ATV

Category: Lajme

  • Raportohet për një shpërthim në veri

    Raportohet për një shpërthim në veri

    Një shpërthim i fuqishëm ka dridhur mbrëmë në ora 12:50 veriun e Mitrovicës.

    Banorët e lagjes “Tre Rrokaqiejt” ku ndodhi shpërthimi thanë për “Mitropol” se ky ishte shpërthimi më i fuqishëm që ka ndodhur gjatë viteve të fundit dhe dyshimet janë se është hedhur një granatë dore.

    Mjeti shpërthyer u hodh në drejtim të një veture të tipit ‘Shkoda’ e cila është djegur dhe ka shkaktuar tym të madh, me ç’rast është larguar nga vendi ku u djegur pas rreth një ore, në ora 01:50.

    Sipas asaj që raportuan banorët, shpërthimi ka ndodhur tek vendi që njihet si ‘Qershija’, apo ‘Teqja e Vjetër’.

    Pas shpërthimit dhe djegies së veturës, ekipe të rendit publik dhe ekipe nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kanë dalë të patrullojnë në rrugët e veriut të Mitrovicës.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me vranësira dhe kthjellime.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 27 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kthjellime dhe me reshje shiu, gjatë pasdites. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë me 28 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Clinton në Shqipëri, do të nderohet me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”

    Clinton në Shqipëri, do të nderohet me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”

    Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton sot do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë.

    Clinton dhe delegacioni që e shoqëron, sipas njoftimit do të mbërrijë në Tiranë, pasdite. Në orën 19:00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.

    Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.

    Në orën 19:05, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin Clinton të marrë çmimin e akorduar.

    Ndërsa, në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.

  • Nis Universiteti Veror Ndërkombëtar në Prishtinë, mbyllet bulevardi “Xhorxh Bush”

    Nis Universiteti Veror Ndërkombëtar në Prishtinë, mbyllet bulevardi “Xhorxh Bush”

    Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës- PISU 2023, këtë vit organizon edicionin e 22-të, si një organizim vjetor që ofron një mundësi fantastike për të zgjeruar horizontet e studentëve në 14 kurse të ofruara nga ekspertë ndërkombëtarë.

    Universiteti i Prishtinës sot do të organizon ceremoninë e hapjes së Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, në rrugën “Xhorxh Bush”, përballë rektoratit të Universitetit të Prishtinës, duke filluar nga ora 17:00.

    “E hapur për studentët ndërkombëtarë dhe kosovarë, PISU shërben si katalizator për takime akademike dhe kulturore, duke tërhequr akademikë dhe studentë ndërkombëtarë në katër kontinente. Në ceremoninë e hapjes së Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës do të marrin pjesë drejtues të universitetit, dekanë, prodekanë, profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, studentë si dhe të interesuar. Për të bërë një ceremoni mirëseardhjeje, Fakulteti i Arteve do të ofrojë një koncert mirëpritës, me prof. Lule Elezi në piano dhe prof. Antonio Gashi në violonçel”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se bulevardi “Xhorxh Bush” i cili gjendet në qendër të kryeqytetit do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve e mjeteve tjera të transportit nga data 03.07.2023 deri më 14 korrik 2023.

    “Kjo do të bëhet për t’i mundësuar Universitetit Ndërkombëtar Veror të zhvillojë aktivitetet në këtë bulevard. Ndërsa rrjedha e qarkullimit të autobusëve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojë.Tani autobusët do të qarkullojnë nga sheshi ‘Xhorxh Bush’ në drejtim të Bulevardit ‘Bill Kllinton’ dhe do të përshkojnë rrugën ‘Robert Doll’”, thuhet në njoftim.

  • Cilat janë pasojat e masave të BE-së?

    Cilat janë pasojat e masave të BE-së?

    Organet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk do të bëjnë asnjë hap përpara.

    Pos punës së tyre, si masë ndaj Kosovës, Bashkimi Evropian pezull la edhe programimin e fondeve për vendin ballkanik në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024.

    Me to, BE-ja përgatit shtetet e Ballkanit Perëndimor për integrim.

    Me projektet që parashiheshin në kuadër të tij, sipas një ish zëvendësministri të Financave, Kosovës veç aktualisht i pezullohen 300 milion euro, shumë kjo që mund të rritet shumëfish.

    Para do të vinin edhe përmes projekteve në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, ku Kosova s’dorëzoi hiç propozimet.

    Sipas BE-së, masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës janë: suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; mosftesa e Kosovës në takime të nivelit të lartë; suspendimi i vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja si dhe; ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

  • Lajçak: Situata në veri mbetet e brishtë

    Lajçak: Situata në veri mbetet e brishtë

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se dy ditët e fundit ka qenë në Bruksel, për të disktutuar për situatën që po mbretëron në veri.

    Lajçak, ka thënë se pavarësisht nga hapat e ndërmarrë situata po vazhdon të mbetet e brishtë në veri.

    “I kalova dy ditët e fundit në Bruksel, ku ekipi im dhe unë kemi punuar ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të koordinuar hapat tanë të ardhshëm në adresimin e krizës së vazhdueshme në veri të Kosovës. Fatkeqësisht, pavarësisht nga ekzistenca e hapave të qartë për të ulur me sukses tensionet, situata mbetet e brishtë”, shkroi Lajçak.

    “I gëzuar për interesimin e anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, të cilët më ftuan së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DG-NEAR Gert Jan Koopman për një diskutim të përbashkët rreth situatës, zhvillimeve të fundit në Dialog dhe përpjekjet tona për të ulur tensionet në terren në veri të Kosovës”.

    Theksojmë se javë më parë Lajçak takoi në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

  • Specialja i përgjigjet Dugollit ndaj kërkesës për hetim të masakrës në Burgun e Dubravës

    Specialja i përgjigjet Dugollit ndaj kërkesës për hetim të masakrës në Burgun e Dubravës

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, njoftoi se ka pranuar letër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), lidhur me shkresën që i kishte nisur këtij institucione, për të kryer hetime mbi masakrën e Dubravës.

    Ai e publikoi të dielën në Facebook letrën e ZPS-së, derisa tha se kërkesa e tij do të shqyrtohet. Deputeti i partisë në pushtet tha se shpreson që autoritetet e larta serbe të dënohen për krimet e kryera, derisa kërkoi që Dhomat e Specializuara të sqarohen nëse janë njëetnike.

    “Dua t’ju informoj se ditë më parë, kam pranuar një letër nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Letra konfirmon se Prokuroria ka marrë shkresën që i kam dërguar me postë më 29 prill, në të cilën kërkova nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të masakrës së Burgut të Dubravës. Letra e Prokurorisë po ashtu njofton se kërkesa ime do të shqyrtohet nga ana e tyre”, thuhet në njoftimin e tij.

    Dugolli, njëherësh i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i ka ofruar fakte ZPS-së lidhur me krimet e Serbisë në Burgun e Dubravës më 1999.

  • Situata në veri, Kusari-Lila: Jemi ne viktima, jo agresori

    Situata në veri, Kusari-Lila: Jemi ne viktima, jo agresori

    Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova ka treguar gatishmërinë që të bashkëpunojë në mënyrë që edhe veriu të funksionojë si çdo pjesë tjetër e Kosovës.

    “Qeveria e Kosovës ka gatishmëri të lartë për të bashkëpunuar që edhe veriu të funksionojë si çdo pjesë tjetër e Kosovës, a do shfaroset krimi, natyrisht që jo pasi ka edhe në vende të tjera, por të paktën liria e lëvizjes, pjesëmarrja në zgjedhje, punësimi, të mos jenë të diktuarat nga bandat e drejtuara nga Beogradi për t’u bërë presion serbëve në veri”.

    Por këtë, sipas saj, po e ndalon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    “Raporti i fundit ka treguar se presioni kryesor ndaj tyre nuk bëhet nga qeveria, por nga Beogradi, ndaj është Vuçiqi ai që duhet të kritikohet e jo Kurti. Ne nuk ishim agresori, duhet të ndalojmë së mbajmë me të mirë një ish-agresor duke besuar se ai u bë demokrat. Ai e tregoi se çfarë agresori është, ata hynë lidhën tre pakicë kufitar të Kosovës dhe i rrëmbyen”,tha Kusari-Lila për Euronews Albania.

  • Azemi paralajmëron ikje masive pas liberalizimit

    Azemi paralajmëron ikje masive pas liberalizimit

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për Ekonomia Online se mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve.

    Azemi theksoi se nga 2021 i mbi 100 000 punëtorë kanë ikur nga Kosova. Gjithashtu ai tha se deri në fund të vitit do ketë “qetësim” të ikjeve pasi të rinjtë do presin liberalizimin për t’u kursyer nga shpenzimet e aplikimeve për viza nëpër ambasada.

    Kjo ikje sipas tij, më së shumti po prek bizneset duke u shprehur në veçanti i shqetësuar për numrin në rënie të punëtorëve të kualifikuar.

    “Kompanitë e mëdha po edhe të vogla sot kanë problem; mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve. Po flasim për punëtorë të profileve të ndryshme sepse punëtorë krahu edhe sot gjenden, ndonëse jo në një numër të dëshirueshëm. Por numri i punëtorëve të kualifikuar është në rënie e sipër në Kosovë”.

    Kryesindikalisti i sektorit privat tha se paga minimale për këtë vit duhet të jetë 450 euro ndërsa për vitin tjetër 500.

    Madje sipas tij, paga në sektorin privat janë rritur, por jo edhe për punëtorët që kryejnë shërbime në institucionet publike, e që punojnë për kompani private.

    “Realisht ka rritje të pagave në sektorin privat aty ku nuk ka prekje shteti. Ju e dini që një pjesë bukur e madhe e punëtorëve të sektorit privat kryejnë shërbime nëpër institucionet shtetërore dhe aty ku ne kryejmë shërbime nëpër institucione shtetërore pagat janë pothuajse mizerje, kemi pagën diku prej 170 euro dhe deri diku mesatarisht 300 euro”.

    “Faktikisht janë pagat më të mëdha, aty ku nuk ka prekje shteti janë sidomos në ndërtimtari, paga në të cilat ndonëse kemi lëvizje pozitive por megjithatë nuk është as për së afërmi ajo e dëshirueshmja”, tha ai.

    Azemi shprehet i zhgënjyer me mos përkrahjen nga institucionet duke thënë se janë të neglizhuar.

    “Realisht domethënë punëtorët e sektorit privat të Kosovës kanë qenë dhe janë në një stuhi për të cilën po themi askush nuk merret me këtë çështje. Me neve merren vetëm atëherë kur vijnë ditët e zgjedhjeve për të cilat mendoj se tashmë punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë të ngopur me proklamimet, janë të ngopur me deklaratat se ne do të bëjmë këtë ose atë”.

  • Familjarët e 17-vjeçarit të vrarë në Francë: Kurrë s’kemi bërë thirrje për trazira

    Familjarët e 17-vjeçarit të vrarë në Francë: Kurrë s’kemi bërë thirrje për trazira

    Një i afërm i adoleshentit francez të qëlluar nga Policia i tha BBC-së se familja nuk donte që vdekja e tij të shkaktonte trazira, por këmbënguli se ligji duhet të ndryshojë.

    Nahel M u qëllua nga Policia pasi nuk u ndal për një pikë kontrolli të martën e kaluar.

    “Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për urrejtje apo trazira”, tha i afërmi.

    Franca ka parë trazira të dhunshme pesë ditët e fundit.

    Duke folur pranë shtëpisë së familjes në Nanterre, i afërmi tha se trazirat – që kanë parë mijëra të arrestuar, dyqane të grabitura dhe qindra automjete të djegura në të gjithë Francën – nuk nderuan kujtimin e Nahelit.

    “Ne nuk kemi kërkuar të thyejmë apo të vjedhim. E gjithë kjo nuk është për Nahelin”, i thanë familjarët BBC-së.

    Ata thanë se kishin bërë thirrje për një marsh paqësor për Nahelin.

    I afërmi tha se autoritetet franceze tani duhet të ndryshojnë ligjin në mënyrë që të ndalojë policët të qëllojnë gjatë ndalesave të trafikut.

    I afërmi i Nahelit bëri thirrje për “trajnim më të mirë për policinë franceze, rregullimin e armëve për policinë dhe rishikimin e ligjit që lejon policinë të përdorë forcën vdekjeprurëse nëse një i ri refuzon të trafikojë në një ndalesë trafiku”.

    Kodi penal i Francës u ndryshua në vitin 2017 për të lejuar një përdorim më të gjerë të armëve të zjarrit pasi policia tha se po përballeshin me nivele në rritje të dhunës.

    Kritikët argumentojnë se rritja e të shtënave të lidhura me trafikun është një rezultat i drejtpërdrejtë i atij ndryshimi, për të cilin ata thonë se është shumë i paqartë sepse i lë oficerët të përcaktojnë nëse refuzimi i shoferit për t’u pajtuar përbën një rrezik.