ATV

Category: Lajme

  • ​Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

    ​Rama për takimin me Kurtin: Edhe hasmit i hapet dera kur vjen

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur optimist se homologu i tij në Kosovë do ta pres në takim sot.

    Ai nga Maqedonia e Veriut tha se shpreson se kryeministri Albin Kurti nuk e ka harruar kanunin se kur vjen mysafiri në shtëpi, qoftë edhe ai “hasëm” duhet t’i hapet dera.

    “Unë kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin se kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera, është e ndaluar të nxjerrësh deri kur ai të mbaroj fjalën”, tha ai.

    I pyetur për Ballkanin e Hapur, Rama tha se edhe njëmijë herë të kthehej prapa do ta bënte të njëjtin.

    “Ballkanin e Hapur një mijë herë të kthehesha prapa, njëmijë herë do ta bëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që ka ky rajon, për të cilat ju ndoshta nuk keni dëgjuar fare, sikur unë vet kur e kam dëgju këtë jam habitur. Çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur rajonit, përveç të mirave. Cilat janë ato, merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve”, shtoi Rama.

    Ai nga Shkupi refuzoi të flas për tensionet e fundit Kosovë-Serbi, derisa tha se për të njëtën do të ketë qëndrim pasditën e sotme në Kosovë./kp/

  • Hamiti: Duhet të punohet shumë për të riparuar dëmet që i ka bërë Kurti

    Hamiti: Duhet të punohet shumë për të riparuar dëmet që i ka bërë Kurti

    Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, në emisionin DIREKT në ATV, tha se në Kosovë duhet të punohet shumë për t’i riparuar dëmet, të cilat sipas tij, i janë shkaktuar vendit nga Qeveria Kurti.

    “Edhe po flasim me të tjerë, me palë, jo domosdo ne baza partiake, për ta bindur këtë popull, këtë shoqëri, për nevojën e ndryshimit dhe ndryshimit të njëmend dhe të mirë, sepse ndryshim kërkonin edhe Vetëvendosje dhe përkrahësit e saj. Është e vërtetë që kemi ndryshim, por është ndryshim për të keq. Ne duam të kemi ndryshim tash. Fillimisht duhet të punohet shumë për t’i riparuar dëmet që i ka bërë kjo Qeveri”, tha Hamiti. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Vuçiqi flet me Erdoganin në telefon: E kam informuar për aktualitetin në Kosovë

    Vuçiqi flet me Erdoganin në telefon: E kam informuar për aktualitetin në Kosovë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton se ka biseduar sot në telefon me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të cilin tha se e ka informuar për aktualitetin në Kosovë dhe kronologjinë e ngjarjeve që çuan në siç tha ai, përshkallëzimin e dhunës ndaj komunitetit serb në Kosovë.

    Në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq shton se kanë biseduar për çështjet rajonale dhe se janë pajtuar që paqja dhe stabiliteti nevojiten më shumë se kurrë.

  • Tahiri për Kurtin: Të takohet me Ramën, refuzimi që ka bërë është skandali më i madh

    Tahiri për Kurtin: Të takohet me Ramën, refuzimi që ka bërë është skandali më i madh

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se refuzimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama është veprim skandaloz.

    Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se kryeministri i Shqipërisë, Rama ka plotësuar tashmë kushtin e kryeministrit për nënshkrimin e marrëveshje, ku kërkoi nga kryeministri Kurti që të ketë takim.

    Tahiri, tha se Rama vjen si një përfaqësues i një shteti që është anëtar në NATO dhe jo si një individ.

    “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vjen në shtëpinë e vet, tek vëllezërit e motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë nga Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që e bënë të turpshëm secilin shqiptar që frymon dhe mendon shqip. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat, ai përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s. Takimi duhet të ndodhë, sepse Edi Rama ka bërë edhe një hap tutje që ka urdhëruar të gjithë ministrat e vet që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare në mënyrë që të plotësohet edhe kushti i kryeministrit, Kurti. Këto kushtëzime jo që bien ndesh me synimet tona politike por zbardhin një agjendë mashtruese që ka pasur Kurti, duke nisur prej platformës të Bashkimit Kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend. Shoh një veprim skandaloz dhe kërkesa jonë është që të ketë takim”, tha Tahiri.

    Tahiri tha se i qëndrojnë prapa mocionit për rrëzimin e qeverisë, për çka theksoi se është i bindur që shumica opozitare është e gatshme për një gjë të tillë.

    “AAK në këto dy vite e gjysmë ka pasur pozicione shumë të qarta në Kuvend, ka pasur momente kur i kemi thënë jo dhe po ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në fakt marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ne kemi ngritur një mocion sepse mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Kemi qenë shumë të qartë nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë ne ato i bëjmë në Kuvend, përderisa në aspektin e bojkotimit kemi marrë një vendim i cili do të reflekton në komisione, kryesi e seancë. Mirëpo e shohim rrugën tjetër, që partitë opizitore që kanë biseduar me shefat e grupeve, kanë shprehur gatishmëri, t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellin një vendim në Kuvend. Jam i bindur se një shumicë shqiptare pa ‘Listën Srbska’ është e gatshme që t’ia jap verdiktin e merituar kësaj qeverie”, tha Tahiri.

    Ndërkaq deputeti nga kjo parti, Shemsedin Dreshaj foli për Projektligjin e ri për pensionet.

    Sipas tij, ky projektligj duhet të debatohet në Kuvend pasi ka shumë paqartësi.

    “Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj sipas rregullës ka qenë dashur t’i nënshtrohet të gjitha procedurave legale, të hartimit, të debatit publik, debatit parlamentar, të debatit në komisione funksionale të Kuvendit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura janë shkuar me një rrugë të torturuar, madje as debat publik fare nuk kemi pasur. Dhe, ne nuk kemi informatë që palët e interesit sot a janë të kënaqura me këto propozime apo jo. Ky ligj aktualisht në formën që na është propozuar është shumë konfuz përkundër rekomandimeve që kemi dhënë që në mënyrë të largohet 15-vjetëshi dhe të largohet neni diskriminues 5, i udhëzimit administrativ”, tha Dreshaj.

    Dreshaj shtoi se paragrafi i dytë në këtë ligj është i paqartë, dhe sipas tij, nëse ky paragraf do të jetë funksional, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është implementuar në tërësi.

    “Ky ligj fatkeqësisht ka edhe një paragraf që është i paqartë, bëhet fjalë për paragrafin dy të këtij neni ku definohen disa kategori si të papërcaktuara, çfarë ka në të, vërtetë është për tu diskutua. Kjo mbetet ta debatojmë në Kuvend lidhur me kompetencat e kësaj pjese, për shkak se nëse ky paragraf do të jetë funksional, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është implementuar në tërësi”, tha mes tjerash Dreshaj.

  • ​Kontinenti po ndahet në dy pjesë, shkencëtarët: Një e çarë mes për mes Afrikës

    ​Kontinenti po ndahet në dy pjesë, shkencëtarët: Një e çarë mes për mes Afrikës

    Një çarje masive që po thellohet mes për mes Afrikës mund ta ndajë kontinentin në dy pjesë dhe të krijojë një oqean të gjashtë në botë – paralajmërojnë shkencëtarët.

    Vendet përgjatë bregut juglindor do bëheshin një ishull gjigand, duke krijuar një det plotësisht të ri nga Etiopia në Mozambik.

    E ashtuquajtura çarja afrikano-lindore, është formuar 22 milionë vite më parë, por ka treguar aktivitet gjatë dekadave të fundit dhe çarja është shfaqur edhe përgjatë shkretëtirave në Etiopi në 2005-ën.

    Shkencëtarët thonë se ajo po thellohet me afro 3 centimetra çdo vit. Ky është rezultat i lëvizjes larg njëra tjetrës së dy pllakave tektonike, por mekanizmi i saktë nuk është plotësisht i kuptueshëm për momentin, raportoi Top News.

    Një studim i publikuar në qershor ka dalë në përfundimin se një nxjerrje masive e shkëmbinjve të nxehtë që vjen nga bërthama e planetit tonë, po e nxit akoma më shumë ndarjen.

    Ndërsa Afrika nuk pritet të ndahet të paktën edhe për 5 milionë vite të tjera, Somalia dhe gjysma e Etiopisë, Kenias dhe Tanzanisë, do të krijojnë një kontinent të ri kur kjo të ndodhë.

  • ​LVV: Disa nga gjetjet e raportit të auditimit do t’i adresojmë te organet e drejtësisë

    ​LVV: Disa nga gjetjet e raportit të auditimit do t’i adresojmë te organet e drejtësisë

    Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë paralajmëruar sot se për disa nga gjetjet e raportit vjetor të auditimit të vitit të kaluar do t’i adresohen organeve të drejtësisë. Ata i kanë bërë thirrje të parit të kryeqytetit, Përparim Rama për reflektim, sepse konsiderojnë se këto gjetura flasin për vepra penale. Asamblistja Violeta Salihu dhe Ermal Osmani kanë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin Vjetor të Auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2022.

    Asamblistja Salihu ka thënë se opinioni i kualifikuar i Zyrës Kombëtare të Auditimit flet për shkelje ligjore dhe keqplanifikim të mjeteve buxhetore.

    “Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Prishtinës për vitin 2022. Sipas standardeve të auditimit, opinioni i kualifikuar jepet në rastet kur janë zbuluar keqdeklarime ose mospajtueshmëri, kur e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare. Baza për opinion të kualifikuar ka rrjedhur: si rezultat i planifikimeve buxhetore të gabuara, ku komuna ka paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro nga investimet kapitale, shpenzime që për nga natyra u takojnë mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një tregues i qartë për një keqplanifikim dhe keqmenaxhim, kur paratë merren nga një kategori e caktuar e shfrytëzohen për një kategori”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Komuna e Prishtinës ka pasur mangësi në menaxhimin e të hyrave të tatimit në pronë, që si pasojë e keqmenaxhimit komuna ka realizuar 12 për qind më pak të të hyrave krahasuar me vitin e kaluar.

    “Ka pasur subvencionim të OJQ-ve pa thirrje publike, e cila paraqet shkelje të rregullores së Ministrisë së Financave 04/2017 tek neni 2.1 dhe tek neni 6, pika 6.2, ku thuhet se një përfitues fizik apo juridik mund të përfitojë subvencione vetëm një herë në vit, ndërsa këtu kemi një OJQ, e cila ka përfituar tri herë brenda vitit, ndërsa tjetra OJQ dy herë në vit. Kjo paraqet një shkelje ligjore sipas procedurave. Po ashtu, edhe kuzhina qendrore ka përfituar subvencion në vlerë prej 30 mijë euro dhe e cila nuk kishte hartuar raporte kthyese financiare dhe narative në lidhje me shfrytëzimin e mjeteve dhe kjo paraqet shkelje të rëndë të kritereve sipas legjislacionit në fuqi”, ka shtuar ajo.

    Në anën tjetër, asamblisti Ermal Osmani ka dhënë detaje për të gjeturat dhe rekomandimet. Ai ka thënë se këto të dhëna tregojnë për shkeljet ligjore të Komunës së Prishtinës.

    “Po fillojë me mashtrimin e parë që ka tentuar të bëhet, duke keqklasifikuar në kategoritë ekonomike, ku nga buxheti për investime kapitale janë paguar 2 milionë e 453 mijë e 137 euro shpenzime që për nga natyra nuk i takojnë investimeve kapitale. Prezantim i pasaktë i llogarive të arkëtueshme me taksat e infrastrukturës, ku kemi shumë të mbivlerësuar për 98 mijë e 78 euro dhe të arkëtueshme nga lejet e ndërtimit ishin të nënvlerësuara për 250 mijë e 309 euro. Mosprezantim i saktë i detyrimeve kontingjente në raportin vjetor të financuar, ku si pasojë e dyshimeve ato ishin mbivlerësuar për 11 milionë e 847 mijë e 843 euro”, ka thënë ai.

    Osmani ka shtuar se janë evidentuar shkelje edhe në ngritjet në detyrë, me ç’rast ka theksuar se të gjitha këto kanë ndodhur pa u zhvilluar proces konkurrues. Ai ka thënë se pagesat për borxhe e kamate kanë arritur shifrën mbi gjashtë milionë euro, për çka ka paralajmëruar se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë.

    “Duke i bërë thirrje kryetarit Rama për reflektim në shërbim të drejtë të qytetarëve, po i njoftojmë qytetarët se disa nga këto gjetje do t’i adresojmë te organet e drejtësisë, sepse ka indikacione të veprave penale”, ka përfunduar Osmani.

    Në konferencën e asamblistëve të kryeqytetit nga radhët e LVV-së është thënë se ky raport ka rezultuar me 22 të gjetura dhe rekomandime, prej tyre pesë janë të reja, 12 të përsëritura dhe pesë pjesërisht të përsëritura nga vitet e mëhershme. Sipas tyre, këto të gjetura tregojnë për dështimin e Komunës së Prishtinës në adresimin e rekomandimeve nga viti i kaluar. /KP

  • Szunyog takohet me Kusarin: BE ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve

    Szunyog takohet me Kusarin: BE ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar me juristen për media, Flutura Kusari, me të cilën ka diskutuar për shqetësimet e saja për kërcënimet e vazhdueshme dhe fushatën e shpifjeve kundër saj në rrjete sociale.

    Me anë të një cicërime në Twitter, Szunyog ka thënë se BE-ja e ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë.

    “BE-ja ndjek nga afër mjedisin mediatik dhe të drejtat e gazetarëve në Kosovë”.

    “Mediat e lira dhe të pavarura janë pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike”, ka shkruar Szunyog.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet, mungojnë deputetët

    Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet, mungojnë deputetët

    Mbledhja e Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka dështuar në mungesë të kuorumit, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se në mungesë të deputetëve mbledhja nuk mund të mbahet.

    Në këtë komision në rend dite ishin këto pika: Propozimi i Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të  Fondit të Kursimeve Pensionale; Shqyrtimi i kërkesës së Radio Televizionit të Kosovës për ndarjen e mjeteve për periudhën korrik-shtator 2023; Shqyrtimi i Raportit vjetor Financiar i Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022 dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2022.

  • Rama në Shkup, pritet nga Kovaçevski

    Rama në Shkup, pritet nga Kovaçevski

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka arritur në Maqedoninë e Veriut.

    Ai në Shkup është pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

    Pas takimit, Rama dhe Kovaçevski do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë sot edhe Kosovën, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.

    Në Prishtinë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, derisa ende nuk është konfirmuar se a do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

    Pas Kosovës, Rama do të udhëtojë drejt Bosnjës, pastaj në Mal të Zi si dhe e mbyll turin e tij në Serbi.

  • Hoxhaj për Kurtin: Në opozitë fliste për bashkim kombëtar, sot s’takohet as me kryeministrin e Shqipërisë

    Hoxhaj për Kurtin: Në opozitë fliste për bashkim kombëtar, sot s’takohet as me kryeministrin e Shqipërisë

    Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit nuk u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

    Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kurti sa ishte në opozitë, fliste për bashkim kombëtar dhe sot nuk mund të bashkohet në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama!

    “Hipokrizia politike e Albin Kurtit shpërfaqet në sjelljen e tij si të një feudali mesjetar dhe autokrati inatçor, që deri sa ishte në opozitë fliste për bashkim kombëtar dhe sot nuk mund të bashkohet në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama!”, ka thënë Hoxhaj.