ATV

Category: Lajme

  • Shënohet 80 vjetori i lindjes së veprimtarit, Ukshin Hoti

    Shënohet 80 vjetori i lindjes së veprimtarit, Ukshin Hoti

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Për nder të 80 vjetorit të lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti janë bërë homazhe tek pllaka e të Pagjeturve në Prishtinë nga drejtues të shtetit. Jeta dhe vepra e ukshin Hotit u çmua lart derisa u kërkua drejtësi për të gjithë të pagjeturit.

    Është i vetmi person i pagjetur i Masakrës së Dubravës. Se çfarë ka ndodhur me fatin e veprimtarit, Ukshin Hoti besohet se fshihet në arkivat e shtetit të Serbisë.

    Në 80 vjetorin e lindjes së Hotit, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i ka shkruar Serbisë me kërkesë për hapjen e arkivave të dokumentacionit të klasifikuar të brigadës të motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash.

    Hapja e arkivave ishte pjesë e deklaratës për të zhdukurit e cila u nënshkrua nga Kosova e Prishtina më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut.

    Përpos nderimit që bëri në Parkun e të Pagjeturve për ditëlindjen e Ukshin Hotit, u shënua edhe ceremoni të organizuar nga Zyra e kryeministrit.

    Ukshin Hoti u lind më 17 qershor 1943 derisa u zhduk nga 16 maji i vitit 99.

    Duke qenë filozof dhe aktivist, profesor së drejtës ndërkombëtare dhe filozofisë Hoti mbetet njëri prej figurave më të shquara të shoqërisë kosovare.

    Për nder të ditëlindjes së tij edhe komuna e Rahovecit ka organizuar manifestim kulturor e artistik derisa u bë përurimi i kompleksit kulturor-historik “Ukshin Hoti”, në Krushë të Madhe.

  • Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt

    Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU 

    Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt. Banorët e këtij fshati thonë se u detyruan të hapin rrugë alternative për qarkullim ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës thanë se vlerësimi i dëmeve fillon nga java e ardhshme.

    Rrugën e zakonshme nuk mund ta shfrytëzojnë tash për tash. Andaj banorët e fshatit Vranidoll krijuan rrugë alternative.  Në këtë fshat ka pasur përmbytje për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut këto ditë.

    “Te unë ka shkaktuar dëme në 1 hektar, te djali vëllait 1 hektar e 30 ari, kemi pasë të mbjellura perime, por ato i ka dëmtuar të gjitha. Nuk është hera e parë, nga nëntori është e pesta herë që është në këtë gjendje. Kemi bërë ankesa, e ato asgjë nuk kanë vlerë”.

    Për t’i parë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet doli edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

     “Komuna e Prishtinës ka buxhet, tash sa duhet ndoshta nuk kemi sa duhet por normal që do të kemi bashkëpunim me siguri të mirëfilltë edhe me nivelin qendror që tu ndihmojmë banorëve”.

    Ndërkaq, Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave tha se nga java e ardhshme do të bëhet vlerësimi i dëmeve.

    “Sa i përket aspekteve të tjera ne u kemi treguar edhe qytetarëve dje që munden prej të hënës të vijnë dhe të paraqesin kërkesë. Ekipet tona do të dalin dhe do të bëjnë vlerësimin e dëmeve, ekziston komisioni që është aktiv që bën vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, ne jemi në koordinim me kryetarin ku do të bëjmë vlerësimin e dëmeve, normal duke u varur edhe nga mundësitë buxhetore që i ka kryeqyteti”.

    Përveç kryeqytetit, si pasojë e reshjeve të shiut vërshime pati edhe në Podujevë Mitrovicë e Vushtrri derisa moti pritet të përmirësohet ditët në vazhdim.

     

     

  • Dëmtohet ura në fshatin Plemetin të Obiliqit

    Dëmtohet ura në fshatin Plemetin të Obiliqit

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU 

    Ura që lidh fshatin Plemetin dhe qytetin e Obiliqit, tash e disa muaj është dëmtuar. Derisa qytetarët përdorin rrugë alternative për qarkullim, sipas tyre, qarkullimi është i vështirë. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës nuk tregoi se kur pritet të rregullohet ky problem.

    “Kjo është rruga alternative e cila po shfrytëzohet nga banorët e fshatit Plemetin, për t’u lidhur me qytetin e Obiliqit, kjo pasi që ura që gjendet në këtë fshat është dëmtuar tash e disa muaj”.

    Përdorimi i rrugës alternative qytetarëve u shkakton telashe, meqë i dëmton veturat.

    “Është shumë problem sepse përmes urës nuk mundemi me kalu dhe shumë gropa dhe veturat po prishen, po bëhen aksidente”.

    “Mu m’u ka prish këtu një herë vetura, gomat e veturës janë dëmtuar, është më mirë me rregullu urën se në këtë pjesë po prishen veturat”.

    Kjo rrugë alternative, po ashtu, po shkakton tollovi në komunikacion.

     “Problem po sjell kjo, sytë janë për me pa. Po e zgjatë kohën për me kalu në këtë rrugë alternative, për shkak se po kemi problem m’u kthy këtu.”

    Kjo urë e cila është dëmtuar tash e disa muaj, është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, por ky institucion nuk është përgjigjur se kur pritet të rregullohet ura.

    Ndërkaq, Komuna e Obiliqit i tha televizionit se do të fillojë vetë të bëjë intervenime në rregullimin e saj.

  • Tensionet në veri, “frikë” për investitorët

    Tensionet në veri, “frikë” për investitorët

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Situata e krijuar javët e fundit në veri të Kosovës mund të ketë efekt të rëndë edhe në fushën ekonomike. Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se ndikimi do të jetë i madh meqë Kosova nuk shihet si shtet për investime.

    Për shkak të situatës së tensionuar politike e të sigurisë, hiç më mirë nuk pritet t’i ketë punët as ekonomia në vend. Sipas anëtarëve të opozitës në komisionet për buxhet dhe ekonomi situata aktuale politike bënë që vendi të mos shihet si opsion për investime.

    “Investitorët serioz, investitorët strategjikë, investitorët e mirëfillte nuk kërkojnë situata të tilla, kërkojnë stabilitet dhe vend normal ku funksionon rendi dhe ligji. Veçanërisht kësaj përkeqësimin e situatës edhe me partnerët tjerë përveç me Serbinë, po ashtu investitorët e jashtëm do ti qetë në dilema të mëdha”

    “Kjo Qeveri e ka pruar situatën në këtë gjendje që nuk dihet si do të dalim nga ko krizë e thellë ekonomike por edhe pasigurisë”

    Por sipas njohësve të ekonomisë jo vetëm për shkak të veriut, ekzekutivi përgjithësisht ka dështuar në aspektin ekonomik.

     “Me veprimet patriotike që është duke I zhvillu po mundohet ta zbeh dështimin që e ka pasur në ekonomi këto 2 vite e gjysmë. Këto po janë më shumë politika popullore që ndikojnë nëpërmjet veprimeve në pjesën e veriut…”

    Qeveria në mes tjerash më 15 qershor mori vendim për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend. Kjo ngjalli shqetësim se çmimet sërish mund të rriten.

    Por, autoritetet përgjegjëse njoftuan se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut.

     

     

     

  • Presidentja shpreson se marrëveshjet me partnerët do të tejkalohen

    Presidentja shpreson se marrëveshjet me partnerët do të tejkalohen

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Gjatë qëndrimit në Berlin, në një takim me gazetarë, presidentja Vjosa Osmani u tregua optimiste se mosmarrëveshjet që ka Kosova me partnerët perëndimorë do të tejkalohen. Sipas saj, kanë mbetur vetëm edhe disa detaje lidhur me mbajtën e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e policisë nga objektet komunale.

    Mosmarrëveshjet e tanishme të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas presidentes Vjosa Osmani do të tejkalohen se shpejti.

    Gjatë qëndrimit në Berlin me ftesë të presidentit gjerman, Vjosa Osmani theksoi se është koha për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

    “Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”

    Dy nga kërkesat aktuale të faktorit ndërkombëtar për institucionet kosovare janë mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe tërheqja e forcave policore nga objektet komunale në veri. Sipas presidentes Osmani, për përmbushjen e tyre kanë mbetur të sqarohen vetëm disa detaje.

    “Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje. Sa i përket tërheqjes së forcave policore, Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja.”

    Presidentja e Kosovës siguroi qytetarët se kriza aktuale në veri nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave.

    “Na janë dhënë garancitë  nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani.  Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët.”

    E para e shtetit udhëtoi në Berlin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale, për personat me aftësi të veçanta.

     

  • Përparim Rama viziton zonat e prekura nga vërshimet, premton kompensimin e dëmeve

    Përparim Rama viziton zonat e prekura nga vërshimet, premton kompensimin e dëmeve

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se lagjet e familjeve Verbovci dhe Leci në Barilevë janë zonat më të prekura nga vërshimet.

    Ai sot ka vizituar këto lagje për t’i parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, duke iu premtuar kompensim.

    “Lagjet e familjeve Verbovci dhe Leci në Barilevë të Prishtinës janë ndër zonat që janë prekur nga vërshimet. Sot me drejtorët, Lulzim Fushtica, Plator Gerdovci, dhe komandantin e Brigadës së Zjarrfikësve, Mal Gashi, vizituam këta bujq për të parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, të cilat janë të konsiderueshme. Gjithashtu, ne shkuam edhe në Prugoc, Drenoc dhe Bërnica e Poshtme.

    Do të zhvillojmë një plan të përgjithshëm për rregullimin e këtyre zonave, në mënyrë që banorët dhe bujqit të mos përballen më me probleme të tilla në të ardhmen. Ne do të merremi gjithashtu me kompensimin e dëmeve, disa prej të cilave do t’u jepen direkt banorëve nga institucionet e Kryeqytetit, ndërsa disa të tjera do të përfshihen edhe institucionet e tjera”, ka shkruar Rama.

    Ai tha se në asnjë rast nuk do t’i lënë këta banorë vetëm me problemet e tyre, dhe gjithmonë do të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë për ta.

  • Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 € për gazetarët e lënduar në veri të Kosovës

    Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 € për gazetarët e lënduar në veri të Kosovës

    Së fundmi në veri të Kosovës janë sulmuar disa gazetarë të mediumeve të ndryshme kosovare andaj Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 euro për gazetarët e lënduar.

    “Nuk ka asnjë çmim që mund të paguaj punën e tyre dhe vlerën e raportimit objektiv rreth ngjarjeve në veri, por kjo më shumë është solidarizim dhe mbështetje për ta. Faleminderit për përkushtimin dhe punën e palodhshme”, thuhet në njoftimin e Fondacionit.

  • Ish-bashkëpunëtori i Oliver Ivanoviqit thotë se u kërcënua me vdekje, Joviq: Largohem nga politika

    Ish-bashkëpunëtori i Oliver Ivanoviqit thotë se u kërcënua me vdekje, Joviq: Largohem nga politika

    Komisioneri i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq, ka njoftuar se për shkak të kërcënimeve më të fundit që ka marrë “nga një vend mëse serioz”, është i detyruar të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet politike lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

    Joviq, i cili jeton në Mitrovicën e Veriut, theksoi se në muajt e fundit ka marrë disa paralajmërime “të ketë kujdes, se mund të eliminohet, arrestohet ose vritet”.
    “Paralajmëroj opinionin publik se në mënyrë më se serioze, nga një burim më se serioz, kam marrë një paralajmërim se nëse vazhdoj çfarëdo aktiviteti politik, siguria ime dhe e të afërmve të mi direkt do të rrezikohen”, theksoi Joviq, pa specifikuar nga kush ka marrë kërcënime.

    Ai shtoi se deri më tani, asnjë kërcënim, “apo humbja e vendit të punës, arrestimi, suspendimi, pasojë e të cilave mund të jenë lëndime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën”, nuk mund ta trembin atë.

    Kujtojmë se Joviq ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq dhe është një nga më meritorët për faktin se serbët nuk u dëbuan nga veriu i Kosovës në vitin 1999.

    Joviq ishte një nga liderët e protestave serbe më 13 qershor, kur M.M u arrestua, duke brohoritur “Tradhti, tradhti” dhe duke fyer presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Ai atë ditë iu drejtua qytetarëve të mbledhur dhe më pas bëri thirrje për protestë të hënën para selisë së Listës Serbe. Kësaj tërheqjeje nga politika i kanë paraprirë edhe raportime të pakonfirmuara për një sulm fizik ndaj tij.

    Në një intervistë për agjencinë Beta më 14 qershor, Joviq deklaroi se Lista Serbe e ka humbur besueshmërinë e saj dhe se nuk mund të përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.

    “Që nga viti 2013 kemi pësuar kërcënime dhe shantazhe nga Beogradi. Pas gjithë barrikadave të organizuara nga lista e Beogradit dhe Srpska dhe pas çdo mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjendja sa vjen e përkeqësohej për serbët në Kosovë. Të gjitha veprimet e bëra nga Lista Serbe për t’i bërë gjoja rezistencë Prishtinës, rezultuan të kota sepse të gjitha direktivat vinin nga Aleksandar Vuçiq”, tha Joviq.

    Ai ka theksuar se pas barrikadave të para, në veriun e Kosovës erdhën njësitet e policisë speciale të Kosovës, pas të dytës u ndërtuan bazat speciale të policisë dhe pas barrikadave të treta, veriu u morr plotësisht.

    Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës ka shprehur indinjatën për kërcënimet e dërguara ndaj Komisionerit për Kosovë, Nebojsha Joviq.

  • Gazetari i dhunuar rrëfen situatën e sulmit në Kosovë: Fillimisht gjuajtën me shock-bomba

    Gazetari i dhunuar rrëfen situatën e sulmit në Kosovë: Fillimisht gjuajtën me shock-bomba

    Situata në veri të Kosovës ditët e fundit ka qenë mjaft e tensionuar, ku ka pasur dhe sulme të herëpashershme ndaj policisë, gazetarëve dhe jo vetëm.

    Pleurat Salihu është një nga gazetarët e dhunuar në Kosovë. Ai ka treguar për Euronews si ndodhi sulmi ndaj tij dhe kolegëve në Leposaviç.

    Ai tha se fillimisht kanë shkruar në pjesën veriore ku ndodhet dhe stacioni policor sepse bënë një raportim nga aty.

    “Kur kemi shkuar në Leposaviç vazhduam të qetë, pa provokime, pa e kthyer kokën në të djathtë apo në të majtë edhe pse kanë qenë ato ofendimet, sharjet që i kemi përjetuar vazhdimisht dhe kemi shkuar deri te vendi ku është dhe objekti i komunës. Jemi stacionuar aty, ka qenë dhe ekipi i një media tjetër. Ai tregoi se në momentin që u vendosën në një nga çadrat që është vënë për mos t’u lagur nga shiu protestuesit dhe për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta. Ish-kryetari i Leposaviçit iu ka dhënë urdhër tre qytetarëve serbë që të na largojë nga çadra dhe të dalim ne në shi. Jemi larguar, kemi ndenjur në shi,” – u shpreh Salihu.

    Sipas gazetarit në momentin që Elbert Krasniqi ka dalë nga dera e komunës është dëgjuar shock-bomba e parë drejt ministrit dhe drejt gazetarëve. Ai tregoi se kameramani që ka pasur afër ka pasur probleme me dëgjimin.

    “Në momentin që e ka kaluar portën, ish-kryetari i Leposaviçit ka dhënë urdhër, sulmoni automjetin e ministrit me gjithçka,” – u shpreh Salihu.

    Nga këto incidente, gazetari ka mbetur me krahun e thyer.

  • KFOR-i dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në veri: Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit

    KFOR-i dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në veri: Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR i ka dënuar ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

    Në reagimin e KFOR-it thuhet se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.

    “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatën për media.

    Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë dislokuar rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme.

    “KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    KFOR-i ka thënë tutje se vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe se mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja rrugë përpara.

    “Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me ​​të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së. dhe komunitetit diplomat.