ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Kurti u ka ngulur thikën pas shpine dy vlerave më sublime të vendit

    Haradinaj: Kurti u ka ngulur thikën pas shpine dy vlerave më sublime të vendit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti sipas tij se u ka ngulur thikë pas shpine dy vlerave sublime të vendit, aleatëve ndërkombëtar dhe kategorive të dala nga lufta.

    Haradinaj në takim me kategoritë e luftës, ka thënë se të njëjtit nuk mund të ndahen nga paga minimale.

    Ai ka theksuar se është veteran i vërtetë, derisa sipas tij Kurti nuk është i tillë.

    Kritik ndaj Kurtit janë shprehur edhe organizatat e dala nga lufta, të cilët kanë thënë se kjo qeveri ka harruar rrugën e sakrificës së Kosovës.

    Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka thënë se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagën minimale, që më pastaj të ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme.

  • Dalin pamjet, ish-drejtori i Policisë në Mal të Zi i prangosur

    Dalin pamjet, ish-drejtori i Policisë në Mal të Zi i prangosur

    Prokuroria Speciale e Shtetit e ka konfirmuar se ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Vesellin Veloviq, është arrestuar të hënën, dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “akte kriminale të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me pozitë zyrtare dhe kontrabandë”.

    Me akuza të njëjta përballen edhe tre persona tjerë.

    “Departamenti i Policisë Speciale, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special, i ka privuar nga liria V.V dhe M.N, dhe ndaj tyre është ngritur padi penale, si dhe ndaj A.M dhe N.M., të cilët janë në kërkim”, është thënë në deklaratën e Prokurorisë.

    Në të është thënë se zyrtarët policorë i kanë bastisur edhe banesat dhe objektet tjera në pronësi të të arrestuarve.

    “Dëshmitë kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Sundim të Ligjit – EUROPOL”.

    Mes tjerash, autoritetet e Malit të Zi, kanë paralajmëruar se aktivitetet e tyre në këtë drejtim, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

    Kush është Vesellin Veloviq?

    Veloviq ka qenë drejtori i Policisë së Malit të Zi në periudhën 2007-2011, dhe prej mesit të vitit 2018 deri në fund të vitit 2020.

    Në periudhën mes dy mandatave, ai ka qenë këshilltar i ish-presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe në Qeverinë e ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq, nga viti 2014 ai ka qenë sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

    Prej fundit të vitit 2020, pas ndryshimit të Qeverisë në Mal të Zi, ka qenë këshilltar i Gjukanoviqit për çështje të sigurisë, deri më 20 maj të këtij viti.

    Gjukanoviq i ka humbur zgjedhjet presidenciale në prill të këtij viti.

    Veloviq ka pasur funksione të rëndësishme në Policinë e Malit të Zi, edhe para pavarësisë së shtetit.

    Në periudhën 1995- 2005, ai ka qenë komandant i Njësitit Special kundër-Terrorizmit.

    Në fund të viteve 1990, gjatë trazirave politike në mes të Gjukanoviqit, atëbotë kryeministër i Malit të Zi, dhe ish-presidentit të shtetit, Momor Bullatoviq, i cili ka qenë besnik ndaj ish-liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, Veloviq e ka parandaluar në janar të vitit 1998, një tentim të mbështetësve të Bullatoviqit për ta pushtuar ndërtesën qeveritare.

    Më vonë, Veloviq është lidhur me disa afera në ekonomi, në të cilat ka marrë pjesë policia.

    Ai është arrestuar për sulm ndaj një zyrtari në protestat e shtatorit të vitit 2021 në Cetinje, teksa është kundërshtuar shugurimi i Mitropolitit Joaniki në Kishn Ortodokse Serbe në atë qytet.

    Ai është liruar pas dy ditëve në mbajtje, dhe më pas, në maj, Gjykata Supreme në Podgoricë, e ka përmbysur vendimin e shkallës së parë për lirimin e Veloviqit.

  • Kinë: 11 persona të vdekur pas shembjes së kulmit të një gjimnazi

    Kinë: 11 persona të vdekur pas shembjes së kulmit të një gjimnazi

    Njëmbëdhjetë persona kanë vdekur pas rrëzimit të kulmit të një gjimnazi në verilindje të Kinës, pasi në këtë institucion kanë qenë duke u stërvitur vajzat e ekipit të volejbollit, ka raportuar media shtetërore.

    Dëshmitarët u kanë thënë mediave lokale se shumica e viktimave janë fëmijë, ndonëse diçka e tillë nuk është konfirmuar nga zyrtarët.

    Prindërit e shqetësuar janë parë afër një spitali në afërsi duke pritur për informacione të reja.

    Vetëm tetë prej 19 personave që kanë qenë brenda palestrës kanë mbijetuar.

    Në disa hetime preliminare është gjetur perlit, substancë e formuar nga qelqi vullkanik, i cili është shtresuar nën çati dhe ka mbledhur ujë, duke rezultuar me shembje të hënën.

    Prindërit u kanë thënë zyrtarëve të shkollës se ka pasur mungesë të madhe të komunikimit përgjatë përpjekjeve për kërkim-shpëtim.

    “Ata më kanë thënë se bija ime ka vdekur, mirëpo ne nuk e kemi parë atë kurrë. Të gjithë fëmijët kanë qenë të mbuluar me baltë dhe gjak kur i kemi parë në spital. I kam lutur që të më lejojnë ta identifikojë fëmijën. Çka nëse nuk ka qenë fëmija im?” ka thënë një burrë në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

    Incidentet me shembje ndërtesash janë të shpeshta në Kinë, dhe shpesh si shkak janë përmendur standardet e ndërtimit./REL/

  • Një shtetase belge sulmohet fizikisht nga një kosovar

    Një shtetase belge sulmohet fizikisht nga një kosovar

    Një shtetase e Belgjikës dyshohet se dje është sulmuar fizikisht nga një burrë kosovar në Fushë Kosovë.

    Në raportin e policisë thuhet se sulmi dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje.

    Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

  • Shpërthim në një pronë në Pejë, dëmtohen dy vetura

    Shpërthim në një pronë në Pejë, dëmtohen dy vetura

    Mëngjesin e së shtunës, konkretisht në orën 04:30, raportohet se ka ndodhur një shpërthim para derës së oborrit në pronën e të dy viktimave meshkuj.

    Si pasojë e shpërthimit përveç dëmeve materiale të dy veturave nuk raportohet për të lënduar.

    Rasti është iniciuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe është duke u hetuar.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM/Pejë 23.07.2023 – 04:30. Raportohet se ka ndodhur një shpërthim para derës së oborrit në pronën e të dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë e shpërthimit përveç dëmeve materiale të dy veturave nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është informuar prokurori dhe rasti inicohet si më lartë.

  • Një grua në Prizren dyshohet se tentoi të vetëvritet

    Një grua në Prizren dyshohet se tentoi të vetëvritet

    Një grua në Prizren ka tentuar të bëjë vetëvrasje duke përdorur sasi të madhe të medikamenteve, ndërsa shkak i këtij veprimi dyshohet të jetë bërë vazhdimi i paraburgimit për djalin e saj.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shyqri Bytyqi, i cili tha se se gruaja gjendet jashtë rrezikut për jetë.

    “Më datën 23.07.2023, rreth orës 15:00 policia është informuar se në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit gjendet një viktimë femër, e moshës 53 vjeçare, për shkak se gjendjes së rënduar shëndetësore si pasojë e përdorimit të medikamenteve. Dyshohet se e njëjta me anë të medikamenteve ka tentuar të bëjë vetëvrasje për shkak se djalit të saj i është vazhduar paraburgimi”, tha ai.

    Bytyqi bëri të ditur se, djalit të saj i është vazhduar paraburgimi për një rast të dhunës në familje.

    “Viktima gjendet jashtë rrezikut për jetë. Policia ka dal në vendngjarje dhe rasti është nën hetime”.

  • Greqia në operacionin më të madh të evakuimit të turistëve, pas zjarreve në Rodos

    Greqia në operacionin më të madh të evakuimit të turistëve, pas zjarreve në Rodos

    Zjarrfikësit luftuan kundër flakëve, ndërkohë që Greqia filloi dje operacionin më të madh të evakuimit të turistëve në 50 vitet e fundit.

    Ky numër llogaritet mes 20-30 000 turistë.

    Ndihma ajrore e përbërë nga një ”Mi-8”, dy ”Chinooks” dhe një ”BK-117” ndihmoi për shuarjen e zjarreve.

    Përveç kësaj, në Laerma ka një helikopter ”S-64” që u ka ardhur në ndihmë.

    Në frontin e zjarrit nga Apollonasi në Profitit Ilias ka rindezje të vazhdueshme të zjarrit dhe përpjekjet janë të fokusuara për të parandaluar përhapjen e zjarrit në veri dhe në pyllin e dendur.

    Në pjesën ballore në lindje të liqenit artificial Gadoura, përpjekjet janë përqendruar në parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt Kalathos.

    Prioriteti i autoriteteve mbetet mbrojtja e njerëzve dhe evakuimet, shpëtimet dhe mikpritja e banorëve janë aktive në ishull.

    Dje, gjashtë persona me probleme me frymëmarrjen janë transferuar nga sistemi i ambulancës së urgjencës (EKAV) në spitale, të cilët i kanë lëshuar menjëherë. Hapësira të sigurta për strehimin e përkohshëm të të evakuuarve janë krijuar në hotele, qendra konferencash, objekte sportive, shkolla dhe hapësira publike.

    Përveç kësaj, njerëzit që strehohen në këto objekte janë furnizuar me ushqim, ujë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.

    Në të njëjtën kohë, Ministria greke e Punëve të Jashtme do të ngrejë një zyrë ndihmëse të dedikuar në Terminalin 1 të Aeroportit Ndërkombëtar të Rodosit, në mënyrë që turistët që humbën ose nuk morën dokumentet e udhëtimit përpara evakuimit, të kthehen pa probleme në vendet e tyre përkatëse.

    Operatorët turistikë kanë urdhëruar gjithashtu fluturime çarter të zbarkojnë në Rodos pa pasagjerë në mënyrë që të marrin udhëtarët që dëshirojnë të largohen nga ishulli.

    Lidhur me zjarrin në Laerma, autoritetet mohuan se zona është shkatërruar plotësisht nga zjarri.

    Në Rodos operojnë 16 ekipe në terren, 266 zjarrfikës dhe 49 kamionë uji, ndërsa së shpejti do të mbërrijnë edhe 10 automjete shtesë zjarrfikëse me 60 zjarrfikës, që do të shtohen me 5 kamionë të tjerë.

    Nga ajri operojnë 5 helikopterë për hedhjen e ujit dhe 10 avionë, përfshirë 7 aeroplanë grekë, një kroat dhe dy turq. /ANA/

  • Vdes Prof. Dr. Shefki Sejdiu

    Vdes Prof. Dr. Shefki Sejdiu

    Pas një sëmundje të rëndë dje në Prishtinë në modhën 88 vjeçare vdiq Prof. Dr. Shefki Hamit Sejdiu.

    Profesor Sejdiu lindi në vitin 1935 në fshatin Pakashticë e Poshtme, komuna e Podujevës.

    Në vitin 1962 ai i përfundoi studimet në Universitetin e Shkupit në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frenge. Karierën e tij prej mësimdhënësi brilant e filloi në Gjimnazin e Podujevës, pastaj në atë të Prishtinës. Pas kryerjes së studimeve pasuniversitare dhe atyre të doktoranturës të cilat i përfundon me vlerësimet më të larta në Universitetin e Zagrebit, ai do të jetë profesor i Universitetit të Prishtinës në të cilin pranë Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Frenge ligjëroi Historinë e gjuhës frenge me frengjishte të vjetër, si dhe gjuhën latine.

    Profesor Sejdiu do të lë gjurmë të pashlyeshme në fushën e gjuhësisë shqiptare si edhe në gjuhët romane, duke e kurorëzuar veprimtarinë e tij shkencore me botimin e një numri të madh të veprave dhe punimeve shkencore.

    Për qëllim të hulumtimeve shkencore, si dhe të pjesëmarrjes në konferenca të rëndësishme shkencore, ai ka qëndruar në një numër të madh të universiteteve evropiane si në Francë, itali, Portugali, Rumani, Bullgari, Kroaci, Shqipëri etj.

    Pas ndërtimit të institucioneve demokratike të vendit në periudhën e pasluftës, gjatë legjislaturës së parë ai do të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës.

    Varrimi i tij bëhet në Prishtinë, sot më 24 korrik 2023 në ora 17 në varrezat e qytetit.

  • Vazhdojnë kolonat te Dheu i Bardhë, mbi një orë pritje për të hyrë në Kosovë

    Vazhdojnë kolonat te Dheu i Bardhë, mbi një orë pritje për të hyrë në Kosovë

    Ardhja e bashkatdhetarëve në Kosovë, ka bërë që ata të përballen sërish sikurse çdo vit tjetër me pritje të gjata në pikat kufitare.

    Bashkatdhetarët po presin më së shumti në pikat kufitare me Serbinë.

    Edhe mëngjesin e së hënës, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (raporti i orës 07:07), pritjet më të gjata janë te Dheu i Bardhë.

    Në këtë pikë kalimi kufitar për të hyrë në Kosovë, bashkatdhetarët po presin deri në një orë e gjysmë.

    Kolona e veturave në hyrje të kësaj pike kufitare është 800 metra, shkruan Telegrafi.

    Pritje më të shkurta vërehen në pikën tjetër kufitare në Merdarë, ku në këto orë të mëngjesit, për të hyrë në Kosovë pritjet janë 20-25 minuta, dhe kolona e veturave është vetën 50 metra.

    Ndërsa, në vendkalimin kufitar në Muçibabë, për të hyrë në Kosovë duhet pritur vetëm 15 minuta.

    Ndërkaq në Mutivodë pritjet janë 30 minuta. Në vendkalimet e tjera kufitare nuk raportohet për kolona, pasi pritjet për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova janë 03-05 minuta.

    Për të përcjellur gjendjen në kohë reale në pikat kufitare klikoni KËTU.

  • Blinken: Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit që kishte vënë nën kontroll Moska

    Blinken: Ukraina ka rimarrë 50 për qind të territorit që kishte vënë nën kontroll Moska

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Ukraina ka rimarrë gjysmën e territorit që Rusia kishte marrë fillimisht nën kontroll që kur filloi agresionin, por se Kievi përballet me “një luftë shumë të vështirë” për të siguruar rimarrjen e mëtejshme.

    “Tashmë është siguruar rreth 50% e territorit që u mor fillimisht,” tha zoti Blinken në një intervistë për CNN-in të dielën.

    “Janë ende ditë relativisht të hershme të kundërofensivës. Është e vështirë,” tha ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për një ose dy javë, por për muaj.

    Në fund të muajit të kaluar, presidenti Volodymyr Zelenskiy u citua të ketë thënë se përparimi i kundërofensivës kundër forcave ruse ishte “më i ngadalshëm nga ç’dëshirohej”.

    Ukraina ka rimarrë disa fshatra në jug dhe territorin përreth qytetit të rrënuar të Bakhmut në lindje, por nuk ka shënuar përparim të madh kundër frontit rus të fortifikuar rëndë.

    I pyetur nëse Ukrainës do të marrë avionë luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA, Blinken tha se besonte se po.

    “Është e rëndësishme të sigurohemi që kur t’i marrin, të jenë të trajnuar siç duhet, të jenë në gjendje t’i mirëmbajnë avionët dhe t’i përdorin ato siç duhet.”

    Një koalicion prej 11 vendesh do të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të përdorur avionët luftarakë F-16 në gusht në Danimarkë dhe një qendër trajnimi do të ngrihet në Rumani.

    Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë F-16 të prodhuar nga Lockheed Martin, por këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha muajin e kaluar se nuk kishte vendim përfundimtar për dërgimin e tyre nga Uashingtoni.

    Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se duhen të paktën 18 muaj për trajnimin dhe dorëzimin e avionëve.

    Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 41 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që kur filloi agresioni i Rusisë në shkurt 2022./VOA