ATV

Category: Lajme

  • Aksident me fatalitet në Gjakovë, vdes një person

    Aksident me fatalitet në Gjakovë, vdes një person

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në fshatin Bishtazhin të Gjakovës.

    Si pasojë e plagëve të marra në aksident, ka vdekur një person.

    Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, shihet që janë aksidentuar një kamion me një automjetë.

    Këtë lajm e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Rreth orës 10:40 është raportuar aksident trafiku në fshatin Bishtazhin (rruga Gjakovë-Prizren). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku të përfshirë në aksident kanë qenë një kamion dhe një veturë. Për pasojë një person, mashkull i moshës madhore, ka humbur jetën (ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij). Rasti është duke u trajtuar nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”.

  • Osmani dënon kërcënimet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës: Kjo fushatë duhet ndalur

    Osmani dënon kërcënimet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës: Kjo fushatë duhet ndalur

    Presidentja Vjosa Osmani u ka dhënë mbështetje policëve të rinj të cilët janë nën kërcënim pas marrjes së pozitës në veri të vendit.

    “I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale”, nis postimi i Osmanit në Twitter.

    “Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”.

  • Detajet, si u morën peng katër turistët nga Kosova në Durrës, refuzuan të paguanin për rezervimin online

    Detajet, si u morën peng katër turistët nga Kosova në Durrës, refuzuan të paguanin për rezervimin online

    Detaje të reja dalin në lidhje me pengmarrjen e katër turistëve nga Kosova nga dy durrsakët, Nexhmi Xhili, 49 vjeç dhe Dritan Kucaj, 48 vjeç

    Dy autorët të cilët u arrestuan nga policia, pretendojnë se turistët nuk kishin kryer pagesën për akomodimin në shtëpinë e pushimit. E për këtë arsye ata i morën turistët peng për 45 minuta në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime.

    Sakaq burime bëjnë me dije se turistët kishin bërë rezervim online por kur kanë shkuar për të parë apartamentin që kishin rezervuar kanë qenë të pakënaqur me kushtet prandaj kanë vendosur të largohen.

    Në momentin kur kanë hyrë në garazhin e pallatit, të apartamentit që kishin rezervuar online kanë nisur të debatojnë me pronarin e apartamentit, Ditan Kuçaj por dhe me një person të dytë Nexhmi Xhili.

    Ata i kanë kërkuar të paguajnë për ditët që kanë rezervuar edhe pse nuk do të qëndronin por shtetasit kosovarë kanë kundërshtuar. Atëherë pronari ka vendosur ti mbyllë në garazh.

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

    Në takim, ndër të tjera, u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend e rajon.

    Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje ambasadorit Grondahl për bashkëpunimin e frytshëm dhe vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë mike për Kosovën në shumë fusha dhe procese integruese, ndërsa theksoi rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

    Ambasadori Grondahl, duke e falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, shprehu gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të partneritetit dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët ndërmjet Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës. ​

  • E dhimbshme: Ky është 25-vjeçari nga Skenderaj që ndërroi jetë tragjikisht

    E dhimbshme: Ky është 25-vjeçari nga Skenderaj që ndërroi jetë tragjikisht

    Një 25-vjeçar nga Abria e Skenderajt, me vendbanim në Shtrubullovë të Drenasit ka humbur jetën dje, pasi është rrëzuar aksidentalisht nga rimorkioja, e cila ishte e ngarkuar me dru.

    Viktima është Ekrem Smakiqi.

    Për rastin ka njoftuar policia e cila po merret me hetimet e rastit.

    “Gllogoc 25.07.2023 – 11:21. Viktima mashkull kosovar është dërguar pa shenja jete në QKMK, pasi që dyshohet se gjatë ngarkimit të druve në rimorkio është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, sipas njoftimit të familjarëve thuhet se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot nga ora 17:00, në varrezat e fshatit Abri e Poshtme, te Xhamia.

    Ngushëllime familjes Smakiqi, i ka shprehur edhe kryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura.

    “E dhimbshme ngjarja e djeshme tragjike që si pasojë vdiq bashkëvendësi ynë, Ekrem Smakiqi, për të lënë pas pikëllim të thellë te familjarët dhe tek të tjerët që patën fatin e rastin ta njohin si djalë të urtë dhe një punëtor i përkushtuar ndaj familjes!
    Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, shokët dhe gjithë dashamirët!”, ka shkruar ai në Facebook.

    LEXONI EDHE:

    Drenas: Vdes një person pasi u rrëzua duke ngarkuar drunjtë në rimorkio, Policia fillon hetimet

     

  • Aksident te rrethi i Spitalit në Prishtinë

    Aksident te rrethi i Spitalit në Prishtinë

    Një aksident mes autobusit të trafikut urban dhe një veture sapo ka ndodhur te rrethi i spitalit në Prishtinë.

    ATV raporton se nga ky aksident, pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar, por që i njëjti ka shkaktuar vështirësi të qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë.

    Për më shumë detaje, shikoni videon e më poshtme të siguruar nga ATV. /atvlive.tv

  • Hovenier: Kërcënimet ndaj policëve në veri janë të papranueshme

    Hovenier: Kërcënimet ndaj policëve në veri janë të papranueshme

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për raportimet se zyrtarët e ri policorë në veri të vendit që vijnë nga komunitetet janë kërcënuar.

    Hovenier, thotë se janë të papranueshme kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    “Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës” ka thënë Hovenier.

    74 policë të rinj të hënën morën detyrën e tyre në veri të vendit.

    Nga këta 74 policë, 45 janë të komunitetit serb, 16 boshnjakë, 8 romë, ashkali e egjiptianë, si dhe 3 turq.

    Me të marrë detyrën u raportua se të njëjtit janë kërcënuar disa herë.

  • Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

    Borrell dënon djegien e Kuranit në Danimarkë

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka dënuar djegien e Kuranit, pasi një grup i quajtur “Patriotët Danezë” jashtë Ambasadës së Irakut në Kopenhagë të Danimarkës.

    Kryediplomati evropian e ka cilësuar këtë veprim si “ofendues, mosrespektues dhe provokim i qartë” dhe ka thënë se “respekti për diversitetin është një vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian. Kjo përfshin respektin për komunitetet e tjera fetare”.

    “Shprehjet e racizmit, ksenofobisë dhe intolerancës përkatëse nuk kanë vend në Bashkimin Evropian. Ne vazhdojmë të mbrojmë lirinë e fesë apo besimit dhe lirinë e shprehjes, jashtë dhe brenda; por jo çdo gjë që është e ligjshme është etike”, thuhet në deklaratën e Borrellit, të publikuar nga shërbimi për shtyp i Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).

    Në faqen e tij në Facebook, grupi i ekstremit të djathtë, Danske Patrioter, publikoi një video ku një burrë shihej duke djegur atë që dukej të ishte një kopje e Kuranit dhe duke shkelur mbi një flamur të Irakut.

    Zëvendëshefja e policisë së Kopenhagës, Trine Fisker, ka thënë për AFP-në se “jo më shumë se dhjetëra” protestues ishin mbledhur para ambasadës irakiane.

    “Unë, po ashtu, mund të konfirmoj se një libër është djegur. Ne nuk e dimë se cili libër ka qenë”, ka thënë ajo. “[Protesta] ishte mjaft paqësore”, është shprehur Fisker.

    Javën e kaluar, turmat ia kanë vënë flakën Ambasadës së Suedisë në Bagdad, pas planeve për djegie të Kuranit në Stokholm.

    Akti i fundit që ka ndodhur në Kopenhagë ka nxitur marshe edhe në kryeqytetin e Jemenit, Sana, ku është shprehur zemërim i thellë për Danimarkën dhe Suedinë, që kanë lejuar akte të tillë.

    Shumë kombe myslimane e kanë dënuar këtë akt. Turqia e ka konsideruar incidentin si “sulm të neveritshëm” ndaj Kuranit, derisa Ministria e Jashtme e Algjerisë i ka ftuar për intervistë ambasadorët e Danimarkës dhe Suedisë për t’i dënuar aktet.

    Rreth 1.000 protestues në Bagdad kanë tentuar të hyjnë në Ambasadën e Danimarkës, pas incidentit. Edhe në Iran ka pasur protesta të shtunën lidhur me këto akte.

    Mediat lokale në Katar kanë raportuar se tregu më i madh i shtetit, Souq Al Baladi i ka larguar të gjitha produktet suedeze nga vitrinat, si shenjë proteste.

    Danimarka e ka dënuar djegien e Kuranit duke thënë se “këto akte provokative dhe të turpshme nuk e përfaqësojnë Qeverinë daneze.

    Autoritetet e Suedisë e kanë dënuar djegien e librit të shenjtë dhe aktin e kanë konsideruar si islamofobik.

    Myslimanët e konsiderojnë përmbajtjen e Kuranit si fjalë të Zotit, dhe çdo dëm që i shkaktohet librit me qëllim, konsiderohet mungesë respekti dhe ofendim i rëndë për ta.

  • Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

    Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

    Kryetari Konjufca falënderoi ambasadorin Weidinger për kontributin e tij në fuqizimin e partneritetit dhe thellimin e marrëdhenieve dypalëshe, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.

    Kreu i Kuvendit vlerësoi lart rolin e Austrisë mike si një partnere e rëndësishme dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik. Ai po ashtu vlerësoi bashkëpunimin në projekte të përbashkëta, veçmas në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare.

    Ambasadori Weidinger nga ana e tij e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, si dhe rikonfirmoi gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy shteteve tona. ​

  • Infarkti në det, pse po preken edhe moshat e reja? Mjeku kardiolog tregon gabimin që mund të jetë fatal

    Infarkti në det, pse po preken edhe moshat e reja? Mjeku kardiolog tregon gabimin që mund të jetë fatal

    Në këto ditë përvëluese të gjithë i drejtohemi plazhit, por askush nuk është imun nga problemet me zemrën nga temperaturat arrijnë në 43 gradë Celcius.

    Janë pafund lajmet e verës për njerëz që pësojnë arrest kardiak sapo bien në kontakt me ujin gjatë pushimeve, edhe pse e pazakontë, këtu nuk përjashtohen edhe të rinjtë.

    Jo më larg se dje, një djalë vetëm 20 vjeç pësoi arrest kardiak sapo ra në kontakt me ujin në plazhin e Velipojës. Vapa është armiku kryesor jo vetëm i personave që vuajnë nga patologji kardiake, por i kujtdo që ekspozohet gjatë në diell, në orët më të nxehta të ditës.

    Por cilat janë shkaqet, dhe pse gjithnjë e më shumë pushuesit pësojnë infarkt në det?

    Top Channel i është drejtuar mjekut kardiolog Novrus Çaushaj, i cili tregon sesa e rrezikshme është futja e menjëhershme në ujë.

    “Një nga shkaqet kryesore për njerëzit e shëndetshëm, por edhe ata të sëmurë është qëndrimi i gjatë në diell ose lojërat në rërë (futboll, volejboll etj.), që e rrisin shumë temperaturën trupore. Shtojmë këtu edhe temperaturën e mjedisit. Kur futen në ujë menjëherë, diferenca mes temperaturës së ujit dhe trupit është shumë e madhe dhe këtu ndodh tkurrja e menjëhershme e enëve të gjakut, me pasoja katastrofale për zemrën, deri në arrest kardiak. E vetmja metodë për të shmangur rrezikun e një arresti kardiak, është futja me kujdes në përshtatje ndaj temperaturës së ujit, duke e freskuar trupin dhe këmbët për gati 10-15 min, pastaj zhytja e gjithë trupit.”-tha ekskluzivisht për Top Channel, mjeku kardiolog.

    Ai thekson se janë shtuar rastet e sëmundjeve të zemrës edhe te moshat e reja, teksa rendit edhe veset të cilat zemra nuk i do, siç është kequshqyerja, alkooli, duhani, drogat apo jeta pasive.

    “Aktualisht edhe në vendin tonë është vënë re nga kardiologët që është ulur mosha e shfaqjes së shenjave të sëmundjeve të zemrës, ashtu sikundër është edhe infarkti akut i miokardit. Nëse para 25 viteve dhe më tutje kjo sëmundje shfaqej te moshat mbi 55-vjeçe, tani e gjejmë në mosha më të reja nën 40 vjeç, madje edhe te femrat, edhe pse janë të mbrojtura nga prezenca e hormoneve femërore.

    Shkaqet janë disa por po përmend më të rëndësishmet. Ushqyerja pa kriter, jo e kontrolluar dhe aspak e shëndetshme. Përdorimi pa kriter i alkoolit dhe lëngjeve të sheqerosura. Futja te rinia jonë e “kulturës” europiane dhe me tutje e përdorimit të të gjitha llojeve të drogave (të lehta dhe të rënda).

    Këta përdorues janë grupi me moshë akoma më të re të shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Fillimi i përdorimit të duhanit në mosha edhe më të vogla, është gjithashtu shkaktar. Ky është një brez pasiv, që rri larg jetës aktive fizike ku aktiviteti i rregullt fizik është një nga “mjekimet” më të mira natyrale të kësaj sëmundje.”-thekson mjeku kardiolog./TCH/