ATV

Category: Lajme

  • “Thaçi ka qenë veç turist në luftë”, deputeti Lushtaku e quan të pavërtetë deklaratën e Haradinajt

    “Thaçi ka qenë veç turist në luftë”, deputeti Lushtaku e quan të pavërtetë deklaratën e Haradinajt

    Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka komentuar deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Hashim Thaçi në luftë ka qenë vetëm turist.

    Lushtaku e ka quajtur deklaratën të pavërtetë, duke shtuar se informatat më të sakta për veprimtarinë e Thaçit në luftë i ka rrethi i këtij të fundit.

    “Besoj që Ramush Haradinaj nuk e ka informatën për Hashim Thaçin. Informatat më të sakta i ka rrethi që ka bashkëpunuar dhe ka bashkëvepruar Hashim Thaçi, i cili është tashmë edhe para Gjykatës së Hagës padrejtësisht. Në këtë fushë nuk dua të zgjerohem pasi që dihet se ka një aktakuzë edhe pse nuk ndërlidhet me këtë gjë. Krejtësisht të pavërteta ato çka i ka thënë. Por në këtë pjesë ne e dimë shumë mirë që ai ka marrë pjesë në betejë dhe më së shumti e dinë bashkëluftëtarët e tij”, ka thënë Lushtaku në InfoNata në Tëvë 1.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në emisionin Respublika në Tëvë 1 ka folur për kohën e luftës dhe rolin që e ka pasur ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi gjatë asaj kohë.

    Haradinaj ka thënë se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë” në UÇK.

    “Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë Haradinaj.

  • Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë

    Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë, të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

    Ndonëse hyrja iu ndalua, arsye e ndalesës nuk është bërë e ditur nga MPJD.

    “Ju konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar këtë herë kërkesën e zyrtarit serb Petar Petkoviq për hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për medie.

    Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Petkoviq ndalohet nga institucionet e Kosovës.

    Ai edhe në vitin 2022 ishte ndaluar dy herë.

    Për këtë e kishte njoftuar dërguarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe QUINT-in.

  • Kosovë: Mbi 100 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, prej tyre një me fatalitet

    Kosovë: Mbi 100 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, prej tyre një me fatalitet

    Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 104 aksidente trafiku, prej të cilave një ka përfunduar me fatalitet, 32 me të lënduar dhe 71 aksidente të tjera me dëme materiale.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë thuhet se aksidenti me fatalitet, ka ndodhur pasditen e djeshme në Gjilan.

    “I dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke e drejtuar traktorin në rrugë me një pjerrtësi të madhe dhe kthesë në anën e majtë e kishte humbë kontrollin mbi drejtimin e traktorit dhe kishte goditur anësoret e rrugës e më pas ishte rrokullisur. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda vdekje prurëse kishte pësuar pasagjeri që kishte qenë në traktor, viktima mashkull kosovar i cili kishte ndërruar jetë.Lëndime trupore ka pësuar edhe i dyshuari drejtuesi i traktorit i cili pas marrjes së ndihmës së parë në qendrën emergjente në Ferizaj është dërguar në QKUK për tretman të mëtejmë mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion./atvlive.tv/

  • ​Një i vdekur dhe disa të lënduar nga stuhia që përfshiu qytetin zviceran

    ​Një i vdekur dhe disa të lënduar nga stuhia që përfshiu qytetin zviceran

    Të paktën një person ka vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar pasi një stuhi përfshiu qytetin La Chaux-de-Fonds në rajonin Neuchatel në kufi me Francën. Stuhia u përshkrua me shira të dendura dhe erëra që arrijnë shpejtësinë 217 kilometra (135 milje) në orë.

    Stuhia shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale, ku çatitë e shtëpive u rrëzuan. Gjithashtu janë dëmtuar automjete, ndërsa në autostradë ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë disa automjete, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Zyra Federale Zvicerane e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë tha në një deklaratë se po përpiqen të përcaktojnë nëse ka pasur një tornado.

    Erërat e forta të stuhisë shkulën gjithashtu shumë pemë dhe trungje pemësh, bllokuan shinat e trenit duke shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor në disa zona.

  • ​Fillojnë kërcënimet ndaj policëve serbë që sapo kanë filluar shërbimin në Policinë e Kosovës

    ​Fillojnë kërcënimet ndaj policëve serbë që sapo kanë filluar shërbimin në Policinë e Kosovës

    Rrjete sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.

    Publikimi është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.

    Publikimi i plotë:

    “Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Policia e Kosovës”, thotë postimi.

    Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e serbëve, që ne do t’i publikojmë me iniciale: N.S, T.V, J.M, P.S dhe S.M.

    Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.

    Kosovapress, ua ka mbyllur identitetin serbëve të kërcënuar, në mënyrë që mos t’i kontribuojë rritjes së kërcënimeve ndaj tyre!

    Kujtojmë se serbët janë dorëhequr nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe.

  • Këto janë temperaturat për ditën e sotme në Kosovë

    Këto janë temperaturat për ditën e sotme në Kosovë

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot i kthjelltë dhe i nxehtë.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Prishtina me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 34 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjilanit me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 36 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 17 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 42 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • 12 vjet nga aksioni në veri ku mbeti i vrarë polici Enver Zymberi

    12 vjet nga aksioni në veri ku mbeti i vrarë polici Enver Zymberi

    Sot bëhen 12 vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU) kishte ndërmarrë aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

    Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.

    Por ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe u vra polici Enver Zymberi.

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

  • Dëmtohet gypi i ujësjellësit, këto lagje dhe fshatra të Prishtinës mbesin pa ujë të pijshëm

    Dëmtohet gypi i ujësjellësit, këto lagje dhe fshatra të Prishtinës mbesin pa ujë të pijshëm

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar se për shkak të defektit të një gypi, rrugët “Bajram Bahtiri” nga kryqëzimi me rrugën e “Tomorit” dhe fshatrat Llukar e Makovc në Prishtinë, kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.

    Sipas K.R.U “Prishtina”, ndërrimi i gypit të ujit është i domosdoshëm, pasi thellësia e tij është mbi dy metra, me ç’rast edhe rrezikshmëria është e lartë.

    Kompania shtoi se janë detyruar t’i ndërpresin punimet për shkak të shembjes së dheut.

  • Sot dita më e nxehtë e korrikut, apelohet për kujdes

    Sot dita më e nxehtë e korrikut, apelohet për kujdes

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vapë, ndërkaq parashihet të jetë dita më e nxehtë e javës së fundit të korrikut.

    IHMK-ja njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-39 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

    Për shkak të temperaturave të larta apelohet respektimi i këshillave të IKSHP.

    Sipas llogaritjeve të vlerave të temperaturave maksimale, IHMK ka ardhur në përfundim se korriku do të jetë ndër muajt më të nxehtë për shumë vite të fundit.

  • Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

    Ndryshimet që diaspora do të donte t’i shihte në Kosovë

    “Shumë gjëra do të doja të ndryshohen në Kosovë, por do të veçoja largimin e mbeturinave”, thotë për Radion Evropa e Lirë Shyqyri Demaku nga Prishtina, i cili tash e 33 vjet, bashkë me familjen, jeton në Suedi.

    “Pastrimi nuk është në nivel. Këta kontejnerë që i keni për mbeturina, të futen nën tokë disi. Kjo duhet të ndryshohet dhe kjo mund të bëhet lehtë me angazhimin më të madh të institucioneve”, thotë Shyqyriu, i cili Kosovën e viziton deri në tri herë në vit.

    Ai dhe dhjetëra kosovarë të tjerë nga diaspora vizituan të hënën ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe u pritën nga disa deputetë.

    Aktiviteti tradicional, i njohur si “Bashkatdhetarët në Kuvend”, zgjat dy ditë.

    Hysni Makovci, i cili vizitoi Kuvendin bashkë me djalin e tij, thotë se “syrin ia vrasin ndërtimet e shumta në Kosovë”.

    “Më mirë është të investohet në shëndetësi. Do të duhej të kishte sigurime shëndetësore, ashtu siç i kemi ne në Gjermani”, thotë Hysniu.

    Ai migroi në Gjermani gjatë kohës së luftës, në vitin 1999. Vendlindjen e tij, Prishtinën, e viziton deri në katër herë në vit.

    Hysniu thotë se duhet punuar edhe për rritjen e pagave në Kosovë, ku mesatarja sillet rreth 520 euro në muaj.

    “Kam motrat këtu dhe nënën dhe më duhet t’i ndihmoj. Dërgoj para çdo muaj. Edhe për mua është vështirë t’i ndaj ato mjete që i dërgoj në Kosovë, por punojmë shumë dhe ia dalim”, thotë ai.

    Diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000.

    Vizitat e tyre në Kosovë janë më të shumta gjatë verës.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove.

    Diaspora dërgon shuma të konsiderueshme parash edhe në formë të remitencave – vlera e të cilave, vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro.

    Kuvendin e Kosovës e vizitoi të hënën edhe Albion Krasniqi, nga komuna e Klinës, i cili jeton dhe studion në Itali.

    Ai synon që një ditë të kthehet në Kosovë. Thotë se do të dëshironte që “ligjet që miratohen në Kosovë, të zbatohen”, si dhe t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve.

    “Mendoj se çdo i ri që jeton atje, në Itali, ka shumë aftësi që mund t’i zhvillojë këtu dhe mund të kontribuojë më shumë këtu sesa në Itali”, thotë Albioni.

    Fatmir Bytyçi ka disa javë që bashkë me familjen gjenden në Kosovë. Me prejardhje nga Prizreni, ai ka emigruar në Gjermani në vitin 1992.

    Për Fatmirin, arsimi është fusha ku duhet investuar më së shumti në Kosovë.

    “Subjektet politike nuk i njohin problemet e arsimit… Një problem që nuk e kupton, nuk mund as ta zgjidhësh. Mendoj se arsimi është shumë i dobët në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora zë vendin e parë edhe sa u përket investimeve të huaja në vend, që bëhen kryesisht në patundshmëri. Ndërtuesit konfirmojnë se deri në 70 për qind e blerësve janë nga diaspora.