ATV

Category: Lajme

  • Tensionet e fundit në veri, dy kryeministra evropianë vizitojnë sot Kosovën

    Tensionet e fundit në veri, dy kryeministra evropianë vizitojnë sot Kosovën

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel do të vizitojnë sot Kosovën.

    Vizita e dy kryeministrave evropianë sipas gazetës holandeze, Haarlems Dagblad lidhet me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

    Përveç Kosovës, kryeministrat evropianë kanë vizituar edhe Serbinë.

    Rutte dhe Bettel do të zvhvillojnë takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët do të diskutojnë, “mes tjerash, zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”.

    Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

    Ndërkaq, më 29 qershor, Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

    Megjithatë, BE ka vendosur disa sanksione për vendin tonë.

  • Situata në veri, Lajçak vjen sot në Kosovë

    Situata në veri, Lajçak vjen sot në Kosovë

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë sot Kosovën, në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai pritet të vizitojë edhe Serbinë, për të bindur palët që të kthehen në dialog.

    Bëhet e ditur se Lajçak do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    “Në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Presidencës.

    Kjo është vizita e dytë e Lajçakut brenda një muaji, pasi që ai në fillim të qershorit bëri një vizitë bashkë me emisarin amerikan për Ballkan Gabriel Escobar.

    BE-ja vazhdon të përsërisë thirrjet për të dyja palët që të bëjnë hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që e ndërmjetëson Brukseli. Këto thirrje u bënë edhe gjatë samitit të fundit të liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar në Bruksel.

    Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

    Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore. Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar pasi që grupet kriminale vazhdimisht po provokojnë situatën, ku tash e sa herë po raportohet për shpërthime në veri.

    Kujtojmë po ashtu se protestuesit serbë kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat.

  • “Vazhdoni kështu”, Clinton para shqiptarëve: Faleminderit për gjithçka që keni bërë

    “Vazhdoni kështu”, Clinton para shqiptarëve: Faleminderit për gjithçka që keni bërë

    Ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton në fjalimin e tij para godinës së kryeministrisë, ndër të tjera tha se Shqipëria vazhdon të ketë probleme ekonomike, por e rëndësishme është që vendi të jetë në anën e duhur të historisë.

    Ai tha se Shqipëria po ecën përpara dhe vendet aleate duhet të bëhen bashkë për ta mbështetur.

    Në fund ai theksoi se sot ka marrë një dhuratë më të madhe se sa nderi, pasi pa çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë.

    Pjesë nga fjala e Bill Clinton:

    Ne e dimë që ju ende keni probleme ekonomike, jemi të vetëdijshëm që ka sfida të cilat të tjerë duhet të bashkohen me ju, që t’ju ndihmojë. Ju jeni njerëz, nuk jeni të përsosur, por mund të jeni në anën e duhur.

    Për mua kjo nuk është thjeshtë një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu që nuk është i ri dhe nuk ka më pushtet politik, një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju.

    Kjo është dita kur konfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë marrin vendime më të mira dhe njerëzit që ngulen dhe rrinë në një grup marrin vendime akoma më të rëndësishme.

    Ajo që kam më shumë përzemër tanimë është që nipërit e mi të kenë një të ardhme më të mirë, dhe ju ma keni bërë të qartë që jeni dakord me këtë.

    Unë dëgjova ata fëmijë dhe më lanë të fjalë. Mos harroni ju nuk jeni perfekt, do të bëni gabime, dikush do të thotë për ju që nuk është e vërtetë, ju duhet të gjeni mënyrën se si t’i përgjigjeni asaj.

    Miku Mandela, ishte një gjeni për mënyrën se si i kontrollonte sulmet ndaj tij. Me kujtohet që dikur në një aeroport, në momentin kur Mandela doli nga burgu dhe personat me ngjyrë që nuk kishin votuar për 300 vjet, po shihnin Mandelën dhe ai pa një vajzë të bukur të vogël dhe e pyet a e di se kush jam unë? Po i tha ajo, ti Mandela dhe t’i je presidenti im. Ai tha po, për pak kohë, por nëse ti studion shumë t’i mund të jesh po ashtu një presidente e Afrikës së Jugut.

    Kjo është ajo çfarë unë ndjeva kur pashë këta fëmijë sot. Ju kërkoj të vazhdoni kështu, na duhen modele. Dhe ndonjëherë vendet që kanë popullsi të vogël, kanë mundësi t’i shohin njerëzit si njerëz, jo si personazhe vizatimore.

    Pasi kam lënë Shtëpinë e Bardhë me kanë ndodhur dy gjëra. Isha në një restorant, kamarieri erdhi të merrte porosinë, pa kush ishte, hoqi tabakë dhe mu ul në gjunjë dhe më tha, “falë teje familja ime është gjallë”. Ata që ishin me mua nuk e kuptuan, unë i thash është shqiptar nga Kosova.

    Vazhdoni kështu, mos i hidhni njerëzit poshtë kur ju gënjejnë. Bëni që gjithkush që vjen në Shqipëri, të shkojnë në vendin e tyre me dëshirën që vendi i tyre të jetë më shumë se i juaji.

    Dikur ju ishit një derë e zymtë e mbyllur, tani ju jeni një derë e hapur.

    Faleminderit për gjithçka që keni bërë për të vërtetuar se ajo çfarë kemi të përbashkët është më e rëndësishme se sa ndasitë tona dhe se duhet të ndërtojmë një jetë kur të gjithë jemi bashkë.

    Sot më dhatë një dhuratë të madhe, më të madhe se sa nderi. Më lat të shoh çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu./abcnews.al

  • Remi e përkrah publikisht Kurtin, u “qepon” partive opozitare: Ne jemi në rrugën e drejtë

    Remi e përkrah publikisht Kurtin, u “qepon” partive opozitare: Ne jemi në rrugën e drejtë

    Ish-komandanti i UÇK’së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, i është dalë në përkrahje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas tij, Kurti “i duhet mbështetja jonë dhe duhet mbështetur”. Reagimi i tij vjen pasi BE-ja ka marrë disa masa ekonomike dhe politike ndaj KOsovës, pas zhvillimeve në veri të vendit.

    “Kryeministrit të Qeverisë të Republikës së Kosovës i duhet mbështetja jonë, dhe duhet mbështetur! E kaluara jonë është dëshmitare që ne gjithnjë jemi bashkuar në kohë të vështira dhe si të tillë kemi dalë fitimtarë. Kryeministri Kurti duhet të mbështetet maksimalisht në këto kohë krizash, gjithandej. Jemi një popull i vogël, por gjithnjë zemër mëdhenj në përballje me rreziqet. Gjithmonë kemi synuar paqen, por nuk ju kemi frikësuar as luftërave”, shkroi ai në Facebook.

    Megjithatë, Remi pati disa fjalë edhe për partitë opozitare, të cilat po kërkojnë zgjedhje të reja dhe shkarkimin e Kurtit nga pozita e kryeministrit.

    Mustafa u shpreh se opozita nuk është e koordinuar dhe “nuk ka ndonjë rrugëdalje për të tejkaluar situatën e krijuar”.

    Mirëpo, ai u shpreh se Kurti është në rrugë të drejtë për ta shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës.

    “Një gjë jam i sigurtë, se pavërsisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, Kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veriun e vendit tonë, deri tani kishte gjithçka, por mungonte substancialisht rendi dhe ligji. Cilësimi i dy organizatave ilegale të veriut si terroriste nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk besoj të jetë bërë pa konsulta me aleatët dhe miqtë tonë”, tha ai.

    “Kam miq të huaj gjithandej, e në veçanti nga SHBA që punojnë e veprojnë në Kosovë që nga viti 1996 e deri më sot. Ata ende vazhdojnë të përkrahin e mbështesin Kosovën si më parë, dhe këtë e konfirmojnë gjatë bisedave që zhvilloj me ta rregullisht. Përpjekja e Qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria dotë ketë suksesë në ruajtjen rendit dhe ligjit, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të perfundojne pandershëm”, shtoi ai.

    “Që të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim përkrahin vendimet e institucioneve të vendit tonë, dhe mbështesin fuqishëm përpjekjet e aparatit shtetëror në vendosjen e sundimit të ligjit në secilin cep të Kosovës, duke përfshirë veriun. Politika kosovare pa dallim duhet të jetë unike përballë këtyre stuhive, sepse vetëm kështu rezulton fitimtare. Jam i sigurt se po na presin kohë të mira, ne jemi në rrugën e drejtë, kemi kapacitetet dhe mundësitë që të bëjmë më të mirën për Kosovën dhe për regjionin në përgjithësi”.

  • Clinton tregon historinë me kamarierin nga Kosova: “Mu ul në gjunjë”

    Clinton tregon historinë me kamarierin nga Kosova: “Mu ul në gjunjë”

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në fjalimin e tij para kryeministrisë, ndër të tjera ka treguar një ngjarje që i ka lënë shenjë dhe e ka emocionuar.

    Clinton tha se taksa ndodhej në një restorant në SHBA së bashku me 12 persona të tjera, kamarieri që erdhi për të marrë porosinë, pasi pa kush ishte, uli tabakanë dhe iu ul në gjunë duke i thënë “falë teje familja ime është gjallë”.

    Ai tha se menjëherë e kuptoi që ishte shqiptar i Kosovës.

    “Pasi kam lënë Shtëpinë e Bardhë me kanë ndodhur dy gjëra. Isha në një restorant, kamarieri erdhi të merrte porosinë, pa kush ishte, hoqi tabakë dhe mu ul në gjunjë dhe më tha, “falë teje familja ime është gjallë”. Ata që ishin me mua nuk e kuptuan, unë i thash është shqiptar nga Kosova” tha Clinton. /abcnews.al.

  • “Shqetësuese”, Rutte ia përmend Vuçiqit dhunën e serbëve ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në Veri

    “Shqetësuese”, Rutte ia përmend Vuçiqit dhunën e serbëve ndaj KFOR-it dhe gazetarëve në Veri

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha sot se është i domosdoshëm de-përshkallëzimi i situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se marrëdhëniet e qëndrueshme mes këtyre dy shteteve janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm në procesin e integrimeve evropiane.

    Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serbm Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, Rutte theksoi se Luksemburgu dhe Holanda kanë vendosur të punojnë së bashku dhe të angazhohen në punë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Ne jemi të vendosur të forcojmë lidhjet tona. Tensionet në rritje mes Serbisë dhe Kosovës na kanë shqetësuar. Dhuna ndaj civilëve, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve është shqetësuese”, theksoi ai

  • Bettel: Inkurajojmë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Bettel: Inkurajojmë bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, theksoi se është shumë e rëndësishme që të deeskalohet situata në veri të Kosovës dhe se vendet e Beneluksit inkurajojnë fuqishëm bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Beograd, pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte, Bettel kujtoi se ky është rajoni ku filloi Lufta e Parë Botërore.

    “Ne e dimë se lufta e fundit në kontinent, para Ukrainës, ishte në këtë rajon dhe ne ende shohim se nuk kemi nevojë për shumë zjarr për të shpërthyer. Ka mjaft tension mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.

    Po ashtu, ai ka bërë të ditur se nesër do të shkojë në Prishtinë me bashkë me homologun nga Holanda, Mark Rutte.

  • ”Jam pa fjalë”, Bill Clinton i emocionuar nga pritja e shqiptarëve

    ”Jam pa fjalë”, Bill Clinton i emocionuar nga pritja e shqiptarëve

    Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i është drejtuar popullit shqiptar me mesazhe falënderues nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

    Ai tregoi nga takimi me disa shqiptarë në Amerikë duke treguar se një javë më parë ata i kanë treguar se çfarë do të bënte ai gjatë vizitës së tij në Tiranë.

    “Jam pa fjalë. Mendoj se po të kisha një gjykim të shëndoshë nuk do thoja asgjë. Jam pa fjalë. Dua tju falënderoj për një moment, që do ta ruaj si thesar për gjithë jetën time. Jam mirënjohës për atë që kryeministri tha lidhur me Kosovën. Unë dhe Hillary jetojmë në New York që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptarëve të Amerikës”.

    “Një javë para se të largohesha po ecja dhe kalova bri tre restoranteve të shkëlqyera shqiptare. Njerëzit dolën dhe të tregonin për axhendën time këtu. E dinin më mirë ata se çfarë do bëja unë këtu. Dua t’i them faleminderit kryeministrit për fjalët që ai tha”, u shpreh ai.

  • Kurti: Rruga jonë është e qartë, është ajo evropiane

    Kurti: Rruga jonë është e qartë, është ajo evropiane

    “Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimit në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, ne i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë”.

    Kështu tha kryeministri Albin Kurti, në shënimin e përvjetorit të 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë.

    Duke uruar Këshillin për këtë ditë të veçantë, Kurti foli për mundësitë të cilat Republika e Kosovës i ofron, potencialin zhvillimor, punën dhe arritjet e Qeverisë.

    Ai theksoi se Qeveria ka marrë përsipër të kryejë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin në dialog të rëndësishëm me sektorin privat.

    Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

    “Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese”, shtoi Kurti.

    “Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku,” tha Kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.

    Fjala e plotë e Kurtit:

    I nderuar Emrush Ujkani, CEO i Këshillit të Investitorëve Evropianë,
    I nderuar Johannes Stenbaek Madsen, Drejtues i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë,
    E nderuar Eriola Bibolli, Kryesuese e Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë,
    Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
    Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
    Të nderuar të ftuar,

    Urime!
    Dëshiroj të ju uroj të gjithëve për këtë nëntë vjetor të Këshillit të Investitorëve Evropianë në Republikën e Kosovës.
    Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimi në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës.

    Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë.

    Ne po jetojmë në kohë inkurajuese dhe po punojmë për ta shfrytëzuar këtë sa më shumë që mundemi. Renditjet dhe raportet ndërkombëtare e pranojnë dhe njohin përparimin tonë dhe numrat dëshmojnë për punën tonë. Vendi po përjeton rritjen më të fortë ekonomike në historinë e tij, me një normë mesatare prej 7 për qind në vit që kur morëm detyrën në vitin 2021 dhe të paktën 4 për qind për këtë vit.

    Me eksportet vjetore që tani tejkalojnë 1 miliard euro, raporti ynë eksport-import është ngushtuar nga pothuajse 1 me 9 (në 2019) në më pak se 1 me 6 (në 2023). Kemi dyfishuar investimet e huaja direkte, me një total prej 1.2 miliardë eurosh gjatë dy viteve dhe 772 milionë euro të regjistruara vetëm në vitin 2022.

    Të ardhurat tona tatimore pothuajse janë dyfishuar – me dy të tretat ose një miliard euro – të gjitha duke i mbajtur të paprekura normat tona tatimore. Gjatë dy viteve në detyrë, buxhetit të shtetit iu shtuan tre të katërtat e një miliardë eurove (760 milionë për të qenë të saktë), kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro. Më herët janë dashur tre herë më shumë kohë për të arritur rritje të tilla në qeveritë e mëparshme.

    Ne jemi të bindur se ndryshimi mund të ndodhë, se sundimi i ligjit është një imperativ për të na shërbyer të gjithëve dhe se qeveria mund të kontribuojë në mënyrë efektive dhe efikase për prosperitet. Ne kemi filluar reforma të shumta për këtë qëllim dhe po punojmë për shumë të tjera së bashku me komunitetin tonë të biznesit.
    Po rishikojmë ligjet dhe rregulloret tona imtësisht për t’i përditësuar ato me legjislacionin e BE-së, për të pasqyruar nevojat e një shoqërie në rritje dhe për të reduktuar barrën administrative për bizneset dhe individët.

    Ne kemi themeluar Gjykatën Komerciale të Kosovës për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të bizneseve, për të zbatuar ligjet për pronën dhe kontratat, dhe për të liruar kapitalin e nevojshëm për rritje. Ne kemi miratuar projektligjin për Investime të Qëndrueshme për të krijuar Agjencinë e Investimeve dhe Eksportit, si institucioni i parë i pajisur plotësisht në vend për të mbështetur investitorët në të gjitha fazat e procesit të investimit. Fondi Sovran i Republikës së Kosovës është duke u themeluar për të menaxhuar asetet në pronësi publike dhe për partneritet me sektorin privat përmes dy aktiviteteve të rëndësishme: së pari duke sjellë kapital privat në kompanitë shtetërore dhe së dyti duke injektuar para publike në bizneset private me potencial eksporti dhe prodhimi.

    Ne udhëhiqemi nga një e vërtetë e thjeshtë: të kemi një shtet të fortë me një qeveri të shkathët. Dhe ne kemi marrë përsipër të kryejmë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin tonë në dialog të rëndësishëm me sektorin privat. Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat ne i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.

    Është përmes një procesi pjesëmarrës – duke zëvendësuar spektatorët pasivë me lojtarë aktivë – që ne mund të ofrojmë atë që nevojitet për një ekonomi të fuqishme dhe moderne.
    Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese.

    Tranzicioni i energjisë renditet lart në listën e prioriteteve. Ne kemi miratuar një Strategji të Energjisë ambicioze, por të realizueshme, duke kërkuar të shtojmë 1300 MW energji të rinovueshme deri në vitin 2031. Me një grant prej 202 milionë dollarësh nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të ShBA-së, ne po krijojmë një strukturë magazinimi 170 MW — ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Ankandi ynë i parë i burimeve të rinovueshme është duke u zhvilluar ndërsa ne kërkojmë oferta për një park diellor 100 MW, duke siguruar qasje në tokë dhe një marrëveshje afatgjatë të blerjes së energjisë. Më shumë ankande dhe projekte do të vijnë, ndërsa planifikojmë të përdorim erën dhe diellin tonë të bollshëm për të prodhuar energji për bizneset dhe familjet.

    Rruga jonë është e sigurt me politikën tonë të re industriale, e cila i jep përparësi sektorëve me potencial të lartë dhe promovon konkurrencën përmes një qasjeje të integruar. Bizneset janë të qetë me reformën tonë të vazhdueshme të inspektimeve dhe progresin tonë në digjitalizim. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit sjellë krenari të madhe për vendin tonë, me raportet evropiane që e rendisin Kosovën në mesin e më të talentuarve dhe konkurruesve në këtë sektor. Edhe vendbanimet deri më të largëta tani janë të lidhura me internetin me brez të gjerë, duke e vendosur Kosovën në mesin e vendeve më të avancuara të Evropës sa i përket lidhshmërisë.

    Shpresa jonë është të afrohemi më tej – me çdo kusht. Ne jemi duke kryer një studim fizibiliteti për një hekurudhë që lidh Prishtinën me portin e Durrësit në Shqipëri dhe planifikojmë të ndërtojmë një port të gjelbër pikërisht në Kosovë për ta bërë atë një qendër tregtare për rajonin dhe një pasuri të vlefshme për Evropën.
    Pra, le të festojmë përvjetorin tuaj dhe të ardhmen tonë.
    Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku.

  • Kryeministri mbron vendimin për “Dy organizatat terroriste” në veri

    Kryeministri mbron vendimin për “Dy organizatat terroriste” në veri

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria ka dëshmi e fakte për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste. Pa dhënë detaje e pa treguar nëse informacionet janë deponuar në Prokurori, ai tha se janë identifikuar 45 persona për pjesëmarrje në sulmet ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve. Në anën tjetër, Lista Serbe i kërkoi Serbisë të shpallë organizatë terroriste njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

    Përkundër se faktorët ndërkombëtarë e vlerësuan të pakoordinuar, kryeministri Albin Kurti mbrojti vendimin për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    Ai theksoi se qytetarët serbë, të cilët u dërgojnë informacione institucioneve kosovare, nuk frikësohen nga Policia, por nga pjesëtarët e këtyre dy organizatave.

    “Ne kemi pa numër fakte e dëshmi, jo vetëm argumente, se bëhet fjalë për organizata terroriste. Nëse ne, me këto fakte e dëshmi, nuk do t’i shpallnim organizata terroriste, do të bënim shkelje”.

    Pa treguar nëse informacionet janë të deponuara në Prokurori, kryeministri foli për numrin e personave të identifikuar për pjesëmarrje në sulmet e dhunshme në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    “Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme, dhunë kundër ushtarëve të KFOR-t, policisë e gazetarëve, por njëkohësisht edhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës deri te shok bomba, por edhe te plumbat, qofshin ato të automatikëve ose të revolverëve”.

    Në anën tjetër, përmes një letre, Lista Serbe, parti e cila ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe qeveris në gjashtë komuna të Kosovës, i kërkoi Qeverisë së Serbisë t’i shpallë organizatë terroriste njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

    Për dhunën ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, në veri, deri tani janë arrestuar nëntë persona, të gjithë të serbë.