ATV

Category: Lajme

  • Një person bie nga minibusi që ishte në lëvizje, pasi shoferi e hapi derën nga pakujdesia

    Një person bie nga minibusi që ishte në lëvizje, pasi shoferi e hapi derën nga pakujdesia

    Policia e Kosovës bëri të ditur se një person ka rënë nga minibusi që ishte në lëvizje pasi shoferi e kishte hapur derën në mënyrë të pakujdesshme.

    Rasti ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, të premten në ora 10:30.

    “I dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar minibusin, dyshohet nga pakujdesia ka hapur derën e minibusit në mënyrë të pakujdesshme dhe për pasojë viktima mashkull kosovar ka rënë nga minibusi dhe ka pësuar lëndime”, thuhet në raport.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa rastin në konsultim me prokurorin shkon në procedurë të rregullt.

  • Kosova jashtë programit 7.5 miliardësh të BE-së, Hoti: Dëm i madh

    Kosova jashtë programit 7.5 miliardësh të BE-së, Hoti: Dëm i madh

    Kosova është lënë jashtë programit 7.5 miliardë euro të financuar nga BE-ja.

    Bëhet fjalë për programin “Europa Digjitale”, një projekt ky shumë i rëndësishëm për bizneset dhe institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Sipas deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, ky është “dëm i madh”.

    “Dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së”,  ka shkruar ai, në një postim në “Facebook”.

    Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje sot në Bruksel qytetarët, bizneset dhe institucionet publike e vendeve të rajonit që morën pjesë në këtë takim, do të kenë mundësi të aplikojnë në programin e financuar nga Bashkimi Evropian.

  • VV-ja thotë se BE-ja s’po i trajton barabartë Kosovën e Serbinë – Opozita shqetësohet për masat

    VV-ja thotë se BE-ja s’po i trajton barabartë Kosovën e Serbinë – Opozita shqetësohet për masat

    Masat e paralajmëruara për Kosovën nga Bashkimi Evropian po vlerësohen se janë bërë për fajin e politikave të “pamenduara” nga kryeministri Albin Kurti. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë Kosovën dhe Serbinë.

    Nga opozita thonë se Kosova s’ka qenë asnjëherë në situatë më të rëndë politike se sa sot, ndërsa kërkojnë të gjendet një zgjidhje tjetër për situatën e krijuar në veri të vendit.

    Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë dy shtete që janë në proces të dialogut.

    Ajo thotë se institucionet e Kosovës kaherë i kanë prezantuar brengat në raport me Serbinë, por që nuk janë ndërmarrë masa për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe tendencës për ta larguar Serbinë nga Rusia.

    “Masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian paraqesin në esencë pabarazinë elementare të trajtimit nga ana e Bashkimit Evropian të dy vendeve të cilat janë në proces të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është bërë një kohë që ne kemi prezantuar brengat tona në raport me njëanshmërinë qoftë të ndërmjetësit apo edhe të procesit duke u akomoduar shumë e shumë kërkesa të Serbisë në një kontekst të zhvillimeve gjeopolitike për ta tërhequr Serbinë më shumë afër vetes për ta larguar nga Rusia”, ka deklaruar ajo.

    Shefja e deputetëve thotë se këto masa mund të ndikojnë edhe tek shtetet tjera që duan ta shtrijnë sovranitetin në territorin e tyre. Ajo ka përmendur edhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe mediave.

    “Përkundër që pamë zhvillimet e vazhdueshme edhe këto të fundit në raport me ngjarjet në veri edhe përgjegjësit që u panë dukshëm, përfshi edhe sulmet jo vetëm ndaj ushtarëve dhe policisë por edhe ndaj mediave të lira dhe deklaratat e presidentit Vuçiq që në njëfarë mënyre arsyeton sulmet në fjalën e lirë dhe në mediat, përfshi sulmet fizike, prapë BE e ndjen se është shumë e lehtë të ndikohet në Kosovën apo në presion mbi Kosovën në masa të cilat siç thonë ata do të jenë në periudhë të shkurtër dhe jo me efekt afatgjatë në rast se ka ndryshim në terren, gjë që nuk është vetëm në ndikim të masave por në fakt vendosja në një trajtim të sistemit të vlerave që është dekurajuese për demokracinë, është dekurajuese për shtetet të cilat mundohen të përmirësojnë funksionimin e brendshëm e këtu është edhe specifika e shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e republikës dhe ruajtja e ligjshmërisë së proceseve siç është ai zgjedhor”, thotë Kusari-Lila.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se Kosova ka ende kohë që t’i ikë sanksioneve të BE-së. Për këtë, Shala kërkon veprime nga ekzekutivi.

    “Puna e parë ne do të dëshironim që këto të mos fillonin të realizoheshin, besoj që ka edhe pak kohë që kryeministri të reflektojë dhe të kthehet në normalitet politik dhe t’i kthehet bashkëpunimit me ndërkombëtarë. Ka agjenda, ka mundësi e hapësirë që janë të gatshëm që urgjentisht të veprojnë në mënyrë që mos t’i ndodh kjo që pritet t’i ndodh Kosovës. Nëse ndodh, fatkeqësisht është dëm i madh social, ekonomik e politik sepse asnjëherë nuk ka ndodhur që Kosova të gjendet para aktit të tillë kur partnerët që e kanë ndihmuar historikisht në ngritjen e këtij shteti, sot të fillojnë me masa ndëshkuese”, thotë Shala, teksa shprehet se Kosova nuk i ka kapacitetet që ta ketë kundërshtarë Bashkimin Evropian.

    “Gjendja jonë ekonomike si shtet i ri nuk e meriton dhe nuk mund ta përballojë që ta kemi kundërshtarë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është jologjike edhe në kuptimin njerëzor, por edhe politik e veçanërisht ekonomik, me pretenduar që mund t’i bëjmë ballë sfidave dhe sanksioneve evropiane. Andaj edhe një herë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të reflektojë urgjentisht që kjo mos t’i ndodh Kosovës”, thotë tutje ai.

    Ai, veprimet e kryeministrit Kurti në veri të vendit i konsideron populiste dhe në dëm të shtetësisë. Ai vazhdon t’i quajë të dëmshme marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër.

    “Kryeministri duhet ta ketë të qartë që çdo rrugëtim i joni shtetndërtues në këtë punë, i lirisë së Kosovës është me partnerët dhe nuk guxojmë në asnjë rast ta rrezikojmë këtë sepse e kemi rrezikuar shtetin dhe lirinë tonë e zhvillimin tonë ekonomik. Gabimet janë krejtësisht politike të kësaj Qeverie e cila nuk ka qartësi as në veprim e as në parandalim dhe sot ne po jetojmë me politika populiste ekstreme të lokalizuara në një zonë të Kosovës, ku parimisht kryeministri ka pasur tjetër qëndrim derisa ka ardh në pushtet dhe sot. Mbi të gjitha, kryeministri tashmë është i vetëdijshëm, me marrëveshjet që i ka nënshkruar në Bruksel dhe Ohër ka gabuar rëndë, ka bërë marrëveshje në dëm të Kosovës, ka pranuar realisht një autonomi që nuk ka qenë asnjëherë temë e diskutimit, ka pranuar një autonomi tjetër për kishat ortodokse serbe dhe i gjendur para këtyre gabimeve, po orvatet ta zhvendos vëmendjen me krizat tjera e të cilat parimisht është duke i improvizuar dhe duke i shkuar përshtati shumë edhe Serbisë por veçanërisht kundërshtarëve të shtetit të Kosovës”, thotë Shala.

    E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se LDK-ja nuk e përkrah ekzekutivin për të qenë kundër partnerëve ndërkombëtarë.

    Thotë se Kosova është dashur të mendojë për investime të reja e jo për sanksione.

    “Në vend se të flitet për aplikime në organizata ndërkombëtare, të flitet për investime të reja, ne sot presim sanksione nga Bashkimi Evropian, kjo është tejet shqetësuese për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti do duhej të ulej dhe të dakordohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe të qetësohej gjendja në veri sepse kështu nuk shkon”, thotë Krasniqi.

    “Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e kemi përkrah kryeministrin në të gjitha proceset integruese por nuk e kemi përkrah që të jetë kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë dhe ai do duhej të ulej dhe të dakordohej me ta, në mënyrë që të ecin proceset integruese sepse fatkeqësisht procesi i dialogut po del të jetë i lidhur me krejt proceset tjera integruese, Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian e organizatat tjera, sepse ne për dy vite e gjysmë nuk e kemi pas asnjë progres sa i përket politikës së jashtme, kemi pasur vetëm regres, e arsyeja kryesore është vetëm Kurti me aventurat e tij”, thotë tutje Krasniqi.

  • “Prishtina Parking” shqipton deri në 150 gjoba në ditë

    “Prishtina Parking” shqipton deri në 150 gjoba në ditë

    Kryeshefi i ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, Sokol Havolli, ka thënë se kjo ndërmarrje shqipton 120 deri në 150 gjoba në ditë.

    Sipas tij, në të kaluarën numri i gjobave të shqiptuar brenda ditës ka qenë deri në 200 sosh, por që me punën që është bërë në këtë ndërmarrje, numri i shqiptimit të gjobave ka rënë.

    Ai ka thënë se duke marr parasysh që kjo ndërmarrje ka përmirësuar qeverisjen e zonave të parkingjeve, ka pasur ngritje të të hyrave deri në 60 për qind.

    Sa i përket uljes së numrit të gjobave të shqiptuara, Havolli tha se është i kënaqur që ka arritur ta reduktoj gjobën si mekanizëm, pasi sipas tij tani mesatarja mund të jetë rreth 120 gjoba në ditë, dhe ai shtoi se ulja e numrit të gjobave ka ndodhur pasi që janë shtuar shërbimet për qytetarët.

    “Mesatarisht gjoba brenda një ditë shqiptohen rreth 130 deri 150 gjoba, ky nivel ka qenë më i lartë dhe jam mjaftë i kënaqur që kemi arritur ta reduktojmë gjobën si mekanizëm sepse tani më mesatarja  mund të jetë rreth 120, në të kaluarën ka mundur që të jetë deri në 170 ose 200 gjoba brenda ditës. Tani e kemi reduktuar në 120, 130 rrallë në disa raste mund të shkojë deri në 140, por kryesisht sillet rreth 120 brenda ditës. Bindja jonë e plotë se kjo është e ndërlidhur edhe me faktin që ne e kemi shtuar shërbime të reja”, tha ai.

    Kryeshefi i “Prishtina Parking” tha se kjo ndërmarrje ka pasur rritje substanciale të të hyrave nga pagesa me sms.

    Sipas tij, nëse krahasohen pesë muajt e parë të këtij viti me pesë muajt e parë të viti të kaluar ka pasur 60 për qind rritje të të hyrave, që në vlerë i bie 232 mijë euro.

    “Nën një vetëdija e qytetarëve është rritur se parkingu duhet që të paguhet dhe dërgojnë sms vazhdimisht për të realizuar pagesën. Kemi një rritje substanciale të numrit të sms-ve dhe tash nëse e krahasojmë pesë muajt e parë të këtij viti, në krahasim më pesë muajt e parë të viti të kaluar kjo rritje është rreth 60 për qind, që është rritje mjaftë e fuqishme. Hapësirat që i kemi nënë menaxhim i kemi të rriturat diku me rreth 20 për qind, pra rritja nuk është si rezultat i rritjes së hapësirës por si rezultat i rritjes së vetëdijes”, tha ai.

    Ai po ashtu theksoi se kjo ndërmarrje ka pasur rritje tek të hyrat e parkingjeve me laura deri në 40 për qind.

    “Esenca është që ne minimalisht të implementojë mekanizmin e gjobës dhe maksimalisht të kryej shërbimin tonë më të cilën jemi të autorizuar. Të gjitha kategori e të hyrave kemi rritje substanciale, në parkingjet me laura me rreth 40 për qind, hapësirat janë të zvogëluar pra e kemi përmirësuar qeverisjen e këtyre zonave. Kemi rritje substanciale të të hyrave me sms për rreth 60 për qind, te pjesa e gjobave nuk kemi rritje. Por sigurisht edhe fakti që ne që nga shkurti i këtij viti kemi filluar që të aplikojmë edhe një shërbim shtese për qytetarët që dërgojnë sms, ku në min e 50 i njoftojmë që ju kanë mbetur edhe dhjetë min kohë për tu parkuar dhe kjo ju mundëson që të ridërgojnë sms”, tha ai.

  • SBAShK: Orët e humbur s’janë zëvendësuar në tërësi

    SBAShK: Orët e humbur s’janë zëvendësuar në tërësi

    Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala ka thënë se procesi mësimor është zhvilluar sipas plan-programit, ndonëse fillimviti ka filluar me grevë pesë javëshe.

    Gjatë një interviste për Ekonomia Online, nënkryetarja e SBAShK-ut, ka deklaruar se përkundër grevës, mësimdhënësit kanë arritur të përfundojnë njësitë mësimore sipas planit të paraparë.

    “Procesi mësimor është zhvilluar ashtu siç është paraparë, ngase mësimdhënësit pavarësisht ka qenë që ka qenë greva pesë javore në fillimvit për kërkesat tashmë të njohura të asaj kohe, mësimdhënësit kanë arritur që të gjitha njësitë mësimore të cilat i kanë pasur të parapara për t’i shpjeguar për gjatë vitit shkollor, natyrisht që kanë arritur t’i shpjegojnë dhe t’u japin njohuritë e duhura nxënësve, ndërsa vlerësimi në përgjithësi të procesit mësimor, mendoj që është bërë një punë siç është kërkuar nga mësimdhënësit por vlerësimin e nxënësve e bëjnë pikërisht mësimdhënësit dhe ata janë kompetent për vlerësimin e nxënësve”, u shpreh ajo.

    E humbja e orëve të mësimit si pasojë e grevës, sipas Shalës janë zëvendësuar por jo në masë të madhe.

    Ajo u shpreh se përkundër kontratës kolektive që orët e humbura nuk zëvendësohen, mësimdhënësit i kanë mbajtur ato orë.

    “Orët të cilat kanë qenë të parapara për vitin shkollor 2022-23, natyrisht që janë realizuar edhe pse me kontratën kolektive të nënshkruar ndërmjet SBAShK-ut dhe MAShTI-t, ka qenë që orët e humbura gjatë grevës të mos zëvendësohen, mirëpo megjithatë mësimdhënësit përkundër asaj edhe nëse nuk i kanë zëvendësuar si orë mësimore, në orët mësimore kanë pasur mundësi që njësitë mësimore të cilat kanë qenë më të shkurtra t’i realizojnë, qoftë përmes një zgjatje të orarit por edhe plotësimit të ndonjë ore mësimore aty ku e kanë parë që nxënësit kanë nevojë për ato njësi mësimore”, u shpreh ajo.

  • Biden dënon vendimin e Gjykatës së Lartë për të bllokuar planin e tij për falje të kredive studentore

    Biden dënon vendimin e Gjykatës së Lartë për të bllokuar planin e tij për falje të kredive studentore

    Presidenti amerikan Joe Biden dënoi të premten vendimin e Gjykatës së Lartë që bllokoi planin e tij për të anuluar borxhet prej 430 miliardë dollarësh në kredi studentore, nga i cili do të përfitonin 43 milionë amerikanë. Zoti Biden njoftoi veprime të reja për të ofruar lehtësime për amerikane me kredi studentore.

    “Jam i shqetësuar për këtë që ndodhi sot. Vendimi i sotëm ka mbyllur një rrugë dhe tani ne do të ndjekim një tjetër rrugë. Ne të do të shohum se si mund të përdorim mjete të tjera që i kemi në dispozicion për të lehtësuar borxhet nga kreditë studentore dhe për të realizuar endërrat tuaja. Ekonimia është në gjendje të mirë. Kjo është një gjë e mirë për vendin dhe për ju”, tha ai.

    Presidenti Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se administrata e tij do të përpiqej të lehtësonte borxhet nga kreditë studentore përmes Aktit të Arsimit të Lartë. Ai fajësoi opozitën republikane për dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën e Lartë dhe e cilësoi të gabuar vendimin për bllokimin e planit të tij për të falur borxhet e kredive studentore.

    Në një vendim 6 me 3, gjykatësit vendosën kundër planit të Presidentit Biden e në favor të gjashtë shteteve me prirje konservatore, që e kishin kundërshtuar atë. Veprimi i gjykatës i dha një goditje 26 milionë amerikanëve, që kanë marrë kredi studentore, e që kishin aplikuar për lehtësim nga barra financiare, pasi Presidenti Biden njoftoi programin në gusht të vitit 2022, deri në nëntorin e vitit kaluar, kur disa gjykata më të ulëta, e bllokuan atë. Vendimi po ashtu shihet si një pengesë politike për presidentin demokrat.

    Gjatë shtete, Arkansa, Ajova, Kansas, Mizuri, Nebraska dhe Karolina e Jugut, kishin ngritur padi kundër planit të Presidentit Biden. Padi kishin ngritur edhe dy persona, që kishin marrë kredi studentore e nuk kualifikoheshin për lehtësim, sipas kritereve të planit.

    Plani i zotit Biden ishte një përmbushje e premtimit të tij të bërë gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2020, për të anuluar një pjesë të borxhit prej 1.6 trilionë dollarësh, që studentë dhe ish studentë, i detyrohen qeverisë federale. Por republikanët e quajtën atë një tejkalim kompetencash nga ana e presidentit, e që do të siguronte përfitim të padrejtë për një pjesë dhe jo për të gjithë ata që kanë marrë kredi studentore. Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur Presidenti Biden ka nisur fushatën për t’u rizgjedhur në vitin 2024.

    Presidenti Biden tha se do të gjente mënyra të tjera për të përmbushur premtimet e tij për të ndihmuar njerëzit që po përballen me borxhet e kredive studentore.

  • S’ka vendim, KE-ja përsërit paralajmërimin për masa nëse s’ka shtensionim

    S’ka vendim, KE-ja përsërit paralajmërimin për masa nëse s’ka shtensionim

    Me një tjetër përsëritje të paralajmërimit për “pasoja negative” nëse nuk ka shtensionim të situatës në veri të Kosovës, përfundoi punimet dyditore Këshilli Evropian.

    Në konkluzionet e publikuara pasditen e 30 qershorit, Këshilli Evropian nuk njoftoi për ndonjë vendim në raport me Kosovën.

    “Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe thërret për deeskalim të situatës, bazuar në elementet kyçe tashmë të theksuara nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023. Palët duhet t’i krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të deeskaluar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në konkluzionet e Këshilli Evropian.

    Në vijim të paragrafit me pesë rreshta, për raportet Kosovë-Serbi, Këshilli kërkoi vazhdim të dialogut në Bruksel dhe zbatim të asaj që është dakorduar.

    “Është thelbësore që të vazhdohet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë, dhe me zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtojcës për zbatim. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet me tej në konkluzionet e Këshilli Evropian.

    Kosova nuk u përmend në asnjërën nga dy konferencat e organizuara pas mbledhjes së Këshillit.

    As në atë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz. As në atë të presidentëve të Këshillit dhe Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula Von Der Leyen, me kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristensson.

    I pyetur nëse në Bruksel flitet për presion ndaj Serbisë për deeskalim, kryeministri kroat Andej Plenkovic tha se në fjalën e tij në Këshill kërkoi qasje të balancuar.

    “Ne e pamë se si dhe kush i sulmoi ushtarët e KFOR-it dhe EULEX-in. Stabilizim, po. Pjesëmarrje në zgjedhje, po. Bisedime me të dyja palët, po. Respektim i marrëveshjeve, po. Dhe, krijim i parakushteve për marrëveshjen për normalizim. Mesazhi është qasje e balancuar, jo presion në njërën palë”, tha Plenkovic.

    Ai përsëriti nevojën për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe pjesëmarrjen e serbëve në to.

    Javët e fundit, BE-ja paralajmëroi për mundësinë e pezullimit të bashkëpunimit financiar dhe takimeve të nivelit të lartë me Kosovën, nëse Qeveria nuk ndërmerr veprime të menjëhershme për shtensionim të situatës në veri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • FSK-së i shtohen edhe 15 ushtarë

    FSK-së i shtohen edhe 15 ushtarë

    Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan edhe 15 ushtarë të rinj.

    Pas katër vjet studime diplomoi gjenerata e 2023-të e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare, ku në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

    Derisa i uroi për punën e tyre, Kurti u shpreh optimist që në një të ardhme të afërt FSK do të jetë pjesë edhe e NATO-s.

    “Mundi dhe përpjekjet katër vjeçare sot po ju shpaguhen, duke pranuar titullin e oficerëve të republikës dhe të forcës që u ndërtua mbi themelet e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të kësaj force që në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s, aleancës që mbështeti politikisht dhe ushtarakisht çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha Kurti.

    Për angazhimin e tyre të deritanishëm u shpreh krenar edhe major Albion Ajvazi.

    “Zgjedhjet që ju bëni, veprimet që ju ndërmerrni dhe vendimet që përballeni do të kenë një ndikim të madh në jetën e të gjithë atyre nën komandën tuaj, si dhe në sigurinë dhe mirëqenien e vendit tonë. Gjithmonë mbani në mendje peshën kësaj përgjegjësie dhe besimin që është vënë në supet tuaja”, tha Ajvazi.

    Se vendit do t’i shëbejnë me ndër e deri në frymën e fundit, e tha edhe ushtari më i ri i Kosovës, Arianit Hoxha.

    “Klasa 2023 të bashkuar, të pandashëm dhe të pathyeshëm, të rreshtuar para jush ju sigurojmë që me nder, vullnet, besnikëri e devotshmëri do t’i shpërbejmë Kosovës sonë të lirë deri në frymën e fundit, do të jemi gjithherë në krye të detyrës”, tha Hoxha.

    Ndërkohë përgjatë dy vjetëve sipas ekzekutivit janë trajnuar jashtë vendit 3 mijë e 325 ushtarak. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • As këtë muaj nuk ka shtesa për punëtorët e sektorit publik

    As këtë muaj nuk ka shtesa për punëtorët e sektorit publik

    Për rrezikun që u përballën nuk morën asnjë cent shtesë.

    Qeveria për të pestin muaj me radhë nuk i ka ekzekutuar shtesat për asnjë punëtor të sektorit publik.

    Përfaqësues të Sindikatës së Policisë thonë se janë lodhur nga mosmbajtja e premtimit nga ana e Qeverisë.

    “Kjo e ka mbushur kupën e pakënaqësive të policëve, sepse nuk ka as logjikë që shtesat për rrezikshmëri të mos paguhen, përkundër kërkesave të tjera të vazhdueshme që i kemi pasur”, tha Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

    Një nga arsyet që mund të ndikojë në mosekzekutimin e shtesave për sektorin publik, sipas Ali Sefajt, nga sindikata e shërbyesve civilë, është edhe moskualifikimi i duhur i anëtarëve të komisioneve qeveritare, që merren me verifikimin e kategorive të punëtorëve.

    “Edhe njerëzit që i kanë angazhuar në këto komisione për t’i trajtuar këto lëndë. Mendoj që e kanë mungesën profesionale të nevojshme dhe përvojën e punës”, tha Sefaj.

    Ndërsa, pavarësisht insistimit të ATV-së, as këtë herë Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe ajo e Financave, nuk kanë kthyer përgjigje se pse as për muajin qershor nuk u ekzekutuan shtesat.

    Megjithatë, një ditë më parë, ministri Xhelal Sveçla, i pyetur për këtë çështje, dha një përgjigje të shkurt. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • “Festo me zemër, jo me armë”

    “Festo me zemër, jo me armë”

    “Festo me zemër e jo me armë”, është motoja e fushatës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila synon ta parandalojë përdorimin e armëve nëpër ahengje e festa.

    Derisa përdorimi i armës për festime është vepër penale, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga institucionet e sigurisë t’i ndjekin shkelësit.

    “Arma nuk e ka vendin as në familje, as në shtëpi. Arma e ka vendin në duart e Policisë së Kosovës, te profesionistët, të cilët janë të trajnuar të ushtrojnë rendin dhe ligjin, qoftë edhe me anë të forcës. Mërgata kur vjen të mos përballet me tragjedi. Përdorimi i armës është vepër penale dhe duhet ndjekur nga të gjitha institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë”, tha Gërvalla.

    Derisa muajt e verës në Kosovë janë të njohur më shumë për organizimin e ahengjeve të ndryshme, Policia do të jetë më aktive në terren, që të parandalojë siç thanë ata, ndonjë tragjedi.

    “Fushata do të prihet kryesisht gjatë sezonit të verës. Arsyeja janë shtimi i ahengjeve, shtimi i popullsisë, pra ardhja e mërgatës, e me këtë shtim edhe shtimi i të shtënave. Mendojmë se institucionet mund të arrijnë ndalimin e shtënies së armëve. Policia e Kosovës vazhdimisht punon në këtë drejtim, por e vetme nuk mund të arrijë të ndalojë këtë fenomen. Një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e Qeverisë së Kosovës është ofrimi dhe ruajtja e sigurisë”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.

    Ndonëse gjuajtja me armë në raste të caktuara nuk ka për motiv vrasjen, sipas Shqipdon Fazliut nga Prokuroria e Shtetit, dënimi është i njëjtë.

    “Kryerësit e këtyre rasteve janë ose dashamirë ose familjarë. Por pavarësisht motivit, dënimi për vrasje është i njëjtë. Kjo fushatë është e një rëndësie të veçantë; arma është vdekjeprurëse. Festoni ditën e natën, kërceni e luani, por duhet t’i kursejmë edhe fëmijët e të afërmve tanë. Ka pasur raste kur prindi e ka vrarë fëmijën e tij, burri ka vrarë njëkohësisht gruan dhe nënën e tij”, tha Fazliu.

    Çdo vit në Kosovë plagosen dhe vriten fëmijë, gra e burra nga të shtënat në festa. Muaj më parë u plagos një vajzë 15-vjeçare dhe dy meshkuj nga plumba qorr, ndërsa 76 persona të tjerë u plagosën nga mjetet piroteknike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: