ATV

Category: Lajme

  • Osmani: Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë u bënë refugjatë

    Osmani: Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë u bënë refugjatë

    Presidentja Vjosa Osmani me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, ka kujtuar luftën e fundit në Kosovë.

    Ajo ka thënë se gjatë asaj periudhe, më shumë se gjysma e popullsisë janë bërë refugjatë si rezultat i gjenocidit të Millosheviqit.

    “Në Ditën e Refugjatëve kujtojmë sakrificën dhe vuajtjen e pamasë të refugjatëve në mbarë botën. Gjatë luftës në Kosovë, më shumë se gjysma e popullsisë sonë u bënë refugjatë si rezultat i gjenocidit të Millosheviqit”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Presidentja tutje ka thënë se “sot ne vazhdojmë të përforcojmë zërat e refugjatëve dhe të mbrojmë të drejtat e tyre”.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

    Gjykata Speciale me seli në Hagë ka vendosur për paraburgimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

    Trupi Gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së ka vendosur që Veselit t’i vazhdohet paraburgimi.

    Palët janë urdhëruar që parashtresat në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit të dërgohen deri më 28 korrik të vitit 2023.

  • Sulmi me molotov i veturës së Policisë në Leposaviq, nisin hetimet

    Sulmi me molotov i veturës së Policisë në Leposaviq, nisin hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi që me datë 15 qershor, të dyshuar të panjohur kanë hedhur koktej-molotovi në drejtim të veturës zyrtare të policisë.

    Rasti kishte ndodhur më 15 qershor, rreth orës 18:00, në Leposaviq dhe është në procedurë hetimore.

    Javën e kaluar pati momente tensionesh pranë komunës së Leposaviqit, derisa më 16 qershor kanë ndodhur disa sulme fizike ndaj gazetarëve.

  • Presidentja e Parlamentit Evropian: Situata në veri duhet të shtensionohet

    Presidentja e Parlamentit Evropian: Situata në veri duhet të shtensionohet

    Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit me kryetarin e Kuvendit te Kroacisë, Gordan Jandrakoviq, ka bërë thirrje për shtensionim e situatës mes Kosovës dhe Serbisë duke shprehur shqetësimin e saj për dhunën që po shfaqet në rajon.

    “Parlamenti Evropian ka bërë thirrje qysh prej se i kemi parë tensionet në mes Kosovës e Serbisë, për shtensionim. Nuk ka fjalë tjetër që mund të përdoret, shtensionimi duhet të ndodhë. Nuk mund të përballojmë të shohim më shumë dhunë, në një kohë kur kontinenti jonë është aq i cenueshëm dhe situata është e paqëndrueshme,” tha Metsola.

    Ajo gjithashtu shtoi se jo vetëm Parlamenti Evropian por edhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian kanë pasur një qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.

    Gjithashtu, ajo tha se edhe Kroacia mund të tregojë shembuj pozitivë duke qenë proaktive në thirrjet për deeskalim dhe qetësim.

  • ​Italia planifikon të rrisë kufirin e shpejtësisë në autostrada

    ​Italia planifikon të rrisë kufirin e shpejtësisë në autostrada

    Italia po shqyrton mundësinë që të rrisë kufirin e shpejtësisë në disa autostrada të saj ku aksidentet janë të pakta ose nuk ka fare të tilla. Aktualisht kufiri maksimal i lejuar në rrugët e Italisë është 130 km/h.

    Agjencia italiane e lajmeve, ANSA, duke cituar ministrin italian të Transportit, Matteo Salvini, raporton se edhe Qeveria italiane është e hapur ndaj kësaj mundësie.

    “Jam i bindur se në disa linja italiane që kanë një shkallë aksidenti afër zeros, në momente të caktuara dhe në prani të tre, katër apo edhe pesë korsive, mund të jetë një rritje e kontrolluar e shpejtësisë aktuale prej 130 km/h e të konsiderohet si në vendet e tjera evropiane”, tha Salvini.

    Këtë javë qeveria pritet të paraqesë një projektligj për sigurinë rrugore për të parandaluar aksidentet si ajo e një jave më parë në Romë, ku një djalë pesëvjeçar humbi jetën pasi u shtyp nga një makinë e tipit SUV, shoferi i të cilit dyshohet se po merrte pjesë në një sfidë në YouTube me katër personat e tjerë në veturë.

    Salvini tha se masat e reja të propozuara përfshijnë ndalimin e shoferëve të sapolicensuar nga drejtimi i makinave të mëdha për tre vjet, humbjen e përhershme të patentës së drejtimit për shkelësit e përsëritur që shkaktojnë dëme nga drejtimi në gjendje të dehur dhe dënime më të ashpra për ata që përdorin telefoni celular gjatë vozitjes.

  • Gjermania dhe Kina zhvillojnë bisedime mes tensioneve mbi Ukrainën

    Gjermania dhe Kina zhvillojnë bisedime mes tensioneve mbi Ukrainën

    Tregtia, ndryshimet klimatike dhe lufta në Ukrainë janë në rendin e ditës ndërsa kancelari gjerman, Olaf Scholz, mban bisedime me kryeministrin kinez, Li Qiang, i cili është në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga marrja e detyrës.

    Takimi i sotëm në Berlin përbën të shtatën herë që Gjermania dhe Kina mbajnë konsultime të nivelit të lartë qeveritar dhe vjen një ditë pasi presidenti kinez, Xi Jinping, takoi sekretarin e shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, duke treguar një përpjekje të Pekinit për përmirësimin e marrëdhënieve të ngrira me Perëndimin.

    Gjermania është e prirur të mbajë lidhje të mira me Kinën, partnerin e saj më të madh tregtar, pavarësisht nga kujdesi ndaj vendosmërisë në rritje të Pekinit dhe refuzimit për të kritikuar pushtimin rus të Ukrainës.

    Strategjia e sigurisë kombëtare e Gjermanisë e publikuar së fundmi e përshkruan Kinën si “një partner, konkurrent dhe rival sistematik”.

    Top Channel

  • Detaje të reja nga nëndetësja e zhdukur pranë rrënojave të Titanikut

    Detaje të reja nga nëndetësja e zhdukur pranë rrënojave të Titanikut

    Ekipet e kërkimet amerikane dhe kanadeze po luftojnë me kohën, për të gjetur një nëndetëse me turistë që është zhdukur në thellësitë e Atlantikut, që prej të dielës.

    5 vetë në bord kanë humbur çdo kontakt me botën jashtë, 1 orë e 45 minuta pasi nëndetësja është zhytur në ujë. Operacioni vijon prej 24 orësh, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

    Sipas ekipeve të kërkimit, pas të dielës, 5 personat në bord kanë vetëm 4 ditë oksigjen, që do të thotë edhe 3 të mbetura. Mes tyre, në bord është edhe biznesmeni miliarder britanik, Hamish Harding. Ky i fundit ishte mes 3 turistëve të tjerë, që kishin paguar biletën 250 mijë dollarë për t’u zhytur e për t’i parë sa më nga afër rrënojat e Titanikut.

    Nëndetësja ndiqet nga pas edhe nga një nëndetëse më e vogel dhe në çdo rast mund të shkëmbejë mesazh me këtë të fundit, por kurrsesi nën ujë nuk mund të ketë komunikim me GPS apo edhe përmes radios.

    Kompania “OceanGate” është e vetmja deri më sot që ofron 3 nëndetëse të afta për t’u zhytur mjaftueshëm në ujërat e Atlantikut për të parë nga afër Titanikun. Nëndetësja peshon 10 ton dhe mund të zhytet deri në 4000 metra. Ky është misioni i parë i “OceanGate” për këtë vit, ndërsa për 2024 janë parashikuar edhe 2 udhëtime të tjera 8-ditore në rrënojat e Titanikut.

  • Dita Botërore e Refugjatëve, Haradinaj: Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu

    Dita Botërore e Refugjatëve, Haradinaj: Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se shqiptarët e dinë më së miri ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

    “Dita Botërore e Refugjatëve na rikujton përpjekjen e okupatorit serb për spastrimin etnik duke deportuar me forcë miliona shqiptarë nga Kosova gjatë Luftës Çlirimtare 1998-1999, por edhe deportimin e qindra mijëra të tjerë anekënd botës nga zonat e luftës”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka falënderuar të gjithë ata që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira.

    “Shqiptarët më së miri e dinë ndjenjën e largimit me forcë nga atdheu…Falënderues përjetësisht ndaj të gjithë miqve tanë kudo nëpër botë që strehuan familjet shqiptare në ditët më të vështira”, ka thënë Haradinaj.

  • Ferizaj: Vdes një punëtor pasi bie nga lartësia

    Ferizaj: Vdes një punëtor pasi bie nga lartësia

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë ka vdekur në vendin e tij të punës pasi ka rënë nga një lartësi në rrethana të panjohura.

    Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 19 qershor 2023 në Ferizaj.

    Sipas raportit 24-orësh policor, viktima është dërguar për tretman ku mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës.

  • Mërgimtari nga Zvicra zhduket pasi zbriti në aeroportin “Adem Jashari”

    Mërgimtari nga Zvicra zhduket pasi zbriti në aeroportin “Adem Jashari”

    Një person, me vendbanim në Zvicër, ka zbritur me 18 qershor në aeroportin “Adem Jashari” dhe që nga ajo ditë, nuk dihet më për vendndodhjen e tij.

    “PERSON I ZHDUKUR/ANP- Adem Jashari 18.06.2023-14:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se personi mashkull kosovar me vendbanim në Zvicër më datën 18.06.2023 ka zbritur në ANP “Adem Jashari” dhe më nuk dihet për vendndodhjen e tij”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Tutje Policia njoftoi se rasti është në procedurë hetimore.