ATV

Category: Lajme

  • Në QKUK vazhdon të mungojnë barnat esenciale

    Në QKUK vazhdon të mungojnë barnat esenciale

    Pavarësisht zotimeve për stabilizim të furnizimit me barna e produkte mjekësore, pacientët po vazhdojnë t’i sigurojnë ato në mënyrë vetjake. Pacientë e familjarë me të cilët ka biseduar KOHA, në kushte anonimiteti kanë prezantuar recetat e përshkruara nga mjeku për t’i blerë ato. Në ShSKUK thanë se me disa prej tyre ka filluar furnizimi e me të tjera presin furnizim gjatë ditëve në vijim.

    Barna e produkte esenciale janë duke vazhduar të blejnë pacientët në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

    Gjatë kohës sa ka qëndruar ekipi i KOHËS të enjten në oborr të QKUK-së janë parë pacientë e familjarë teksa bartnin barna të blera nga jashtë.

    Pacientët në kushte anonimiteti kanë treguar për produktet që janë të detyruar t’i sigurojnë çdo ditë për më shumë se një javë.

    Ata kanë prezantuar recetat e përshkruara nga mjekët për t’i blerë në mungesë të posedimit në Barnatoren Qendrore.

    “P.sh., klometol, pantoprazole. Qe klometol p.sh. që i ka thanë me ble”, ka thënë një paciente.

    Përveç pantoprazol e klometol, që blejnë për lukth pacientët e Kirurgjisë Abdominale, pacientë të tjerë kanë treguar se ka mungesë edhe të albuminave, shiringave, pambukut, kanellave, fashave e produkteve të tjera mjekësore nga lista esenciale.

    E kjo mungesë është vërejtur veçanërisht në klinikat e Kirurgjisë dhe në Emergjencë.

    Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) thanë se njëri nga prioritetet e menaxhmentit të ri është stabilizimi i furnizimit me barna dhe material shpenzues.

    Bazuar në përgjigjet e ofruara me shkrim thuhet se Barnatorja Qendrore është furnizuar dy ditë më parë me albumina.

    “Sa i përket materialit shpenzues, kontratat janë lidhur dhe presim furnizim në ditët në vijim. Lidhur me pantoprazol ampulla, ato janë në Listën e re Esenciale (produkte për të cilat ende nuk kemi filluar kontraktimin për shkak të procedurave). Deri më tani kemi pasur alternativë omeprazol ampulla, por për të njëjtat është ndërprerë kontrata për arsye të vendimit për t’u tërhequr nga tregu (nga organet kompetente)”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

    Në fillim të javës para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi drejtori i ri i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ka deklaruar se vazhdon të mbetet sfidë furnizimi me barna dhe se mision i tij është që të inkuadrojë listën e re esenciale.

    E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, javë më parë ka deklaruar se deri në tetor nuk do të ketë probleme me barna esenciale nëpër spitale. Sipas tij, fjala mungesë dhe urgjencë në furnizime nuk do të jetë më në fjalor e në terminologji.

  • Osmani: Institucionet tona dhe ShBA-të e kanë një qëllim, shtensionimin në veri

    Osmani: Institucionet tona dhe ShBA-të e kanë një qëllim, shtensionimin në veri

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier.

    Osmani dhe Hovenier, diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi dhe për zhvillimet në vend.

    E para e vendit tha se institucionet tona dhe ShBA-të e kanë një qëllim, shtensionimin e situatës në veri.

    “Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët”, tha Osmani.

  • Statovci u dërgon letër mirënjohje 13 deputetëve zviceran që kritikuan masat e BE-së ndaj Kosovës

    Statovci u dërgon letër mirënjohje 13 deputetëve zviceran që kritikuan masat e BE-së ndaj Kosovës

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci u ka dërguar një letër mirënjohje deputetëve zviceran që shprehen shqetësimin e tyre për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

    Ajo përmes një letre ka shprehur vlerësimin e saj karshi 13 deputetëve që në mënyrë unanime kritikojnë qasjen e Brukselit.

    Ky është reagimi i saj:

    Kam dërguar letër mirënjohje deputetëve zviceran të cilët shprehën shqetësim për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, dhe kërkuan një qasje të drejtë dhe te balancuar nga 🇪🇺.

    13 deputetë në mënyrë unanime, kritikojnë qasjen e Bashkimit Evropian ndaj ngjarjeve të fundit në veri të vendit.

    Dëshiroj të shpreh thellësisht vlerësimin për këndvështrimin që keni artikuluar në letrën tuaj. Kuptimi i mprehtë i kompleksiteti i situatës në Kosovë, tregon përkushtimin tuaj të palëkundur për promovimin e paqes, stabilitetit dhe përparimit brenda BE-së dhe më gjerë. Në këtë drejtim, ne përshëndesim pikëpamjet tuaja për refuzimin e Serbisë për të respektuar Marrëveshjen, si dhe për provokimet e qëllimshme të Presidentit Vuçiq që nxisin kaos tek komunitetet që jetojnë në veri të Kosovës. Kjo kryesisht përdoret për konsum personal dhe të brendshëm politik në Serbi. Qeveria jonë është e përkushtuar ndaj shtetit të së drejtës parim themelor i cili siguron barazi dhe drejtësi ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës.

  • Gjykata Speciale në Hagë ka mbyllur dyert për tri javë, për shkak të pushimit veror

    Gjykata Speciale në Hagë ka mbyllur dyert për tri javë, për shkak të pushimit veror

    Ka përfunduar deklarimin dëshmitari i 15-të në rastin ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Meqë mbrojtja s’pati pyetje për dëshmitarin 04586, trupi gjykues ia bëri disa.

    Genël Metro, gjykatës i Gjykatës Speciale: Pasi ndodhën këto ngjarjet kur jua morën vëllain edhe çdo gjë tjetër, gjatë asaj periudhe, ti a u përpoqe t’i tregoje ndokujt apo të raportoje ndokujt këtë që i ndodhi të afërmit tuaj?

    Dëshmitari: Po.

    Genël Metro, gjykatës i Gjykatës Speciale: A mund të na tregosh kujt ia tregove këto ngjarje?

    Por, pjesa më e madhe e seancës ishte e mbyllur për publikun. Madje edhe të akuzuarit, seancën e ndoqën online nga qendra e paraburgimit.

    Njëkohësisht kjo ishte seanca e fundit, meqë për tri javët e ardhshme Gjykata Speciale nuk do të punojë për shkak të pushimit veror. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, seancat e deritanishme në Hagë janë karakterizuar me disa çështje.

    “Problematikat kryesore kanë qenë vonesat e prokurorisë, pastaj kemi pasur redaktimet e shumta që e kanë pengu mbrojtjen dhe barazinë e palëve”, tha Eranda Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Kur gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së kishte filluar të vlerësohet se do të zgjaste deri në fund të vitit 2023, por, duke marrë parasysh rrjedhën e deritanishme, pritet të zgjasë më shumë.

    “Vetëm ngritja e aktakuzës ka zgjatur 5 vjet diku. Ka pasur çalime të prokurorisë. Ka pasur vonesa që i kanë ndiku mbrojtjes. Duke pasë parasysh procesi mund të zgjasë më shumë sesa është planifikuar”, tha Zekaj.

    Më 14 gusht, Gjykata Speciale do të rinisë punën. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Ka filluar gjykimi ndaj Milorad Gjokoviqit, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Ka filluar gjykimi ndaj Milorad Gjokoviqit, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

    Në mëngjesin e 7 majit të vitit 1999, fshati Ozdrim i Pejës ishte rrethuar nga forcat ushtarake paramilitare serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Millorad Gjokoviq.

    Gjokoviq, i cili pas luftës kishte punuar si zyrtar komunal në komunën paralele të Pejës, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale ishte pjesë e forcave serbe, të cilat po në atë datë ishin ndarë në tri grupe, për të sulmuar Ozdrimin, dhe disa fshatra të tjerë përreth.

    Nga të shtënat me armë ishin vrarë 11 civilë shqiptarë, trupat e pesë prej të cilëve nuk janë gjetur as pas më shumë se dy dekadash që nga përfundimi i luftës.

    Gjokoviq akuzohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka aplikuar edhe masat e torturës, rrahjes, dëbimit, e shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    Por, Gjokoviq në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i mohoi këto akuza.

    Mbrojtja e tij kërkoi ndryshim të masës së paraburgimit, duke kërkuar masë më të butë, e madje paraqiti edhe dorëzani në vlerë prej 20 mijë eurosh, megjithatë u refuzua nga Gjykata.

    61-vjeçari ndodhet në paraburgim që nga viti i kaluar, kur u arrestua nga Policia e Kosovës në Vitomiricë të Pejës. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Kanë kaluar saktësisht 80 ditë që nga miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Kanë kaluar saktësisht 80 ditë që nga miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur

    Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pa si fije shprese për familjarët.

    Por, 80 ditë nga miratimi i saj, në çështjen e personave të pagjetur, nuk ka lëvizje konkrete.

    Megjithatë, të mërkurën në Bruksel, ishte njëra prej temave që delegacioni kosovar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, diskutoi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak.

    Pas takimit, Bislimi tha se është biseduar për “termat e referencës për Komisionin e Përbashkët qe do ta mbikëqyrë zbatimin e deklaratës.

    Ndërkaq, një muaj pas harmonizimit të këtyre termave komisioni do t’i fillojë takimet.

    “Hiç më larg se mbrëmë i kemi dërgu edhe komentet e fundin në kuadër të termave të referencës, po presim që ato të pranohen edhe nga BE-ja dhe nga pala serbe dhe pastaj të fillojmë me takimet e para të komisionit të përbashkët që do të duhej t’i fillonte brenda 30 ditësh nga data e harmonizimit të këtyre termave të referencës”, tha kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Hoti ka fajësuar palën serbe për zvarritje, teksa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të marrë masa ndëshkuese ndaj saj.

    “Kohë po merr, ju e dini që më 2 maj është miratu deklarata, por për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë Bashkimi Evropian nuk na ka ftuar për të biseduar për komisionin e përbashkët, megjithatë siç e thashë 30 ditë”, tha Hoti.

    Në deklaratën e miratuar ndër të tjera, parashihet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat dhe dokumentet, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Pas zotimit për zgjedhje në veri shqiptarët e punësuar në administratë s’janë të sigurt

    Pas zotimit për zgjedhje në veri shqiptarët e punësuar në administratë s’janë të sigurt

    Vendet që mbetën bosh pas largimit të serbëve nga institucionet në veri u zëvendësuan menjëherë nga Qeveria. Pas konkursit të shpallur për pozitat e hapura për nëpunës administrativ u punësuan 50 qytetarë, shqiptarë nga veriu.

    Atyre më vonë iu bashkuan edhe rreth 200 të tjerë në pozita të njëjta me kontrata pune për një vit.

    Por, tani kur ka zotim për zgjedhje të reja në veri këta punëtorë nuk e dinë nëse do të mbesin në këto pozita.

    “Me sa kam informacion të gjithë ata që kanë konkurruar në konkursin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme, i kanë nënshkruar kontratat e tyre, pra kontratat e tyre janë juridikisht të vlefshme, e në rast se qytetarët serbë vendosin të kthehen dhe Qeveria jonë i pranon, ku po mbesin këta punëtorë?”, tha politikologu, Avdullah Sadiku.

    Megjithatë, punësimi i tyre vlerësohet si pozitiv vetëm se kritika ka për pozitat ku janë vendosur.

    “Mirë se janë punësuar njerëz që kanë pasur nevojë, por projektet, vendet të cilat janë një etnike fare nuk ka të punësuar element shqiptar. P.sh siç është spitali, zjarrfikësit, apo ujësjellësi, pikërisht Qeveria e Kosovës në këto projekte duhet fokusuar”, tha Besnik Xhaka, përfaqësues i veriut.

    Sidoqoftë, përveç kohëzgjatjes prej një viti që rregullohet me kontratë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje nëse atyre do t’u vazhdohet apo do t’iu ndërpritet kontrata.

    Sido që të jetë, për aq sa janë të punësuar ata paguhen 423.85 euro në muaj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Policia e Kosovës ka filluar testimet fillestare rreth përdorimit të kamerave të trupit për policët

    Policia e Kosovës ka filluar testimet fillestare rreth përdorimit të kamerave të trupit për policët

    Shumë shpejt pjesëtarët e Policisë do të pajisen me kamera trupi. Të parët që do të pajisen me këto kamera janë policët e trafikut.

    Sipas Policisë, ky projekt ka për qëllim argumentimin e aktiviteteve policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.

    “Policia e Kosovës përmes projektit të pajisjes së zyrtarëve policorë me kamera të trupit, përveç tjerash ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren. Për t’u finalizuar si i tillë projekti, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, fillimisht janë përgatitur dokumentacionet e nevojshme dhe Procedurat Standarde të Operimit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Eksperti i Komunikacionit, Bekim Ahmeti, tha se pajisja e policëve me kamera të trupit e rrit seriozitetin e punës.

    “Në shumicën e vendeve të botës, policia e komunikacionit ka kamera në trup. Kjo e rrit seriozitetin në radhë të policisë, si dhe i deselekton selektimet që bëhen nga ana e policisë se kujt duhet t’i shqiptohet gjoba e kujt jo”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.
    Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se procesi i monitorimit të kamerave trupore do të mundësojë shmangien e keqpërdorimit të autorizimeve.

    “Procesi për t’i monitoruar veprimet e efektive policore përmes kamerave trupore është një hap tutje drejt mundësisë për të shmangur në njërën anën keqpërdorimin e autorizimeve policore, por edhe deklarimet e rrejshme që qytetaret i bëjnë në raport me punën e zyrtarëve policorë”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Policia e Kosovës pas fazës testuese, do të njoftojë opinionin për fillimin e përdorimit të kamerave të trupit, përfshirë edhe dhënien e informacioneve më të detajuara të këtij projekti. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet

    Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet

    Prishtinës iu shtua edhe një hapësirë e re gjelbëruese në dy rrethrrotullimet.

    Nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, tha se në këtë hapësirë janë punuar rreth 1 mijë hektarë.

    “Jemi duke i punuar rrethet në hyrjet të qytetit. Siç kem premtuar në kampanjë për Prishtinën e gjelbër dhe e kemi pas gjelbërimin si thelbësor, tani veç se keni filluar me i pa frytet, i kemi punuar këto rreth 1 mijë hektarë hapësirë të re, është një formë tjetër e punës. Po punohet në shumë lagje, do ta hapim parkun edhe te Fakultetit Teknik, janë disa parqe që po punohen paralelisht”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj .

    Për shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, drejtoresha e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, tha se janë ndarë mbi 1 milion euro.

    “Jemi në vazhdën e rritjes së hapësirave të gjelbëruara, sot është përpunimi në dy rrethet në hyrje të Prishtinës. Këtë vit në buxhet 1 milion e 300 mijë për hapësira të gjelbra dhe parqe”, tha Çetta.

    Por, qytetarët kanë mendime të ndryshme për këto investime.

    “Është një hap shumë i duhur krijimi i hapësirave të tilla. Janë të qëlluara për qytetarët e kryeqytetit”, tha një qytetar.

    “Nuk ka mjaftueshëm vende të gjelbëruara, institucionet duhet të krijojnë më shumë hapësira të tilla, ata janë vonuar shumë”, thotë një qytetar tjetër.

    Ndryshe, zyrtarët komunalë kanë bërë të ditur se me rritjen e numrit të hapësirave të gjelbra do të përmirësohet edhe cilësia e ajrit në kryeqytet. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë:

  • Projektligji i miratuar në Qeveri për Këshillin Prokurorial, ka shkaktuar përplasje mes deputetëve

    Projektligji i miratuar në Qeveri për Këshillin Prokurorial, ka shkaktuar përplasje mes deputetëve

    Një javë pasi u miratua nga ekzekutivi, Projektligji për Këshillin Prokurorial është diskutuar në Komisionin për Legjislacion. Sipas opozitës, në projektligj nuk janë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese e as të Komisionit të Venecias.

    Por, një deklaratë e deputetes Blerta Deliu – Kodra shkaktoi reagimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Përkundër vërejtjeve të opozitës, me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, Projektligji për Këshillin Prokurorial është proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

    Kritika për projektligjin e ri ka pasur edhe shoqëria civile, duke thënë se rritja e numrit të anëtarëve, tetë prej të cilëve do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, rrezikon politizimin e KPK-së.

    Rreth përmbajtjes së Projektligjit të ri për KPK-në, reagoi javën e kaluar edhe KPK-ja, duke theksuar se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar.

    Ligjin e miratuar për KPK-në e kishte shpallur Gjykata Kushtetuese të pavlefshëm, duke gjetur vërejtje edhe në balancimin e anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë. /atvlive

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni ën videon më poshtë: