ATV

Category: Lajme

  • Lirohet nafta në Kosovë, shtrenjtohen benzina e gazi

    Lirohet nafta në Kosovë, shtrenjtohen benzina e gazi

    Çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës kanë pësuar ndryshime sot, krahasuar me një ditë më parë.

    Sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), çmimi maksimal i naftës (dizelit) sot është 1.78 euro për litër, nga 1.79 euro sa ishte dje.

    Ndërkohë, benzina sot mund të shitet deri në 1.54 euro për litër, duke u rritur nga 1.53 euro sa ishte më 25 gusht.

    Edhe çmimi maksimal i gazit ka shënuar rritje, nga 0.62 euro në 0.63 euro për litër.

    Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot në orën 10:00.

  • 331 shërbime emergjente në QKUK gjatë 24 orëve të fundit, 25 persona u lënduan në aksidente

    331 shërbime emergjente në QKUK gjatë 24 orëve të fundit, 25 persona u lënduan në aksidente

    Qendra Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ofruar 331 shërbime emergjente për qytetarët gjatë 24 orëve të fundit.

    Sipas njoftimit të QKUK-së, fluksi i pacientëve në Qendrën Emergjente vazhdon të jetë i njëjtë, ndërsa rastet janë trajtuar në njësitë përkatëse.

    Në Reanimim janë trajtuar 79 pacientë, në Emergjencën Internistike 111 pacientë, në Emergjencën Kirurgjike 56 pacientë, ndërsa në Emergjencën Ortopedike 62 pacientë.

    Ndërkaq, në Sallën e Vogël janë trajtuar 23 pacientë, të cilëve u janë ofruar shërbime për qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve.

    Në mesin e rasteve të trajtuara janë evidentuar edhe 3 persona të përfshirë në përleshje fizike, si dhe 25 persona të lënduar si pasojë e aksidenteve në trafik.

    “Me angazhim, përkushtim dhe përgjegjësi, puna në Qendrën Emergjente po vazhdon pandërprerë, me qëllim që çdo pacient të marrë kujdesin dhe shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar edhe 36 pranime për trajtim në klinika të ndryshme të QKUK-së.

  • Konjufca deklarohet i pafajshëm, Prokuroria kërkon që të shpallet përgjegjës

    Konjufca deklarohet i pafajshëm, Prokuroria kërkon që të shpallet përgjegjës

    Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë rigjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Në seancën e sotme, Konjufca është deklaruar i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij,

    “Jo nuk ndihem fajtor”, tha ai.

    Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar që Konjufca të shpallet përgjegjës për veprimet për të cilat akuzohet.

    Rasti ka të bëjë me ngjarjet e 10 gushtit 2016, kur gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës në sallën plenare, duke ndërprerë punimet dhe detyruar deputetët dhe pjesëmarrësit e tjerë të largoheshin nga salla.

    Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, kishte refuzuar akuzën për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

    Gjykata e Apelit më pas e kishte prishur këtë vendim dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

    Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017. Sipas aktakuzës, Konjufca, në cilësinë e deputetit, kishte përdorur gaz lotsjellës gjatë mbledhjes së Kuvendit më 10 gusht 2016, duke pamundësuar zhvillimin normal të seancës.

  • Aleanca dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë, Tahiri: Nuk guxon ta shkelë ligjin

    Aleanca dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë, Tahiri: Nuk guxon ta shkelë ligjin

    Aleanca ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për siç thonë ata lidhur me vendimet antikushtetuese të Qeverisë në detyrë, raporton Ekonomia Online.

    Deputeti i kësaj partie Besnik Tahiri ka bërë të ditur se Aleanca ka deponuar kallëzimin penal ndaj Qeverisë në detyrë, respektivisht kryeministrit në detyrë, lidhur me vendimet e marra më 12 gusht.

    “Sot, Aleanca ka deponuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç edhe e ka paralajmëruar në tri konferenca rresht me radhë, një kallëzim penal për Qeverinë në detyrë, respektivisht kryeministrin në detyrë, për shkak se në datën 12 gusht të këtij viti, ata kanë marrë disa vendime të cilat në vlerësimin tonë dhe të juristëve që e përfaqësojnë këtë lëndë, janë vendime që bien ndesh me ligjin dhe me të gjitha rregulloret që i ka një qeveri”, tha Tahiri.

    Ai tha se Qeveria në detyrë nuk është qeveri e votuar dhe se, sipas tij, ligji e ndalon marrjen e vendimeve që lidhen me 17 vendime të miratuara në mbledhjen e Qeverisë.

    “Qeveria në detyrë quhet qeveri në detyrë për shkak se nuk është qeveri e votuar. Ajo e ka të ndaluar me ligjin për qeveri me marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci ekzekutive, në agjencione qeveritare, mirëpo në një rast edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm”, tha ai.

    Tahiri theksoi se Qeveria në detyrë, sipas tij, nuk guxon të shkelë Ligjin për Qeverinë dhe se kompetencat e saj janë të kufizuara.

    “Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar, ligjin për qeveri, në ligj të cilin kemi punuar edhe ne me ta. Për shkak se është ekskluzivisht e thënë qartë se kjo qeveri i ka kompetencat dhe detyrimet e kufizuara dhe rrjedhimisht me marrjen e këtyre vendimeve e kanë shkelur detyrën zyrtare dhe pozitën e tyre si ushtrues të detyrës”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se në kallëzimin penal është theksuar edhe çështja e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.

    “Po ashtu, ajo që theksojmë si Aleancë në këtë kallëzim penal është se një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet, ai apo ajo nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive për shkak se kjo është e ndaluar me ligj. Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër. Kjo është shkelje flagrante e ligjit, kjo po ashtu është e sanksionuar edhe me një vendim tjetër të Gjykatës Supreme, i cili vendim është po ashtu i elaboruar në kallëzimin tonë penal”, tha ai.

    “Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet. Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, përfundoi Tahiri.

  • Deliu-Kodra: Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë njësoj

    Deliu-Kodra: Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë njësoj

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se 16 shtatori po afrohet dhe se me afrimin e kësaj date ndihet gjithnjë e më shumë pesha e saj.

    Ajo ka thënë se në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se barrën kryesore të këtij procesi prej vitesh e kanë bartur familjet e tyre.

    Sipas Deliu-Kodrës, procesi ka prekur edhe bashkëluftëtarët, PDK-në dhe shoqërinë në Kosovë.

    “Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj”, ka deklaruar ajo.

    Deliu-Kodra ka vlerësuar se Kosova po i afrohet këtij momenti të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe në një krizë të vazhdueshme politike.

    Ajo ka kërkuar që në një periudhë të tillë shteti të ketë institucione funksionale, përgjegjësi dhe maturi, si dhe një zë institucional që, sipas saj, ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet.

    Postimi i saj i plotë:

    “Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta”, ka thënë Deliu-Kodra.16 shtatori po afrohet dhe, sa më shumë afrohet, aq më shumë e ndiejmë peshën e asaj date.

    Në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prej vitesh, barrën më të rëndë të këtij procesi e kanë bartur familjet e tyre, por ai ka prekur edhe shumë më gjerë: bashkëluftëtarët, PDK-në dhe gjithë Kosovën.

    Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj. Kosova po shkon drejt një momenti kaq të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe me një krizë politike që po vazhdon.

    Në ditë të tilla, shteti duhet të jetë aty. Duhet të ketë institucione që funksionojnë, përgjegjësi, maturi dhe një zë që e përfaqëson Kosovën me dinjitet.

    Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta.

    Prandaj kemi nevojë për institucione. Jo nesër. Sot.

  • Hapet konkursi për rekrutimin e stafit për fabrikën e municioneve në Gjakovë

    Hapet konkursi për rekrutimin e stafit për fabrikën e municioneve në Gjakovë

    Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për rekrutimin e personelit profesional, teknik dhe mbështetës që do të angazhohet në Kompleksin për Prodhimin e Municioneve në Jahoc të Gjakovës.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se ky konkurs përfshin fusha të ndryshme, si: inxhinieri, teknikë, prodhim, mirëmbajtje, kontroll i cilësisë, siguri, logjistikë, si dhe fusha të tjera të nevojshme për funksionimin e kompleksit.

    “Përzgjedhja e aplikantëve do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet e transparencës, meritokracisë dhe profesionalizmit. Aplikantët e përzgjedhur, para se të angazhohen në detyrë, do të ndjekin trajnimet e nevojshme profesionale. Hapja e këtij konkursi shënon një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimit të kapaciteteve vendore për industrinë e mbrojtjes”.

    Tutje në njoftim thuhet se ftohen të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm.

    “Afati për aplikim është nga data 24–30 gusht 2026”.

    Aplikimi realizohet duke klikuar në linkun: https://konkursi.rks-gov.net/jobs?servant=4…

     

     

  • Aktakuzë ndaj 21 serbëve për krimet në Reçak – Prokuroria pretendon se u vranë 42 civilë dhe u dëbuan rreth 20 mijë persona

    Aktakuzë ndaj 21 serbëve për krimet në Reçak – Prokuroria pretendon se u vranë 42 civilë dhe u dëbuan rreth 20 mijë persona

    Prishtinë – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, të cilët i akuzon për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Reçak, më 15 janar 1999.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit, si pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se në bashkëkryerje morën pjesë në një operacion gjatë të cilit u vranë 42 civilë të Reçakut.

    Sipas Prokurorisë, operacioni nisi rreth orës 06:00, me granatimin e fshatit nga pozicionet “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpumës”. Më pas, forcat serbe dyshohet se hynë në fshat me automjete të blinduara dhe nisën kontrollimin e shtëpive.

    Në aktakuzë përshkruhen edhe raste konkrete të vrasjeve. Sipas Prokurorisë, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashit u vra Banush Kameri, ndërsa pretendohet se më pas atij iu pre koka.

    Në vendin e quajtur “Vrella”, sipas aktakuzës, u vranë Haki Metushi, Sabri Syla dhe Arif Metushi. Ndërsa në oborrin e shtëpisë së tij u vranë Ahmet Mustafa dhe fqinji i tij, Hajriz Jakupi.

    Prokuroria përshkruan edhe vrasjen e Skender Halilit dhe Hanumshahe Mujotës, ndërsa gjatë largimit të disa civilëve drejt malit, pretendohet se policia serbe hapi zjarr ndaj tyre, duke vrarë Halim, Riza dhe Zenel Beqirin. Në këtë rast, sipas aktakuzës, u plagosën Aziz, Zuhra dhe Fetije Beqiri.

    Operacioni, sipas Prokurorisë, vazhdoi edhe në lagjen “Emini”, ku Ismet Emini u plagos në këmbë, ndërsa vëllai i tij, Ajet Emini, u vra.

    Në aktakuzë pretendohet se gjatë operacionit në Reçak civilët u vranë, u keqtrajtuan dhe u torturuan, ndërsa u shkatërruan prona dhe u dëbuan banorët shqiptarë. Sipas Prokurorisë, rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth u dëbuan.

    Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa ndaj 21 të pandehurve është kërkuar zhvillimi i procedurës në mungesë.

    Të gjitha të dhënat për vrasjet dhe veprimet e të pandehurve janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë. Fajësia e tyre duhet të vërtetohet përmes një vendimi gjyqësor.

  • Fushë-Kosova përfiton 1.01 milionë euro për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të familjeve në nevojë

    Fushë-Kosova përfiton 1.01 milionë euro për renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të familjeve në nevojë

    Kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se komuna ka përfituar 1,010,000 euro në kuadër të marrëveshjes për grantin për financimin e programeve të banimit.

    Nga kjo shumë, 625 mijë euro janë të dedikuara për renovimin e shtëpive private të familjeve të cenueshme, ndërsa 385 mijë euro për rindërtimin e shtëpive private për këto familje.

    Prebreza ka theksuar se ky financim përtej investimit në infrastrukturë synon të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës, sigurisë dhe mirëqenies së familjeve përfituese.

    Sipas tij, Komuna e Fushë-Kosovës do të vazhdojë të punojë që mbështetja institucionale të orientohet te familjet që kanë më së shumti nevojë, duke synuar krijimin e kushteve të denja të banimit.

  • OVL-UÇK mbështet protestën e 12 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së

    OVL-UÇK mbështet protestën e 12 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platfroma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë.

    Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se e mbështesin protestën e thirrur nga platfroma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pak para verdiktit final në Hagë.

    “Është thirr një prtoestë nga “Liria ka Emër” më 12 shtator ku ne si OVL u bëjmë ftesë të gjtihë qytetarëve por edhe ne t’i bashkëngjitemi protestës. Ne do të mbështesim protestën dhe bëjëmë thirje të që të jetë një protestë e madhe”, ka thënë ai.

    Gucati, ka folur edhe për peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të cilin e kanë dorëzuar në Gjykatën Speciale, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

    “Organizata e Veteranëve ka marrë një iniciativë për nënshkrimet apo peticionin ku kemi mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime dhe i kemi dorëzuar në Gjykatën Speciale, përlirimin e shokëve tanë nga burgu që mbahen padrejtësisht sot në Hagë. Takimet tona kanë qenë me ambasadat mike në Kosovë, këtë periudhë kemi dërguar mbi 300 letra personaliteteve ndërkombëtare, ku prej tyre janë 285 anëtarë të asamblesë së Këshillit të Europës, gjithmonë duke kërkuar drejtësi, barazi në Gjykatën Speciale. Takime me Parlamentin e Zvicrës, me deputetë zvicranë, takim me Parlamentin Evropian, takime në Vatikan, që kanë qenë prej një rëndësie më të madhe, ku kemi marrë një mbështetje shumë të madhe, për herë të parë zbret këmba e Organizatës së Veteranëve në Vatikan, që e kanë thyer protokollin, që i falënderoj Vatikanin që na kanë pritur në atë takim. Takimin me kryetaren e veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë në zyrën tonë dhe takimi i fundit me Ambasadën Amerikane”, ka shtuar Gucati.

     

  • Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok

    Sveçla pret në takim shefin e ri të EULEX-it, flasin për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në një takim njoftues shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re.

    Me këtë rast, sipas komunikatës për media, Sveçla falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

    “Gjithashtu, Ministri Sveçla shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e dhënë nga EULEX gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat masive në Zubin Potok”, thuhet në njoftim.

    Gjatë takimit, në njoftim theksohet se Sveçla dhe Lopes diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë.

    “Ministri Sveçla ritheksoi përkushtimin për fuqizimin e  sundimit të ligjit dhe theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”.