ATV

Category: Lajme

  • Escobar: Tensionet në Veri kanë potencial për t’u bërë konfrontim rajonal

    Escobar: Tensionet në Veri kanë potencial për t’u bërë konfrontim rajonal

    Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për situatën në veri të Republikës së Kosovës.

    Escobar ka thënë se Washingtoni zyrtar është shumë i shqetësuar, pasi që ajo që po ndodh në veri ka potencial për t’u shndërruar në një konfrontim rajonal.

    “Jam shumë i shqetësuar. Kjo ka potencialin që të bëhet një konfrontim rajonal. Prandaj ne po mbështesim shumë përpjekjen evropiane. Aspiratat e vendeve janë për t’u bërë pjesë e Evropës. Si përkrahës kryesor të Kosovës, ne duam ta shohim pjesë të NATO,-s BE-së”, ka thënë Escobar.

    Në hyrje të një interviste për Atlantic Council ka folur edhe Miroslav Lajcak, i cili ka thënë se fakti që janë në një intervistë të tillë bashkë tregon se Washingtoni dhe Brukseli janë bashkë.

    Lajcak ka thënë se po qëndron në Washington për të pasur një seri takimesh dhe për të diskutuar hapat e radhës.

    “Fakti që jemi këtu bashkë, tregon që po punojmë bashkë BE dhe SHBA. Jam këtu për të pasur një seri takimesh me partnerët këtu, sepse situata është mjaft kritike, dhe kemi nevojë për të diskutuar hapat e radhës. Situata është e tensionuar, s’kam pse e fsheh”, ka thënë Lajcak.

  • Orban i lutet Vuçiqit të lirojë tre policët e Kosovës

    Orban i lutet Vuçiqit të lirojë tre policët e Kosovës

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

    “Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

    Tre policëve të kidnapuar u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë.

  • Që pesë ditë vazhdojnë kërkimet për gruan që është hedhur nga ura e Fshajt

    Që pesë ditë vazhdojnë kërkimet për gruan që është hedhur nga ura e Fshajt

    Që nga dita e premte në Gjakovë po vazhdojnë kërkimet për gruan që është hedhur nga ura e Fshajt.

    Policia e Kosovës kishte informuar se gruaja kishte rënë nga ura rreth orës 10:00, ditën e premte, ndërkaq deri tani ende nuk është gjetur viktima.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha për telegrafin se kërkimet po vazhdojnë.

    “Njësitet e kërkim – shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet por deri tani ende nuk është gjetur viktima”, tha ai.

    Ndryshe, në njoftimin që kishte bërë Policia ditën e premte thuhej se, një femër e moshës madhore ka rënë nga ura e Fshajt në lumin Drini i Bardhë dhe se të gjitha njësitet e nevojshme policore dhe zjarrfikësit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Njësia për Kërkim Shpëtim.

  • Kryetari i “Dardanëve” reagon pas shkarkimit të Giresses, ka një mesazh për lojtarët

    Kryetari i “Dardanëve” reagon pas shkarkimit të Giresses, ka një mesazh për lojtarët

    Federata e Futbollit të Kosovës sot ka marr vendim për ta shkarkuar trajneri e Kosovës, Alain Giresse.

    Ky vendim i FFK-së erdhi pas rezultateve negative të kombëtares në kualifikimet për në Kampionatin Evropian Euro 2024, e sidomos pas humbjes të së hënës kundër Bjellorusisë.

    Pas shkarkimit të trajneri francez, ka reaguar edhe kryetari i grupit të tifozëve të Kosovës, të njohur si “Dardanët” i cili ka thënë se federata mori vendim të drejtë, por që ka porositur lojtarët që të angazhohen më shumë në fushë, raporton KosovaPress.

    “Kombëtarja nuk është klub. Fanella e saj djersitet, por edhe ndjehet. Është krenari ta mbash atë, jo obligim sa për t’u grumbulluar. FFK veproi drejtë me shkarkimin e Giresses, por nuk duhet harruar: tifozët duan angazhim me zemër, jo formal. Ata duan sukses. Prandaj edhe e mbështesin e i mbështesin futbollistët. Siç kanë bërë ashtu edhe do të bëjnë, veçse duhet reciprocitet: lojtarët t’ua kthejnë tifozëve, me angazhim! Veç kësaj, ditëve në vijim do të kemi takim bashkëpunimi me FFK-në, për t’u koordinuar për të mirën e Kosovës. Kosova përjetë dhe asnjëherë vetëm.”, ka shkruar Berisha në Facebook.

    Kosova është pjesë e grupit I në kualifikimet për në Euro 2024 dhe ka vetëm tri pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

  • Rusia kryen sulme ndaj Kievit dhe qyteteve tjera ukrinase

    Rusia kryen sulme ndaj Kievit dhe qyteteve tjera ukrinase

    Rusia ka sulmuar caqet ushtarake dhe infrastrukturore në Ukrainë në orët e hershme të së martës, përfshirë në kryeqytetin, Kiev dhe në qytetin perëndimor të Lvivit, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

    Ukraina tha se ka rrëzuar 32 prej 35 dronëve “Shahed” të prodhuar nga Irani, që ishin nisur nga rajoni Briansk i Rusisë, si dhe nga Deti Azov.

    Zyrtarët ukrainas thanë se një objekt shumë i rëndësishëm është qëlluar në Lviv, dhe që ndodhet vetëm 70 kilometra larg Polonisë, shtet anëtar i NATO-s.

    Megjithatë, përkundër këtyre sulmeve të kryera gjatë natës, nuk ka pasur raportime për viktima.

    Moska ka intensifikuar sulmet ajrore qëkur Kievi filloi kundërofensivën e shumëpritur, nëpërmjet të cilës ka thënë se ka rimarrë 113 kilometra katrorë të territorit, nga forcat ruse.

  • Hapet ekspozita e refugjatës ukrainase në Kosovë

    Hapet ekspozita e refugjatës ukrainase në Kosovë

    Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka organizuar ekspozitën “Lule kundër luftës”, me punimet e Liudmyla Makei – refugjate ukrainase në Kosovë.

    Pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehu solidaritetin ndaj të gjithë refugjatëve në botë.

    Ajo tha se populli i Kosovës e ndjen më së miri refugjatin, pasi kanë qenë të tillë në 1999.

    Osmani tha se Kosova do të avokojë gjithmonë për të drejtat e refugjatëve dhe solidrarizimin me të njëjtit.

    “Refugjatët nuk janë thjeshtë numra, por janë individë me aspirata dhe potencial”, tha ai.

    Solidaritet dhe avokim më të madh për refugjatët kërkoi edhe drejtoresha e QKRMT, Feride Rushti dhe drejtori i UNHCR-së në Kosovë, Ajrun Shrestha.

  • Haradinaj takon deputetët austriak: Austria ka luajtur rol të rëndësishëm në fazat më kryesore për Kosovën

    Haradinaj takon deputetët austriak: Austria ka luajtur rol të rëndësishëm në fazat më kryesore për Kosovën

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Austrisë.

    Kështu ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

    “Bashkë me kolegë pritëm në selinë qendrore të Aleancës delegacionin nga Parlamenti i Austrisë, i përbërë nga deputetët anëtarë të grupit të miqësisë Austri-Kosovë”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka thënë se kanë biseduar edhe për zhvillimet në veri të vendit.

    “Në takim biseduam për zhvillimet politike në vend, ku ndamë shqetësimin e përbashkët për situatën e krijuar në veri të vendit. Biseduam edhe për hapat e mëtejmë për depërshkallëzimit të situatës dhe zbatimin sa më parë të Marrëveshjes së Ohrit”, është shprehur Haradinaj.Haradinaj ka vlerësuar ndihmën e Austrisë në të gjitha fazat me rëndësi për Kosovën.

    “Gjatë bashkëbisedimit vlerësova ndihmën e Austrisë në të gjitha fazat me rëndësi për Kosovën, si në aspektin politik dhe në atë ekonomik”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Kurti e Gërvalla në konferencë të përbashkët për medie

    Kurti e Gërvalla në konferencë të përbashkët për medie

    Zyra për Media e kryeministrisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se sot në 15:30 do të mbahet një konferencë për media nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mbajnë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

    Mirëpo në këtë njoftim nuk është bere e ditur arsyeja e kësaj konference.

  • Stoltenberg i prerë: Mandati i KFOR-it i pathyeshëm, hapa të tjerë në Kosovë

    Stoltenberg i prerë: Mandati i KFOR-it i pathyeshëm, hapa të tjerë në Kosovë

    Përshkallëzimi i tensioneve mes Kosovës e Serbisë ka qenë në fokusin e takimit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

    “Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit të OKB-së është i pathyeshëm”, tha shefi i aleancës më të madhe ushtarake të globit.

    “Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që mjedisi atje të jetë i sigurt dhe do t’u japim të gjithë të përfshirëve të njëjtin nivel sigurie. Nëse është e nevojshme do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, por do te vazhdojmë dialogun e nisur nga BE”, tha Stoltenberg.

    Vetëm një ditë më parë, kreu i KFOR-it, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të heqin dorë nga retorikat e kota dhe t`i kthehen bisedimeve. “I bëj thirrje të dyja palëve të shmangin retorikën e panevojshme dhe ta përballojnë këtë sfidë duke u kthyer në tryezën e negociatave, e cila është mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, deklaroi ai.

    Edhe Brukseli pret “hapa të prekshëm” nga autoritetet në Prishtinë dhe Beograd për të reduktuar përshkallëzimin në Kosovë. Të hënën, zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, tha se kryeministri i Kosovës Aljbin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ende nuk e kanë konfirmuar mbërritjen e tyre në Bruksel për “takimin e krizës”, në të cilin Borrell i ftoi për të gjetur një zgjidhje për krizën e fundit në veri të Kosovës dhe diskutojnë zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Peter Stano përmendi dy takime të ardhshme, duke përfshirë samitin e BE-së më 29-30 qershor, ku vendet anëtare të BE-së mund të diskutojnë masat kundër të dy palëve nëse nuk arrijnë të bashkëpunojnë.

  • Shënohet Dita e Refugjatëve, YIHR prezanton tetë storje nga lufta në Kosovë

    Shënohet Dita e Refugjatëve, YIHR prezanton tetë storje nga lufta në Kosovë

    Youth Initiative for Human Rights (YIHR) përmes një ekspozite në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku u shfaqën tetë storje të refugjatëve nga lufta në Kosovë, ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, raporton Ekonomia Online.

    Siç u shpreh koordinatorja e Programit për Ballafaqim me të Kaluarën nga kjo organizatë, Bjeshkë Guri, ekspozita ka për qëllim “shërimin kolektiv” të popullatës të Kosovës, kur “dihet se mbi 80 për qind e popullatës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre”.

    Guri tha se ekspozita përbëhet nga minoritete, vende dhe profesione të ndryshme, në mënyrë që të jetë sa më gjithëpërfshirëse.

    “Kjo ekspozitë digjitale synon të mbledhë përvoja personale të personave që kanë qenë refugjatë gjatë luftës së Kosovës. Dihet se mbi 80 për qind e popullatës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, prandaj për neve është shumë e rëndësishme që ta nxisim një shërim kolektiv. Përvojat e qytetarëve janë heshtur, nuk janë dëgjuar”.

    “Prej vitit 2017 kemi marrë çdo vit nga 30 përvoja personale. Jemi fokusuar në vendet rurale. Kemi hasur shpesh në hezitime. Ata nuk ndihen që përvojat e tyre kanë vlerë”.

    “Në këtë ekspozitë po shfaqen tetë storje të ndryshme, tetë përvoja nga lufta e fundit në Kosovë. Ka prej vendeve të ndryshme, profesioneve të ndryshme dhe minoriteteve të ndryshme sepse mundohemi që muzeun ta bëjmë sa më gjithëpërfshirës”.

    Ajo po ashtu ka treguar se disa nga storjet janë anonime e se më së shumti janë serbët, ngase ata hezitojnë ta shfaqin emrin e tyre.