ATV

Category: Lajme

  • ShBA “zbulon” se pse e shpalli “non grata” kryetarin e Strugës

    ShBA “zbulon” se pse e shpalli “non grata” kryetarin e Strugës

    Koordinatori për Antikorrupsionin në Departamentin amerikan të Shtetit Richard Nephew intervistë me Shefin e Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, mbi përcaktimin e kryetarit të komunës së Strugës.

    Departamenti i Shtetit shpalli të martën si person ‘non grata’ Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut, për shkak, siç thuhet në njoftim, të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në procese gjyqësore, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike.

    Zëri i Amerikës: Zoti Nephew, zoti Escobar, Departamenti i Shtetit përcaktoi për korrupsion madhor kryetarin e bashkisë së Strugës, Ramiz Merko, duke e shpallur një person ‘non grata’. Siç kemi parë me përcaktime të tilla edhe në të kaluarën, njotimi nuk ka shumë specifika. A mund të ndani me më shumë informacion se përse është marrë ky vendim?

    Richard Nephew: Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se zoti Merko ishte përfshirë në korrupsion madhor. Dhe kështu sipas ligjeve, kur Sekretari arrin në këtë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm, siç ndodhi sot.

    Zëri i Amerikës: A mund të ndani me ne mbi çfarë provash konkrete është bërë ky përcaktim?

    Richard Nephew: Po, informacioni që u publikua si pjesë e njoftimit për shtyp tregon se bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore. Dhe ju e dini, duke pasur parasysh natyrën e përcaktimeve dhe bazën e tyre ligjore, ky është informacioni që ne mund të bëjmë publik mbi këtë rast.

    Zëri i Amerikës: A pritet të ketë ndikime politike pas këtij përcaktimi?

    Gabriel Escobar: Shpresoj që ky vendim do të ndihmojë qeverinë e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

    Zëri i Amerikës: Kemi parë që përcaktime që janë bërë në të kaluarën kanë ngritur pikëpyetje mbi efektshmërinë e tyre dhe nëse ato i shërbejnë synimit të shpallur?

    Richard Nephew: Një nga qëllimet kryesore të këtyre përcaktimeve, synimi kryesor i Kongresit që miratoi ligjin, është për të treguar mbështetjen tonë për sundimin e ligjit për përpjekjet kundër korrupsionit në mbarë botën. Dhe duke i identifikuar publikisht, duke i përcaktuar ata në bazë të ligjit 7031C dhe duke u mohuar mundësinë për të ardhur në Shtetet e Bashkuara, ne mendojmë se ndihmojmë në mbështetjen e parimit të sundimit të ligjit.

    Ne po ashtu mendojmë se forcojmë normat kundër korrupsionit në aktivitetet dhe praktikat në mbarë botën. Sa herë që flitet për kufizime vizash, ose sanksione, përherë lind pyetja e efektshmërisë dhe ndikimit të tyre. Në përgjithësi, ne kemi patur rezultate shumë të mira duke ndihmuar shoqëritë civile dhe aktivistë të tjerë, për t’u treguar atyre se nuk janë vetëm, se kur ndeshen me individë të korruptuar ata kanë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

    Zëri i Amerikës: Në vendimet tuaja, a ka rol fakti që një person që përcaktohet është ose jo në pushtet. Në shumicën e rasteve, ata që përcaktohen janë ish-zyrtarë dhe rrallë njerëz që janë në pushtet.

    Richard Nephew: Kjo ka të bëjë me pikëpamjen ligjore. Ligji thotë se kur Sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme që tregojnë përfshirje në korrupsiuon madhor, Sekretari është i detyruar të vendosë saknksione duke u mohuar këtyre individëve vizat. Pra nga ana ligjore ne veprojmë kur kemi informacione. Kjo është pjesë e hetimeve, që kryhen për të arritur në përcaktimin e dikujt. Nëse dikush është zytar, apo ish-zyrtar, kjo nuk ka shumë rëndësi për atë që na kërkon ligji për të bërë.

    Nga ana praktike, identifikimi dhe reagimi ndaj një ish zyrtari të përfshirë në akte korruptive ka meritat e veta. Një pjesë e arsyes pas veprimeve tona është të mbështesim shoqërinë civile, të mbështesim ata që kërkojnë t’i mbajnë përgjegjës individët e korruptuar. Pra që edhe pasi të jenë larguar nga pushteti të mos jenë në gjendje të përfitojnë nga ato që kanë bërë kur ishin në pushtet.

  • Lajçaku takon Nulandin: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog

    Lajçaku takon Nulandin: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog

    Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar Nënsekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland.

    Lajçak tha se me Nuland folën për situatën në veri dhe për mënyrën e daljes nga kriza.

    “Ramë dakord për rëndësinë e de-përshkallëzimit të menjëhershëm dhe kthimit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Lajçak.

    Kujtojmë se gjatë ditës, emisari special i ShBA-së Gabriel Escobar bashkë me ndërmjetësin Miroslav Lajçak, bënë thirrje që tre policët e kidnapuar të lirohen menjëherë nga autoritetet serbe, teksa thanë se secila palë që refuzon kthimin në dialog, do të ketë pasoja.

  • Ministrja Rizvanolli po qëndron në Zvicër, do të marrë pjesë Kongresin Botëror të Dhomave të Tregtisë

    Ministrja Rizvanolli po qëndron në Zvicër, do të marrë pjesë Kongresin Botëror të Dhomave të Tregtisë

    Për tri ditë rresht, nga data 21 deri më 23 qershor, në Gjenevë të Zvicrës do të mbahet Kongresi Botëror i Dhomave të Tregtisë. Në këtë kongres po merr pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila pritet të mbaje një fjalim para pjesëmarrësve, njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch.

    I përqendruar në temën “multilateralizmi në shërbim të paqes dhe prosperitetit”, ky kongres synon të nxjerrë në pah rolin e biznesit si një nga hallkat e multilateralizmit, në mënyrë që të parashikojnë së bashku një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë. Kongresi do të nxjerrë në pah gjithashtu rolin jetik të Dhomave të Tregtisë, të cilat punojnë për t’i shërbyer ekonomisë dhe bizneseve.

    Në këtë kongres pritet të jenë më shumë se 1,500 pjesëmarrës, të cilët përfaqësojnë më shumë se 100 vende. Punimet e kësaj konference pritet të vizitohen edhe nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), po ashtu Këshilli Evropian për Kërkime Bërthamore (CERN) dhe Campus Biotech.

  • Abazi: Korrupsioni po lulëzon në institucione, s’po merret kush me të

    Abazi: Korrupsioni po lulëzon në institucione, s’po merret kush me të

    Deputeti Haki Abazi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kurti duhet të dalë prej siç e quan ai, këtij rrethi vicioz të Serbisë dhe të merret me problemet e tjera që i ka vendi.

    “Tu tentu me pa Kosovën në dritën e krizës dhe garantimi i integritetit territorial nëpërmjet ushtrisë tonë në faza dhe lejimi i një ë modeli evropian, të cilin e ka pranu Kurti edhe në Bruksel edhe në Ohër, me ato problematikat e 2013-shit, 2015-shit, hajde shkojmë le ta lejojmë Kosovën me u zhvillu e me ecë në proceset integruese në Bashkim Evropian. Mos t’i lejojmë as Lajçakut, as Vuçiqit e as atij tretit që të na luajë lojë e cila realisht e prezanton Kosovën para gjithë botës si problematike e rrjedhimisht as turistët nuk na vijnë, se lëre më investitorët të cilët janë të interesuar për kapacitetet tona zhvillimore këtu”, tha Abazi.

    Ai tha se një ndër këto probleme është edhe korrupsioni, për të cilin tha po lulëzon në institucione dhe askush nuk po merret me të.

    “Mendoj që në këtë formë duhet me shtru edhe rrugën qysh ia bëjmë më të lehtë Kurtit me dalë prej këtij rrethi vicioz të kurthit të Serbisë që ka hyrë, që të vetmen dalje ka me këto popullizmat që ndjellin fushata aty linçimi, e ku i di unë ose glorifikim nacional, përderisa i ke tre policë në burg e ke njësinë speciale e cila është e angazhuar atje, mos e bën zot me ju tek dikujt në Kamenicë me ba naj problem, duhet me u shpërnda drejtime tjera edhe i ke realisht një pjesë të madhe të problemeve përbrenda institucioneve siç është lufta kundër krimit e korrupsionit, që po lulëzohet realisht, e s’po merret kush me të. Nëse pyesni përbrenda këtyre tenderëve të furnizimit me barna, tenderit të furnizimit me derivate, sa herë kontrollohen derivatet e Kosovës që hyjnë këtu. Mbi 90 për qind e sasisë së derivateve që hyn këtu nuk kontrollohet pikërisht për shkak të korrupsionit që bëhet”, tha Abazi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Kabashi: NATO nuk do të lejojë konflikt të ri në rajon

    Kabashi: NATO nuk do të lejojë konflikt të ri në rajon

    Gazetari dhe analisti, Bekim Kabashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk do të lejohet të ketë konflikt në rajon për shkak se sipas tij, NATO është prezente dhe se shumica e vendeve të rajonit janë pjesë e saj.

    “Mendoj që konflikt nuk lejohet më në rajonin e Ballkanit, për arsye se është NATO-ja prezentë, janë shumica e shteteve të rajonit anëtare të NATO-s dhe po shihet që po ndjekin qartë linjën e NATO-s, pavarësisht interesave kombëtare. Zakonisht në kur është përcaktu Kosova një rrugë në raport me Serbinë, a ka qenë e drejtë në kuptimin a ka qenë taktikë a strategji e duhur apo jo, Shqipëria edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë dhënë mbështetje bllanko, ma shumë ma shumë shkaku i çështjeve elektorale, sesa i fuqisë për me për me ndiku. Në këtë rast po shohim që Rama me të drejtë është duke e ndjekur linjën e NATO-s dhe s’ka zgjidhje tjetër se do të ishte problem i madh, të njëjtën gjë po e vepron edhe Maqedonia në këtë rast edhe shqiptarët e Maqedonisë që janë akterë i rëndësishëm në shtet”, tha Kabashi.

    Sipas tij, kryeministri Kurti situatën e ka çu deri në atë pikë, sa që Kosova do të ketë pasoja shumë më shumë se kur ka qenë në fillim.

    “Nëse është vetëm strategji e Kurtit deri në një pikë të caktume ku pastaj do të bëjë kthesë me përllogaritjen e tij se Kosova do të përfitojë në këtë proces dialogu, atëherë do të ishte në rregull dhe do t’i falej edhe do të duhej t’i jepeshin meritat, por frika e ime është se edhe nëse e ka pasë atë qëllim, e ka çu deri në atë pikë situatën sa që, edhe kur kthehet Kosova, do të ketë pasoja më shumë se sa në pozicionin kur e ka nisë këtë situatë”, tha Kabashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Të shtunën mbahet provimi i maturës

    ​Të shtunën mbahet provimi i maturës

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se provimi i maturës shtetërore do të mbahet të shtunën e 24 qershorit.

    Ministria ka deklaruar se i ka realizuar të gjitha përgatitjet për organizmin e këtij provimi duke theksuar se në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës.

    Ndërsa ka bërë të ditur se në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë.

    Provimi do të organizohet në 178 qendra të testimit.

    “Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master). Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit”, ka deklaruar MAShTI.

    Mediat do të mund të filmojnë në çdo qendër të votimit vetëm para fillimit të provimit të maturës.

    “Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi. Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit”, është bërë e ditur në njoftimin e ministrisë.

    MAShTI ka bërë të ditur se rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 3 korrik./KP

  • Abazi: Nëse palët nuk tërhiqen  prej idesë së tensionimit, mund të ketë humbje jetësh

    Abazi: Nëse palët nuk tërhiqen prej idesë së tensionimit, mund të ketë humbje jetësh

    Deputeti Haki Abazi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas arrestimit të policëve kosovarë, situata në vend është e rëndë dhe nëse Kosova dhe Serbia nuk tërhiqen nga tensionimi i situatës, mund të ketë humbje jetësh.

    “A ka qenë rruga më e mirë që ta kthejmë mundësinë e vendosjes së veriut në një administrim ndërkombëtar apo qoftë edhe një dorë e NATO-s nëpërmjet KFOR-it për ta kontrollu situatën atje edhe për të parandalu palët që të gjenden në një situatë çfarë u gjendën në këto dy muajt e fundi, sidomos me arrestimin e tre policëve të Kosovës atje, e cila mund të përfundojë siç e dimë në Ballkan me situata të tmerrshme, ku ka humbje, vrasje dhe mendoj që këtu është edhe frika e përfaqësuesit special, duke tërheqë para paralele me të kaluarën që një incident i tillë mund të përshkallëzojë situata dhe befasisht mund të gjendemi në një situatë që gjithë mund ta dinë se çfarë është, por askush nuk do ta shohë në një moment çfarë jemi tani”, tha Abazi.

    Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Rama, ku ky i fundit Kosovën e ka quajtur “Republika e KFOR-it”, duke thënë se deklaratat e një kryeministri të një shteti anëtar të NATO-s duhet të merren seriozisht.

    “Deklaratat e kryeministrit Rama tentojnë me përçu mesazh në gjendjen edhe analizën e informacionit që ka. Sigurisht që një kryeministër i një shteti i anëtarit të NATO-s duhet me marrë me shumë seriozitet, pavarësisht se në çfarë forme mundet me tingëllu sigurisht që ka indikacione e paralajmërime që mos tërheqja si themi e palëve prej idesë së tensionimit të situatës mund ta detyrojë bashkësinë ndërkombëtare që ta ngrisë angazhimin. Shtimi i numrit është për mua brengosës, sepse nuk vie pa analizë secilit anëtar të NATO-s duhet t’i shpjegohet veç e veç pse duhet shtuar numri i KFOR-it dhe kjo e bën realisht deklaratën ma pak të rëndësishme, sesa vetë përmbajtjen e asaj se çfarë po ndërmerr realisht NATO për veriun e Kosovës”, tha Abazi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Tri pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga ana e Serbisë

    Tri pika kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga ana e Serbisë

    Të gjithë kamionët si ky, u kthyen pas.

    Në pikën kufitare në Merdar që lidh Kosovën me Serbinë, asnjë kamion i cili kishte targa RKS nuk u lejua të kalonte. Përpos kamionëve, hyrja iu ndalua edhe autobusëve.

    Të hënën mbrëma, Serbia ka bllokuar edhe dy pika të tjera kufitare me Kosovën, Jarinjën e Bërnjakun.

    Shoferët e kamionëve pa dashur të flasin para kamerës, thanë se u kthyen pas për të vazhduar nga pikat tjera kufitare, si Mutivodë e Dheu i Bardhë.

    Por, pa ndonjë problem mund të kalonin serbët.

    As qytetarë nga shtete të tjera nuk hasën në vështirësi.

    Megjithatë, të shqetësuar ishin kosovarët, që prisnin të afërmit e tyre.

    Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, të hënën, njoftoi se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet Jarinjë dhe Merdar.

    Paraprakisht më 14 qershor, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në vend. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmuesit e gazetarëve mund të dënohen deri në 10 vjet burgim

    Sulmuesit e gazetarëve mund të dënohen deri në 10 vjet burgim

    Për katër vepra të ndryshme penale dyshohet i arrestuari për dhunën ndaj gazetarëve, Nemanja Vlaskovic, por asnjëra prej tyre nuk është sulm.

    Prokuroria ka konfirmuar për ATV-në se Vlaskovic, i cili po mbahet në paraburgim, dyshohet për “kalim të paautorizuar të vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare”, “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “dëmtim apo asgjësim të pasurisë” dhe “nxitje e përçarjes ose mos-durimit”.

    Dy të tjerët, Dalibor Spasic dhe Uros Vukosinovic, dyshohen për vepra të njëjta: “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
    Lajmet për arrestimet i dha i pari ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili, sipas mediave serbe, në njoftimin e tij ka rrumbullakuar gabimisht Vlaskovicin.

    Duke e marrë parasysh se procedura penale është në fazë të hershme, pasi ende nuk ka aktakuza, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tregoi se varësisht nga gjetjet, të dyshuarit mund të përballen me dënime të ndryshme.

    “Varet prokurori gjatë rrugës se si do t’i gjejë dëshmitë dhe provat, për të rrumbullakësuar pastaj aktakuzën, nëse bindet se ka dëshmi të mjaftueshme. Sidoqoftë, varet nga rrethanat se si janë kryer veprat penale, por veprën penale për shembull, pjesëmarrje në huliganizëm varësisht se si është kryer vepra penale, sa është dëmi i shkaktuar, mund të shkojë deri në 10 vjet burgim”, tha Miftaraj.

    Teksa njoftimet e ministrit i sheh si veprime politike, Miftaraj vlerëson se publikimi i emrave të të dyshuarve, siç bëri kryeministri, mund të kenë pasoja në efikasitetin e hetimeve – pasi të kërkuarit mund të rrisin vigjilencën.

    “Në momentin që Ministri i Punëve të Brendshme ka informacion se kush është duke u kërkuar, se për çfarë vepre është duke u hetuar, do të thotë ai është person i paautorizuar dhe ai nuk mund të ketë qasje në hetime apo në rast, që janë në procedurë mes Policisë dhe Prokurorisë. Sidoqoftë, në Kosovë gjithçka bëhet për propagandë, Ministri i Punëve të Brendshme, politikisht, për të përfituar te pjesa që nuk e kupton ligjin, s’e kupton procedurën”, tha Miftaraj.

    Që nga 26 Maji, në katër komunat me shumicë serbe në veri, janë regjistruar rreth 30 sulme ndaj punëtorëve të mediave – disa prej të cilëve kanë pësuar lëndime.

    Në një deklaratë të paprecedentë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, refuzoi t’i dënojë sulmet ndaj gazetarëve, teksa u vendosi etiketën “provokatorë”.

    Ndërsa, Lista Serbe vazhdon heshtjen dhe mohimin për dhunën nga njerëzit që u qëndrojnë përkrah liderëve të saj në protesta. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Escobar: Tensionet në veri kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

    Escobar: Tensionet në veri kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

    I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Ndërsa për të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, nëse situata nuk shensionohet mund të ketë viktima, gjë që nuk mund të lejohet.

    Këto deklarata ata i bënë në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.

    “Situata është shumë e vështirë. Jam shumë i shqetësuar, nuk e fsheh këtë. Që nga 26 maji ka njerëz në rrugë, aty është Policia e Kosovës, KFOR-i dhe tashmë kemi parë disa incidente. Unë vlerësoj se prioriteti i parë është shtensionimi, t’i largojmë njerëzit nga rruga dhe të rikthehemi në dialog. Si pjesë e procesit të normalizimit është që të kemi zgjedhje të reja, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës pa parakushte. Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], atëherë ne po presim që të kemi viktima”, tha Escobar.

    Pa dhënë ultimatum për Serbinë, të dy emisarët kërkuan lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës.

    “Ne themi menjëherë. Pozicioni ynë është se nëse janë kidnapuar apo kanë hyrë gabimisht në territorin e Serbisë, s’e kanë pasur këtë qëllim. Ata duhet të kthehen”, tha Escobar.

    Mirosllav Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk ka pasur asnjë rast që liderët ta refuzojnë ftesën për në Bruksel, prandaj nuk jam shumë i shqetësuar për retorikat që do të vijnë, ne po punojmë në këtë takim. “Por t’i thuash jo ftesës së Bashkimit Evropian do të ishte një akt vërtet serioz dhe negativ… Nëse do të refuzohej do të kishte pasoja serioze dhe negative”, tha Lajçak.

    Duke folur për kërkesën për zgjedhjet e reja në veri, Lajçak tha se për këtë ka dy mënyra.

    “Ose përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë në veri të Kosovës, apo përmes referendumit. Ai tha se të dyja do të ndiqnin ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës “Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Lajçak.

    Ndërkohë, Escobar u pyet për akuzat se SHBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën.

    GABRIEL ESCOBAR, I DËRGUARI I WASHINGTONIT PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
    “Gjithçka që kemi bërë në 90 ditët e fundit dhe 15 vjetët, ka qenë në favor të Kosovës. Serbia s’donte që ta njihnim, por ne e bëmë. Serbia s’donte kampanjë njohjesh, por ne e bëmë. Edhe në 90 ditët e fundit, Serbia donte t’i bënim presion Kosovës që t’i shmangë zgjedhjet, ne nuk e bëmë. Donte që të thoshim se zgjedhjet ishin të paligjshme, ne nuk e bëmë. Donte të thoshte se kryetarët ishin të paligjshëm, ne nuk e thamë dhe i njohëm. Sfidoj këdo që të më tregojë se ku kemi qenë të vështirë me Kosovën e të butë me Serbinë”, tha Escobar.

    Ai tha se Kosova duhet të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që bazohet në modelin më të mirë funksionues të BE-së. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: