ATV

Category: Lajme

  • 112 të vdekur nga i nxehti ekstrem në Meksikë

    112 të vdekur nga i nxehti ekstrem në Meksikë

    Numri i të vdekurve nga vala e të nxehtit që ka përfshirë Meksikën në javët e fundit është rritur në 112. Siç raportohet në shtypin meksikan, vdekjet po rriten me shpejtësi për shkak të temperaturave rekord, veçanërisht në veriperëndim dhe juglindje të vendit.

    Sipas provincave, 64 persona kanë vdekur në Nuevo Leon, 19 në Tamaulipas, 15 në Veracruz dhe 14 në Tabasco.

    Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë tha se mosha e të vdekurve është nga 45 deri në 64 vjeç dhe se 104 nga 112 viktimat kanë vdekur si pasojë e goditjes nga nxehtësia.

    Më 20 qershor, Shërbimi Meteorologjik Kombëtar (SMN) kishte njoftuar se vala e të nxehtit mbarëkombëtar pritet të zgjasë edhe dhjetë deri në 15 ditë të tjera dhe kishte këshilluar personat me sëmundje kronike që të mos dalin jashtë në orare të caktuara nëse nuk është e nevojshme.

    Temperaturat në Meksikë së fundmi kanë qenë mbi 40 gradë celsius.

  • Borrell e konfirmon: Sot njoftohen liderët e vendeve të BE-së për zhvillimet në Veri të Kosovës

    Borrell e konfirmon: Sot njoftohen liderët e vendeve të BE-së për zhvillimet në Veri të Kosovës

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka bërë të ditur se sot në ditën e dytë të takimi të Këshillit të Bashkimit Evropian do të diskutohet për situatën dhe zhvillimet në veri të Kosovës.

    Borell ka thënë se sot ai do të informoj liderët e shteteve të BE-së për ngjarjet e fundit lidhur me veriun.

    “Sot, një diskutim i rëndësishëm për Kinën dhe sigurinë ekonomike. Do të informoj liderët për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter.

  • Ukraina do të marrë 1.5 miliard dollarë për rimëkëmbje dhe rindërtim

    Ukraina do të marrë 1.5 miliard dollarë për rimëkëmbje dhe rindërtim

    Ukraina do të marrë 1.5 miliardë dollarë nga Banka Botërore, si mbështetje për rindërtimin dhe rimëkëmbjen.

    Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, i cili tha se fondet do të pajisen me garanci nga qeveria japoneze dhe sipas tij, do të kanalizohen për të mbështetur sigurimin social dhe zhvillimin ekonomik.

    Ndryshe, disa vende e kanë furnizuar Kievin me fonde, pajisje ushtarake dhe ndihma humanitare gjatë gjithë luftës.

  • Dita e dyta e samitit të BE-së, “Duhet shtensionuar shpejt situatën në Kosovë”

    Dita e dyta e samitit të BE-së, “Duhet shtensionuar shpejt situatën në Kosovë”

    Në Bruksel është duke vazhduar samiti i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin, ndër tjerash temë për diskutim janë edhe tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Për këtë është diskutuar edhe ditën e parë të samitit, së pari në një takim të përbashkët që liderët e BE-së patën me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e pastaj edhe në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së.

    “Ishte një diskutim mjaft dinamik dhe shumë pjesëmarrës folën për këtë temë. Por, porosia kryesore ishte se duhet të veprohet shpejt për shtensionimin e situatës dhe këto [veprime] duhet të bëhen nga të dyja palët“, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke folur me gazetarët mëngjesin e së premtes, kur edhe ka nisur dita e dytë e samitit, shkruan Rel.

    Gjatë ditës, pritet të debatohet edhe për tekstin e konkluzioneve, i cili tekst është përgatitur për miratim. Në këtë tekst, ndër tjerash, është një paragraf që u kushtohet Kosovës dhe Serbisë, si dhe një tjetër për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

    Mirëpo, problemi me konkluzionet është se ato të gjitha janë në një dokument dhe ka mundësi që për shkak të mospajtimeve mes vendeve të BE-së për temën e migracionit, të mos miratohen fare as konkluzionet për temat tjera.

    Liderët e BE-së kanë bërë përpjekje deri pas mesnate që të arrijnë pajtim për tekstin, por Hungaria dhe Polonia e kanë bllokuar miratimin e pjesës që ka të bëjë me menaxhimin e migrimit në BE.

    Zyrtarët e BE-së shpresojnë se gjatë ditës së premte do të arrihet një kompromis dhe të miratohen konkluzionet. Si mundësi alternative mbetet edhe miratimi i tyre në formën e “Konkluzioneve të Presidencës“ e jo si “Konkluzione të Këshillit Evropian”.

    Në tekstin e konkluzioneve kushtuar zgjerimit të BE-së, pritet që të shprehet mbështetja për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.

    Ndërsa, në pjesën e konkluzioneve kushtuar Kosovës e Serbisë, pritet që të dyja vendeve t’u kërkohet të bëjnë hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023”, thuhet në këtë tekst, shkruan Rel. “Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të gjitha katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, shtohet tutje në tekstin e konkluzioneve.

    “Është esencial vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe implementimi i Aneksit është i domosdoshëm. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“, theksohet në tekst.

    ensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Ndërkaq, dje (29 qershor), Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

  • ​Gërvalla: Masat e BE-së të panevojshme dhe mesazh i rrezikshëm

    ​Gërvalla: Masat e BE-së të panevojshme dhe mesazh i rrezikshëm

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian karshi Kosovës i ka quajtur të panevojshme. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve të BE-së, por për suspendim të përkohshëm.

    E para e diplomacisë kosovare u shpreh se mesazhet e tilla janë të rrezikshme dhe mund t’i krijojnë përshtypjen presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se mund të vazhdojë destabilizimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

    Këto komente Gërvalla i bëri pas ceremonisë së hapjes së fushatës “Festo me zemër e jo me armë”, të organizuara nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    “Masat që janë ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për deeskalim të gjendjes në veri të Kosovës, janë masa të cilat BE i sheh si të arsyeshme. Ne mendojmë se masat e tilla janë të panevojshme për shkak se është e rëndësishme që në një situatë të tillë në të cilën ndodhemi mesazhi t’i dërgohet qartë dhe pa asnjë mundësi për keqkuptim atyre që i kanë krijuar trazirat në pjesën veriore të Kosovës. Personalisht mendoj se mesazhet e tilla janë të rrezikshme sepse mund të krijojnë përshtypjen tek presidenti serb, Vuçiq se mund të vazhdojë me të njëjtën mënyrë të destabilizojë jo vetëm Kosovën, por dhe të gjithë fqinjët që ka rreth e rrotull”, theksoi ajo.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla konsideron se këto masa nënkuptojnë suspendim të përkohshëm të fondeve të BE-së e jo bllokim.

    “Nuk ka bllokim të fondeve, ka suspendim të përkohshëm të fondeve dhe BE e ka bërë të qartë që këto janë masa të cilat janë për momentin dhe të cilat janë natyrisht të rikthyeshme”, tha ajo.

    E pyetur se a ka pasur koordin me SHBA-të për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste, ajo nuk deshi të flas në këtë aspekt, por tha se organizatat që ushtrojnë terror mbi qytetarët dhe institucionet nuk kanë vend në Kosovë.

    “Baza ligjore është aty edhe ne mendojmë se asnjë organizatë terroriste e çfarëdo prejardhje etnike apo çfarëdolloj përbërje kriminale të ketë nuk duhet të lejohet të veprojë në Republikën e Kosovës. Ne jemi zotuar për sundim të ligjit në çdo cep të vendit dhe aty organizatat që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës nuk kanë vend”, u shpreh ministrja Gërvalla.

    E gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës, “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” janë shpallur organizata terroriste. Për këtë vendim kanë votuar pro i gjithë kabineti qeveritar, në përjashtim të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

    Ndërsa, karshi këtij vendimi ka reaguar Departamenti i Shtetit Amerika të cilët thanë se ky vendim është ndërmarrë nga ekzekutivi kosovar pa koordinim me ta.

    E Komisioni Evropian ka paralajmëruar një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.

    Ndërsa, dy ditë pasi Komisioni Evropian i prezantoi Parlamentit Evropian masat ndëshkuese për Kosovën, kryeministri Albin Kurti paraqiti në Prishtinë një plan 8-pikësh për “shtensionimin e situatës në veri të vendit”. /kp

  • Vendimi i Kurtit për organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – reagon Lista Serbe

    Vendimi i Kurtit për organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – reagon Lista Serbe

    Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka vlerësuar si “pjesë të planit të regjimit të kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve.

    “Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, u tha në njoftimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

    Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste, duke argumentuar se këto organizata qëndrojnë pas trazirave në veri të Kosovës dhe se ato paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

    Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës në mënyrë që të “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.

    Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

    Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

    “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – organizata që veprojnë në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe – numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

    Në mbledhjen e Qeverisë, kundër këtij vendimi ka votuar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai ka argumentuar se ky vendim i ekzekutivit është i nxituar.

    Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kosova nuk është koordinuar me ta për këtë vendim, e as me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    “Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

    Që nga përfundimi i luftës më 1999, në Kosovë operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe financuara nga shteti i Serbisë.

    Njëra ndër to është edhe “Mbrojtja Civile”, e cila ka dalë publikisht më 2011.

    “Mbrojtja Civile” në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe roli i saj është të reagojë në situata emergjente të rrezikut, siç janë përmbytjet, tërmetet e të ngjashme.

    Shuarja e saj është paraparë në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 2015, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Ndërkaq, në gusht të vitit 2022, në pjesën veriore të Kosovës u shfaqën grafite me një log dhe mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.

    Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.

    Shpallja e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

    Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri./REL

  • Dy kryeministra evropianë javën e ardhshme në Kosovë

    Dy kryeministra evropianë javën e ardhshme në Kosovë

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë javën e ardhshme Kosovën.

    Vizita e Rutte dhe Bettel do të realizohet të hënën (3 korrik) dhe të martën (4 korrik).

    Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

    Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë do të vizitojnë edhe Serbinë.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore./KP

  • Vazhdon programi “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së

    Vazhdon programi “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së

    Po vazhdon implementimi i programit “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së, me ç’rast instruktorët janë duke ligjëruar para nxënësve temat e parapara sipas planit për këtë vit shkollor, duke përfshirë këtu edhe pjesën praktike.

    Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë dhe “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, ishin dy kazermat të cilat ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i vizitoi për të parë nga afër të rinjtë teksa marrin njohuri bazike rreth sigurisë e mbrojtjes, armatimeve dhe mjeteve shpërthyese.

    Ministri Mehaj ka theksuar se njohuritë e përfituara gjatë kësaj periudhe do të jenë mësim jetësor për të gjithë nxënësit, përderisa aftësimi i tyre do t’i shërbejë sigurisë së vendit.

  • Lansohet fushata “Festo me zemër, jo me armë”

    Lansohet fushata “Festo me zemër, jo me armë”

    Ministria e Punëve të Brendshme lansoi sot fushatën për ngritjen e ndërgjegjësimit kundër të shtënave festive “Festo me zemër, jo me armë”.

    Ministrja e e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e mirëpriti këtë fushatë dhe tha se një traditë e keqkuptuar dhe keqintepretuar është se “ne sot nuset i marrim me muzikë e nuk i grabisim e nuk duhen as të shtënë me armë kur i marim nuset”.

    Ajo tha se sundimi dhe zbatimi i ligjit është për të gjitha qytetarët njësoj. Sipas saj, pavarësisht në cilat raste, përdorimi i armës është vepër penale.

    Zëvendësministri i Punëvë të Brendshme, Blerim Gashani u shpreh se sot po e lansojnë këtë fushatë dymujore, përmes së cilës synohet të rritet ndërgjegjësimi shoqëror, që të mos përdoren të shtënat e armëve në ahengjet dhe festat familjare.

    Ai tha se tashmë gjatë këtij muaji kanë implementuar fazën e parë të fushatës në fjalë dhe do të vazhdojnë me aktivitete të tjera.

    Sipas tij, Policia në baza vjetore sekuestron mbi 1500 armë pa leje.

    Përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, Hakan Ejdervik tha se fushata që po lansohet sot është vendimtare e që do të ndodhë përgjatë korrikut dhe gushtit.

    Sipas tij, përmes ndërgjegjësimit dhe veprimeve kolektive mund të parandalohen të shtënat festive.

  • Kurti: Nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën, por për t’u mbrojtur nga dikush

    Kurti: Nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën, por për t’u mbrojtur nga dikush

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Fora e Sigurisë së Kosovës është shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën, raporton EO.

    Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së klasës 2023 të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kurti u shpreh se FSK ka krijuar imazhin dhe që nxjerr ushtarë të shkëlqyer që shërbejnë së bashku me ushtritë partnere.

    Të diplomuarve ai u tha se thash e kanë mbi supe ruajtjen e qytetarëve dhe sovranitetin, madje u shpreh se “ne nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën por për t’u mbrojtur nga dikush”.

    Kurti përmendi edhe shtimin e buxhetit për ushtrinë, një rritje prej 82 për qind. Investimet për armatim tha se gati i kanë trefishuar.

    “Diplomimi i sotëm nga Qendra për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës na jep shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën. Na kthen në kohën 1999, ku nga shkollimi në fazë të luftës, ushtria jonë vazhdon të zhvillohet. Teksa po e shënojmë këtë gjeneratë, QSU e FSK ka krijuar imazhin dhe që nxjerr ushtarë të shkëlqyer që shërbejnë së bashku me ushtritë partnere”.

    “Kemi lidhur bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Letoninë. Nga sot përveç gradën e oficerit, ju do ta keni mbi supe ruajtjen e qytetarëve dhe sovranitetin. Duke pranuar titullin e oficerit që u ndërtua mbi supet e UÇK-së. FSK e keni bërë të hapur për çdo të ri dhe të re dhe keni larguar numrin e kufizuar. Në proces të rekrutimit janë edhe 600 ushtar të rinj”, tha Kurti.

    “Ne nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën por për t’u mbrojtur nga dikush”, tha Kurti, teksa falënderoi familjarët për siç tha shkollimin në frymën e atdhedashurisë.

    Komandanti i Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Albion Ajvazi, tha se kjo është gjenerata e 15-të e oficerëve të diplomuar, për çka u kërkoi që të punojnë me integrimet e besim, raporton EO.

    “Sot është padyshim datë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovë, kur po e diplomojmë gjeneratën e 15-të të oficerëve të FSK-së. Klasa 2023 përgjatë 4 viteve jeni rritur duke shfaqur vetëbesim”.

    “Veprimet dhe vendimet që do të merrni, padyshim se do të jetë rol kyç në mbrojtje të integritetit dhe qytetarëve të vendit. Mbajeni në mendje besimin dhe përgjegjësinë që u është dhënë. Udhëhiqni me integritet dhe besim dhe padyshim se do të keni sukses për ata që do t’u rrethojnë”, tha ai.