ATV

Category: Lajme

  • Shtrenjtohen kreditë në Kosovë

    Shtrenjtohen kreditë në Kosovë

    Bankat komerciale në Kosovë kanë shtrenjtuar kreditë për klientët

    Sipas raportit të sistemit financiar për muajin maj 2023, të përgatitur nga Banka Qendrore e Kosovës, norma mesatare e interesit në kredi ka arritur në 6.5%, krahas 6.3 % sa ka qenë në muajin prill 2023.

    Përderisa norma mesatare e interesit në kreditë dhe lizingjet që jepen nga institucionet mikrofinanciare arrinë në 19.1%, raporton Front Online.

    Përndryshe, vetëm në pesë mujorin e parë të këtij viti nga shtrenjtimi i kredive dhe shërbimeve, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitim të pastër prej rreth 66 milionë euro.

  • Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

    Lista Serbe kërkon nga Serbia të shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste

    Lista Serbe i ka nisur letër Qeverisë së Serbisë, duke i kërkuar që të reagojë ndaj “njësive speciale në veri”, që sipas kësaj partie, po mbahen në mënyrë të paligjshme nga kryeministri Albin Kurti.

    Në letrën e publikuar në Facebook të hënën, Lista Serbe tha që qeveria serbe duhet të merr “një vendim të duhur në përputhje me kompetencat, me procedurë urgjente”.

    “Ju sugjerojmë që të merrni një vendim të duhur në përputhje me kompetencat tuaja, me procedurë urgjente… Baza e këtij vendimi qëndron në aktivitetet e numëruara të kryera nga këto struktura de facto në periudhën e mëparshme, të cilat përmbushen nga parimet dhe standardet ndërkombëtare të agjencive botërore dhe të OKB-së, elementet bazë të përkufizimit të terrorizmit sepse këto aktivitete janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e OKB-së, të cilat nënkuptojnë veprime në përdorimin e dhunës së paligjshme”, thuhet në njoftim.

    Ky subjekt politik i listoi “shkeljet”, që siç pretendon, janë kryer nga institucionet e Kosovës.

    Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që nëpërmjet strukturave të caktuara parapolicore “kryen regjim”.

    Ajo tha se për dy vjet, serbët e Kosovës po vuajnë nga terrori dhe represioni “i regjimit antiserb i Albin Kurtit”.

  • PDK: Zgjidhja e vetme është rrëzimi i Qeverisë Kurti

    PDK: Zgjidhja e vetme është rrëzimi i Qeverisë Kurti

    Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në vend, është rrëzimi i Qeverisë Kurti.

    Kështu është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Tahiri, ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të vendosura ndaj Kosovës e dëmtojnë rëndë të ardhmen euroatlantike të vendit.

    “Shpreh shqetësimin që Qeveria dhe kjo mazhorancë tentoj ta mbajë të feshur komunikimin që i kishte bërë BE-ja nga data 28 qershor që këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Kemi hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve me BE-në. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhm3en tonë euroatlantike, e dëmtojnë raportin tonë me secilin shtet të BE-së, konsideroj që si opozitë tashmë jemi në prag të një udhëkryqi ku do të na imponohet të marrim vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, tha Tahiri.

    Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej theksoi se edhe Kuvendi është i dështuar.

    “Një Kuvend i dështuar që nuk e meriton me vazhdu asnjë ditë të vetme, sepse ka blloku agjendën e vendit, gjithçka ka stagnuar. Jemi në gjendje të mjerueshme si vend si rezultat i kësaj qeverisje. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Ne e dimë aktualisht me numra sesi jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdoj më tutje”, tha Tahiri.

  • Dalin rezultatet e Provimit të Maturës, kalueshmëria 66.04 për qind

    Dalin rezultatet e Provimit të Maturës, kalueshmëria 66.04 për qind

    Këtë vit kalueshmëria në provimin shtetëror të maturës është 66.04 për qind, kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Nagavci ka shkruar se sot janë publikuar rezultatet e provimit.

    Ajo ka thënë se provimit të maturës i cili u mbajt më 24 qershor i janë nënshtruar mbi 20 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin.

    “Në këtë proces kanë qenë të angazhuar rreth 1600 administrues të cilët kanë qenë të vendosur në çdo sallë të testimit dhe po ashtu mbikëqyrës nga Universiteti i Prishtinës. Në krahasim me vitet e kaluara, menaxhimi i provimit ka qenë më i mirë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se akoma ka hapësirë për përmirësim dhe jemi duke punuar në këtë drejtim”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Siberi, gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve në pyje

    Siberi, gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve në pyje

    Autoritetet në Lindjen e Largët të Rusisë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme sot pas zjarreve që u përhapën.

    Kreu i Republikës Sakha, një rajon i njohur gjithashtu si Yakutia, shkroi në aplikacionin Telegram se më shumë se 110 zjarre kanë shpërthyer në një sipërfaqe prej rreth 610,000 hektarësh, gati tre të katërtat e madhësisë së qytetit të Nju Jorkut.

    Ditët e fundit një i nxehtë i madh dhe aktivitet intensiv rrufesh, ka qenë arsyeja e kompleksitetit të situatës”, shkruan Aisen Nikolayev.

    Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, më shumë se 620 zjarrfikës dhe 33 automjete tokësore janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarrit.

    Sipas të njëjtit burim, asnjë zonë banimi nuk kërcënohet drejtpërdrejt.

    Popullsia në Sakha, rajoni më i madh i Rusisë për nga sipërfaqja tokësore, është rreth një milion

    .Zjarret në pyje janë intensifikuar në Rusi vitet e fundit për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta në Siberi si rezultat i ndryshimeve klimatike.

    Miliona ton dioksid karboni dhe ndotës të tjerë lëshohen në atmosferë çdo vit për shkak të zjarreve.

    Sezoni i zjarrit i vitit 2021 ishte më i gjati i regjistruar ndonjëherë në Rusi, me 188 milionë hektarë pyje të shkatërruar, sipas Greenpeace Rusia – afërsisht dyfishi i madhësisë së ishullit të Irlandës.

  • Përpjekjet për shtensionim, Lajçak këtë javë në Kosovë e Serbi

    Përpjekjet për shtensionim, Lajçak këtë javë në Kosovë e Serbi

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave, me gjasë nga dita e martë, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe për të bindur palët që të kthehen në dialog.

    Kështu mëson Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike, ndonëse në BE ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë vizitë.

    Në Prishinë, Lajçak pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

    BE-ja po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serb. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.

    Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Por, në BE kanë thënë se “mbetemi të gatshëm të ndërmarrim masa edhe ndaj Serbisë nëse vlerësojmë se nuk po vepron sipas pritjeve”.

    Zyrtarët në BE kanë thënë se masat ndëshkuese ia kanë komunikuar Kosovës më 28 qershor.

    Ato përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor po ashtu nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

    Që kur janë rritur tensionet në veri në fund të majit, nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar në Bruksel disa “takime krize”, por nuk kanë mbajtur takime dypalëshe. Takimet e ndara të liderëve të Kosovës dhe Serbisë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, kanë përfunduar pa rezultate konkrete.

    Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore./REL/

  • Dugolli: Specialja ka premtuar se do ta trajtojë me seriozitet masakrën në Burgun e Dubravës, shpresojë të fillojnë hetimet

    Dugolli: Specialja ka premtuar se do ta trajtojë me seriozitet masakrën në Burgun e Dubravës, shpresojë të fillojnë hetimet

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se Dhomat e Specializuar në Hagë, i kanë kthyer atij përgjigje në lidhje me kërkesën që ai kishte parashtruar që kjo Gjykatë të filloj hetimin për masakrën e burgut të Dubravës.

    Sipas tij, Specialja në përgjigjen e dërguar kanë konfirmuar që kanë pranuar kërkesë dhe se do ta trajtojnë me seriozitet këtë lëndë.

    “Para disa ditësh kam marr përgjigje nga Prokuroria, gjegjësisht Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj një letre, një kërkese që e kam dërguar me datën 29 prill të këtij viti me të cilën ju kam drejtuar Dhomave të Specializuara që të fillojnë hetimin për masakrën e Dubravës dhe të grisin aktakuza më pastaj që do të jenë shumë të dëshmuara dhe të argumentuar nga vetë fakti se në masakrën e Dubravës edhe pse janë vrarë 116 e një është i zhdukur, e janë plagosur 185 deri tani të evidentuar”.

    “Pra ekzistojnë më së shumti dëshmitar që ndonjëherë në ndonjë masakër ka dëshmitarë të cilët e dëshmojnë të vërtetën në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Pra argumentet janë të mjaftueshme dhe besoj shumë se ashtu siç me janë përgjigjur tani me kërkesë dhe kanë konfirmuar që e kanë pranuar dokumentin njëkohësisht me janë falënderuar për atë shkresë që e kam dërguar duke konfirmuar gjithashtu që do të merren me trajtuar seriozisht këtë lëndë”.

    Ai theksoi se kjo letër e pranuar nga Gjykata Speciale është konfirmim i asaj që ata e kanë pranuar kërkesën e tij dhe jo fillimin e hetimit.

    Por sipas tij, me vetë faktin që Gjykata Speciale ka filluar që të merret me shkresën që e ai ka dërguar, lë të kuptohet se ata do të fillojnë hetimin gjithsesi, raporton EO.

    “Letra tani sa kam marr është para disa ditë është konfirmim i asaj që kanë pranuar dhe janë duke u marr më të. Pra nuk bëhet fjalë për ndonjë konfirmim se ka filluar hetimi, po me vetë faktin që kanë filluar që të merren me shkresën që e kam dërguar mu më lënë me kuptuar dhe me shpresuar se ata do të fillojnë hetimin gjithsesi edhe do të mbledhin të dhëna e argumente të mjaftueshëm për të ngritur aktakuzë dhe për të filluar një proces shumë i rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës dhe vënien para drejtësisë të atyre që kanë planifikuar dhe ekzekutuar atë krim masakër”, tha ai.

  • Plagosja e dy personave në Pejë, arrestohet i dyshuari që ishte në arrati

    Plagosja e dy personave në Pejë, arrestohet i dyshuari që ishte në arrati

    Më 13 qershor rreth orës 23:10, Policia ishte informuar se nё rrugën “Ali Pashё Gucija ” nё Pejё kishte tё shtёna me armё zjarri. Si pasojë dy persona kishin mbetur të plagosur.

    Njёri nga personat e dyshuar ishte arrestuar nga njësitet Policore, ndёrsa i dyshuari tjetёr ishte nё arrati.

    “Pas njё pune intesive tё hetuesve tё Sektorit Rajonal pёr Hetime DRP Pejё, sot me datё 03.07.2023, ёshtё identifikuar lokacioni dhe ёshtё arrestuar i dyshuari: H.D. i lindur me 1978 mashkull/Kosovar”, njofton policia.

    Pasi qё hetuesit e kanё intervistuar tё  dyshuarin nё prezencën e avokatit mbrojtës, nё konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti ёshtё ndaluar pёr 48- orё.

  • Gjykimi ndaj Shalës, përfundon dëshminë eksperti mjeko-ligjor

    Gjykimi ndaj Shalës, përfundon dëshminë eksperti mjeko-ligjor

    Eksperti mjeko-ligjor, Marek Gasior ka përfunduar sot dëshminë e tij në Hagë kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetës Shala. Me të përfunduar dëshminë e tij, për sot ka përfunduar edhe seanca gjyqësore në rastin Shala.

    Gjatës seancës së sotme dëshmitari i nëntë i ZPS-së, Gasior iu është përgjigjur kundra-pyetjeve të mbrojtjes së Shalës.

    Dëshmitari i ZPS-së u shpreh se tek personi ‘C’ nuk kishin dëshmi të lëndimeve në shputën e këmbës së djathtë pasi ato lëndime nuk kanë qenë të dukshme nga jashtë, dhe se nuk e di nëse është bërë radiografi apo jo ndonëse ai i ka rekomanduar një gjë të tillë vetë pacientit.

    Në pjesën e fundit të parashtrimit të pyetjeve avokati mbrojtës i Pjetër Shalës, Muhamed Hedi Auini kërkoi të dinte nëse eksperti kishte gjetur lëndime në shputën e këmbës së djathtë ashtu siç kishte thënë vetë personi ‘C’.

    Auini: Ju keni shënuar me një listë pikat e ndryshme, i keni diskutuar këto me kolegen e nderuar të ZPS, po ashtu thuhet se nuk ka dëshmi të lëndimeve të mëparshme në shputën e këmbës së djathtës. Pra ju nuk keni gjetur gjurmë të thyerjes së kockave në shputën e këmbës së djathtë.

    Gasior: Shputa e këmbës së djathtë, fotografitë 21 dhe 22, është ky shënim. Kshëtu që nuk ka dëshmi të lëndimeve të më ardhshme në shputën e këmbës së djathtë, kjo do të thotë se nuk kanë qenë të dukshme nga jashtë.

    Auini: A keni kërkuar që të bëhet radiografi në rastin e pacientit ‘C’.

    Gasior: Pacienti u informua, domethënë i dhashë rekomandim që të bënte radiografi.

    Auini: E morët përgjigjen e radiografisë?

    Gasior: Në raport nuk ka informacion që ai të jetë riparaqitur në departamentin ku kam punuar, nuk kam dijeni të radiografisë të jetë bërë radiografia apo jo.

    Avokati Auini dëshiroi konfirmim për shenjat e pacientit ‘C’ të cilat në raport thuhej se i ishin shkaktuar nga kontakti me temperaturë të lartë, për të cilat vetë personi ‘C’ kishte thënë se i ishin bërë nga “kontakti me elektroshok”.

    Ndërsa, dëshmitari Gasior u shpreh se vetëm informacionet e dhëna nga pacienti ishin përfshirë në raport.

    Auini: Individi ‘C’ ka përmendur se i ka bërë elektroshok, pyetja që kam unë është se këto shenja sipërfaqësore të lëkurës të cilat ju i patë dhe keni thënë se janë rezultat kontakti me temperaturën e lartë, a do të ishte e mundshme të shkaktoheshin në rastin të goditjes me elektroshok apo pajisjet e lëvizshme elektroshoku?

    Grasior: Informacioni që kemi marrë nga pacienti, ai është përfshirë në raport tani, gjatë vetë këqyrjes së trupit unë konstatova praninë e shenjave sipërfaqësore, këto mund të kenë qenë pasojë e djegieve.

    Gjatë ditës së nesërme për ekspertin e radhës i cili është dëshmitar i ZPS-së, nga vetë Zyra e Prokurorit të Specializuar u tha se do t’iu nevojiten vetëm 1 orë kohë.

    Pas përfundimit të kundra-pyetjeve të mbrojtjes së Pjetër Shalës, pyetje sqaruese ka bërë përsëri Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ndërsa, më pas pyetje sqaruese parashtroi edhe trupi gjykues.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Shalës, ku deri më tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

    Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, n bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

  • Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë “Burdushit”

    Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë “Burdushit”

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit Hysri Peqani i njohur si “Burdushi” ishte dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim, me 42 mijë euro gjobë si edhe iu kishte konfiskuar pasuria prej 2 milionë euro.

    Fillimisht me 5 qershor të këtij vitit në Gjykatën e Apelit në Kosovës ishte mbajtur seanca në të cilin ishin shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), si dhe mbrojtësve të të dënuarit Peqani, avokatëve Feim Alaj dhe Durim Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në vendimin e Apelit, i cili vendim është marr më 30 qershor të këtij viti, thuhet se aktgjykimi i ankimuar nga PSRK dhe avokatët Alaj dhe Osmani nuk është i përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkeljeve tjera që e kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit të Themelores.

    Tutje, sipas Apelit themelorja nuk ka bërë tejkalim të aktakuzës në kuptimin objektiv si dhe aktgjykimi i themelores qartazi ka gjykuar çështjen që ka qenë objekt gjykimi dhe ndonjë ngjarje tjetër.

    Kurse sa i përket tejkalimit të shpalljes së aktgjykimit Apeli ka vlerësuar se pretendimi është si i pabazuar pasi që në procverbalin e shpalljet si dhe në shkresat e lëndës vërtetohet se aktgjykimi është përpiluar ashtu edhe siç është bërë shpallja e aktgjykimit.

    Sa i përket gjendjes faktike Apelit ka gjetur se Gjykata Themelore e Prishtinës qartë dhe saktë ka vlerësuar rrethanat dhe të gjitha provat që kane dëshmuar veprimet inkriminues të dënuarit Hysri Peqanit.

    Po ashtu Apeli ka gjetur të pabazuara edhe pretendimin ankimor se i akuzuari nuk kishte ushtruar veprimtari mjekësorë pasi që në regjistrimin e biznesit përfshiheshin edhe dhënja e shërbimeve shpirtërore.

    Tutje, Apeli ka sqaruar së nuk është aspak kontestuese se i dënuari Peqani në vazhdimësi ka ndërmarrë veprimet e ngjashme ndaj personave të ndryshëm duke kryer kështu veprën penale të ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

    Si të pa bazuar Apeli ka gjetur edhe pretendimin tjetër të mbrojtës lidhur me përfitimet financiare pasi që sipas Apelit nga provat e administruara është vërtetuat se mjetet monetare kane qarkulluar përmes sistemit bankarë duke i konvertuar pastaj në sende të luajtshme dhe të paluajtshme i dënuari Peqani.

    Apeli po ashtu si të si të pabazuar ka gjetur edhe pretendimin tjetër të mbrojtës lidhur me papranueshmërinë e provave, pasi që sipas Apelit nga shkresat e lëndës vërtetohet se përmes vendimeve në mënyrë retroaktive ka aprovuar lëshimin e urdhrave gojorë konkretisht të kontrollit të pronës-shtëpisë.

    Ndërkaq, sa i përket ankesës së PSRK-së për lartësi të dënimit Apelit ka theksuar në vendim që Themelorja me rastin e majtës dhe caktimit të dënimit ka vlerësuar drejtë dhe sakte të gjitha rrethanat me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit.

    Ndryshe, në seancën e 23 dhjetorit 2022, prokurorja Merita Bina-Rugova në fjalën përfundimtare ka njoftuar se ka bërë precizimin e dispozitivit të parë të aktakuzës, të cilin e ka ndarë në dy pjesë, mirëpo tha se kualifikimi i veprës penale është i njëjti.

    Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

    Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

    Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

    Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

    Për këto, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

    Prokuroria Speciale e ngarkonte të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”.

    Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

    Për këto veprime, ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi