ATV

Category: Lajme

  • Deri në tri orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Deri në tri orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për të hyrë në Kosovë janë në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ku për të hyrë në Kosovë nga kjo pikë duhet pritur deri në tri orë e gjysmë, kurse rreth 20 minuta për të dalë.

    Kolona e veturave në hyrje të kësaj pike kufitare është 120 metra, kurse në dalje 20-30 metra.

    Ndërsa, në Merdar bashkatdhetarët po presin 10 deri në 20 minuta për të hyrë në vendin tonë.

  • U zhduk që disa ditë, gruaja gjendet e vdekur në kufirin me Serbinë

    U zhduk që disa ditë, gruaja gjendet e vdekur në kufirin me Serbinë

    Një grua nga Zubin Potoku është gjetur e vdekur pas disa ditë kërkimi.

    Njoftimin e ka bërë të ditur Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

    Në njoftim bëhet e ditur se ajo është gjetur në brezin kufitare me Serbinë, ku edhe kishte rënë në humnerë.

    “Pas një kërkimi disa ditorë për gjetjen e gruas nga Zubin Potoku, së bashku me Policinë e Kosovës u bë e mundur gjetja dhe tërheqja e trupit nga një vend i vështirë në brezin kufitar me Serbinë”, thuhet në njoftim.

  • Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj Telekomit të Serbisë, Beqa jep detaje

    Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj Telekomit të Serbisë, Beqa jep detaje

    Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetim ndaj MTS, filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë. Ky hetim është nisur nën dyshimin se ndërmarrja ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet tjera për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, raporton Ekonomia Online.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Selajdin Beqa, thotë për Ekonomia Online është nxjerrë një Konkluzion për fillimin e procedurës kundër MTS D.O.O, e cila operon në tregun e Kosovës me ofrim të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor.

    “Në fund të vitit 2022 kemi filluar monitorim të theksuar të tregut të telekomunikimeve siç jeni të njohur edhe media e juaj edhe opinioni i gjerë kemi hapur disa hetime nga ky sektor, me të cilët jemi në procedurë tash më hetimore dhe vlen të theksohet rasti i procedurës hetimore ndaj ndërmarrjes MTS për të cilën veçse tash jemi në hapat e fundit të procedurës ku pala është njoftuar për njoftimin e fakteve paraprake të konstatuara në procedurë tash më i kemi edhe konstatimin e fakteve me të cilat do të ftohet ndërmarrja në seanca dëgjimore para komisionit të Autoritetit të Konkurrencës dhe aty do të përballemi me të gjeturat të cilat janë konstatuar nga grupet hetimore në kuadër të AK dhe mbi bazën e asaj, tani komisioni do të tërhiqet të marrë një vendim”, u shpreh Beqa për EO.

    “… ne kishim hapur hetim ndaj ndërmarrjes MTS lidhur me mosaplikimin e paraqitjes së njoftimit të përqendrimeve në Autoritetin e Konkurrencës ashtu si e parasheh ligji, ndërmarrja kishte dështuar të paraqes pranë autoritetit transaksionet me të cilat kishte blerë disa ndërmarrje në vendbanime të ndryshme të Kosovës duke i blerë ato pa i paraqit modifikimin ne autoritet dhe mbi këtë bazë ne kemi hapur hetim, tash kem bërë njoftimin preliminar, jemi te konstatimi fakteve dhe shkojmë sipas procedurës ligjore në seanca dëgjimore me ndërmarrjen dhe tani komisioni e thotë fjalën e vet”, thotë tutje Beqa.

    Beqa ka treguar se në njoftimin e fakteve, MTS ka blerë së paku katër ndërmarrje regjionale, në vendbanimet kryesisht të banuara me serb.

    “Në veri dhe gjithsej 11 komuna gjithandej duke filluar nga veriu, komuna e Shtërpcës, Graçanicës e tjera, ku ka vendbanime të komunitetit serb. Është ë habitshme ky fakt por kështu është”, thotë Beqa, teksa tregoi edhe për kohën se kur kanë filluar këto hetime.

    “Në vjeshtën e vonshme të vitit të kaluar, Autoriteti vazhdimisht bënë monitorime të tregjeve të caktuara. Tregu i telekomunikimeve respektivisht kabllorë dhe shërbime të internetit po duket që kanë një shkallë të lartë të koncentrimit, dhe në bazën e kësaj ne në atë kohë kemi filluar monitorimet të cilat dolën me dyshime të bazuara se mund të fillojmë një procedurë hetimore dhe me pa çfarë ka ndodhur, përkitazi me ketë ne kemi hapur fillimisht hetim ndaj ndërmarrjes MTS e po ashtu kemi hapur edhe hetime, kemi pasur edhe ankesa në fakt, e kemi vazhduar procedurën sipas detyrës zyrtare”, u shpreh Beqa, duke thënë se ankesat kryesisht kanë ardhur nga ndërmarrjet e vogla.

  • Mot me diell e vranësira sot në Kosovë

    Mot me diell e vranësira sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me vranësira të pjesëshme dhe intervale me diell.

    “Të dielen do të mbajë mot me vranësira të pjesëshme dhe intervale me diell, Në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime të mëdha . Minimalet do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius. Era do ta mbajë drejtimin e njejtë nga verilindja , shpejtësia e së cilës mund të arrijë deri 4 m/s.”

  • ​Policia jep detaje për personin që u gjet pa shenja jete në Prishtinë

    ​Policia jep detaje për personin që u gjet pa shenja jete në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin se në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë, një person është gjetur pa shenja jete.

    Zëdhëndësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti i ka thënë KosovaPress-it se sot rreth orës 19:00, nga një ekip mjekësor kanë pranuar informatën për një person pa shenja jete në rrugën “Bajram Kelmendi”, në Prishtinë.

    “Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me prokurorin ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha ajo.

    Përndryshe, KosovaPress mëson se viktima është i moshës së re.

  • ​Rast i rëndë në Prishtinë, dyshohet për një person pa shenja jete

    ​Rast i rëndë në Prishtinë, dyshohet për një person pa shenja jete

    Një person i moshës së re dyshohet se është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    Sipas banorëve në rrugën “Abdurraman Shala”, afër 4 llullave.

    KosovaPress ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe do t’i mbaj të informuar.

  • Mbi 6 milionë udhëtarë e kanë përdorur Trafikun Urban për gjashtë muaj, paralajmërohen linja të reja

    Mbi 6 milionë udhëtarë e kanë përdorur Trafikun Urban për gjashtë muaj, paralajmërohen linja të reja

    6 milionë e 300 mijë udhëtarë kanë përdorur autobusët e Trafikut Urban, vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

    E gjithë kjo sipas Kryeshefit të Ndërmarrjes “Trafiku Urban”, Butim Maraj, është bërë pas vendimit të autoriteteve komunale që të vendosin në përdorim biletat ditore, me çmim prej 80 cent, të cilat mund të shfrytëzohen për 24 orë në të gjitha linjat.

    Ndërsa bileta njëdrejtimëshe në autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë, thotë se mbetet 50 cent.

    “Ne mburremi me numrin,numri është kogja i madh,shummë pak njerëz munden me ditë po dikun nëse e marrim që në ditë kemi dikun 35 mijë udhëtarë që e frekuentojnë autobusin urban atëherë del dikun 6 milionë e 300 mijë që i kemi në këtë 6 mujorin e parë në trafikun urban që është një shifër shumë ë madhe, po na bën më u mburrë sepse me gjithë këtë shifër të madhe dhe me gjithë intenzitetin e lartë të frekuentuesve të udhëtarëve neve po ia dalim që të jemi sa më konkret dhe të jemi sa më të mirë në shërbimet tona”, thotë Maraj.

    “Ne përditë e më shumë jemi duke punuar… prej shtatorit fillon një fazë e re e trajnimeve të punëtorëve të stafit të trafikut urban, se mendoj që pavarësisht që ne i kemi në shërbim të mirë ne duhet me kërku që shërbimi të jetë ende më i mirë se ka raste që punëtorët nuk e bëjnë punën si duhet, por ato janë raste shumë te vogla, duke krahasuar sa kemi udhëtarë dhe sa shumë jemi të fokusuar që shërbimet të jenë në kohë të saktë siç është edhe planifiku”, u shpreh ai, teksa e konfirmon se nuk kanë probleme me staf.

    Maraj gjithashtu ka shtuar se shumë shpejtë do të shtohen edhe 30 autobusë të rinj, gjashtë prej të cilëve do të jenë elektrik.

    “Me staf jemi mirë, por nuk jemi mirë me autobus, ne kemi kërkesë të madhe prej udhëtarëve që ta shfrytëzojmnë autobusin e trafikut urban. Tash jemi në proces të autobusave të rinj. Procesi muomentalisht është një thirrje ndërkombëtare ku përgatitet një dosjë për specifikat e autobusëve të cilat na vijnë, ne e dim përafërsisht autobusët do të jenë 6 elektrik të tjerët do të jenë me emitim, që është një emitim shumë më i ulët edhe më i butë i gazrave të këqija edhe po besoj me 30 autobus të tjerë,neve na bëhën 80 autobus duhet shtohet edhe numri i punëtorëve, do të shtohet me një anë me një anë do letohet pasi që ne do të kemi një sistem digjital të biletave, jemi duke punu afër me komunën që të krijohet një sistem dixhital i biletave, momentalisht i kemi vetëm 3 pika në të cilat mundemi me i ble biletat mujore, po njerëzit me pasë mundësi më blë biletën mujore pse jo edhe biletën vjetore ,me një ofertë shumë më të mirë që me u shftytezu shumë më shumë trafiku urban dhe mos me qenë të tej ngarkuar autobusat, siç momentalisht kemi faza ku janë të tej ngarkuar, keshtu që ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë durim edhe naj ditë, besoj deri në vitin tjetër, në janar, në shkurt presim që të fillojmë me autobusat e ri”, thotë Maraj.

    Me blerjen e autobusëve të rinj, Maraj shprehet i bindur se “Trafikut Urban” do t’i shtohen edhe linja të reja.

    “Na vjen keq për të gjitha, për ne është ë rëndësishmë që shtritja e trafikut urban të jetë pothuajse në gjithë Prishtinën, momentalisht nuk i kemi mundësitë. Është kriju ekipi edhe prej pjestarëve të Komunës edhe prej trafikut urban, po besoj që edhe me një projekt të ri që e ka komuna do të jetë edhe një ndhmë shtesë prej ekspertëe që do të vinë me na ndihmu për zgjerim. Po ashtu me bisedën që e kemi pas edhe me kryetarin Rama edhe me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike jemi duke e diskutuar mundësinë që shume shpejtë do të fillojmë më një projekt të ri i cili do të përfshinte edhe autobusat, miniautobusat, në zonat që janë më të rënda dhe kanë mudësi më të vogël të infrastrukturës me pas qasje më të lehtë”, u shpreh tutje Maraj.

    E sa i përket vendimit për përdorimin e biletës prej 80 cent, e që mund të shfrytëzohet për 24 orë në të gjitha linjat, Maraj thotë se ka dhënë rezultate të dukshme.

    Thotë se ky vendim ka bërë që të rritet numri i udhëtarëve në ditë.

    “Unë besoj që njerëzit janë shumë të interesuar me pa që ka oferta në Prishtinë, që kryesuesit e komunës mendojnë për qytetarët, që t’ua bëjnë një jëtë pak më të lëhtë dhe pak më të lirë, duke e ditur sa të larta janë shpezimet sot dhe sa janë pagat sot të uleta, kështu që e kam përshendet si nismë dhe me këtë numri i udhëtarëve është rritë per 10 mijë udhëtarë, kjo do të shtohet po ashtu ne po punjmë se bashku me komunën, që me kriju edhe disa parakushte të tjera që kanë me kriju edhe një momentum por edhe një insentiv për udhëtarët që me udhëtu mashum me trafikun urban se me veturat e tyre”, u shpreh ai. /EO/

  • Kurti për rastin e Klan Kosovës: Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore

    Kurti për rastin e Klan Kosovës: Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit nga ana e bizneseve është detyrë ligjore e jo “teknalitet”.

    Këtë deklarim Kurti e ka bërë teksa ka komentuar vendimin e Ministrisë së Industrusë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila ka refuzuar ankesën e Klan Kosovës duke ia pezulluar veprimtarinë.

    Kryeministri i ka dhënë mbështetje të plotë MINT-it “për kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.

    “Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në Twitter.

    Kreu i ekzekutivit tutje ka thënë se demokracia sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe sipas tij, zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias.

    “Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre. Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por, demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, ka përfunduar Kurti.

  • ​Rasti tragjik në familjen Bekteshi në Lipjan, qytetarët i shkojnë për ngushëllime

    ​Rasti tragjik në familjen Bekteshi në Lipjan, qytetarët i shkojnë për ngushëllime

    Qytetarë të shumtë i kanë shkuar për ngushëllime familjes Bekteshi në fshatin Rufc të Lipjanit, ku dje janë gjetur të vdekur tre anëtarët e kësaj familje. Babai, nëna dhe djali i tyre janë gjetur dje pasdite të vdekur, e që sipas policisë ka ndodhur si problem i brendshëm familjarë.

    Varrimi i viktimave do të bëhet sot në orën 19:00.

    Policia sot ka dhënë detaje tjera, ku mësohet se në vendin ku ishin gjetur viktimat, janë gjetur edhe dy armë.

    Kurse, Komuna e Lipjanit ka pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore pas këtij rasti tragjik të ndodhur në familjen Bekteshi.

  • ​Afër 7 mijë pacientë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit për 6 muaj

    ​Afër 7 mijë pacientë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit për 6 muaj

    Në Spitalin e Përgjithshëm te Gjilanit për gjashtë muajt e parë të vitit 2023, kanë qenë të shtrirë 6 mijë e 615 pacientë, me gjithsej 25 mijë e 580 ditë shërimi.

    Këto shifra i bëri të ditura, drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini, gjatë paraqitjes se raportit të punës, në mbledhjen e bordit drejtues, të mbajtur në Spitalin e Gjilanit.

    Sipas njoftimit të ShSKUK-së, në mbledhje të bordit drejtues, kryesuesi, Naim Bardiqi, tha se indikacion kryesor i performancës së institucioneve shëndetësore është shfrytëzimi dhe performanca e stafit, përkatësisht burimeve njerëzore, përfshirë stafin mjekësor dhe atë jo mjekësorë.

    ” Indikatorët kyç është mbulueshmeria e shtretërve në përqindje, shfrytëzueshmerisë së kapaciteteve dhe shfrytëzueshmëria e pajisjeve mjekësore” theksoi ai.

    Në takim u diskutua performanca e secilit repart të Spitalit, me arsyeshmërinë e shfrytëzimit të kapaciteteve, me qëllim të ngritjes se performancës.

    Nga drejtori i Spitalit, u kërkua të ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësim të performancës se reparteve dhe të Spitalit ne përgjithësi.

    Në takim të bordit drejtues, raportin e punës e paraqiti edhe Afrim Cana, zëvendësues i drejtorit të Qendrës se Shëndetit Mendor dhe Shtëpive për Integrim, i cili tregoi për trajtimin dhe shërbimet që ofrojnë për klientët.

    Anëtarët e bordit drejtues vizituan disa nga repartet e Spitalit.