ATV

Category: Lajme

  • Borrell ia zgjat mandatin edhe për një vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Borrell ia zgjat mandatin edhe për një vit Tomas Szunyog si shef i BE-së në Kosovë

    Tomas Szunyog do të jetë edhe për një vit shef i BE-së në Kosovë.

    Këtë vendim e ka marrë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, për t’ia zgjatur atij mandatin deri më 31 gusht 2024, thuhet në njoftimin e Këshillit Europian.

    Tomáš Szunyog u emërua Përfaqësues Special për Kosovën më 1 shtator 2020. Mandati i tij përfshin detyrën e ofrimit të këshillave dhe mbështetjes së BE-së në procesin politik dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Unionit në Kosovë.

    Përveç Szunyog, Këshilli Europian ka miratuar sot një sërë vendimesh për zgjatjen e mandateve ekzistuese edhe të dy përfaqësuesve specialë të BE-së për një vit.

    Johann Sattler në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Toivo Klaar u emërua për Kaukazin e Jugut.

    Përfaqësuesit specialë të BE-së propozohen nga Përfaqësuesi i Lartë për të promovuar politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe vende të veçanta dhe për t’i siguruar BE-së një prani politike aktive në ato zona.

    Aktualisht, dhjetë përfaqësuesit specialë mbështesin punën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell. Këtu përfshihen tre përfaqësuesit specialë të përmendur më lart, si dhe ai për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, si dhe të tjerë.

  • Konjufca takon homologen franceze, diskutojnë për situatën aktuale dhe sfidat në Kosovë

    Konjufca takon homologen franceze, diskutojnë për situatën aktuale dhe sfidat në Kosovë

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitave zyrtare në Francë, i shoqëruar nga ambasadori Mehdi Halimi, shefi i stafit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova, ka takuar kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Francës, Yawl Braun-Pivet, nënkryetaren e Asamblesë Kombëtare, Valérie Rabault, kryetarin e komisionit për punë të jashtme, Jean-Louis Bourlanges, deputetin për francezët që jetojnë jashtë Francës, Frédéric Petit dhe kryetarin e grupit të miqësisë Francë-Kosovë, Jean-Philippe Ardouin.

    Sipas Konjufcës, në këtë takim miqësor dhe të frytshëm është theksuar nevoja për thellim të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në rrafshin e raporteve mes institucioneve parlamentare, ashtu edhe në nivel të plotë shtetëror.

    “Republika e Kosovës është shumë e interesuar që partneriteti mes dy vendeve tona të jetë jo vetëm i vazhdueshëm dhe i palëkundur, por edhe të thellohet më tej duke lëvruar gjithë potencialin e vet, nga pikëpamja institucionale, kulturore, ekonomike dhe politike, si përgjigje e domosdoshme ndaj rrethanave ku gjendemi aktualisht si bllok perëndimor, me vlera dhe synime të përbashkëta që i mbrojmë dhe i zhvillojmë”, ka thënë Konjufca.

    Homologen Yawl Braun-Pivet e ka falënderuar për kontributin e Francës në drejtim të Kosovës ndër vite, asistencën e vyer që Kosovës i ka sjellë sot sukses në cilësitë e shtetndërtimit, në sundim të ligjit dhe demokratizimin shembullor në rajon.

    “Arritjet e shtetit tonë janë edhe suksese të aleatëve tanë që na kanë mbështetur dhe kanë dhënë kontributin e tyre, e ndaj të cilëve ne jemi mirënjohës”, ka thënë ai tutje.

    “Diskutuam për situatën aktuale në vendet tona dhe për sfidat nëpër të cilat gjendemi aktualisht. I theksova zj. Yawl Braun-Pivet përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës ndaj angazhimeve tona që në vëmendje kanë shembullin, mjetet dhe frymën e Bashkimit Evropian, unionit të vlerave dhe qëllimeve tona të përbashkëta”, ka përfunduar ai.

  • ​Krasniqi takoi ambasadorin amerikan: Zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme

    ​Krasniqi takoi ambasadorin amerikan: Zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ata kanë biseduar për situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e kësaj partie lidhur me veprimet që i konsideron të nevojshme.

    Sipas Krasniqit, Qeveria Kurti e ka humbur rrugën e duhur andaj zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme.

    “Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombëtare, janë tërësisht të papranueshme. Ky nuk është vullneti i qytetarëve dhe ajo për të cilën ata kanë votuar, rrjedhimisht, Ambasadorit amerikan i shpreha qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi. PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Ai gjithashtu ka thënë se e ka siguruar ambasadorin amerikan se PDK do të angazhohet përmes të gjitha mjeteve demokratike të luaj rolin e saj konstruktiv në shërbim të interesit të qytetarëve.

  • Aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale

    Aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale

    Prokuroria Themelore në Prizren ka informuar sot se ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave për vepra të ndryshme penale.

    Sipas prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj personave me inicalet, Sh.K., V.Gj., B.K., E.K., Z.Xh., Z. (F)Xh., P.Xh., K.Q., G.K., L.K., Q.K., dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndimi i rëndë trupor”, “Pjesëmarrja në rrahje”.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., Më datë 07.05.2023 rreth orës 01:23min në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, përballë njërës prej qendrave tregtare, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të cilën nuk e përfundon ndaj të dëmtuarve Q.K., dhe R.K., dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave tjerë siç janë G.K., L.K., B.K., G.K., dhe P.Xh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit, përfshihet në rrahje një numër i madh personash nga të dyja palët, ku pasi ndërpritet përleshja, i pandehuri Sh.K., paraqitet në vendin e ngjarjes dhe menjëherë hedhet në sulm, i cili nxjerr armën e zjarrit cilën e drejton në drejtim të G.K., aty ndërhynë Q.K., duke ia kapur armën nga dora mirëpo persona tjerë e sulmojnë Q.K., dhe pasi ky i fundit rrëzohet në tokë i pandehuri shtënë me armë në drejtim të tij, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, të shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit, tek i cili deri në ngritjen e kësaj aktakuze predha metalike ka mbetur në brendi të trupit për shkak të gjakderdhjes gjatë nxjerrjes së saj, pasi i dëmtuari Q.K., largohet me shpejtësi duke u hedhur rreth 2 metra poshtë në oborrin e qendrës tregare që gjindej aty afër, i pandehuri shkon në pjesën tjetër të turmës ku po konfrontoheshin fizikisht me grushte e shqelma dhe shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit R.K., të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, përkatësisht dy plagë nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.”, ka bërë të ditur prokuroria.

    Me këto veprime, i pandehuri Sh.K., ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e ngelur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

    “I pandehuri B.K., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personave tjerë, i sulmon të dëmtuarit V.Xh., dhe Z.(F)Xh, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së. I pandehuri V.Xh., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon të dëmtuarin/pandehurin L.K., paraqitet në vend të ngjarjes më një thikë me gjatësi tehu prej 9cm, e godet disa herë të pandehurin, m ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i pandehuri V.Xh. ka kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së. Të pandehurit: E.K., L.K., Z.(F)Xh., K.Q., dhe G.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor, të cilët përdorin mjete të rrezikshme si: brisk, shufra metalike dhe boks hekuri. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së. Të pandehurit: Z.Xh., P.Xh., Q.K., dhe R.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së.”, ka bërë të ditur tutje prokuroria.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj: ZRRE dhunuesi më i madh i buxhetit familjar

    KMDLNj ka dalur me një reagim në të cilin thotë se ZRRE është keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar dhe bizneseve duke legjitimuar vjedhjen përmes faturave.

    Sipas KMDLNJ-së, ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë, referuar çështjes së pagesës së faturave të rrymës nga ana e banorëve të veriut.

    Për më shumë, ja reagimi i plotë:

    ”ZRRE, pas përfundimit të luftës, që nga koha kur u themelua ishte keqbërësi dhe dhunuesi më i madh i buxhetit familjar si dhe i bizneseve duke përligjur vjedhjen klasike përmes fryerjes së faturave me ç’rast e pësonin paguesit e rregullt të energjisë elektrike ndërsa përfitonin qytetarët e veriut të Kosovës që deri më sot nuk e kanë paguar asnjë cent për rrymën e shpenzuar.

    Mjetet e grumbulluara përmes veprës penale (vjedhjes përmes fryrjes së faturave) ndaheshin për strukturat paralele në veri ku lulëzonte biznesi me kryptovaluta dhe kultivimi i lëndëve narkotike për çka duhej një sasi e madhe e rrymës. Pas ankesave të shumta të qytetarëve, KMDLNj–ë ka reaguar rregullisht për të sinjalizuar këtë plaçkitje të kundërligjshme duke kërkuar që të ndërpritet me këtë praktikë të mbrapshtë dhe të bëhet zhdëmtimi i qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

    Fillimisht nga ZRRE dhe Operatori mohohej ky veprim i kundërligjshëm deri në kohën kur edhe Avokati i Popullit bëri një reagim duke e dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni përkatës parlamentar pati konstatuar se ka shkelje mirëpo nuk kishte bërë asgjë ta ndërpresë plaçkitjen dhe të propozojë masa kundër keqbërësve. Përveç kësaj, të gjitha qeveritë e pasluftës përfshirë edhe qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2 kanë ndarë mjete të konsiderueshme, dhjetëra miliona euro brenda një viti kalendarik për ta paguar rrymën për veriun e Kosovës.

    Qytetarët e veriut të Kosovës përveç rrymës nuk kanë paguar as faturat e ujit, mbeturinave e as tatimin në pronë e që nuk i paguajnë as sot e kësaj dite. KMDLNj në një takim pati kërkuar nga kryeministri Haradinaj që të ushtrojë autoritetin dhe ta ndërpres pagesën e rrymës për veriun e Kosovës sikur që qytetarët e Kosovës, pagues të rregullt të kompensohen për dëmet e shkaktuara. Ishte një lëvizje e vogël por që shpejtë u harrua duke vazhduar me praktikën e vjetër, pagesën e rrymës për veriun nga Buxheti i Kosovës ndërsa fryrja e faturave ishte ndërprerë.

    Së fundi Gjykata Supreme e Kosovës mori vendim që ZRRE të urdhërojë operatorin aktual të energjisë elektrike të kompensojë qytetarët e dëmtuar për mjetet e plaçkitura dhe Rregullatori i Energjisë Elektrike për të fituar kohë, me një mentalitet prej kusari që e kishte përdorur gjatë tërë këtyre viteve, po përpiqet të gjejë mënyra të shmangë pagesën e kompensimit duke deklaruar se për faktin se nuk e kanë të qartë se si duhet të kompensohen qytetarët, e kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën kërkohen sqarime se si do të kompensohen qytetarët.

    Blerje tipike e kohës.

    ZRRE është njëri ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovës dhe praktikuesi më i madh i diskriminimit për faktin se qytetarët e Kosovës nuk i trajton si konsumatorë që duhet të paguajnë për rrymën e shpenzuar por i keqtrajton ekskluzivisht në baza etnike dhe sipas oportunitetit politik. Blerja e kohës nënkupton se qytetarët do të lodhen nga kërkesa e tyre e drejtë për kompensim dhe se kjo çështje pas një kohe do të harrohet.

    Caktimi i modalitetit të kompensimit, dinamika e kompensimit i futë qytetarët në një labirint burokratik dhe përfitues të vetëm këtu do të jenë, ZRRE, si organizatë e strukturuar kriminale si dhe Operatori aktual që pamëshirshëm i plaçkitë konsumatorët përmes rritjes së çmimit të rrymës në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me probleme të mëdha të natyrës ekzistenciale.

    Reduktimet e paralajmëruara që po arsyetohen se janë shkaku i prishje në fakt është se rryma po iu shitet vendeve të rajonit që po kanë mungesë të energjisë elektrike.

    KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kërkojnë kompensim përmes padive individuale dhe të mos heqin dorë nga realizimi i kësaj të drejte që me vendimin e saj ua ka njohur edhe Gjykata Supreme e Kosovës. KMDLNj –ë do t’i përkrahë qytetarët e Kosovës që kërkojnë kompensim sikur që kërkon përgjegjësi ligjore për abuzuesit me të drejtat e njeriut përmes plaçkitjes së buxhetit familjar në dobi të një pale tjetër, qytetarëve të veriut të Kosovës”.

  • Haradinaj: Ikja e përgjegjësisë nga Kurti na solli te sanksionet

    Haradinaj: Ikja e përgjegjësisë nga Kurti na solli te sanksionet

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur tryezën e diskutimit me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, lidhur me situatën politike në vend.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se takimi është i dobishëm për sensibilizim të brendshëm.

    “Shumë mirë që secili nga ne, veçanërisht të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojmë në një sensibilizim të mëtejmë. Një sensibilizim i brendshëm është i dobishëm, e nxit një ballafaqim qoftë me situatën që krijohet, me vështirësitë që kalojmë. Mirëpres rolin e secilit dhe secilës nga përgjegjësitë tona që ta ndihmojmë një sensibilizim të brendshëm të sfidave që po kalojmë”, ka deklaruar Haradinaj.

    Ai ka shtuar se edhe pse politika nuk i ka dhënë efektet e veta në paralajmërim të rreziqeve, shoqëria civile e ka dhënë provimin.

    “Ne kemi vlerësuar se agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë dhe lufta, një luftë kundër drejtës ndërkombëtare, ka ndërruar edhe mënyrën e të menduarit dhe vepruarit. Detyra e jonë në Kosovë ka qenë se si mund të gjendemi ne pas një situate të reja. Me kujdesin më të madh e kemi marrë një pozicion jo aq të lehtë. Kemi kuptuar që njohja finale në rrethanat të tashme, në kualitetin tonë si palë, është e pamundshme. E kemi përkrahur marrëveshjen e planit franko-gjerman”, ka deklaruar ai.

    Kreu i AAK-së ka shtuar se shefi i ekzekutivit ka ikur nga përgjegjësia.

    “Ajo që ka ndodhur së fundmi shohim një ikje nga përgjegjësia nga kryetari i qeverisë, që na solli te sanksionet. Në kohën kur kemi përkrahur marrëveshjen, ne kemi zhvilluar një dialog me palë, në terren me palë. Tani, diskutimet që po ndodhin tani prej partive të tjera edhe kjo që sot po ndodhë janë ndihmesë për sensibilizim”, ka përfunduar Haradinaj.

    Bashkimi Evropian ka njoftuar të shtunën (1 korrik) se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Sipas BE-së, është pezulluar puna e organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA

  • Shefi i Zyrës së BE’së: Ka shumë dhunë në Evropë s’mund ta përballojmë një konflikt tjetër

    Shefi i Zyrës së BE’së: Ka shumë dhunë në Evropë s’mund ta përballojmë një konflikt tjetër

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szynog, ka folur sot për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast tha se marrëveshja ndërmjet palëve do të jetë e dobishme për të dyja shtetet.

    Ambasadori Szunyog, tha se prioritet i Bashkimit Evropian është de-eskalimi në veri të vendit dhe e konsideroi jetike gjetjen e një zgjidhje për siç tha garantimin e sigurisë për qytetarët.

    “Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dobishme edhe për stabilitetin dhe prosperitetin e tërë rajonit dhe është kyçe për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës. E kemi parë muajt e fundit përkeqësim të situatës në veri të Kosovës se si mund të shkaktojë dhunë edhe në tërë rajonin. Prioritet i yni është që të arrijmë de-eskalim dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri dhe për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët dhe zbatim të marrëveshjes për normalizim”, tha Szunyog, teksa shtoi se Evropa nuk mund ta përballojë një tjetër konflikt, pas asaj në Ukrainë.

    Ai tha se se nuk mund të përballojnë një tjetër konflikt në Evropë.

    “Të dyja, Kosova dhe Serbia pritet të kontribuojnë në bashkëpunim rajonal dhe t’i tejkalojnë të kaluarën. Kemi shumë dhunë në Evropë tashmë dhe nuk mund ta përballojmë një tjetër konflikt tjetër. Strategjia e BE-së ka objektiva për ta zgjeruar dialogun, për ta rritur kontributin e Ballkanit Perëndimor në misionet operacionale të BE-së dhe ta zgjerojë bashkëpunimin në inteligjencë dhe mbrojtje”, u shpreh ai.

    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të enjten ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për bashkëpunimin rajonal të sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga procesi i konsultimit.

    Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimeve në QKSS, tha se diskutimi do të shërbejnë në plasmini e ideve e mendimeve se si mund të gjenet një zgjidhje në rajon.

    Përderisa Mentor Vrajolli tha se bashkëpunimi rajonal në sektorin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë me rëndësi për çka edhe kanë nxjerrë një raport me rekomandimet për institucionet.

    Lura Limani, drejtoreshë e programeve në KFOS, tha se është e pamundur të bisedojmë për bashkëpunimin ekonomik dhe forma tjera të bashkëpunimit, pa e adresuar çështjen kryesore e që më së shumti na duhet është bashkëpunim i bazuar në vlerat kryesore.

    “Për neve ka qenë nder i madh që Qeveria shqiptare na mbështeti një event që mblodhi liderë të Bashkimit Evropian. Jemi pjesë e fondacionit për politika evropiane dhe të huaja dhe kemi dal me një koncept për punën që është bërë deri më tani dhe një risi në adresimin e çështjeve që janë urgjente për rajonin dhe njëra prej këtyre çështjeve do të thonim se është tema që po e diskutojmë sot, gjendja gjeopolitike dhe siguria, dhe si ndikohet rajoni ynë nga çështjet e jashtme dhe tema është pritur mjaftë natyrshëm në diskutimet tona sepse kemi menduar që është e pamundur të bisedojmë për bashkëpunimin ekonomik dhe forma tjera të bashkëpunimit, pa e adresuar çështjen kryesore e që më së shumti na duhet është bashkëpunim i bazuar në vlerat kryesore”, tha ajo.

    Arbana Pasholli, deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, tregoi për sfidat e saj në kohën e studimeve. Ajo përmendi konfliktet që i ka pasur Maqedonia e Veriut ndër vite.

    “Isha 20 vjeçare në Universitetin e Shkupit kur filloi konflikti në Maqedoni. Në atë kohë kur u regjistrova në fakultet, Kosova ishte në luftë dhe Shqipëria po rimëkëmbej nga konflikti dhe ne po luftonim për edukim në gjuhen shqipe. Konflikti nuk është i mirë dhe jam krenare që e ka tejkaluar këtë konflikt, që e tejkaloi përmes marrëveshjes së Ohrit për pakicat shqiptare. Tani më nuk kam frikë për fëmijët e mi sepse kanë më shumë të drejta se unë që i kisha”, tha ajo, raporton EO.

    “Konflikti nuk ishte sfida e vetme sa i përket stabilitetit por edhe në rajon. Një moment tjetër ishte kur u krijua një konflikt tjetër që u krijua një grup etnik. Kjo u bë që të rikthehej prania e NATO-s. Një problem tjetër ishte me Bullgarinë, ku vendi po përballej me probleme tjera me propozimin francez, bëri që të kontestohej nga autoriteti bullgar”, tha ajo.

  • Rama i reagon Lajcakut: Veproni me vendosmëri, veriu i Kosovës s’mund të bëhet Donbas

    Rama i reagon Lajcakut: Veproni me vendosmëri, veriu i Kosovës s’mund të bëhet Donbas

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në Twitter lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel të kryenegociatorëve me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak, takime nga të cilat s’ka pasur pothuajse kurrfarë progresi.

    Rama në reagimin e tij ndaj njoftimit të Mrisoalac Lajcak, ka thënë se BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar zbatim të shpejt të Marrrëveshjes Themelore.

    Kreu i Qeverisë shqiptare ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij nuk duhet lejuar që veriu i Kosovës të bëhet një “Donbas i Vogël” nga trazirat e nxitura nga Rusia.

    “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as veriu i Kosovës, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës lokale është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga trazirat e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi e Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë”, ka shkruar Rama në Twitter.

  • Aksident në Fushë Kosovë, vetura përplaset me pemën në skaj të rrugës

    Aksident në Fushë Kosovë, vetura përplaset me pemën në skaj të rrugës

    Një aksident sapo ka ndodhur në rrugën Fushë Kosovë – Prishtinë, ku një veturë është përplasur me një pemë që gjendej në skaj të rrugës, raporton ATV.

    Në videon e më poshtme të siguruar nga ATV, policia shihen se kanë arritur në vend të ngjarjes.

    Ende nuk dihet për të lënduar apo edhe shkaqet që çuan në këtë aksident.

    Për detaje të reja, ATV do t’ju informojë me kohë.

  • Sulmohet seksualisht një e mitur në Dragash, arrestohet i dyshuari

    Sulmohet seksualisht një e mitur në Dragash, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një vajzë e mitur në Dragash është ngacmuar seksualisht.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar për tretman mjekësor.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur të mërkurën në mesditë.