Evropa duhet të përgatitet për më shumë valë vdekjeprurëse të të nxehtit, të nxitura nga ndryshimet klimatike, është thënë në një raport të publikuar të hënën.
Sipas gjetjeve – të raportit të përpiluar nga Organizata Botërore për Mot dhe Shërbimi Evropian për Klimën – ky kontinent ka qenë 2.3 gradë Celsius më i nxehtë vitin e kaluar, në krahasim me epokën para-industriale.
Thatësia, temperaturat rekorde mbi sipërfaqe të detit dhe shkrirja e pashembullt e akullnajave, janë në mesin e pasojave me të cilat po përballet bota, si pasojë e ngrohjes globale.
Evropa, e cila është ngrohur dyfish më shumë sesa mesatarja globale, prej vitit 1980, ka regjistruar rekord të temperaturave vitin e kaluar.
Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë regjistruar vitin e kaluar, verën më të nxehtë ndonjëherë në histori.
Në raport është thënë se më së keqi do të goditen vendet e varfra, të cilat kanë bërë pak për t’i luftuar emetimet e karbonit, të cilat e rrisin temperaturën.
Sipas raportit, i nxehti ekstrem i ka lënë më shumë se 16.000 njerëz të vdekur vitin e kaluar, derisa vërshimet dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme në vlerë të 2 miliardë dollarëve. /rel
Përmbytjeve si rezultat i reshjeve të shiut nuk iu shpëtoi as fshatin Karaçë, i komunës së Vushtrrisë. Në një pjesë të fshatit dheu ka filluar të shembet, duke përfunduar brenda një shtëpie. Pronari i saj thotë se deri në një zgjidhje janë të detyruar që të banojnë te të afërmit. Ai thotë se nga komuna ende nuk kanë ardhur askush për ta parë dëmin.
Dheu që u shemb për pak sa nuk ia rrënoi gjithë shtëpinë, Arben Fekës, nga fshati Karaçë, i komunës së Vushtrrisë.
Gurët bashkë me dheun që rrëshqiti si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, përfunduan brenda shtëpisë.
Jemi kanë t’u hëngër bukë, ja nisi me ra shi, e nijsha që po kërcet diçka shpija. Kur kemi dalë jashtë e kemi pa që guri e ka godit. E kom marr familjen, kemi dal jashtë, e ma shiu nuk është ndalë kurrë.
Kjo situatë ka detyruar familjen Feka, që nga e enjtja të shpërndahet nëpër të afërmit e saj, për të banuar derisa komuna t’ia bëjë një zgjidhje.
Unë kam shku edhe në komunë, në vjeshtë, i kam thanë që hajde të bëjmë një zgjidhje se ja ka nisë me u shemb dheu, por m’kanë thanë që jo, nuk shembet ma. E tash jemi shpërnda kah po mundemi me fjet, e të shohim çka po bohet, se nuk po dimë sen hala.
Reshjet e mëdha të shiut, gjatë javës së kaluar bënë që shumë shtëpi, shkolla e biznese private, në komunën e Vushtrrisë, të përmbyten nga uji. Por nga komuna, thonë se nga e mërkura, do të dalin në terren për ta vlerësuar dëmin.
Nga reshjet e pandërprera të shiut gjatë javës së kaluar, shumë fshatra të Vushtrrisë u përmbytën. Si pasojë edhe mësimi në të gjitha shkollat nuk qe i mundur. Uji depërtoi edhe në objektin e qendrës së kulturës të një shkolle dhe pamundësoi mbajtjen e shumë aktiviteteve, që i kishin në plan t’i mbanin që nga kjo e hënë. Ndërkaq, nga komuna e Vushtrrisë thonë se mësimi ka rifilluar këtë të hënë si dhe dëmet e shkaktuara do të vlerësohen.
Qendra e kulturës në shkollën fillore “Bahri Kuçi”, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë, as këtë të hënë nuk u shfrytëzua nga nxënësit.
Uji që hyri brenda si pasojë e reshjeve të shiut, është larguar tashmë, ndërsa në oborrin e shkollës ku para disa ditësh nuk pati mundësi askush të kalojë, ka mbetur vetëm llumi.
Por, për dallim nga e java e kaluar, mësimi në këtë shkollë dhe në shkollat e tjera të Vushtrrisë filloi normalisht.
“Jemi të shqetësuar pasi që në shtëpinë e kulturës që e kemi në oborrin e shkollës, është dëmtuar çatia për shkak të reshjeve të mëdha. Domethënë e kanë kapluar sallën e madhe reshjet e mëdha të shiut, si dhe ekipet emergjente të komunës kanë konstatuar që duhet të bëhet një vlerësim i dëmeve. Ndërkaq, të enjten dhe të premten ka qenë pushim pasi që ka nxënës përreth që kanë qenë të rrezikuar gjatë rrugës”.
Pllana për më tepër, thotë se nuk është në dijeni nëse orët e humbura të mësimit do të kompensohen.
“Për kompensim të orëve nuk kemi njoftim zyrtar, por zakonisht kur humbet procesi mësimor, drejtoria komunale e arsimit e gjen ndonjë ditë që të kompensohen këto orë”.
Derisa njoftoi se shumë shpejt do të nisë vlerësimi i dëmeve, Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, tha se ende nuk e di nëse Komuna do të mund t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga përmbytjet e fundit.
“Pjesa e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë edhe mbyllja e shkollave, të enjten pasdite dhe të premten, kështu që sot ka rifilluar mësimi në të gjitha shkollat e komunës së Vushtrrisë, disa shkolla kanë qenë plot baltë për shkak të vërshimeve. Do të rishikojmë nga buxheti i komunës si dhe do t’i ndihmojmë qytetarët sa të kemi mundësi, por nëse nuk kemi mundësi t’i plotësojmë kërkesat e qytetarëve, do të kërkojmë ndihmë nga Qeveria”.
Përveç Vushtrrisë, si pasojë e reshjeve të shiut, edhe Prishtina, Podujeva dhe Mitrovica u përmbytën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq, ende nuk i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për takim në Bruksel. Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se kështu po provohet që të sabotohet dialogu. Sipas tyre, një gjë e tillë do të ishte në dëm të Kosovës, ani pse thonë se dështimin e dialogut nuk do ta lejojnë assesi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as Bashkimi Evropian.
Mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuqiq, duket se nuk ka aq disponim për takim.
Si njëri ashtu edhe tjetri, nuk i janë përgjigjur ende pozitivisht thirrjes për takim në Bruksel.
Në këtë mënyrë, sipas njohësve të politikës, po tentohet të sabotohet dialogu.
“Fatkeqësisht edhe Kosova edhe Serbia, edhe pse janë pajtuar për marrëveshjen, nuk janë të gatshme që ta zbatojnë atë. Kosova në këtë rast Kurti, problem e ka themelimin e asociacionit, pra asociacioni është pengesë që Kurti e ka problem me tejkalu dhe duket që po i kontribuon situatës me veriun, që me e sabotu procesin e dialogut dhe me e ringjallë një dialog të ri, që ndoshta kish me mbërri në një konferencë ndërkombëtare ku kish me u rinegociu komplet marrëveshja”.
Por një sabotim i tillë i dialogut, sipas Kabashit, nuk do t’i konvenonte Kosovës, pasi që rrezikon të mos jetë më çështje e BE-së.
“Nëse prolongohet edhe për një kohë, mandej hyjmë në një proces elektoral të Amerikës dhe institucionet e reja që do të themelohen në Bashkimin Evropian kështu që interesi i perëndimit do të bjerë dhe rreziku është që të shkojmë drejt një status-quo-je që më së shumti do ta dëmtonte Kosovën”.
Politologu Fidan Ukaj vlerëson se as SHBA-ja e as BE-ja nuk do ta lejojnë dështimin e dialogut, pasi thotë se kanë investuar shumë në të.
“Sigurisht që nuk jemi në fazën më të mirë të procesit të dialogut. Kemi kaluar nga takimet për zbatim të marrëveshjeve për normalizim të raporteve, në menaxhim të krizave, d.t.th është një kthim prapa në dialog. Mirëpo, unë mbes me shpresën se presioni amerikan dhe evropian mbi palët, do ta stabilizojë gjendjen në pjesën veriore të vendit”.
Kosova e Serbia ndonëse verbalisht, muaj më parë u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara, por që deri me tani asnjëra palë nuk ka treguar interesim në zbatimin e tyre.
Procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale, aktualisht është në vakum ligjor. Plotësim-ndryshimi i ligjit, që mundëson zgjatjen e afatit vetëm për dy vjet, është në proces. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatat e tjera të licencuara, kanë përsëritur kërkesën që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
Që nga shkurti i këtij viti, asnjë viktimë që ka përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovës, nuk ka pasur mundësi të aplikojë për ta marrë këtë statut pranë Komisionit Qeveritar.
Qeveria është në proces e sipër të plotësim-ndryshimit të ligjit që mundëson zgjatjen e afatit të aplikimit edhe për dy vjet të tjera.
Organizatat joqeveritare që merren me këtë çështje kërkuan njëzëri që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen, as e drejta në krimet e luftës nuk duhet të afatizohet. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një grup kaq të ndjeshëm, siç janë viktimat e dhunës seksuale të luftës. Këto gra dhe burra kanë presione, janë të stigmatizuar, të paragjykuar në familje, në shoqëri ende. Edhe pse ka një progres, edhe sot kur po flasim janë rreth 1500 gra dhe burra që përfitojnë dhe e kanë ndier dorën e shtetit që i përkrah në formë të pensionit”.
“Duke ditur që dy vite kalojnë shumë shpejt dhe nga 25 maji qysh ne e kemi informatën do të fillojë implementimi, sot jemi me datën 19 qershor dhe ende nuk ka filluar dhe dy vjet të plota nuk kanë mbetur. Ne si organizata kërkojmë që ligji të fillojë sa më parë me zbatimin dhe të mos jetë i kufizuar”.
“Ne sot si shoqëri, si institucione do të duhej të merreshim me punë, me rehabilitimin e të mbijetuarve të luftës, por edhe me përfitimin e benefiteve, siç janë të parapara me ligj, jo sot pas 24 vitesh ende duke kërkuar të zgjatet afati për aplikimin. Ka pasur shumë shqetësime, zhgënjime te komisioni, është pritur me vite të tëra për njohjen e statusit. Kemi kaluar edhe fazën e pandemisë gjatë pesë vitesh sa ka qenë afati. Gjatë këtij afati ka pasur raste që asnjëra nuk ka mundur të aplikojë.”
E në lidhje me këtë, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje, deklaroi se kufizimi dhe mënyra e funksionimit të komisionit janë probleme të mëdha.
“Kemi dy probleme të mëdha, problemi i parë është kufizimi kohor, problemi i dytë mënyra e funksionimit të komisionit. Në dy vjet e fundit, katër herë kemi pasur në takim komisionin. Kemi shkuar në Drenas, kemi pasur viktima edhe brenda komisionit edhe për 15 vite ka qenë takimi më i rëndë në karrierën time. Me krejt energjinë kemi provuar të ndihmojmë, por prapëseprapë kemi pasur probleme”.
Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Aprovimi i statusit të viktimës së dhunës seksuale nga ky komision, u jep të drejtë viktimave që të marrin pagesë mujore prej 230 eurosh në muaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se brenda dy vjetëve kanë shtuar buxhetin e shtetit për arsim për 26%, por kanë shtuar shumë edhe numrin e bursave për nxënës të komuniteteve dhe për studentë, në veçanti për vajza që studiojnë në degët STEM, ku kanë pasur mbi 1300 bursa për vitin shkollor 2021/2022, e në këtë vit i kanë shtuar edhe 2 mijë bursa të tjera me dy milionë euro.
Këto komente Kurti i bëri gjatë vënies së gurthemelit të Shkollës Fillore në fshatin Dumosh, si dhe në vënien e gurthemelit të çerdhes në qytetin e Podujevës.
Në Dumosh të Podujevës, kryeministri Kurti me kryetarin Shpejtim Bulliqi, drejtorin e shkollës vunë gurthemelin e shkollës në vlerë prej 560 mijë euro, financim ky i mundësuar nga buxheti komunal.
Kjo shkollë ka kapaciteti për 170 nxënës dhe do të përfshijë 8 dhoma mësimi.
Sipas një komunikate të Qeverisë, qyteti i Podujevës do të bëhet edhe me një çerdhe të re me investim afër 700 mijë euro, gurthemelin e së cilës e vendosi kryeministri Kurti. Me këtë rast, ai njoftoi se objekti i çerdhes me sipërfaqe 1400 metra katrorë është i destinuar për 150 fëmijë.
Në këtë ambient fëmijët do të zotërojnë 7 dhoma për qëndrim, 3 dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike. Për këtë çerdhe, sipas kryeministrit do të punësohen 15 edukatore dhe 5 persona staf administrative.
Tutje në përgjithësi, kryeministri tregoi se çerdhe si kjo janë ndërtuar edhe katër të reja në vitin 2021/2022, përderisa në implementim janë edhe 14 çerdhe të reja në Kosovë e 5 adaptime, ndërkaq në planifikim edhe 17 çerdhe të tjera e 5 adaptime të shkollave në kopshte.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt ka thënë së Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi.
Sipas të parës së Drejtësisë, dhuna seksuale gjatë luftës, e përjetuar mbi trupat e grave dhe të burrave, është krimi më i rëndë dhe mizoria e cila ende nuk është dënuar e as nuk është vendosur drejtësi.
Ajo ka thënë se për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, duhet ti kërkohet Serbisë ti dorëzojë kriminelët e luftës që i mban në Serbi.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut.
Ajo ka thënë se nuk mund të falen e as të harrohen 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës.
“Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë!”, ka thënë Haxhiu.
Daut Haradinaj, përmes profilit të tij në Facebook ka vlerësuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pasi që sipas tij tregoi qëndrim dinjitoz rreth paralajmërimit të rikthimit të raporteve të ngrira në rast të moslirimit të menjëhershëm të policëve të zënë rob.
Ndër të tjera, Haradinaj u shpreh që po e humb mbështetjen e aleatëve tanë dhe kësisoj po e nxjerr nga fundosja Vuqiçin dhe po e dëmton Kosovën.
Shkrimi i plotë i Haradinajt:
Kryeministrin Rama duhet përgëzuar për qëndrimin dinjitoz që e kishte sot rreth paralajmërimit të rikthimit të raporteve të ngrira në rast të moslirimit të menjëhershëm të policëve të zënë rob.
Albin Kurti fatkeqësisht po rrëshqet në humbjen e kontrollit aq sa kishte në veri, po e humb mbështetjen e aleatëve tanë dhe kësisoj po e nxjerr nga fundosja Vuqiçin dhe po e dëmton Kosovën.
I bëj thirrje publike përfaqësuesve amerikanë dhe të BE-së që të ndërmarrin hapa konkret për lirimin e policëve të Republikës së Kosovës dhe mos të lejojnë degradimin e mëtutjeshëm.
Kryetari i Komisionit për Kosovë i Kuvendit të Serbisë, Milovan Drecun, ka thënë sot se është shumë e rëndësishme që serbët në veri të Kosovës dhe grupet e caktuara që kanë ide të ndryshme se si duhet të mbrohen interesat e serbëve në veri, t’i kuptojnë mesazhet e dërguara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe të shmangin çdo konflikt me KFOR-in.
Drecun vlerësoi se sipas tij, rënia e Listës Serbe dhe e liderëve të saj rrëzon drejtpërdrejt mundësitë e Beogradit dhe presidentit Vuçiq për të ndihmuar popullin serb që të përballet me krizën aktuale.
‘’Është e një rëndësie të veçantë që përgjigjet e serbëve të jenë të natyrës politike dhe çdo gjë që është përgjigje politike e serbëve është e pranueshme. Gjëja e dytë që dua të theksoj është se ka individë që do të shkatërronin reputacionin e Listës Serbe dhe ndikimin e saj në popullin serb, dhe në këtë mënyrë do t’i privonin Presidentit të Serbisë mundësinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme për t’i ndihmuar serbët’’- tha Drecun, raporton Kosovo Online.
Ai shtoi se ka grupe dhe individë që e bëjnë këtë dhe theksoi se nëse disa njerëz e kanë idenë se zgjidhja e vetme e krizës mund të jetë hyrja e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, ata duhet të mendojnë me kujdes se cilat do të ishin pasojat e këtij hapi.
‘’ Serbët në veri të Kosovës duhet të kuptojnë mesazhet që vijnë nga Beogradi dhe se është Lista Serbe ajo që është lidhja politike me Beogradin. Ata duhet të dëgjojnë se çfarë u thonë personat nga Lista Serbe dhe të sillen ashtu siç udhëzohen nga ata’’- shtoi Drecun.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti të hënën në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë, Pavel Bilek.
Sipas njoftimit të Qeverisë, palët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe punën e zhvilluar gjatë mandatit të ambasadorit Bilek përmes thellimit të bashkëpunimit mes vendeve si dhe vizitave të shumta diplomatike të zhvilluara si në Pragë e po ashtu dhe në Prishtinë.
“U theksua bashkëpunimi në fusha kyçe, veçanërisht sektori i energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimi i ujërave të zeza”, thuhet në komunikatën për media.
“Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht pranuan në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”.
Në takim bëhet e ditur se u bisedua dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është shtet sovran, i cili ndjek parimet demokratike e vlerat evropiane e perëndimore, dhe është në të drejtën e saj legjitime, për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.
“Puna mes vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të inkurajimit të rritjes së investimeve çeke në Kosovë dhe vizitave biznesore nga miqtë tanë në vendin tonë. Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi fat e suksese të mëtejme ambasadorit Bilek në angazhimin e tij të radhës”, thuhet mes tjerash në njoftim.