ATV

Category: Lajme

  • ​Rama këtë javë në Prishtinë dhe Beograd

    ​Rama këtë javë në Prishtinë dhe Beograd

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të te ketë një vizitë në Prishtinë dhe Beograd gjatë kësaj jave.

    Në të vërtetë, Rama do të ketë një tur në kuadër të Procesit të Berlinit, por që në vëmendje do të jetë edhe situata në veriun e Kosovës.

    RTSH raporton se përpos Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri shqiptar do të udhëtojë edhe drejt Sarajevës e Shkupit, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse.

    Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha nga Ulqini se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin për të cilin lindi, për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se tashmë liderët e Ballkanit duhet të fokusohen në këtë nismë.

    Më 16 tetor të këtij viti, Tirana do të presë samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.

  • Shpërthime në Kartum, ushtria e Sudanit kërkon vullnetarë

    Shpërthime në Kartum, ushtria e Sudanit kërkon vullnetarë

    Shpërthimet tronditën sërish kryeqytetin e Sudanit, Kartum, më 3 korrik, ndërsa ushtria e rregullt bëri thirrje drejt civilëve që t’i bashkohen trupave të tyre kundër një sulmi të ri nga armiqtë e saj paraushtarakë.

    Luftimet “filluan në orën 4:00 të mëngjesit (sipas kohës lokale) dhe po vazhdojnë ende”, tha një banor i kryeqytetit për agjencinë e lajmeve AFP.

    Kryeqyteti i shkatërruar nga lufta pati vetëm pak orë pushim pas përleshjeve të rënda të një dite më parë mes trupave besnike të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe atyre të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF).

    Ushtria njoftoi më 3 korrik se ishte gati për të “pritur dhe përgatitur” luftëtarë vullnetarë, pasi Burhan javën e kaluar i kërkoi “rinisë sudaneze dhe të gjithë atyre që mund të mbrohen” t’i bashkohen ushtrisë.

    Civilët e lodhur nga lufta e kanë refuzuar kryesisht thirrjen, duke u lutur për përfundim të luftës së pamëshirshme midis Burhanit dhe ish zëvendësit të tij, komandantit të RSF-së, Mohamed Hamdan Daglo.

    Më vonë gjatë 3 korrikut, dëshmitarët raportuan se forcat ajrore shënjestruan një autokolonë të blinduar të RSF-së teksa po udhëtonte nga jugu i vendit drejt Kartumit.

    Jashtë kryeqytetit, disa nga luftimet më të ashpra kanë qenë në rajonin perëndimor të Darfurit, ku forcat e RSF-së të dielën vonë “sulmuan bazën ushtarake” në Nyala, kryeqytetin e Darfurit Jugor.

    Që nga 15 prilli, rreth 3.000 njerëz janë vrarë, sipas Projektit të të Dhënave për Vendndodhjen dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura.

    Por, mjekët paralajmërojnë se numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë, me rreth dy të tretat e objekteve shëndetësore në zonat e luftimit që mbeten ende “jashtë shërbimit”.

    2.2 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit, me 645.000 të tjerë që ikën përtej kufijve, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin./REL/

     

  • Kryeministri holandez: BE s’duhet ta drejtojë gishtin te fajtori për marrëdhëniet Kosova-Serbi

    Kryeministri holandez: BE s’duhet ta drejtojë gishtin te fajtori për marrëdhëniet Kosova-Serbi

    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjë me gisht për ta gjetur fajtorin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për tensionimin e situatës në veri, duke shtuar se blloku duhet të ndihmojë, në vend që të gjejë fajtorin, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri holandez tha se zgjidhja është aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars.

    Ai tha se të dyja palët ankohen se pala tjetër nuk e zbaton marrëveshjen, por shtoi se duhet implementuar çdo gjë dhe se duhet të punohet me një qasje “hap pas hapi”.

    “Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin te fajtori, te Kosova ose Serbia, sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Ne dëshirojmë të jemi ndihmues”.

    “Atë çfarë po themi është, keni bërë premtime të dyja palët – e di që ka shumë çështje të ndjeshme në këtë marrëdhënie, por besoj që çështja më kryesore dhe më e drejtë është që t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe planit dhe në momentin që BE fillon të gjejë fajtorë dhe të drejtojë gishtin, në momentin që e bëjmë këtë, e humbim pozicionin që të ndihmojmë”, tha Rutte.

    “Unë jam historian dhe e dua historinë, dhe dëshiroj t’i shoh pse gjërat janë ashtu siç janë. Nganjëherë është shumë e rëndësishme ta shohim edhe të ardhmen”.

    Rutte tha se kanë pas bisedime të gjata në Beograd dhe Prishtinë dhe se janë të gatshëm të ndihmojmë në të ardhmen e afërt “nëse mundemi”.

    “Aspekti kryesor duhet të udhëhiqet nga Borrell dhe nga negociatorët e tjerë dhe konsideroj që kjo është qenësore. Isha i lumtur kur në shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritëm një marrëveshje bazë si të lëvizim përpara dhe ishim në Maqedoninë e Veriut kur u vendos për zbatimin e saj. Por, që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe tash duhet të fokusohemi në çështjen e deeskalimit dhe të udhërrëfyesit të BE-së. Besoj që kjo është më e mira dhe ne duhet të kthehemi në proces”.

    “Në proces hap pas hapi, ndoshta duket i mërzitshëm, por pjesa më e mërzitshme është që ndoshta duhet të jemi duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë të përpiktë dhe të punojmë në mënyrë të drejtë. Çështja është se udhërrëfyesi evropian duhet të merret nga të dyja palët. Jam optimistë që mendjet e ftohta do të mbizotërojnë. E kam parë në Beograd dhe këtu se të gjithë duan deeskalim të situatës”, tha ai.

  • Fillon dëshminë eksperti tjetër mjeko-ligjor në çështjen e Pjetër Shalës

    Fillon dëshminë eksperti tjetër mjeko-ligjor në çështjen e Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e të martës, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar dëshminë dëshmitari i dhjetë me radhë, eksperti William Goodwin, ekspert mjeko-ligjor nga Britania e Madhe.

    Të njëjtin ka filluar ta marr në pyetje Zyra e Prokurorit të Specializuar, konkretisht prokurori special Filippo De Minicis, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

    Seanca po vazhdon në sesion publik.

    Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia dha dy urdhra me gojë.

    I pari urdhër kishte të bënte me dorëzimin e versionit publik të redaktuar i cili është dashur të dorëzuar në pajtim me urdhrin e trupit gjykues për njoftim gjyqësor për fakte të njohurive të përgjithshme.

    Gjykatësja tha se nga ana e mbrojtjes nuk është dorëzuar asnjë dokument andaj është udhëzohet ekipi i mbrojtjes që deri të premten më 7 korrik, të publikojë versionin e redaktuar publik.

    Kurse urdhri i dytë kishte të bënte me kërkesën e mbrojtjes për të shtuar në listën e materialeve dy dokumente që t’i përdorin gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit dhe që nga ana e trupit gjykues të njëjtat u aprovuan.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar nëntë dëshmitarë.

    Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

    Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë, e cila përfundoi më 3 maj. Më pas, dëshmia e dëshmitarit të shtatë filloi më 30 maj, e vazhdoi më 31 maj dhe e përfundoi më 6 qershor.

    Ndërkaq, dëshmitari i tetë, ekspert për identifikimin e ADN-së ka dhënë dëshminë e tij më 16 qershor, kurse dëshmitari i nëntë, eksperti mjekoligjor ka filluar dëshminë më 26 qershor dhe e përfundoi më 3 korrik.

    Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • ​Kurti: Takimi me Lajçak sot vazhdimësi e bisedës me Borrell

    ​Kurti: Takimi me Lajçak sot vazhdimësi e bisedës me Borrell

    Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të takohet pasdite me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

    “Sot kam takimin me Miroslav Lajçak. Të dielën kam pasur një telefonatë gjysmë orëshe me Josep Borrell. Dhe si vazhdimësi e asaj bisede të dielën, e kemi këtë takim të martën pasdite”, u shpreh ai.

    Sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste, Kurti shtoi se ka qenë obligim i qeverisë.

    “Ky është obligim i yni i qeverisë. Mua më duhet ta respektojë ligjshmërinë. Nuk është zgjedhje e jona shpallja e këtyre organizatave terroriste ka qenë obligim një vendim i tillë qeveritar”, shtoi Kurti.

  • Osmani: Të përkushtuar që sfidat t’i tejkalojmë me partnerë e aleatë

    Osmani: Të përkushtuar që sfidat t’i tejkalojmë me partnerë e aleatë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke aluduar për situatën në veri ka thënë se Kosova është e përkushtuar që sfidat t’i tejkalojë me partnerë e aleatë. Këto komente Osmani i bëri në takimin me kryeministrat evropianë, atë të Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

    Në komunikatën për media thuhet se takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët.

    “Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku.Më tej, Presidentja Osmani theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata.

    E një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale të sigurisë në veriun e vendit.

    Bëhet e ditur se presidentja Osmani ka thënë se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Në takim, presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë”, thuhet në komunikatë.

    Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar.

    Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër.

    “Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”.

    Takimi u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë, thuhet në fund të komunikatës.

  • Kryeministri i Luksemburgut: Nuk kemi ardhur për të gjykuar Kurtin, por për të gjetur zgjidhje

    Kryeministri i Luksemburgut: Nuk kemi ardhur për të gjykuar Kurtin, por për të gjetur zgjidhje

    Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se Luksemburgu dhe Kosova kanë lidhje të fuqishme.

    Duke folur për tensionet në veri, Bettel ka thënë se nuk kanë ardhur këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe për t’u munduar për të gjetur një zgjidhje.

    “Kur kemi planifikuar këtë udhëtim nuk kemi pritur që do të jenë këto tensione që janë në rajon, dhe i thamë edhe Kurtit që nuk jemi këtu për të gjykuar por për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura mes fqinjëve. Dje ishim në Beograd e sot në Prishtinë dhe ishte e rëndësishme të shkëmbejmë dhe të dimë se është një udhërrëfyes nga BE-ja”, tha kryeministri i Luksemburgut.

    Bettel shtoi se duhet të shmanget çdo mundësi e ndonjë krize të re.

    “Ju e dini se çka do të thonë tensionet, kështu që ne duhet të shmangim çdo mundësi të ndonjë krize të re të mundshme ku shoqëria civile dhe populli vuan më së shumti. Ju mund të llogarisni në ne, nganjëherë është e vështirë të kemi diskutime me fqinjët, për ne e rëndësishme është të besojmë në punën e përfaqësuesit të lartë të BE-së dhe të dërguarit të BE-së dhe të kemi dialog të hapur”, tha Bettel.

  • Rutte pas takimit me Kurtin: Jemi të brengosur për tensionet në veri

    Rutte pas takimit me Kurtin: Jemi të brengosur për tensionet në veri

    Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se ka shprehur brengat e tij lidhur me tensionet në veri të Kosovës, gjatë takimeve me liderët e vendit, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit me kreun e Qeverisë, Albin Kurti, ai ka shtuar se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për integrim në Bashkimin Evropian.

    Rutte kujtoi se “Holanda dhe Luksemburgu ishin ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

    Ai kujtoi gjithashtu se “Holanda është investitori i tretë më i madh në Kosovë”.

    “Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e ka bërë këtë më të rëndësishme se kurrë më parë. Dhe këtu stabiliteti regjional është proces tejet i rëndësishëm dhe sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”.

    “Përfshirja jonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është më e afërt se kurrë mund të them”.

  • Kurti dy homologëve evropianë: Duam marrëdhënie fqinjësore me Serbinë, marrëveshja të zbatohet pa kushte e vonesa

    Kurti dy homologëve evropianë: Duam marrëdhënie fqinjësore me Serbinë, marrëveshja të zbatohet pa kushte e vonesa

    Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga dy kryeministrat evropianë ai Holandës Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel që t’i ndihmojnë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në BE.

    Kryeministri përmendi edhe çështjen e dialogut me Serbinë, duke shtuar se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve pa kushte e vonesa, raporton Ekonomia Online.

    Kurti tha se progresi demokratik i Kosovës është mundësi e mirë për BE-në që të transformojë Ballkanin Perëndimor.

    “Gjithashtu kërkova që të na ndihmojnë për sa i përket programit të NATO-s, Partneritetit për paqe dhe të ecim më tutje drejt marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian sa i përket anëtarësimit në BE, ku ne tashmë e kemi bërë aplikimin tonë zyrtar”

    “Në lidhje me dialogun për normalizimin e  marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”.

    “Demokracitë solidarizohen me njëra tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin tonë por edhe BE-në për të shtyrë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”.

    “Në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë e paqenë në rajonin tonë dhe kontinentin tonë. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë gjithmonë e me të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin demokratik dhe ekonomik”.

  • Vdekje e dyshimtë në Shtime, policia fillon hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Shtime, policia fillon hetimet

    Policia e Kosovës njoftoi se një burrë është dërguar pa shenja jete, në shtëpinë e shëndetit, në Shtime.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor dhe rasti po hetohet nga Policia.

    Tutje, në raportin e Policisë thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar për obduksion në Institutit e Mjekësisë Ligjore.

    “INCIDENTET KRIMINALE, HETIM MBI VDEKJEN/ Shtime 03.07.2023 – NN. Është raportuar se në shtëpinë e shëndetit në Shtime, është sjellë pa shenja jete viktima mashkull dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Njësitë relevante policore kanë dalur në vendin e ngjarjes, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion, rasti në procedurë hetimore“, thuhet në raportin e Policisë.