ATV

Category: Lajme

  • Vitia firmos vendimin, shërbime të reja në kujdesin parësor për fëmijët

    Vitia firmos vendimin, shërbime të reja në kujdesin parësor për fëmijët

    Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka firmosur Udhëzimin Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor i cili rregullon ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme si pjesë të shërbimeve në kujdesin parësor.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të Vitisë në Facebook.

    “Për herë të parë, me ekipe multidisiplinare për ndërhyrje në fëmijërinë e hershme. Ky ndryshim krijon bazën për mbështetje të hershme për foshnjat dhe fëmijët me rrezik për vonesa në zhvillim, përmes ekipeve profesionale multidisiplinare me psikologë klinikë, fizioterapeutë, logopedë dhe punëtorë socialë.Po e afrojmë mbështetjen profesionale më pranë fëmijëve dhe familjeve”, shkroi ai në Facebook.

    Kujdesi parësor qe një kohë ka kërkuar futjen e këtyre lëmive të reja, ndërkaq dy nga to, logopedia dhe fizioterapia janë shërbime të kushtueshme në sektorin privat.

  • Hoxha takohet me Rutten: Prania e KFOR-it në Kosovë luan rol të domosdoshëm stabilizues

    Hoxha takohet me Rutten: Prania e KFOR-it në Kosovë luan rol të domosdoshëm stabilizues

    Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha sot ka zhvilluar takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Hoxha dhe Rutte në këtë takim diskutuan çështjet mbi situatën aktuale gjeopolitike dhe rolin e Aleancës së NATO-s.

    Përmes një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se ky ishte takimi i tij i parë me Rutte në cilësinë e ministrit, duke theksuar angazhimin në rritje të Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

    Duke folur për Ballkanin Perëndimor të dy konfirmuan se angazhimi i NATO-s mbetet thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

    Hoxha tutje theksoi rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për stabilitet.

    Postimi i plotë:

    Sot, pata takimin tim të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në cilësinë time si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një kohë kur Shqipëria vazhdon të marrë më shumë angazhim dhe përgjegjësi brenda Aleancës.

    Ndamë mendimin se në mjedisin e sotëm të sigurisë, gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, #NATO është më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë. Forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, mbështetja e palëkundur për Ukrainën, si edhe zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes, mbeten prioritete për parandalimin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë transatlantike.

    Shqipëria e ka dëshmuar vazhdimisht veten si një #Aleat i besueshëm, i përkushtuar dhe aktiv. Kontributi ynë në sigurinë kolektive vazhdon të rritet përmes rritjes së investimeve në mbrojtje, modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe pjesëmarrjes aktive në misionet dhe operacionet e Aleancës. Bazuar në këtë trajektore, Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të forcuar më tej aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të siguruar që angazhimet tona përkthehen në gatishmëri konkrete operacionale që do të rrisin sigurinë kombëtare dhe atë kolektive.

    Gjithashtu theksuam rëndësinë e ruajtjes së një fokusi të fortë dhe të unifikuar strategjik për Ukrainën. Shqipëria qëndron plotësisht në krah të Aleatëve për të ofruar mbështetje të qëndrueshme përmes mekanizmave të NATO-s, përfshirë trajnimin, ndihmën dhe ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve, si pjesë e angazhimit tonë më të gjerë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

    Lidhur me Ballkanin Perëndimor, riafirmuam se angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal, koordinim më të ngushtë midis Aleatëve dhe efektivitetin e pranisë së NATO-s në Kosovë, me #KFOR-in që luan një rol të domosdoshëm stabilizues.

    Duke parë përpara, folëm gjithashtu mbi përgatitjet e Shqipërisë për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në #Tiranë, i pari që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Ky angazhim përfaqëson një përgjegjësi historike, sikurse edhe një rritje të besueshme të rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, si dhe konfirmon rëndësinë strategjike të rajonit tonë.

    U ndalëm gjithashtu në angazhimin e plotë të Shqipërisë, në koordinim të ngushtë me Selinë e NATO-s, për të ofruar një Samit të suksesshëm në Tiranë.

  • Fitore Pacolli emëron drejtorin e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore

    Fitore Pacolli emëron drejtorin e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore

    Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli ka emëruar detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Zymer Mrasori.

    “Sektori i ujërave është ndër prioritetet tona kryesore, andaj po ndërmarrim hapa konkretë për vendosjen e plotë të ligjshmërisë në mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore, si dhe në rritjen e efikasitetit brenda këtij departamenti.

    Z.Mrasori i dëshiroj punë të mbarë e suksese në udhëheqjen e departamentit” shkruan Pacolli në njoftim.

  • Bedri Hamza e mirëpret Aida Dërgutin në PDK

    Bedri Hamza e mirëpret Aida Dërgutin në PDK

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamz, e ka mirëpritur aktivisten Aida Dërguti, e cila i është bashkuar kësaj partie, raporton Klankosova.tv

    Hamza shkroi se Dërguti, ka pasur dhe ka vetëm një qëllim, që t’i shërbejë Kosovës, sepse për të, siç tha ai. drejtësia është mbi të gjitha detyrë.

    “Sot e mirëprita në Partinë Demokratike të Kosovës, Aida Dërgutin, një aktiviste të dalluar dhe qytetare të përgjegjshme, para se të jetë politikane.

    Një zonjë që, për dekada me radhë, ka pasur vetëm një qëllim: t’i shërbejë Kosovës, në çfarëdo kapaciteti që i është besuar.

    Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë.

    Mirë se erdhe në PDK, Aida!” – shkroi Hamza.

  • Ushtria izraelite heton rastin pasi një ushtar u pa duke përdhosur statujën e Virgjëreshës Mari në Liban

    Ushtria izraelite heton rastin pasi një ushtar u pa duke përdhosur statujën e Virgjëreshës Mari në Liban

    Ushtria izraelite tha të enjten se do të hetojë pasi një ushtar u fotografua duke vendosur një cigare në gojën e një statuje të Virgjëreshës Mari në Libanin jugor.

    Një imazh që duket se tregon një ushtar izraelit me krahun rreth figurës së nderuar të krishterë dhe duke mbajtur një cigare në gojën e saj, u shpërnda gjerësisht në mediat sociale të mërkurën.

    Kur u pyet për përgjigjen e saj ndaj imazhit, ushtria izraelite tha se “e sheh incidentin me ashpërsinë më të madhe dhe thekson se sjellja e ushtarit devijon plotësisht nga vlerat e pritura nga personeli i saj”.

    “Incidenti do të hetohet dhe do të merren masa komanduese kundër ushtarit në përputhje me gjetjet”, shtoi ajo.

    Tha se një shqyrtim fillestar tregoi se imazhi është bërë disa javë më parë.

    Nuk është hera e parë që ushtria izraelite është kritikuar në javët e fundit për sjelljen e ushtarëve rreth statujave të krishtera në Libanin jugor.

    Në fund të prillit, ushtria tha se dy ushtarë do të marrin 30 ditë paraburgim ushtarak dhe do të largohen nga detyra luftarake për shkatërrimin e një statuje të Jezu Krishtit në fshatin jugor të Debl.

    Në atë incident, një foto u shpërnda në internet që tregonte një ushtar izraelit duke përdorur një çekiç, për të goditur kokën e një statuje të Jezusit të kryqëzuar që kishte rënë nga një kryq.

    Ushtria izraelite tha të enjten se “respekton lirinë e fesë dhe të adhurimit, si dhe vendet e shenjta dhe simbolet fetare të të gjitha feve dhe komuniteteve”.

    Shtoi se “nuk kishte ndërmend të dëmtonte infrastrukturën civile, duke përfshirë ndërtesat fetare ose simbolet fetare”.

  • “Mos pritoni, regjistrohuni”, Haradinaj thirrje mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit

    “Mos pritoni, regjistrohuni”, Haradinaj thirrje mërgatës për zgjedhjet e 7 qershorit

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për zgjedhjet që pritet të mbahen më 7 qershor.

    Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Haradinaj tha se mërgata duhet ta shfrytëzojë të drejtën e votës për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe për të kontribuar në të ardhmen e Kosovës.

    “Të nderuar bashkëkombas në diasporë, regjistrimi juaj për të votuar do të zgjasë deri më 17 maj. Duke e shfrytëzuar të drejtën e votës, ju i ruani lidhjet e forta me atdheun dhe kontribuoni për të ardhmen e Kosovës. Prandaj, mos pritoni, regjistrohuni”, ka shkruar Haradinaj.

  • Ermal Sadiku njofton se ka vendosur të mos merr “pagën kalimtare” të deputetit: Nuk është e moralshme

    Ermal Sadiku njofton se ka vendosur të mos merr “pagën kalimtare” të deputetit: Nuk është e moralshme

    Ermal Sadiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se nuk do të aplikojë për të marrë të ashtuquajturën “pagë kalimtare” të deputetit që ligjërisht u takon deputetëve për disa muaj deri në legjislaturën e re.

    Ai tha se do të ishte “e pamoralshme” që ai të merrte atë pagë pa punuar.

    Ndërkohë, arsyetoi ai, në rast se ish-deputetët s’kanë të ardhura të tjera, atëherë do të ishte “morale.”

    Postimi i plotë:

    Sa për informim, deputetëve u takon një pagë “kalimtare” deri në konstituimin e ri.

    Ligjërisht, kjo pagë mund të më takojë edhe mua. Janë rreth 7000 – 8000 euro në pytje minimalisht.

    Sot vendosa të mos aplikoj për të. Mendoj që për mua nuk është e moralshme sepse kam mundësi të mbijetoj edhe në mënyra të tjera.

    Po më kujtohet që këto para shpesh përfundojnë te tenderët njëburimorë, te Vuk Hamoviqët e rrymës dhe te hajnitë tjera të instaluara nga Vetëvendosje, por prapë s’po muj me marrë pare prej shtetit tim pa punu.

    (Mendova edhe ti marr dhe ti jap në ndonjë organizatë bamirësie)

    Në anën tjetër, mendoj që është krejtësisht morale për deputetët që kanë aplikuar për këtë pagë dhe që realisht nuk kanë të ardhura të tjera.

    ✌️

    Ju dua.

  • Haradinaj bën homazhe te varri i Bahri Fazliut në përvjetorin e rënies së tij

    Haradinaj bën homazhe te varri i Bahri Fazliut në përvjetorin e rënies së tij

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëpartiakët e tij, ka bërë homazhe pranë varrit të heroit Bahri Fazliu në 28-vjetorin e rënies së tij.

    Haradinaj ka vlerësuar Fazliun si një ndër figurat më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës.

    “Heroi Bahri Fazliu është një ndër figurat më të ndritura të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Trim, guximtar dhe i vendosur deri në vetëmohim, fitoi përjetësinë 28 vjet më parë, duke u bërë shembull për rininë shqiptare se si duhet Atdheu dhe si sakrifikohet për të”.

  • Aida Dërguti i bashkohet PDK-së

    Aida Dërguti i bashkohet PDK-së

    Aida Dërguti, i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

    Kështu ka njoftuar autori i emisionit, Adriatik Kelmendi, ku Dërguti ishte opinioniste.

    “Aida, një ndër personat më të angazhuar në Kosovë për kauzat e drejta per vendin, ka vendosur t’i rikthehet aktivizimit të drejtpërdrejtë në politikë. PDK-ja sot dhe Kuvendi i Kosovës pas 9 qershorit do të fitojnë shumë, teksa në Rubikon do të ndjehet thellë mungesa e saj.”, thuhet në postimin e Kelmendit.

    Postimi i Kelmendit:

    Aida, një ndër personat më të angazhuar në Kosovë për kauzat e drejta per vendin dhe shoqërinë në këto 30 vjet, ka vendosur t’i rikthehet aktivizimit të drejtpërdrejtë në politikë. “Mendoj se ka ardhur momenti për ta kthyer vendin kah e mbara: ose tash, ose kurrë”, më tha.

    PDK-ja sot dhe Kuvendi i Kosovës pas 9 qershorit do të fitojnë shumë, teksa në Rubikon do të ndjehet thellë mungesa e saj.

    Urime dhe mbarësi, Aida! Qëndro gjithmonë kështu siç je!

  • Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

    Bajrami reagon për shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë

    Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar lidhur me shpalljen e konkursit për tri pozita në Ministrinë e Drejtësisë.

    Bajrami përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se shpallja e rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, nuk paska qenë fundi.

    Sipas saj edhe drejtësia shpallë konkurse në kundërshtim me ligjin.

    Postimi i saj i plotë:

    Nuk paska qenë fundi

    Pas shpalljes së rreth 20 pozitave të larta udhëheqëse në prag të shpërndarjes së Kuvendit, qenkan shpallë edhe 3 pozita të tjera nga Ministria e Drejtësisë:

    1. Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas,

    2. Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar,

    3. Drejtor i Përgjithshëm në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë,

    Pra, edhe drejtësia, shpallë konkurse në kundërshtim me Ligjin,

    Institucionet që lidhen me ndihmën juridike, me pasurinë e sekuestruar dhe me inspektimin brenda Ministrisë së Drejtësisë, u bënë pjesë e valës se konkurseve joligjore, dmth. zgjedhin udhëheqës në mënyrë joligjore detyrë e të cilëve është zbatimi i ligjit.

    Ligji për Qeverinë është i qartë.

    Neni 31 – Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje përcakton se Qeveria në dorëheqje:

    “Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse.”

    Qeveria në dorëheqje nuk është qeveri me mandat të plotë. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet sepse me vetëdëshirë e ka dërgu vendin në zgjedhje dhe tani duhet të sillet konform kufizimeve ligjore.

    Ajo duhet të kryejë vetëm punët e domosdoshme, jo të hapë konkurse për pozita kyçe në administratë, agjenci, drejtësi e institucione publike. Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje.

    Qeveria e re duhet t’i ndalë menjëherë këto procese, t’i shqyrtojë të gjitha konkurset e shpallura në këtë periudhë dhe të sigurojë që pozitat publike të plotësohen vetëm me njerëz profesionistë, të pavarur dhe me integritet.