ATV

Category: Lajme

  • ​Kusari-Lila e kënaqur me punën e Kuvendit: Kemi miratuar boshtin e programit të LVV-së

    ​Kusari-Lila e kënaqur me punën e Kuvendit: Kemi miratuar boshtin e programit të LVV-së

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është e kënaqur me punën e Kuvendit të Kosovës në sesionin pranveror. Pasi deputetët shkuan në pushime verore, Kusari-Lila thotë se në këtë sesion kanë miratuar projektligjet që kanë qenë bosht i programit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, ajo e pranon se legjislativi s’ka pasur konsistencë në punën e vet, derisa e kritikon opozitën, veçmas PDK-në për përdorimin e dhunës në Kuvend.

    Kusari-Lila për KosovaPress thotë se Kuvendi ka miratuar rreth 44 projektligje, ndërsa rreth 50 sosh janë në procedurë të rregullt.

    Shefja e deputetëve të LVV-së në një intervistë për KosovaPress flet edhe për audio-incizimet, ku dëgjohet ajo duke folur me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, kontestimin në Gjykatën Kushtetuese të seancës së “dajakut” më 13 korrik dhe kërcënimet e veteranëve se nuk do t’i lejojnë të hyjnë në Kuvend në shtator, pas përjashtimit të tyre nga paga minimale.

    “Këtë sesion, sikur sesionet paraprake e ka karakterizuar dinamika, e cila nuk ka pasur konsistencë. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e shumë faktorëve, njëri prej tyre ka qenë edhe kërkimi i vazhdueshëm i opozitës për një kauzë, për të cilën mundet të targetohet pozita dhe qeveria. Por, unë prapë mund të them se në aspektin e performancës kemi hyrë në një periudhë ku po miratohen projektligje të rëndësishme që do të kenë efekt shumë më të gjatë sesa edhe vet mandati i kësaj legjislature…Në përmbajtje, ky sesion ka pasur projektligjet kryesore, të cilat kanë qenë bosht i programit me të cilat kemi garuar dhe fituar në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Gjatë këtij sesioni janë trajtuar projektligjet, sikur Fondi Sovran, Projektligji për investimet e qëndrueshme… Në anën negative mund të përmend seancat, të cilat janë mbyllur në mungesë të kuorumit. Atë e kemi marrë në vazhdimësi si kritik ndaj deputetëve të pozitës, por gjithashtu edhe faktin se përkundër që ka pas numër të deputetëve në sallë për të votuar, opozita ka refuzuar të marrë pjesë. Nuk ka pasur konsistencë në qëndrimet e tyre në raport me mosvotimet, po ashtu kemi pas vonesa edhe në raport votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë Kusari-Lila.

    Krahas kësaj, Kusari-Lila është e bindur se s’ka asnjë bazë për kthimin në pikën zero të seancës së 13 korrikut, kur u miratua edhe rritja e pagës minimale.

    “PDK-ja është jo konsistente në qëndrimin e saj, pasi në seancën e 13 korrikut ata kanë qenë prej fillimit të seancës, kanë qëndruar dhe kanë respektuar rendin e ditës të seancës. Po ashtu, kanë marrë pjesë në deklarimin jashtë rendit të ditës dhe kanë kryer procesin. Dy pikat që ata pretendojnë se nuk janë në përputhje me Kushtetutën, miratimi i procesverbalit apo miratimi i rendit të ditës janë pika që vijnë para deklarimeve të rendit të ditës. Rendi i ditës përcaktohet para se të hyjmë në përbërje të seancës. Ata kanë marrë pjesë dhe nuk e kanë kontestuar gjatë seancës, në veçanti edhe pas gjithë asaj tollovie që është shkaktuar nga ana e tyre, ata janë larguar me dijeni e plotë se seanca vazhdon. E keni deklarimin edhe të deputetes Eliza Hoxha, e cila përmend arsyet e largimit…Në aspektin ligjor dhe kushtetues nëse dëshiron të rrëzohet rendi kushtetues në Kosovë rrëzohet ajo seancë. Pasi nuk mund të rrëzohet ose të konsiderohet e jashtëligjshme një seancë, e cila ka 61 deputetë gjatë gjithë kohës, është transmetuar publikisht dhe ka qenë në përputhje me të gjitha normat dhe rregulloren e Kuvendit”, shton ajo.

    Duke folur për audio-incizimet, Kusari-Lila paralajmëron kallëzim penal ndaj ish-deputetit Simiq.

    Ajo thotë se qëllimi ka për të shkaktuar përçarje brenda koalicionit qeverisës, por thekson se ka marrë mbështetje të plotë nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e LVV-së.

    “Efekti që është bërë është më shumë linçues dhe denigrues ndaj personalitetit tim. Përmes të cilit mundohet të dëmtohet qeveria dhe pozita, të shkaktohen qarje dhe të arrihet tek një rezultat që ata assesi nuk po munden me arrit me numra në Kuvend. Ndërsa kanë arritur efektin e kundërt, siç e keni parë pas ngjarjeve dhe eskalimit në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë, opozita ka qenë me një sjellje e cila tentoi të ndalëpunën normale të Kuvendit…Për mua ka qenë një mbështetje jo vetëm morale dhe politike nga grupi parlamentar që e vlerësoj pafundësisht. Kanë qenë aq mbështetës dhe aq përkrahës në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme. Në këtë rast edhe komplet subjekti Lëvizja Vetëvendosje saqë me të vërtet dua të them se aty e kam pa edhe motivin dhe bashkëpunimin e tyre në gjithë këto vite, në përplasjet e shumta që kanë ekzistuar politikisht, ndërmjet po të njëjtave forcave politike. Kam bindjen se ajo çka është synuar të bëhet në logjikën se zinxhiri është i fortë sa është hallka më e dobët e tij, të sulmojnë udhëheqësen e grupit parlamentar në pamundësi me arrit çfarëdo rezultati tjetër në Kuvend apo manovrimi tjetër që ata mund të bënin ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurtit”, thotë Kusari-Lila.

    Megjithëse, Kuvendi ka shkuar në pushim deri në javën e dytë të muajit shtator, Kusari-Lila paralajmëron veteranët e UÇK-së se nuk mund t’i ndalojnë deputetët të hyjnë në Kuvend, pavarësisht arsyeve që mund t’i kenë.

    Sipas saj, po punojnë që deri kur fillon sesioni vjeshtor i Kuvendit të gjejnë një zgjidhje me veteranët, pas kundërshtimeve të tyre për anashkalim nga rritja e pagës minimale.

    “Ky Kuvend përfaqëson vullnetin e popullit, përfaqësuesit e saj janë brenda. Prandaj, natyrisht nuk mund të ndalohet ushtrimi i detyrës së funksionet të përfaqësuesve të popullit, të cilët janë skajshmërish të interesuar që të bëhet një zgjidhje. Është një situatë komplekse në raport me procesin e identifikimit të atyre që janë paraqitur dhe janë të paraqitur në lista. Për këtë proces e kemi edhe ndërhyrjen e drejtësisë që ka ndodhur prej kohës së ish-Qeverisë Haradinaj. Andaj, ky është një proces që duhet të ketë një zgjidhje të ndërmjetme deri në situatën kur të ketë një verdikt final nga organet e drejtësisë”, përfundon Kusari-Lila.

  • Kolona në dy pikat kufitare, pritje deri një orë për të dalë dhe hyrë në Kosovë

    Kolona në dy pikat kufitare, pritje deri një orë për të dalë dhe hyrë në Kosovë

    Në dy vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare janë krijuar kolona deri në 500 metra. Qytetarët janë duke pritur deri në një orë për të dalë dhe për të hyrë në territorin e Kosovës.

    Të dhënat e fundit të publikuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, tregojnë se dy vendkalimet kufitare të lartë cekura janë më të ngarkuarat, transmeton Telegrafi.

    Kurse, vendkalimet tjera janë të lira për qarkullim ku dalja dhe hyrja mund të bëhet nga tre deri në pesë minuta.

    Qytetarët mund të informohen në kohë reale lidhur me gjendjen në kufi duke klikuar KËTU.

  • ​Konferenca e Londrës, 110 vjet nga ndarja e trojeve shqiptare

    ​Konferenca e Londrës, 110 vjet nga ndarja e trojeve shqiptare

    110 vjet më parë ka përfunduar punimet Konferenca e Londrës, në të cilën është vendosur përgjysmimi i trojeve shqiptare dhe fati i saj.

    Konferenca e Ambasadorëve ka filluar punimet në dhjetor 1912, duke vazhduar deri më 29 korrik 1913.

    Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e të ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga ajo konferencë, Shqipëria ka dalë e përgjysmuar në kufijtë e saj.

    Konferenca është diktuar prej shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike. Aty kanë marrë pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i Perandorisë Otomane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë (që nuk njihej) dhe Greqisë (që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin).

    Nga kjo konferencë ka dalë Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që kanë dalë jashtë Perandorisë Otomane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre. Ky Traktat ka mbetur i fshehtë deri në Konferencën e Versajës (1918).

    Të gjitha fuqitë e mëdha kanë paraqitur versionin e tyre të hartës së Shqipërisë. Harta më e favorshme për shqiptarët ishte ajo e propozuar nga Austro-Hungaria.

    Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët kanë marrë një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.

    Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike (Bullgaria, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.

    This image has an empty alt attribute; its file name is image-34.png

    Harta me propozimet e Qeverisë së përkohshme të Vlorës për hartën e Shqipërisë, propozimet e Francës, Rusisë dhe ligës së Ballkanit (Serbia, Bullgaria dhe Greqia) si dhe kufijtë e tanishëm të propozuar dhe miratuar nga konferenca e Londrës (ky territor tani quhet Shqipëri).

  • Temperaturat sot deri në 31 gradë Celsius

    Temperaturat sot deri në 31 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se gjatë fundjavës parashihet të mbajë mot me diell.

    Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-31 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes”, ka informuar IHMK.

    Ndërsa, të dielën pritet të mbajë mot me vranësira të pjesshme dhe intervale me diell. Sipas parashikimeve, në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime të mëdha.

    “Minimalet do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.

    Era do ta mbajë drejtimin e njëjtë nga verilindja, shpejtësia e së cilës mund të arrijë deri 4 m/s.

  • Rrëzohet helikopteri i ushtrisë australiane

    Rrëzohet helikopteri i ushtrisë australiane

    Është duke u kryer një kërkim për katër anëtarët e ekuipazhit të një helikopteri të ushtrisë australiane pasi u rrëzua në Queensland.

    Helikopteri MRH-90 Taipan u rrëzua pranë “Shkëmbit të Barrierës së Madhe” në orën 22:30 të së premtes gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me SHBA-në.

    Një helikopter shpëtimi thuhet se ka pikasur mbeturina pranë ishujve Whitsunday, raporton skynews.

    Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles u tha gazetarëve se “helikopteri kishte në bord katër anëtarë të ekuipazhit. Për shkak se ishte një helikopter tjetër i pranishëm, kërkim/shpëtimi ka filluar menjëherë”.

    “Ndërsa po flasim me ju tani, katër anëtarët e ekuipazhit ende nuk janë gjetur, por misioni i kërkim/shpëtimit po vazhdon”, deklaroi ai.

    Australia dhe Shtetet e Bashkuara aktualisht po kryejnë stërvitje ushtarake përgjatë bregut australian që këtë vit përfshin 13 vende dhe më shumë se 30 mijë personel. /

  • Rasti Klan Kosova, reagon edhe presidentja Osmani

    Rasti Klan Kosova, reagon edhe presidentja Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e Klan Kosovës, pasi sot MINT refuzoi ankesën e televizionit dërguar në ARBK për çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit Klan Kosova sh.p.k.

    Në këtë reagim, ajo thotë se “liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike”.

    E para e shtetit thotë se “është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”.

    Presidentja thotë se “respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social”.

    “Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë”.

    “Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”.

    “Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë reagim.

  • QUINT dhe BE reagojnë për vendimin e MINT ndaj Klan Kosovës

    QUINT dhe BE reagojnë për vendimin e MINT ndaj Klan Kosovës

    Ambasadorët e QUINT-it dhe Zyra e Bashkimit Evropian përmes një komunikate të përbashkët kanë reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Tregtisë për pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.

    Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë ku konfrimohet pezullimi i licencës së Klan Kosova.

    Ne reagim thuhet se një vendim i tillë është jopropocional e që do të ketë pasoja në plurlalizmin mediati në Kosovë. QUINT potencon se heqja e licencës së çdo media është hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz.

    “Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces të drejtë dhe transparent ligjor për zgjidhjen e situates”, thuhet në komunikatën e QUINT.

  • Vrasje e trefishtë në Rufc të Lipjanit, reagon kryeministri Kurti

    Vrasje e trefishtë në Rufc të Lipjanit, reagon kryeministri Kurti

    Tre anëtarë të familjes Bekteshi, burrë e grua dhe djali i tyre, kanë mbetur të vdekur në fshatin Rufc të Vjetër të Lipjanit.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:30, ka konfirmuar policia. Dyshohet se kryefamiljari, rreth 60-vjeçar, e ka vrarë bashkëshorten dhe të birin e tyre, dhe më pas ka qëlluar dhe veten me armë zjarri.

    Lidhur me këtë ngjarje tronditëse ka reaguar kryeministri Kurti, i cili përmes një statusi në facebook, ka shkruar se është i trishtuar pamasë nga lajmi i kobshëm për vdekjen tragjike të tre anëtarëve të familjes Bekteshi nga fshati Rufc i Vjetër i Komunës së Lipjanit.

    “Përtej rrethanave që do të sqarohen nga autoritetet, tronditje të tilla lënë boshllëk në zemrat e secilit prej nesh. Sot, jemi pranë familjarëve e miqve të viktimave. Familjes Bekteshi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e madhe, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të Komunës së Lipjanit”, ka shkruar Kurti. /atvlive.tv

  • Trafikuan 18 vjeçaren, gjykata e Pejës i dënon me 23 vjet e gjysmë burgim

    Trafikuan 18 vjeçaren, gjykata e Pejës i dënon me 23 vjet e gjysmë burgim

    Me 23 vjet burgim gjithsej janë dënuar pesë persona nga Gjykata Themelore e Pejës për veprën penale trafikim me njerëz.

    K.G , në tetor të vitit 2021 ishte keqtrajtuar, mashtruar e detyruar të kryejë shërbime seksuale në këmbim të hollave në shuma prej 50 deri në 200 euro.

    “Të akuzuarës M.Xh i përcakton dënim me burg ne kohëzgjatje prej 3 vite dhe dënimin me gjobë në shumën prej pesëqind (500) euro .Të akuzuarit I. M i caktohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë (5) vite, dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro. Të akuzuarës E.Z tre ( 3) vite dhe dënimin me gjobe ne shumen prej pesëqind (500). Të akuzuari M.I në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite, si dhe dënim me gjobe ne shumen prej njëmijë (1.000) €. Te akuzuarit i shqiptohet dënim unik ne kohëzgjatje prej shatë (7 ) vite si dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë (2.000) €,. Të akuzuarit J. A dënim me burgim ne kohëzgjatje prej pesë (5) vite, dhe dënim me gjobe ne shumen prej njëmijë (1.000)”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

    Prokurorja e rastit Lumturije Vuçetaj në një intervistë për ATV, ka thënë se 18 vjeçarja është treguar bashkëpunuese gjatë tërë procesit gjyqësor, përkundër presionit të vazhdueshëm.

    Sipas Prokurorisë provat në këtë rast kanë drejtuar në hetime edhe të rasteve të tjera.

    Organi i akuzues thotë se vendimi dënues në këtë rast përçon një mesazh.

    Ndërkohë mbrojtja e të akuzuarve ka paralajmëruar se do ta apelojë dënimin.

    Aktakuza në këtë rast ishte ngritur në mars të vitit të kaluar, disa muaj pasi viktima kishte paraqitur rastin. Ajo ishte trajtuar në tetor të vitit 2021 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë si pasojë e gjendjes jo të mirë psikofizike. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vendimi i MINT për mbylljen e Klan Kosovës, reagon ministrja Hajdari

    Vendimi i MINT për mbylljen e Klan Kosovës, reagon ministrja Hajdari

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një postim në Facebook i ka qëndruar mbrapa vendimit të dikasterit që udhëheq që sot mori vendim për të mbyllur Klan Kosovën. Ajo ka thënë se fakti që Klan Kosova është media nuk amnistohet nga shkeljet që pretendohen.

    Postimi i plotë:

    Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.

    Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim.

    Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht.

    Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.

    I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.