ATV

Category: Lajme

  • AKK-ja kërkon themelimin e Fondit Emergjent për Komuna

    AKK-ja kërkon themelimin e Fondit Emergjent për Komuna

    Vërshimet tragjike të ditëve të fundit, në Pejë shkaktuan vdekje, kurse në komuna tjera dëme materiale. Derisa komunat janë duke verifikuar dëmet nga këto vërshime, nga asociacioni i komunave bëjnë të ditur se nuk ka kompensime as për vërshimet e janarit.

    “Ne si asociacion edhe më herët kemi kërkuar një Fond Emergjent për Komuna. Kur kemi dukuri të tilla, institucionet e Republikës së Kosovës, edhe autoritetet lokale e jo vetëm institucionet qendrore, t’u dalin në ndihmë qytetarëve të komunave përkatëse sa më shpejt”. Me këtë burokraci e cila është e paraparë me legjislacionin në fuqi, qytetarët e prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti ende nuk kanë marrë ndonjë propozim nga niveli qendror dhe kjo është për të ardhur keq. Në bazë të informatave që kemi, në bazë të komunikimeve ditore që kemi me kryetarët, del që bujqit nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga reshjet e vitit të kaluar, në veçanti në komunën e Rahovecit, ku kryetari Smajl Latifi e ka ngritur këtë shqetësim”, tha kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

    Sipas Ibrahimit, Komunat nuk kanë kapacitet financiare që të mbulojnë dëmet e shkaktuara nga vërshimet apo nga fenomenet natyrore. Sipas tij në bazë të legjislacionit komunat e kanë obligim ligjor që vetëm t’i mbajnë shënime sa i përket dëmeve të shkaktuara në ekonomi familjare, në bujqësi, në infrastrukturë dhe pastaj të procedojnë për nivel qendror.

    Por nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kanë thënë se krejt këto vërshime janë shkaktuar si rezultat i lumenjve por si rezultat i infrastrukturës së dobët.

    Tahir Ahmeti, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, pohon se ngjarjet e këtilla janë sfidë për institucionet shtetërore

    “Institucionet shtetërore gjithmonë duhet të jenë të përgatitura në mënyrë që nëse kemi ndonjë fatkeqësi natyrore të përmasave më të mëdha të jenë të gatshëm që t’u dalin në ndihmë qytetarëve në mënyrë të plotë, efikase dhe profesionale. Reaguesit e parë në rast të fatkeqësive natyrore janë zjarrfikësit e Kosovës, Policia e Kosovës dhe shërbimet mjekësore emergjente”, tha Ahmeti.

    Punësimi i më shumë zjarrfikësve dhe modernizimi i pajisjeve të tyre nuk bëhet tash e sa vite për shkak të telasheve në komunikim ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe komunave. Zjarrfikësit janë kompetencë e ministrisë së brendshme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në shtator të këtij viti, pritet të zgjerohet sheshi i Vushtrrisë

    Në shtator të këtij viti, pritet të zgjerohet sheshi i Vushtrrisë

    Nga shtatori i këtij viti, qytetarët e Vushtrrisë do të kenë do të kenë hapësirë më të madhe të shëtitores në qytet, pasi që Komuna ka marrë vendim që sheshin “Adem Jashari” të këtij qyteti ta zgjerojë duke e bashkuar kështu me një pjesë të parkut të qytetit të Vushtrrisë.

    Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi thotë se ky projekt pritet të filloj së shpejti.

    “Jemi në fazën e përzgjedhjes së operatorit për hartimin e projektit, do të jetë një shesh jashtëzakonisht i mirë, e kemi realizuar projektin, sheshi do të zgjerohet deri pas shtatores “Adem Jashari, do të jetë një shesh i integruar edhe do të rregullohet me një parking nëntokësor ku do të këtë kapacitet për parkimin e 250 veturave. Ky projekt pritet të përfundoj shumë shpejtë”, tha Ferizi.

    Sipas Idrizit, përveç parkingut nëntokësor, ky shesh pritet të ketë edhe vende atraktive për fëmijë, derisa vendimin e kryetarit po e mbështesin edhe qytetarët.

    “E mirëpresim vendimin e kryetarit për zgjerimin e sheshit, pasi që duhet të jetë sheshi më i madh dhe duhet të ketë hapësira të tjera më të mira”, tha Blerim Selani, qytetar.

    “Zgjerimi i sheshit është një vendim i mirë i kryetarit pasi që na duhet një hapësirë më e madhe, një shëtitore më e mirë për njerëz që kanë nevojë me dalë dhe me u shëtitë”, u shpreh Behxhet Duraku, qytetar.

    Projekti për zgjerimin e sheshit “Adem Jashari” në Vushtrri, pritet të përfundoj në shtator të këtij viti, derisa shuma financiare e këtij projekti është rreth 1.5 milionë euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeqyteti një ditë pas stuhisë

    Kryeqyteti një ditë pas stuhisë

    Përveç rrugës “Luan Haradinaj”, stuhitë mbrëmë, shkaktuan dëme edhe në lagje të tjera të Prishtinës.

    Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tha se janë evidentuar dëmet e shkaktuara në kryeqytet.

    “Mbrëmë e kemi cekur edhe në komunikatën për media, kemi intervenuar në 13 raste në kryeqytet, rastet kanë qenë të vogla, kemi pasur një rast që ka qenë pakëz më i madh si pasojë e erërave të forta kemi pasë kulmin që është ra nga ndërtesa në Bregun e Diellit ku janë dëmtuar 4 vetura, të gjitha dëmet janë evidentuar, ekipet kanë punuar deri vonë për pastrimin e pjesëve ku ka pasur dëme, janë sanuar të gjitha dëmet që kanë ndodhur si pasojë e stuhisë lokale që e ka goditur Prishtinën”, tha Fushtica.

    Sipas tij, Komuna e Prishtinës është e gatshme për intervenimin e çdo lloj emergjence që ndodh në kryeqytet.

    “I përcjellim me shumë kujdes njoftimet që vijnë nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, këtë mëngjes vetëm se jemi mobilizuar të gjithë të gjitha ekipet janë në pritje, në rast se do të ketë stuhi të llojit të tillë, të gjitha ekipet janë në gjendje gatishmërie nëse ka nevojë të intervenohet, shpresojmë që nuk do të jetë e intensitetit të njëjte siç ka qenë dje, por prape se prape do të jemi të gatshëm që të intervenojmë dhe tu dalim në ndihmë qytetarëve”, tha Fushtica.

    Lidhur me vërshimet që ndodhën muajin e kaluar, Fushtiva e pranon se në adresë të komunës kanë shkaur mbi 140 kërkesa për kompensim.

    “Të gjitha dëmet janë evidentuar, deri më tani kemi 146 kërkesa nga qytetarët për kompensim, ekipi i komisionit është duke punuar deri më tani ka evidentuar gjysmën e tyre, do të vazhdojmë evidentimin e tyre dhe më pas do të përgatitet raporti që do të tregoj pasqyrën reale dhe do të vazhdojmë me procedurat për kompensim”, tha Fushtica.

    Për kompensimin e dëmeve, sipas Fushticës do të kërkohet ndarja e subvencioneve si dhe buxhet nga Qeveria.

    Përveç kryeqytetit, muajin e kaluar, si pasojë e reshjeve të shiut vërshime pati edhe në Podujevë Mitrovicë e Vushtrri. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Në Mazgit bllokohet sërish njëra korsi e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë

    Në Mazgit bllokohet sërish njëra korsi e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë

    Po vazhdon të jetë e bllokuar njëra korsi në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, në fshatin Mazgit të komunës së Obiliqit, ndonëse punimet në të ishin përfunduar në tetor të vitit të kaluar, pas kësaj ministria e infrastrukturës bashkë kompania kontraktuese kishin thënë se që nga një nëntori kjo rrugë do të hapet për qarkullim, ende pa kaluar një vit ka filluar të intervenohet në të pasi që dheu u shemb sërish.

    Mirëpo sipas ministrisë së Infrastrukturës kompania pritet t’i përfundojë punimet shpejt.

    “Kompania e njëjte kontraktuese, ka ri-filluar punimet në rrugën nacionale Prishtinë Mitrovicë. Punimet janë paraparë të përfundonin deri më tani por shkak për vonesën e këtyre punimeve janë kushtet atmosferike, por gjithsesi punimet pritet të përfundojnë Brenda një periudhe te shkurtër kohore”, tha Qamil Feka nga MI.

    Por premtime të tilla nga ana e Ministrisë së mjedisit planifikimit hapësinorë e Infrastrukturës pati edhe kohë më parë.

    Dy vite më par ATV-ja, kishte raportuar për këtë problem që në atë kohë kishin filluar plasaritjet e para në këtë rrugë. Ndonëse ministria përmes një përgjigje në atë kohë i kishte thënë ATV-së, se brenda vitit do të përfundojnë punimet një gjë e tillë nuk ndodhi. Kështu ky segment rrugorë që lidh autostradën me rrugën nacionale Prishtinë Mitrovicë, mbeti jashtë funksionit për më shumë se dy vite.

    Për krejt këtë problem ministria në dhjetor të vitit 2021, gjatë një seance në kuvendin e Kosovës, kishte shpalosur një varg shkeljesh, që, sipas tyre, janë bërë në kohën e ndërtimit të kësaj rruge.

    “Kjo rrugë në atë kohë është ndërtuar pa shpronësimin e pronave të përfshira në këtë ndërtim dhe në atë kohë është punuar një projekt, i cili nuk i ka plotësuar kushtet teknike për t’u proceduar më tutje, pasi që ka pasur mospërputhje të projektit dhe gjendjes në terren. Tani ne kemi bërë revidimin e këtij elaborati të shpronësimit dhe jemi në fazën finale të përfundimit të tij. Problem në vete në këtë projekt paraqet mungesa e dokumentacionit kadastral, i grabitur nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

    Që ky problem do të rregullohet shpejt zyrtarë të MI-së, patën thënë edhe në janar të këtij viti, por që rruga ka filluar të rregullohet vetëm një javë më parë.

    Për këtë rrugë, Ministria e Infrastrukturës në vitin 2023 ka buxhet prej 22,5 milionë Eurosh, kurse për shpronësime për projektë të ndryshme në të gjithë Kosovën, janë ndarë rreth 24 milionë Euro. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Xhamia në kryeqytet e “pushtuar” nga mbeturinat

    Xhamia në kryeqytet e “pushtuar” nga mbeturinat

    Ndonëse ka kontenjerë për hedhjen e mbeturinave disa metra më larg, qytetarët vazhdojnë t’i hedhin ato pranë hyrjes së xhamisë te katër llullat në Pristina.
    Imam Hysamedin Abazi, kritikon banorët e kësaj legeje për shëmimt të ambientit.

    “Për shkak të moskulturës dhe të pakujdesit që kanë banorët e lagjes është duke ndodhur kjo, është vërtetë e trishtë. Çdo herë që pastrohet vetëm një ditë qëndron ambienti i pastër për shkak se banorët nuk ndalen së hedhuri mbeturinat”, tha Abazi.

    Për këtë situatë, Abazi ka thënë se kanë vendosur edhe kamera të sigurisë, përmes të cilave kanë identifikuar edhe disa nga banorët të cilët po hedhin mbeturina në këtë hapësirë.

    “Meqë këtu nuk është vendi për mbeturina, kemi vendosur edhe kamerat të sigurisë, madje janë bërë edhe ingjizime, madje i kemi hedhur në rrjete sociale ata që kanë bërë këtë gjë”, tha Abazi.

    Mirëpo ka edhe banor të cilët nuk e bëjnë të njëjtën gjë, për të cilën ata u shprehën tejet të shqetësuar.

    “Boll afër i kena kontenjerët po më afër po ju vjen me e ndot mahallën”, thotë një banore.

    “Shumë e dëmshme dhe shqetësusese, ani pse ne duam ta mbajmë pastër ambientin”, tha një banor.

    Hiç e hijshme kjo gjendje po cilësohet edhe nga turistët.

    “Nuk është aspak e bukur pamja. Është dita e dytë që kam ardhur. Jam rrit në Greqi dhe e kam mendjen sesi është atje pastër. Por këtu nuk është aspak higjienike”, tha Xhoana Xhaka, turiste.

    Se ambienti po dëmtohet nga vet qytetarët e thotë edhe Ilirik Musliu, Drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë.

    “Aty ka qytetar të papërgjegjshëm, 50 metra më lartë janë kontinjerët. Ndërkaq para xhamisë nuk ka lokacion për kontinjerë”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

    Ndryshe, Musliu ka bërë të ditur se në disa pjesë të tjera të kryeqytetit vazhdon të ketë mungesë të kontenjerëve, për shkak se projekti është anuluar njëherë, i cili tashmë është në fazën e ritenderimit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • KPPM-ja pa bord funksional, bizneset po pësojnë

    KPPM-ja pa bord funksional, bizneset po pësojnë

    Makineritë e rënda që shërbejnë për eksploatim, transport e përpunim të gurit që nga java e parë e qershorit qëndrojnë të fikura, e punëtorët që do duhej t’i përdornin ato, në ditë me diell preferojnë të qëndrojnë nën hije.

    Me skadimin e licencës për shfrytëzim, Gurëthyesi Kastrioti, që operon në Caralevë të Shtimes, nuk mundet as të minoj, rrjedhimisht as ta shfrytëzoj sasinw e gurit që e ka në tokë të vetën.

    Aplikacioni për vazhdim të licencës është dërguar në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale. Por, bordi i KPMM-së, që ka për detyrë të jap fjalën e fundit për vazhdimin e lincencave apo lejeve, nuk është funksional që nga tetori i vitit të kaluar.

    E çdo ditë që kjo ndërmarrje e kalon pa punuar, përkthehet në para të humbura.

    “Unë kam kontrata ndërkombëtare, e kam pra ndërtimin e hekurudhës, dhe kam kontrata vendore me kompani të fuqishme….Nëse e blej materialin unë nuk fitoj fare, ndërsa me material timin bëjë një llojë fitimi solid”, tha Daut Fazlija, bashkëpronar i ndërmarrjes.

    Por vetëm ndërmarrja Kastroti nuk po përballet me një situatë të tillë.

    Të dhënat që ATV ka siguruar nga KPMM-ja tregojnë se rreth 220 aplikacione për shfrytëzim, hulumtim dhe aktivitete të veqanta kanë mbetur pa u shqyrtuar për shkak të mungesës së pozitës së kryesusit të bordit të këtij organi shtetëror.

    Sali Mulaj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, përmes një përgjigje me shkrim numëron disa nga pasojat që sjell mosfunksionalizimi i bordit.

    “Mos funksionimi i bordit shumë ndërmarrje është duke i dërguar drejt falimentimit, e në veçanti ndërmarrjet që kanë kërkesa për vazhdim të Licencave apo Lejeve. Kjo në vete bartë dhe rritjen e papunësisë me largimin e punëtorëve nga puna, largimi nga puna nënkupton emigrimin (edhe ashtu shqetësues), kjo situatë ka ndikuar që shumë ndërmarrje vendore dhe të huaja janë shumë të zhgënjyera me institucionet e Kosovës, ngase për shkak të situatës së krijuar vendin ton e konsiderojnë si vend jo të sigurt për të bërë biznes”, thuhet në përgjigjen e Mulajt.

    Gurëthyesi Kastroti që numëron diku 100 punëtorë, po i druhet pikërisht falimentimit nëse kuvendi nuk merr sa më parë masa për ri-funksionalizmin e bordit.
    “Disi mundë të qëndroj dy muaj, por më shumë i rrezikojë të gjitha dhe mundë të shkoj edhe në falimentim. Lus pozitë e opozitë në kuvend që sa më shpejtë të bëjnë zgjidhje”, tha Daut Fazlija, bashkëpronar i ndërmarrjes.

    Megjithatë, në mesin e dhjetra pikave që Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur t’i finalizoj gjatë këtij viti, emërimi i kryesuesit të bordit te KPMM-së, nuk është fare në listë.

    Kujtojmë se në dhjetor të vitin 2021, në kuvend, u votua bordi prej pesë anëtarësh i KPMM-së, me në krye Selvete Grajqevci Pllana. Mirëpo, pas arritjes së moshës për pensionim, tre nga anëtarët e bordit kishin kërkuar nga kryekuvendari shkarkimin e saj.

    Akoma nuk ekziston asnjë konkurs për emërimin e kryesuesit të ri të bordit e as nuk është emëruar ndonjë ushtrues detyre, kurse rasti i shkarkimit të Selvete Grajqevcit është në proces gjyqësor. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Sanksione të tilla, të palogjikshme

    Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Sanksione të tilla, të palogjikshme

    Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura të shtunën, ish- Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho i ka vlerësuar të palogjikshme, ndërsa ka theksuar se Evropa “po zgjedh rrugën më të lehtë”.

    “Dëshira e saj në shumë raste vë dhe sanksione të tilla të palogjikshme, se e ka më të lehtë në dy drejtime. Ne jemi dashamirës ndaj perëndimit dhe në shumë raste bëhemi qesharak me pranimin e çështjeve që ata shtrojnë dhe këtu kemi një element për herë të parë Osmanin dhe Kurtin, të cilët kanë dhënë gjoksin dhe nuk pranojnë presione të tilla dhe për çështjen kombëtare është më se e sigurt që duhet të mbash qëndrime të tilla dhe nuk mund të bësh kompromis për çështjen kombëtare”, tha Nesho.

    Propozimin e kryeministri shqiptarë, për mbylljen e liderëve të Kosovës e Serbisë në një konferencë deri në zgjidhjen e situatës, Nesho e konsideron të rrezikshme.

    “Çështja e konferencës nuk ishte nga padituria ose mënyra për të shprehur diçka origjinale gjë që gjithmonë kryeministri shqiptar e ka bërë. Projekti i fundit edhe deklarata e Ramës që të mbyllen në një konferencë është tepër e rrezikshme për t’ju dhënë mundësi serbëve për të ridiskutuar çështjet historike tashmë të mbyllura”, tha Nesho.

    Lidhur me Projektin e propozuar për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Nesho thotë se Rama “nuk ka aftësi intelektuale” të jetë i përfshirë në projekte të tilla.

    “Çështja e projektit të asociacionit të paraqitur nga Rama, është thjesht dhënia oksigjen Vuçiqit, i cili kërkon të realizojë projekte të tij, por jo t’i zgjidhi as çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, as të bëhet pjesë e perëndimit. Çështja e Asociacionit është gozhda që Vuçiqi kërkon për të destabilizuar dhe të mbajtur një konflikt artificial në veri të Kosovës”, tha Nesho.

    Prej 26 majit situata në komunat më veriore të Republikës është tensionuar, ndërsa gjatë kësaj kohe kemi parë një rol shumë aktiv të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa ka pasur mospajtime të hapura me kryeministrin Albin Kurti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Masat e përkohshme, të padrejta sipas Kurtit

    Masat e përkohshme, të padrejta sipas Kurtit

    Masat që BE-ja, I vendosi karshi Kosovës, Kryeministri I Kosovës Albin Kurti I ka konsideruar të pa drejta.

    Kurti, ka thënë se do të vazhdojnë më zbatimin e programit qeveritar dhe se shpresojnë se këto masa të përkohshme do të jenë shumë të shkurtra.

    “Këto nuk janë sanksione, por është e vërtetë se janë masa të përkohshme, por të padrejta, për shkak se Kosova dhe Qeveria saj janë edhe shteti dhe ekzekutivi më demokratik, më pro-evropian, progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me format e ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet edhe autokratik, pro Rusisë, i pa ballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish Jugosllavisë ku i shkaktuan katër luftëra. Sido që të jetë, ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë se nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit, as me kushtutshmerinë në e vendin tonë. Andaj, ne do të vazhdojmë më zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë se këto masa të përkohshme do të jenë shumë të shkurtra, ashtu që edhe mbështetja, ndihma evropiane të jetë e plotë, mbase edhe të rritet për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, tha Kurti.

    Derisa Kurti ka vlerësuar se Kosova është e gatshme dhe e interesuar më shumë se Serbia për normalizim me njohje de-facto në qendër, ndër masat e BE-së është edhe ajo që përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare.

    Masë tjetër ndëshkimore pritet të përfshihet edhe puna e përbashkët e grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

    Për këto masa kanë reaguar edhe krerët të partive opozitare në Kosovë.

    Kryetari I Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Kryeministri Albin Kurti po e izolon Kosovën nga jashtë, duke i sjellë edhe sanksione nga aleatët kryesorë, dhe po e vështirëson mirëqenien dhe jetën e qytetarëve.

    Në anën tjetër edhe I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.

    Këto masa ndaj Kosovës, sipas kryetarit të LDK-së janë avancim për Serbinë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vdes ish-presidenti i Serbisë, ishte akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Vdes ish-presidenti i Serbisë, ishte akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Ish-presidenti i Serbisë, Milan Milutinoviq, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Ai ishte president i Serbisë nga dhjetori 1997 deri në dhjetor 2002, shkruan Danas, transmeton Paparaci.

    Krahas atij posti, ai ishte Sekretar për Arsimin dhe Shkencën e Serbisë, ambasador Jugosllav në Greqi dhe ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë.

    Pas përfundimit të mandatit të tij presidencial në Serbi, në dhjetor 2002, ai u dorëzua në Tribunalin e Hagës, ku u akuzua për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

    Ai u lirua më 26 shkurt 2009 dhe u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat. Milutinoviq ishte në proces gjyqësor në Hagë së bashkë me pesë persona të tjerë, të akuzuar për krime lufte gjatë shtypjes barbare serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë në fund të viteve 1990.

    Prokurorët e akuzonin atë për bashkëpunim me ish-presidentin e Jugosllavisë, Slobodan Miloshevq, për ta mbajtur Kosovën nën kontrollin serb duke larguar me forcë mijëra shqiptarë.

  • Gazmend Muhaxheri rizgjidhet kryetar i Degës së LDK-së në Pejë

    Gazmend Muhaxheri rizgjidhet kryetar i Degës së LDK-së në Pejë

    Gazmend Muhaxheri është rizgjedhur kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë.

    Muhaxheri ka falënderuar anëtarët e LDK-së për besimin e dhënë, ndërsa u zotua se do të jap maksimumin për të mbështetur aspiratat dhe nevojat e qytetarëve, transmeton Telegrafi.

    “Sot, në Kuvendin e X-të zgjedhor të degës sonë, jam rikonfirmuar Kryetar i Degës së LDK-së në Pejë. Kuvendi e zgjodhi edhe kryesinë e re dhe 32 delegatët që do ta përfaqësojnë degën e Pejës në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së. Është një nder i madh për mua të vazhdoj të jem në krye të degës në Pejë. Dua të falënderoj çdo anëtar të LDK-së në Pejë që kanë shprehur besimin e tyre në mua dhe më kanë dhënë mundësinë të udhëheqi me këtë degë. Do të vazhdoj ta jap maksimumin tim për të mbështetur aspiratat dhe nevojat e qytetarëve tonë”, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka falënderuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Njëherazi, dua të shpreh një falenderim të veçantë për kryetarin tonë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe mbështetjen e tij të pakursyer gjatë kësaj faze zgjedhore. Lumiri padyshim është një udhëheqës i shquar dhe një burim frymëzimi për të gjithë ne. Ju ftoj që të merrni pjesë aktivisht në debatet dhe diskutimet tona dhe të na sugjeroni për nismat dhe idetë tuaja. Fuqia dhe zëri i secilit prej jush janë thelbësore për suksesin tonë kolektiv. Edhe njëherë – faleminderit për mbështetjen tuaj në rrugën tonë drejt përparimit”.