ATV

Category: Lajme

  • Oda Ekonomike e Serbisë: Të dyja palët po pësojnë për shkak të bllokadave në kufi

    Oda Ekonomike e Serbisë: Të dyja palët po pësojnë për shkak të bllokadave në kufi

    Bllokadat në pikat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës kanë ndikim të keq te të dyja palët, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nenad Gjurgjeviq, këshilltar i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë.

    Shoferët e kamionëve me targa serbe, që nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë që nga 14 qershori për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ndaluar importin e mallrave nga Serbia, kanë protestuar për të tretën ditë me radhë në pikat kufitare në Jarinjë, Merdare dhe Bërnjak.

    Gjurgjeviq tha se bashkëpunimi ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës është i një rëndësie të madhe dhe më 2022, shkëmbimi dypalësh ishte në vlerë prej 520 milionë eurosh.

    “Ky numër tregon se tregu në Kosovë është më i rëndësishmi për ne në Ballkanin Perëndimor, pas tregut në Bosnje e Hercegovinë”, tha ai.

    Ai theksoi se bllokadat kanë efektet te kompanitë dhe qytetarët në të dyja shtetet.

    “Kompanitë pësojnë për shkak të punës së parealizuar dhe për shkak të pritjeve, por po ashtu edhe qytetarët, veçmas ata në Kosovë, që blejnë mallra nga Serbia dhe kompanitë e tyre përdorin lëndën e parë, makineri, për të prodhuar mallra në Kosovë, por po ashtu tregu i tyre, eksporti, që më pas kontribuon në ekonominë e Kosovës”, tha Gjurgjeviq.

    Përfaqësuesit e Odës Ekonomike serbe dhe të Odës Ekonomike të Kosovës u takuan më 16 qershor në Podgoricë. Ata u bënë thirrje partnerëve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se ekonomia nuk duhet të ndalet.

    Gjurgjeviq tha se pjesa më e suksesshme e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 ishte intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve.

    “Shifrat konfirmojnë se ka një interes të madh në bashkëpunimin mes Serbisë dhe Kosovës dhe kompanive tona. Praktikisht, segmenti më i suksesshëm i asaj marrëveshjeje tani është nën ndikimin negativ të politikës”, tha Gjurgjeviq.

    Ai tregoi se Oda Ekonomike e Serbisë është në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët doganorë dhe agjencitë që gjenden në pikat kufitare, me qëllim që kompanive në Serbi t’u ofrohen informacione të sakta.

    Oda Ekonomike e Serbisë ka dënuar bllokimin e shkaktuar nga shoferët e kamionëve, por edhe të bllokimin e hyrjes në Kosovë të transportuesve që kanë targa serbe.

    Më 21 qershor, në pikëkalimi kufitar në Jarinje u lejuan të kalonin për në Serbi vetëm makinat private. Në Merdarë nuk janë lejuar që të kalojnë autobusët, ndërkaq pikëkalimi në Bërnjak është i mbyllur për transportuesit e mallrave në të dyja drejtimet.

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndaluar kamionët me targa serbe që të hyjnë në Kosovë, erdhi pasi Serbia arrestoi tre policë të Kosovës. Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të saj, por Serbia thotë se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit serb.

    Ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.

    Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

    Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
    Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR./REL

  • ​Kurti: Kam dëgjuar se Jabllanoviq ka fituar 1 milion euro për tërheqje nga gara zgjedhore

    ​Kurti: Kam dëgjuar se Jabllanoviq ka fituar 1 milion euro për tërheqje nga gara zgjedhore

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ka dëgjuar që Aleksander Jabllanoviq kishte fituar 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd, për tërheqje nga gara zgjedhore në veri. Ai u është drejtuar qytetarëve nga komuniteti serb në Kosovë duke u thënë se zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore janë të nevojshme, por me një fushatë të lirë parazgjedhore.

    Kurti ka thënë se për të realizuar këtë, nevojitet sundimi i ligjit dhe një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë.

    Në adresimin e bërë në gjuhën serbe, kryeministri i Kosovës ka thënë se “me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.

    “Përfaqësuesit e Listës Serbe, sikur edhe Jabllanoviqi, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë të ardhshëm komunash. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t’i detyroj të kandidojnë në zgjedhje. Tani, kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë na duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë parazgjedhore e hapur, e lirë, në 4 komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Prandaj në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë. Këtë duam dhe duhemi ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”, ka thënë ai.

    Kurti ka përmendur edhe pjesëmarrjen e ulët të zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore.

    Ai ka thënë se ka dëgjuar që Aleksander Jabllanoviq ishte tërhequr nga gara zgjedhore pasi kishte fituar 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd.

    “Më vjen keq që na është dashur të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje aq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë”, ka thënë Kurti.
    Tutje, Kurti ka thënë se takimet në Bruksel janë të nevojshme, siç ka theksuar ai, për zbatimin urgjent dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë.

    “Në anën tjetër, na janë të nevojshme takimet në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. Tani e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar, e tani ankohet dhe pendohet që ka thënë PO, që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

    Ndër të tjera, Kurti edhe njëherë ka theksuar se sulmet në veri nuk do të tolerohen.

    “Sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk duron dot kulturën e të të dhunshmëve. Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur edhe një luftë. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka përmendur mbylljen e 16 rrugëve ilegale në veri, shkatërrimin e 83 grupeve kriminale, konfiskimin e 2 ton narkotikë dhe shkatërrimin e 14 laboratorëve të drogës.

    Në këtë adresim, Kurti ka thënë se Qeveria ka bërë shumë për komunitetin serb, duke përmendur këtu restaurimin e pjesëve të trashëgimisë ortodokse në Kosovë si dhe të shtëpive tradicionale në Prizren që kanë pronarë serbë.

    “E kam theksuar shumë herë se ky shtet është i yni i përbashkët – ai që na përqafon dhe na mbron dhe për të mirën e të cilit jemi të detyruar të luftojmë. Le të ecim drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, për shkak të asaj që duam për veten dhe familjet tona. Vendi ku banojmë është shtëpia jonë, e shteti ynë shtëpia e të gjithë neve”, ka përfunduar ai./KosovaPress

  • Flet eksperti: Cili është skenari më i keq për pasagjerët e nëndetëses së humbur?

    Flet eksperti: Cili është skenari më i keq për pasagjerët e nëndetëses së humbur?

    Orët kalojnë dhe nëndetësja Titan vijon të mos rezultojë askund në radarë. Por çfarë ndodh në brendësi të mjetit lundrues teksa sasia e oksigjenit vijon të pakësohet?

    Dr. Dale Mollet, ish-drejtor i mjekësisë për nëndetëse dhe rrezatimit për Marinën e SHBA-së, tregoi për mediat se pasagjerët po qëndrojnë në një “mjedis të brendshëm armiqësor”.

    Ndërkohë, një operacion ndërkombëtar është duke u zhvilluar për të shpëtuar pesë personat e bllokuar në nëndetësen Titan.

    Kërcënimi më i madh për ta, sipas ekspertit, është rritja e niveleve të dyoksidit të karbonit. Veterani i marinës amerikane kishte paralajmëruar për efektet shëndetësore të atyre që mund të ngecnin në një nëndetëse turistike vetëm disa javë përpara se Titani të zhdukej në një punim shkencor të botuar në një përmbledhje më 29 maj, vetëm 20 ditë përpara se Titani të zhdukej nga radarët.

    Profesori amerikan shprehet se pasagjerët përballen me këto vështirësi : rezervat e oksigjenit janë varfëruar, nivelet e dyoksidit të karbonit rriten dhe mund të ketë një rënie të madhe të temperaturës.

    Në rastin e nëndetëses Titan, ka vetëm 40 orë oksigjen në dispozicion, sipas Rojës Bregdetare të SHBA.

    Duke folur sot për Mail Online, Mollet theksoi se ekuipazhet e shpëtimit po garojnë me kohën për të shpëtuar banorët e zhytësit, nëse ata nuk janë tashmë të vdekur.

    “Titan, ende i zhdukur që nga e diela, ka një pompë pastrimi të dyoksidit të karbonit për të hequr gazrat toksikë që krijohen kur pasagjerët nxjerrin frymë në hapësirën e mbyllur. Ekziston edhe rreziku i hipotermisë për shkak të temperaturave të ulëta në thellësitë e oqeanit, si dhe rreziku i sulmeve të panikut, në të cilat pasagjerët përdorin më shumë oksigjenin.”

    “Sa herë që njerëzit janë të mbyllur në një hapësirë ​​hermetike, shumica mund të mendojnë se problemi është oksigjeni, por në fakt dyoksidi i karbonit është ai që ngjall më shumë shqetësim. Në një nëndetëse ose në det të thellë, ekziston një sistem për pastrimin e dyoksidit të karbonit. Nëse fuqia e baterisë fillon të ulet, atëherë ky sistem nuk do të funksionojë më. Një sistem pastrimi largon dyoksidin e karbonit nga ambienti, duke e bërë ajrin të sigurt për të marrë frymë. Kur njerëzit thithin oksigjen, ata gjithashtu nxjerrin dyoksid karboni dhe ai dyoksid karboni duhet të hiqet sepse përndryshe bëhet toksik. Banorët do ta kenë të vështirë të marrin frymë, do të përpiqen të marrin frymë thellë… Do të fillojnë të ndjejnë dhimbje koke dhe gradualisht të humbasin ndjenjat. Nivelet në rritje të dyoksidit të karbonit janë ato që i vrasin njerëzit së pari kur janë në një mjedis hermetik, jo nivelet e oksigjenit. Pasi humbet aftësia për të hequr dyoksidin e karbonit nga pjesa e brendshme e nëndetëses, kjo do të çojë në vdekjen e njerëzve. Është si të vendosësh një çantë mbi kokë. Do të ndjeni një ndjenjë presioni mbytës dhe më pas do të humbni ndjenjat.”

    Mollet theksoi se pasagjerët e Titatin duhet të përpiqen të ruajnë qetësinë sa të munden me shpresën se do të shpëtohen përpara se të jetë shumë vonë.

  • ​ARBK shfuqizon vendimin për pezullimin e licencës për Klan Kosovën

    ​ARBK shfuqizon vendimin për pezullimin e licencës për Klan Kosovën

    Klan Kosova ka njoftuar se është përmbyllur plotësisht në mënyrë të rregullt dhe ligjore procesi pranë institucioneve të Republikës se Kosovës në lidhje me certifikatën e biznesit të saj.

    “Sot, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendimin e certifikatës së biznesit”, njoftoi Klan Kosova.

    Me këtë rast, Drejtoria e ARBK-së zyrtarisht ka njoftuar se kështu “kanë ndryshuar rrethanat faktike”, të cilat kishin nxitur vendimin e javës së kaluar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke dhënë vlerësimin e ri se ai vendim tash është shfuqizuar.

    Vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellë në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova.

    Klan Kosova ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së.

    “Klan Kosova falënderon të gjithë ata që u angazhuan që ky proces administrativ të shkojë sipas ligjit, që janë ambasadat e QUINT-t të akredituara në Kosovë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore të të drejtave të njeriut, medias, gazetarëve dhe lirisë së shprehjes, si dhe veçanërisht të gjitha mediat dhe kolegët tanë gazetarë për solidarizimin pa asnjë hezitim”, tha Klan Kosova.

    Po ashtu, Klan Kosova ka falënderojë institucionet e shtetit, ARBK-në dhe KPM-në, për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjes.

  • Qeveria ndan 10 euro për fëmijë e 50 euro Prishtina për qen, flet ministri Murati

    Qeveria ndan 10 euro për fëmijë e 50 euro Prishtina për qen, flet ministri Murati

    Nga 50 euro në muaj do të subvencionohen të gjithë qytetarët që do të adoptojnë qentë endacakë në kryeqytet. Një vendim i tillë, ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, duke bërë krahasim me shtesat që Qeveria i ndan për fëmijë, e që është 10 euro për muaj.

    KosovaPress ka pyetur ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati se a më shumë vlen jeta e një fëmije a një qeni, Murati ka thënë se si qeveri po ndajnë mjete për fëmijë, ndërsa Komunat le të veprojnë si të donë me buxhetin vetanak.

    “Ne si qeveri po ndajmë për fëmijë, Komuna le të veprojë si të dojë me buxhetin e vet”, thotë mes tjerash Murati.

    Megjithatë, ai shton se ende nuk është në dijeni për një vendim të tillë, por thekson se kërkesa e komunave ka qenë vazhdimisht të administrojnë të hyrat e tyre vetanake, dhe tani mund të bëjnë çfarë të duan.

    “Nuk e di, nuk e kam parë një vendim të tillë, kam dëgjuar disa deklarata… Pyetja kryesore që është shtruar çdoherë ka qenë që komunat duhet t’i administrojnë vet të hyrat vetanake, tash i kanë të hyrat vetanake”, deklaron Murati.

    Shumë qytetarë kanë reaguar të martën me ironi ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës, madje, është thënë se më shumë vlen një jetë qeni, se sa një jetë fëmije.

    Lidhur me këtë sociologu Leutrim Sahiti ka shkruar në Facebook se është absurde që 10 euro për fëmijë i jep shteti si “lëmoshë”, kurse 50 euro në muaj për ata që adoptojnë një qen endacak në Komunën e Prishtinës.

    “Shoqëri e absurdeve! 10 euro për fëmijë i jep shteti si ‘lëmoshë’ kurse 50 euro në muaj për ata që adoptojnë një qen endacak në Komunën e Prishtinës. Kaq vlen jeta e një fëmije në shtetin tonë. Çfarë degradimi shtetëror e shoqëror! Kaq vlen jeta e një fëmije në shtetin tonë. Çfarë degradimi shtetëror e shoqëror!”, ka shkruar Sahiti në Facebook.

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar të martën se do të subvencionojë me nga 50 euro në muaj të gjitha ata që shprehin interesim për të adoptuar qen, ndërsa maksimumi i lejuar për një person për adoptim të qenve është deri në 5.

    Në anën tjetër Qeveria ndan vetëm 10 euro për fëmijët nga mosha 2 vjeç deri 16 vjeç, kurse nga mosha 0 deri 2 vjeç nga 20 euro.

    Komuna e Prishtinës po ashtu thotë se është duke e përgatitur rregulloren për trajtimin e qenve endacakë, ku përfshihet edhe mënyra se si mund të adoptohet një qen i tillë, të cilin do ta trajtojë falas në çfarëdo kohe veterinari i Prishtinës në qendrën për trajtimin e tyre e cila gjendet në Hajvali dhe që paralajmërohet se do të hapet së shpejti.

    “Do t’i subvencionojmë edhe qytetarët që janë të interesuar të adoptojnë qentë. Një person që e merr një qen do të subvenciohohet me 50 euro në muaj. Qytetarët mund t’i marrin deri në 5 qenë” ka deklaruar Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, citohet të ketë thënë Lulzim Fushtica drejtori për Siguri dhe Emergjenca në komunikatën për media të Komunës së Prishtinës.

  • Policia e Kosovës arrestoi një serb të dyshuar për krime lufte

    Policia e Kosovës arrestoi një serb të dyshuar për krime lufte

    Policia e Kosovës ka arrestuar një serb të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Bëhet fjalë për periudhën e luftës në Kosovë(1998-1999) kur personi në fjalë, si gardian i burgut, dyshohet të ketë ushtruar torturë, dhunë fizike e psikike dhe trajtime çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë.

    Arrestimi i personit me inicialet D.M është bërë në orët e paradites në zonën e Graçanicës.

    “Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”, është bërë e ditur nga Policia e Kosovës.

    Gjithashtu, zyrtarët policor kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit dhe në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar një armë zjarri-revole e tipit “Zastava” cal.9mm, 136 fishek të kalibrit 9x19mm, thikë ushtarake e tipit SOG Speciality Knives, shufër metalike “Taiëan”, dokumente, vendime, notes dhe telefon personal.

    I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”./KosovaPress

  • Bislimi: Dyert e Qeverisë gjithmonë të hapura për shqiptarët në Luginën e Preshevës

    Bislimi: Dyert e Qeverisë gjithmonë të hapura për shqiptarët në Luginën e Preshevës

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim gjatë ditës së djeshme kryetarin e ri të KKSH-së në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.

    Ky ishte takimi i parë mes zëvendëskryeministrit Bislimi dhe Lutfiu, të cilit i uroi suksese në pozitën e re, duke ritheksuar se dyert e Qeverisë së Republikës së Kosovës qëndrojnë gjithmonë të hapura për KKSH-në dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës.

    Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndihmojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Luginë përmes kultivimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar në Serbi.

    Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria ka ndarë 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, ku përfshihen për herë të parë ndarja e 255 mijë eurove për sigurimin falas të teksteve mësimore në gjuhën shqipe për 4010 nxënës në Luginën e Preshevës, gjë e cila do të vazhdojë tutje, si dhe janë ndarë 78 grante në vlerën e 1 milion eurove, si dhe përkrahje financiare me bursë në vlerën e 107 mijë eurove për 107 studentë nga Lugina.

    Gjithashtu në mbledhjen e 143-të të Qeverisë, u ndanë dhe 17,350 euro për të financuar vizitën e një delegacioni nga Lugina e Preshevës në Parlamentin Evropian, për ngritjen e çështjes së diskriminimit dhe problemeve me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Mbështetja e Qeverisë për Luginën, do të vijojë të rritet konform nevojave të komunitetit shqiptar atje.

  • Konjufca në Strasburg kërkon anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

    Konjufca në Strasburg kërkon anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një agjendë të pasur takimesh në Strasburg, me udhëheqës të grupeve politike, komiteteve dhe delegacioneve të ndryshme shtetërore në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

    Pas takimeve me drejtues të APKE-së, të zhvilluara gjatë paradites së djeshme, kryetari Konjufca është pritur në takime të veçanta nga kryesuesi i Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Frank Schwabe, shoqëruar nga anëtarë të tjerë të delegacionit gjerman, kryesuesi i Grupit të Partive Popullore Evropiane, Aleksander Pociej dhe kryesuesi i Grupit të të Majtëve Evropianë të Bashkuar (UEL), George Katrougalos.

    Po ashtu kryetari i Kuvendit ka zhvilluar takime me kryesuesin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, Zsolt Nemeth dhe dy delegacione parlamentare në APKE: delegacionin e Mbretërisë së Bashkuar dhe atë Francës.

    Në këto takime të përzemërta u diskutua lidhur me proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, sfidat që ka para vetes dhe aspiratat euro-atlantike të tij.

    Kryetari Glauk Konjufca potencoi rëndësinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkoi mbështetjen e grupeve politike dhe të delegacioneve që përfaqësojnë, gjatë vlerësimit dhe procedurave të brendshme.

    U diskutua po ashtu edhe lidhur me caktimin raportuesve për Kosovën nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci, si dhe Komiteti për Çështje Juridike dhe të Drejta të Njeriut, të cilët do të jenë hartues të raportit për vendin tonë. ​

  • Kurti me mesazh në gjuhën serbe: Le të ecim së bashku drejt një të ardhme më të mirë

    Kurti me mesazh në gjuhën serbe: Le të ecim së bashku drejt një të ardhme më të mirë

    Kryeministri Albin Kurti iu është adresuar komunitetit serb në Kosovë, përmes një video. Përmes mesazhit Kurti është shprehur se duhet ecur se bashku drejt një të ardhmeje më të mirë.

    ‘’E kam theksuar vazhdimisht se ky vend është i përbashkët i yni – ai që na përqafon dhe na mbron, dhe për të mirën jemi të detyruar të luftojmë. Le të ecim drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, për atë që duam për veten dhe familjet tona. Shtëpia është aty ku është shtëpia dhe vendi ynë është shtëpia e të gjithëve ne’’, ka thënë Kurti.

    Më tutje Kurti thotë se tashmë presidenti i Serbisë është penduar që i ka thënë Po marrëveshjes e që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës.

    “Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. E kam të qartë tani që presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani ankohet dhe pendohet duke thënë PO, për pranimin e asaj marrëveshjeje, që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës”, ka shtuar më tutje Kurti.

  • BE-ja nuk konfirmon datë për takimin Kurti-Vuçiq

    BE-ja nuk konfirmon datë për takimin Kurti-Vuçiq

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pas ftesës që kanë marr nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell për një takim këtë javë.

    Stano tha se shpresojnë që sa më shpejtë të konfirmohet takimi i mundshëm, edhe pse javës i kanë mbetur edhe pak ditë.

    “Gjëja kryesore tani është që takimi të bëhet në Bruksel dhe për këtë nuk kam asnjë lajm. Nuk jam në gjendje të konfirmoj ende ndonjë datë, sot është e mërkurë dhe deri në fund të javës kemi edhe pak ditë, por për momentin nuk mund të konfirmoj asnjë datë ende”, theksoi Stano.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

    “Rezultati përfundimtar për ne është se Përfaqësuesi i Lartë i ftoi të dy liderët, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, të vijnë në Bruksel në fund të kësaj jave. Ne jemi duke pritur dhe presim dhe shpresojmë që do të mund të shpallim ditën dhe orën e atij takimi dhe pastaj të diskutojmë edhe për modalitetet. Por, kryesorja është të kemi një datë dhe të kemi një kohë të caktuar për të zhvilluar takimin sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe tani është koha për veprim, jo për biseda dhe spekulime”, u shpreh zëdhënësi i BE-së.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

    Ndërkaq, më 14 qershor, tre policë kufitar të Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, brenda territorit të vendit. Të premten atyre i është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Kralevë.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës në terren, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore./KosovaPress/