ATV

Category: Lajme

  • Opozita kritikon Bislimin: Me kushtëzime nuk komunikohet me aleatë

    Opozita kritikon Bislimin: Me kushtëzime nuk komunikohet me aleatë

    Dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, po e shohin të gabuar kushtëzimin e shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri me heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Sipas tyre, kjo qasje e eksponentëve të qeverisë ndaj aleatëve ndërkombëtarë është e gabuar.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se kjo qeveri nuk mund t’i heq sanksionet vendit, andaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

    “Njerëzit që e kanë vendosë vendin nën sanksione, qofshin ato nga BE-ja, apo ShBA-ja, përfaqësuesit e koalicionit ‘Zdravo’ nuk munden me heq vendin nga sanksionet. Andaj ne kërkojmë që sa më shpejtë që vendi të shkojë në zgjedhje të formojë një qeveri të re kredibile që përfaqëson interesat e qytetarëve”, tha ai.

    Kritik për qasjen e qeverisë në raport me situatën në veri dhe dialogun u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Ai tha se kushtëzimet e tilla ndaj BE-së e kthejnë prapa Kosovën.

    “Në raport me dialogun dhe shtrirjen e sovranitetin në veri, qeveria vazhdon të eksperimentoj dhe taktizoj me qëllimin e vetëm që të blej kohë. Po ashtu, vazhdon që të godet secilin partner ndërkombëtar, duke përfshirë edhe BE-në dhe ShBA-në në qëndrimet që i kanë dhënë. Ata vazhdojnë t’i japin thikë pas shpine partnerëve tanë në çdo aspekt. Nuk komunikohet kështu me BE-në dhe aleatët tanë pasi kjo vetëm e kthehen Kosovën prapa”, theksoi Tahiri.

    Por në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se para shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri duhet të krijohet kushtet në teren, po ashtu edhe forma sesi vlerësohet Kosova nga BE-ja.

    Ajo e konsideroi emergjente që BE-ja të rishikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, megjithëse tha se ato momentalisht s’kanë efekt real.

    “Qasja e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka qenë shumë më e vrazhdë sesa ndaj Serbisë. Kosova s’ka qenë as iniciuesi i dhunës dhe as shkaktare e eskalimit. Ka qenë Serbia që përmes mekanizmave të jashtëligjshme dhe bandave kriminale në veri të orkestruara nga presidenti Vuçiq që kanë parandaluar komunitetin serb në veri të marrin pjesë në zgjedhje. Andaj e konsiderojmë të padrejtë vënien e masave të cilat ende nuk e kanë efektin e vet në kuptimin real…Është racionale dhe logjikshme se duhet rishikuar masat dhe duhet bazuar edhe nga faktet në teren. Asnjë vlerësim deri tani nuk ka thënë se Kosova ka shkaktuar dhe provokuar dhunë…Zgjedhjet e reja me legjitimet të lartë mund të mbahen kur të jenë kushtet normale në raport me rrethanat e sigurisë por edhe formën sesi vlerësohet Kosova nga BE-ja”, deklaroi ajo.

    Këto komente ata i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të pyetur nga gazetarët.

    Dje në një takim me gazetarë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Kosova nuk duhet t’i shpallë zgjedhjet në veri pa u larguar masat ndëshkuese të BE-së.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri u pyet edhe për deklaratat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj se ish-presidenti Hashim Thaçi ka qenë turistë gjatë kohës së luftës.

    “Ajo çka është e rëndësishme se ne sot po e jetojmë lirinë, shtetin e pavarur si rezultat i luftës së lavdishme të UÇK-së dhe çështjet të tjera janë të parëndësishme. Presidenti Thaçi është në një proces gjyqësor dhe nuk është e ndershme as prej juve, as prej meje dhe të tjerëve me fillu një debat të tillë se kush ka qenë si ka qenë. Besoj se historia do t’ia njeh secilit vendin dhe kontributin e tij. Ajo është më e rëndësishmja”, tha ai.

  • MPB-ja aktivitet me mërgimtarët për parandalimin e të shtënave festive

    MPB-ja aktivitet me mërgimtarët për parandalimin e të shtënave festive

    Duke iu dëshiruar mirëseardhje në vendlindje mërgimtarëve që vinin në Kosovë përmes pikës së kalimit kufitarë në Merdare, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, diskutoi me mërgimtarët për fushatën që është duke e organizuar Ministria e Punëve të Brendshme, kundër të shtënave festive: “Festo me zemër, jo me Armë”.

    Me këtë rast zëvendësministri Gashani kërkoi nga mërgimtarët që bashkë me institucionet të shpërndajë mesazhet kryesore të kësaj fushate, për të gjithë familjarët e tyre për rreziqet dhe pasojat që vijnë nga të shtënat festive.

    “Mërgimtarët janë një aset i madh për shtetin e Kosovës dhe për gjallërinë që sjellin në vendlindje. Ju kemi përzgjedhur ju, me qëllim që të na ndihmoni të shpërndani këtë mesazh për rrezikun që kanë të shtënat festive dhe të raportoni rastet te Policia e Kosovës. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndihmojmë në parandalimin e kësaj dukurie negative e cila i përket së kaluarës”, theksoi Gashani

    Koordinatori për Armë të Vogla dhe të Lehta, njëherit zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, gjatë bashkëbisedimit me mërgimtarë, vuri në dukje rreziqet që vijnë nga të shtënat me armë, por edhe pasojat juridike që do t’i kenë qytetarët që shtënë me armë, prandaj theksoi ai është e rëndësishme që të festohet pa armë.

    Ndërsa mërgimtarët mirëpriten nismën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në parandalimin e të shtënave festive dhe theksuan gatishmërinë e tyre që të njëjtat mesazhe që morën sot, do t’i ndajnë edhe me familjarët dhe të afërmit e tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme, me 30 qershor filloi zyrtarisht  fushatën ‘Festo me zemër, jo me armë’ me aktivitete në shkolla, takime me Këshillat Komunal për Siguri në Bashkësi, institucionet të sigurisë, institucione fetare dhe asamble Komunale në qytete të ndryshme në Kosovë. Aktivitete të tjera do të përcjellin fushatën gjatë ditëve dhe muajve në vijim, për të ngritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për të rritur numrin e raportimeve për të shtënat festive.

    Kjo fushatë është duke u mbështetur nga UNDP dhe SEESAC.

  • Vdes babai i avokatit Besnik Berisha

    Vdes babai i avokatit Besnik Berisha

    Avokati Besnik Berisha ka njoftuar se babai i tij ka ndërruar jetë.

    Ai këtë e ka bërë nëpërmjet një postimi në Facebook duke treguar se për kohën e varrimit do të njoftohet së shpejti.

    “Te dashur miq, me pikellim te thelle ju njoftoj se prindi im u nda nga kjo jete! Per kohen e varrimit ju njoftojme se shpejti”, ka shkruar ai në Facebook.

    Berisha kishte njoftuar tash e disa kohë se babai i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore.

     

  • KQZ vendos për asgjësimin e materialit të zgjedhjeve të 23 prillit në veri

    KQZ vendos për asgjësimin e materialit të zgjedhjeve të 23 prillit në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me tetë vota për, ka marrë vendim që të asgjësojë materialin zgjedhor për zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të Komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Gjithashtu u edhe për materialin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq, raporton EO.

    Në mbledhje është edhe raporti për realizmin e planit të punës të KQZ së si dhe shtojca “Raport i Realizimit të Planit të Punës, për periudhën janar-qershor.

    Gjithashtu u miratua edhe raporti financiar për periudhën janar-qershor dhe raporti i shpenzimeve të derivateve janar-qershor.

  • Dy seanca parlamentare gjatë kësaj jave

    Dy seanca parlamentare gjatë kësaj jave

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Më 27 korrik të enjten do të mbahet vazhdimi i seancës së kaluar, ku do të shqyrtohen pikat e mbetura pezull, ndërsa të premten me 28 korrik do të mbahet seanca e rregullt plenare.

    Në seancën e së premtes, PDK-ja ka kërkuar të përfshihet edhe pika për debat parlamentar për audio-incizimin që ka dal në media, të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, por që nuk është aprovuar në kryesi.

    Kusari-Lila tha se asnjëherë nuk ka hezituar të përgjigjet në lidhje me siç i quajti ajo incizimet e jashtëligjshme, por Kuvendi duhet të vazhdojë agjendën legjislative.

    Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se qeveria dhe mazhoranca në Kuvend, e kanë humbur kredibilitetin, andaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

  • Abdixhiku takohet me shefin e Zyrës së BE-së, ia shpalos planin 7 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veri

    Abdixhiku takohet me shefin e Zyrës së BE-së, ia shpalos planin 7 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veri

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog.

    Në njoftim thuhet se Abdixhiku ia ka shpalosur ambasadorit Syunzog planin 7 pikësh të LDK-së për zgjidhjen e krizës në Veri dhe “përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

    Tutje, Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin edhe për ecurinë e takimeve me akterë të jetës publike në vazhdën e ndërtimit të Rrugës së Re si dhe qëndrimet e LDK-së karshi të gjitha proceseve që po kalon vendi.

  • Tahiri: Në seancë marrin pjesë vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi

    Tahiri: Në seancë marrin pjesë vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se në seancë marrin pjesë vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri pohoi se Kryesia ka dështuar në mungesë të kurimit dhe i mbetet kryetarit që ta thërras vet seancën.

    Përderisa tha se ka kërkuar nga ai që të gjitha ftesat t’i bëjnë në bazë të Kushtetues e rregullore duke shtuar se seancën e para dyjavësh e kanë dërguar në Kushtetuese për këtë çështje.

    “Kjo bllokadë do të vazhdojë deri në seancën kur do të shpërbëhet Kuvendi. Ne u kemi dhënë mbështetje të gjitha ligjeve që kanë qenë jetike për qytetarët e Kosovës, marrëveshje ndërkombëtare. Ju e shihni që ka ikje masive nga Kosova, prandaj ne si GP marrim pjesë atëherë kur do të shpërbëhet Kuvendi sepse kjo mazhorancë nuk e meriton asnjë moment”, tha Tahiri.

    “Kërkova që nga kryetari që seancat e ftuara të respektohet Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Ju e dini që në seancën e mbajtur para dy javësh është thirrur anti-kushtetuese dhe e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese”.

    “Ne si GP kërkuam që të premten kur mbahet seanca të kemi një diskutim mbi bisedat që kemi dëgjuat nga eksponentë të VV së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe dhe të kemi një diskutim se mbi çfarë diskutimi është bërë me njeriun që është në listën e zezë të ShBA-së. Është refuzuar nga mazhoranca dhe nuk pat kuorum dhe i bie që pa kuorum të thërrasë seancën e radhës”, tha Tahiri.

  • Dhurata Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

    Dhurata Hoxha sërish para Gjykatës për korrupsion, konfrontime verbale mes prokurores dhe kryetarit të trupit gjykues

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha së bashku me Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin janë duke u gjykuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në seancën e të martës, të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ish-ministrja Hoxha akuzohet se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

    Në seancën e sotme ka filluar dëshminë dëshmitari Ilir Muqaj, i cili deklaroi se momentalisht është duke punuar në Qeveri, ndërsa pritet të dëgjohet edhe dëshmitarja Blerta Verbovci.

    Gjatë deklarimit të dëshmitarit Muqaj kishte edhe një konfrontim verbal në mes prokurores speciale llirjana Tafa Collaku dhe kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili lidhur me konstatimet apo jo të deklarimit te dëshmitarit në procesverbal.

    Kryetari i trupit gjykues iu drejtua me fjalët “je ka i përsërit fjalët oj prokurore, seriozisht nuk po të kuptoj prokurore”.

    Tutje prokurorja Tafa Collaku përsëri kërkoi që t’i lejohet vazhdimi i marrjes në pyetje të dëshmitarit pasi që sipas saj ka ndërhyrje nga kryetari i trupit gjykues dhe nga mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Dushi, avokate Kosovare Krasniqi.

    “Unë diktoj jo ti, ti nuk mundesh të merr rolin e gjyqtarit”, deklaroi gjykatësi, Ismaili.

    Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Dushi avokate Kosovare Krasniqi e ka kundërshtuar një pretendim të tillë të prokurores e pas kësaj trupi gjykues mori aktvendim përmes së cilit konstatoi se mbrojtësja e te akuzuarit Dushi nuk ka bërë ndonjë pengese në kryerjen e punës se prokurores në ketë seancë.

    Andaj, edhe seanca është duke vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.

    Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.

    Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.

    I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontraktuar dy operatorë ekonomikë, “PR Solution” dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në dosje të tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE, i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192 mijë e 700 euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solution”.

    Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Mustafa ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.

    I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019- janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës: “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontrate, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

    Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 të KPRK-së.

    I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution” Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

    Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

    Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa t’iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

    Kurse, ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga gjykata të shqiptojë dënimin plotësues urdhrin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës./BetimipërDrejtësi/

  • Mijëra mercenarë të Wagner-it në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar

    Mijëra mercenarë të Wagner-it në Bjellorusi që nga rebelimi i dështuar

    Mijëra mercenarë të grupit të lidhur me Rusinë, Wagner, kanë mbërritur në Bjellorusi që nga rebelimi jetëshkurtër i këtij grupi, ka thënë të hënën një grup vëzhgues ushtarak.

    Besohet se 3.450 deri në 3.650 ushtarë kanë shkuar në një kamp afër Asipovichy, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit ukrainas, sipas Belaruski Hajun, grupit i cili i gjurmon lëvizjet e trupave ushtarake brenda vendit.

    Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe shefit mercenar Yevgeny Prigozhin muajin e kaluar, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse.

    Shefi i Wagner-it e quajti rebelimin “marshi i drejtësisë” për t’i rrëzuar liderët kryesorë ushtarakë. Mercenarët u përballën me qëndresë të vogël dhe i rrëzuan të paktën gjashtë helikopter ushtarakë dhe një aeroplan luftarak, duke i vrarë një numër ushtarësh rusë.

    Kjo kryengritje ishte kërcënimi më serioz ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë sundimit të tij 23-vjeçar, duke ia dobësuar autoritetin dhe duke ia nxjerr në pah dobësitë e Qeverisë.

    Imazhet satelitore tregojnë se rreth 700 automjete dhe pajisje ndërtimi kanë mbërritur në autokolona të Wagner-it në Bjellorusi, tha Belaruski Hajun.

    Prigozhini e ka regjistruar një “kompani për menaxhimin e patundshmërisë” në Bjellorusi javën e kaluar me emër Concord Management and Consulting in Belarus. Dokumentet e analizuara nga mediumi i pavarur bjellorus reform.by, tregojnë se kompania është regjistruar në adresën e njëjtë të fshatit ku është i vendosur kampi mercenar Wagner.

    Ndërkohë, zyrtarët vendorë thanë të hënën se mercenarët po vazhdojnë të punojnë me trupat bjelloruse, përfshirë në qendrat stërvitore afër kufirit polak.

    “Luftëtarët e Wagnerit, të cilët kanë qenë në zjarrin e luftës, po u japin informacione dhe përvojë të vlefshme ushtarëve tanë”, tha Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë në një komunikatë.

    Pas një takimi me presidentin rus të dielën, Lukashenko tha se trupat e Wagner-it po e “stresonin atë” duke i kërkuar ta bëjnë një “ekskursion” në Poloni.

    Këto deklarata janë hedhur poshtë nga ekspertët, me Institutin Amerikan për Studimin e Luftës që tha se trupat e Wagner-it nuk mund ta kërcënojnë Ukrainën dhe Poloninë.

    “Nuk ka indikacione se luftëtarët e Wagner-it në Bjellorusi kanë armatim të rëndë, që është i nevojshëm për të ndërmarrë ofensivë serioze kundër Ukrainës apo Polonisë, pa riarmatim serioz”, tha Instituti amerikan të dielën.

    Nënkryetari i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës, Vadym Skibitsky, tha se nuk ka “kërcënim direkt” nga mercenarët rusë në Bjellorusi, por se Kievi do t’i mbajë nën vëzhgim luftëtarët e Wagner-it.

    “Vlerësimi ynë është shumë i thjeshtë: Sot nuk ka kërcënim direkt (nga Bjellorusia), por ne jemi gati. Ne po vëzhgojmë çdo gjë që lidhet me të ashtuquajturin sistemin e mbrojtjes raketore Wagner”, tha ai. /REL/

  • Vdes një viktimë e pranuar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Bashkëshortja e tij e zëvendëson në proces

    Vdes një viktimë e pranuar në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Bashkëshortja e tij e zëvendëson në proces

    Ka vdekur një viktimë e pretenduar e krimeve të luftës, që ishte pranuar si e tillë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në gjykimin në Hagë. Kjo është bërë e ditur me një parashtrim nga trupi gjykues.

    Në këtë vendim të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, theksohet se bashkëshortja e viktimës është pranuar të jetë pjesë e procedurave të mëtejshme që do të zhvillohen në Hagë.

    “Më 15 shkurt 2023, Trupi Gjykues pranoi kërkesën e V131/06 për të marrë pjesë si viktimë në këtë procedurë Më 6 qershor 2023, avokati i viktimave njoftoi Panelin për vdekjen e V131/06, dhe paraqiti një kërkesë për të lejuar bashkëshorten e V131/06 të marrë pjesë në procedura”, thuhet në hyrje të këtij vendimi fillimisht.

    Sipas vendimit të trupit gjykues, në ligj nuk specifikohet qartë nëse një familjar i një viktime të pranuar mund të vazhdojë të jetë pjesë e procedurave. Megjithatë, një kërkesë e tillë e avokatit të viktimave u aprovua.

    “Në mbështetje të këtij interpretimi është neni 22(3) i ligjit, i cili parashikon se viktimat kanë të drejtën e njoftimit, njohjes dhe dëmshpërblimit. Siç është vënë në dukje nga gjyqtari i procedurës paraprake, e drejta e njohjes kërkon që të njihet dëmi i pësuar nga viktima. Për të garantuar efektivitetin e kësaj të drejte, të afërmit e viktimave të vdekura ose individë të lidhur ngushtë mund të marrin pjesë në vend të tyre nëse plotësohen parametrat specifikë”, thuhet më tutje në vendim.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake gjithashtu mbajti qëndrimin në këtë rast se, në mënyrë që një individ të mbrojë viktimën e ndjerë, duhet të sigurohen prova që: a) viktima ka vdekur dhe b) individi që kërkon të rifillojë veprimin në emër të viktimës së ndjerë ka qenë një i afërm ose një person i lidhur ngushtë”, thuhet më tutje.

    Dhe si rezultat, avokati i viktimave kishte dorëzuar certifikatën e vdekjes dhe dokumentet e tjera të këtij rasti.

    “Avokati i viktimave ka dorëzuar certifikatën e vdekjes V131/06 si dhe certifikatën e martesës së V131/06 dhe bashkëshortit të saj, [I REDAKTUAR].11 Çdo dokument ka indikacione të natyrës zyrtare bazuar në letrën e tyre, paraqitjen dhe vulat zyrtare të pranishme në dokumente. Prandaj, Paneli është i kënaqur me autenticitetin dhe besueshmërinë e dokumentacionit të dorëzuar. Rrjedhimisht, Paneli konstaton se parashtresat e avokatit të viktimave plotësojnë kërkesat e nevojshme të përshkruara në paragrafin 7 për bashkëshortin e V131/06, [REDAKTUAR], që të rifillojë veprimin në emër të V131/06”, thuhet në vendim.

    Si rezultat, kërkesa e avokatit të viktimave është pranuar. Në total, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, janë pranuar në procedura 140 viktima.

    Disa prej këtyre vendimeve kanë qenë dhe janë ende subjekt i ankesave në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara të Hagës.