tha Besnik Tahiri nga AAK.

    Seanca e radhës do të mbahet të enjten e 22 qershorit nga ora 10:00. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Reshjet e shiut përparësia e situatës ishte arritja e kuotës maksimale të kapërderdhjes së liqeneve

    Reshjet e shiut përparësia e situatës ishte arritja e kuotës maksimale të kapërderdhjes së liqeneve

    Pas reshjeve të dendura të shiut, pusetat u bllokuan. Sistemi i përbashkët i tyre, sipas Arjeta Mjekut nga ujësjellësi “Prishtina”, e rëndon gjendjen.

    “Shume rrjete të kanalizimeve janë jashtë standardeve, sepse pusetat e kanalizimit dhe pusetat për reshje atmosferike janë në një vend, diçka kur është jashtë standardeve e kemi të pamundur të intervenojmë, sepse pusetat për kanalizime janë nën menaxhimin tonë, kurse ato të reshjeve nën menaxhimin e komunës, për këtë arsye ndodhin vërshime të tilla”, tha Mjeku.

    Sasia e madhe e shiut që ka rënë këto ditë shkaktoi edhe probleme në furnizim me ujë të pijshëm.

    “Në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj që e marrim të patrajtuar nga Ibër Lepenci, për ta shpërndarë në Fushë-Kosovë, Obiliq e Drenas, tani janë jashtë funksionit, sepse niveli i turbullirës është i lartë dhe është e pamundur të trajtojmë ujë të pijshëm, deri në stabilizimin e ujit të Ibër Lepencit, kanal që menaxhohet nga ndërmarrja publike e Ibër Lepencit”, tha Mjeku.

    Por pavarësisht problemeve që shkaktuan, reshjet e shiut sollën edhe një të mirë.

    “Sot niveli i ujit në liqenin e Badocit ka arritur kuotën maksimale të kapërderdhjes pas shumë viteve, ndërkaq që liqenin e Batllavës e kemi që dy muaj në kuotën maksimale të kapërderdhjes, gjë që siguron mjaftueshëm ujë të pijshëm gjatë verës”, tha Mjeku.

    Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Stano: Jemi në komunkim me të dyja palët, edhe me KFOR-in

    Stano: Jemi në komunkim me të dyja palët, edhe me KFOR-in

    Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shtendosin situatën shpejt, me urgjencë dhe në mënyrë kuptimplote. Një zëdhënës i BE-së, Peter Stano, tha se për BE-në është e rëndësishme që të qartësojë rrethanat e, siç e quajti, arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe të sigurisë.

    Ai tha se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell i ka ftuar kryeminstrin Kurti dhe Presidentin Vuçiq për një takim krize javën e ardhshme në Bruksel, për shkak të tensioneve dhe mungesës së hapave thelbësorë për shtendosje.

    “Jemi në dijeni të arrestimit të policëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Ne jemi në komunkim me të dyja palët dhe me KFOR-in për të kuptuar saktësisht se cfarë ndodhi dhe si ndodhi. Kjo është shumë e rëndësishme që ta kemi në tavolinë; qartësimi se cfarë ndodhi dhe si ndodhi. Deri atëherë ne i bëjmë thirrje të dyja palëve që vërtetë të mos bëjnë asgjë, asnjë aksion ose reagim që mund të ndez më shumë situatën tashmë të tensionuar. E ripërsërisim thirrjen tonë për të dyja palët që të shtendosin situatën; shpejt, me urgjencë dhe në mënyrë kuptimplote”, tha Stano.

  • Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

    Milatoviq: Ndajmë qëndrimin e BE-së për veriun e Kosovës, i gatshëm për të ndihmuar

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq u shpreh sot se Mali i Zi mbështet fuqishëm dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se është i gatshëm të ndihmojë nëse i kërkohet ndihmë.

    “Ne e mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse kërkohet ndihmë nga ne, por normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është me të vërtetë, më duket, baza e një Ballkani perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë dhe ne për këtë po angazhohemi”, tha Milatoviq në një intervistë për agjencinë MIA.

    Ai tha se personalisht do të dëshironte dhe mendon se të gjithë në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të dëshironin të shihnin një de-eskalim të plotë të konfliktit dhe në përgjithësi të mosmarrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe vuri në dukje se përmirësimi shtesë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi.

    Sipas tij, Mali i Zi ndan plotësisht qëndrimin me Bashkimin Evropian (BE) se për të de-eskaluar tensionet është e nevojshme që sërish të zhvillohen zgjedhjet në veri të Kosovës dhe të plotësohen parakushtet për formimin e Asociacionit të komunave serbe.

    “Mendoj se ne kemi një qëndrim krejtësisht identik për këtë çështje me BE-në, se për të arritur atë de-eskalim, duhet të mbahen sërish zgjedhje në veri të Kosovës, duhet të përmbushen parakushtet që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, si disa hapa drejt deeskalimit të mëtejshëm të tensioneve. Mali i Zi mbështet gjithçka që të çon në këtë drejtim”, u shpreh Milatoviq.

    “Besoj se ne me të vërtetë kemi nevojë për një Ballkan Perëndimor të prosperuar dhe të qëndrueshëm si pjesë e BE-së”, theksoi presidenti i ri malazez, në një intervistë në margjinat e Forumit të Prespës në Maqedoninë e Veriut.

    Milatoviq tha se mendon se iniciativa “Ballkani i Hapur” është një gjë e mirë për Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor dhe se mund të jetë një trampolinë e mirë për integrimin evropian.

    Dje (15 qershor), përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar se javën e ardhshme do të ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

    Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

    Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

    Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve.

  • Gjermania kërkon lirimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe

    Gjermania kërkon lirimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe

    Gjermania ka kërkuar sot lirimin e pakushtëzuar të tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe në veri.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shpërndarë në Twitter një postim të ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të depërshkallëzojnë situatën menjëherë.

    Ndryshe, tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot i është shqiptuar masa e paraburgimit. Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.

    Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

    Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe./KP

  • Kushtetuesja: Kuvendi kishte të drejtë për shkarkimin e Bordit të ARH-së

    Kushtetuesja: Kuvendi kishte të drejtë për shkarkimin e Bordit të ARH-së

    Gjykata Kushtetuese konstaton si të pabazuar kërkesën e parashtruesve nga ish-dhjetë deputetët në lidhje me shkeljet e pretenduara për shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave nga ana e Kuvendit të Kosovës.

    Kuvendi i Kosovës më 2021 kishte shkarkuar Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) me këtë përbërje: Arsim Berisha kryesues, Gëzim Qerimi anëtar, Shkumbin Hyseni anëtar dhe Ilmi Ahmeti anëtar.

    Në aktgjykim thuhet se gjykata gjeti se Kuvendi me rastin e shkarkimit të anëtarëve të Bordit të Hekurudhave përmes vendimit të kontestuar, ka vepruar në rolin mbikëqyrës ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës dhe ka ushtruar funksionin e përcaktuar në nenin 38 të Ligjit nr. 04/L -063 për Hekurudhat e Kosovës.

    Kushtetuesja të premten publikoi aktgjykimin në rastin (KO 139/21), të parashtruar nga Fadil Nura dhe 9 deputetë tjerë, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 21 korrikut 2021, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

    “Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës, në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ishte e pabazuar për shkak se (i) Vendimi i kontestuar ishte bazuar në Rekomandimin e Komisionit përkatës i cili përmbante arsyet sipas së cilave propozohej shkarkimi i anëtarëve të Bordit; dhe se (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dëshmuar se legjislacioni në fuqi e përjashton këtë kategori funksionarësh publik nga detyrimi për të kërkuar mbrojtje juridike në gjykatat e rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

    Nga Grupi Parlamentar i PDK-së, ish-deputeti Fadil Nura kishte kundërshtuar fuqishëm rekomandimi i Komisionit për Bujqësi për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

  • ​Haxhiu: Skenari për thellimin e tensioneve po vazhdon përmes autokratit Vuçiq

    ​Haxhiu: Skenari për thellimin e tensioneve po vazhdon përmes autokratit Vuçiq

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas caktimit të masës së paraburgimit për tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe. Ajo ka thënë skenari për thellimin e tensioneve po vazhdon nga Serbia agresore përmes presidentit autokrat Vuçiq.

    Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve kufitarë që po mbahen në Serbi.

    “Skenari për thellim të mëtejmë të tensioneve po vazhdon nga Serbia agresore përmes presidentit autokrat Vuçiq. Gjykata e dirigjuar nga lartë paska dhënë masë të paraburgimit për 30 ditë për policët e Kosovës, të rrëmbyer dy ditë më parë në Leposaviç. Por për çfarë? Vlerat perëndimore si demokratizimi i shoqërisë dhe pavarësimi i institucioneve duhet të jenë presion ndaj Serbisë. Dirigjimi i institucioneve të drejtësisë nga Vuçiq ka pasoja edhe në Ballkan”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se demokracia nuk mund të ketë aleat autokracinë dhe as nuk mund të thellohet deri në absurd e të rri e heshtur ndaj autokratëve./KP