ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një zyrtar policor në Podujevë, dyshohet për “dhunë në familje”

    Arrestohet një zyrtar policor në Podujevë, dyshohet për “dhunë në familje”

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar dje (e diele) një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

    IPK-ja kishte pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Podujevë ka kryer veprën penale dhunë në familje.

    “Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njoftoi IPK.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

  • MINT: Vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë për Klan Kosovën

    MINT: Vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë për Klan Kosovën

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar të hënën se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

    “Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, thuhet në njoftimin e MINT-it.

    Po ashtu sipas kësaj ministrie në bazë të këtij dokumentacioni, i cili gjendet më poshtë (shih f. 1 dhe 3), Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë.

    “Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike””, thuhet në njoftim.

    Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, sot (e hënë) në mesditë mban protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

     

  • Mjekët paralajmërojnë për probleme shëndetësore afatgjate, pas tërmetit në Turqi

    Mjekët paralajmërojnë për probleme shëndetësore afatgjate, pas tërmetit në Turqi

    Gjysmë viti nga tërmeti shkatërrues në Turqinë jugore, shoqata e mjekëve e këtij vendi ka paralajmëruar për dëme shëndetësore afatgjate.

    Tërmeti 7.8 ballësh e goditi Turqinë juglindore më 6 shkurt të këtij viti, duke shkaktuar shkatërrim të madh. Dridhja fillestare u përcoll nga një seri dridhjes të tjera.

    Dhjetëra mijëra njerëz u vranë dhe miliona të tjerë mbetën pa shtëpi. Tani, rrënojat janë hequr pothuajse plotësisht, por problemet shëndetësore afatgjate po vazhdojnë, ka thënë për DPA Selahattin Mentes, kryetar i Shoqatës së Mjekëve në qytetin Adana, në jug të Turqisë.

    Gratë dhe fëmijët janë posaçërisht në rrezik, tha ai. Ka mungesë të të ushqyerit të baraspeshuar, i cili mund të shkaktojë çrregullime në zhvillim te fëmijët. Në rrezik janë edhe gratë shtatzëna.

    “Një numër i madh i lindjeve të parakohshme dhe abortimeve janë vërejtur në këtë rajon”, theksoi Mentes.

    Operacione të vështira duhet të kryen në Adana, dhe spitalet atje janë të mbingarkuara tashmë. Mjekët në këtë rajon të Turqisë kanë vërejtur edhe një rritje në depresion.

    “Ka pasur shumë vdekje, njerëzit kanë humbur gjithçka dhe jeta që ata kanë tani u ofron pak atyre”, shtoi ai.

    Ai i akuzoi autoritetet se i kanë hedhur në mënyrë të pakontrolluar rrënojat nga ndërtesat e rrëzuara.

    Ata nuk e dinin nëse ato përmbanin toksinë, si asbest, dhe nëse ato do të depërtonin deri në tokën ujore. Ai tha se mungesa e këtyre njohurive është telash i madh.

    “Ne nuk e dimë se si do të jetë shkalla e kancerit të mushkërive në pesë apo 10 vjetët e ardhshme, ashtu siç nuk e dimë se si ushqyerja e dobët do të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve”, përfundoi ai.

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një burrë në Pejë

    Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet një burrë në Pejë

    Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë në Pejë, është arrestuar një burrë, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, në spitalin rajonal të Pejës.

    “Pejë 30.07.2023-17:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka ushtruar dhune fizike ndaj nënës se tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal të Pejës”, thuhet në raport.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • AAK-ja sot diskuton me bizneset private për situatën politike

    AAK-ja sot diskuton me bizneset private për situatën politike

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) ka paralajmëruar se të hënën do të mbajë takim me përfaqësues nga ekonomia me bizneset e sektorit privat, në kuadër të ciklit të diskutimeve mbi situatën në vend.

    Nëpërmjet një komunikate, partia opozitare ka njoftuar se takimi do të mbahet në orën 11:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    AAK-ja ka mbajtur takime edhe të tjera ditë më parë.

    Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka organizuar takime të tilla për “Rrugën pa Kurtin”.

  • ​Te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë pritjet deri në dy orë

    ​Te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë pritjet deri në dy orë

    Mëngjesi i së hënës është përgjithësisht i qetë dhe pa pritje në shumicën prej pikë kalimeve kufitare të vendit, si në hyrje ashtu edhe në dalje.

    Përjashtim bën vetëm pikë kalimi kufitar Merdarë ku pritjet në hyrje janë deri në 2 orë ndërsa kolona e automjeteve është deri në 1 kilometër. Ndërsa në dalje pritja nuk shkon më shumë se 5 minuta.

    Në pikë kalimin kufitar Dheu i Bardhë pritjet në hyrje janë deri në dy orë ndërsa raportohet për 50 metra kolonë automjetesh. Ndërsa në dalje pritjet shkojnë deri në 50 minuta ndërsa radha e automjeteve është 100 metra.

    Situatë pak më e ngarkuar paraqitet edhe në pikë kalimin Mutivodë ku pritjet në hyrje shkojnë deri në gjysmë ore, ndërsa në dalje nuk ka vonesa.

    Në të gjitha pikë kalimet e tjera kufitare, në dalje, pritjet nuk shkojnë më shumë se 10 minuta, ndërsa në hyrje në asnjërën prej tyre nuk raportohen vonesa.

  • Vetura bie në lumin Drin, humb jetën një person, lëndohet një tjetër

    Vetura bie në lumin Drin, humb jetën një person, lëndohet një tjetër

    Një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër është lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme (e hënë) në fshatin Radac të Pejës.

    Siç bën të ditur policia, rreth orës 03:30 kanë kuptuar se një veturë me targa vendore ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Drini i Bardhë.

    Disa qytetarë kanë qenë të parët që kanë reaguar duke i nxjerrë nga vetura dy persona të lënduar rëndë.

    Në vendin e ngjarjes më pas kanë shkuar edhe njësitë policore, zjarrfikësit dhe autoambulanca.

    Ekipi mjekësor ka konstatuar se njëri nga personat e lënduar ishte pa shenja jete, ndërsa personi i dytë ёshtё dёrguar me autoambulancё nё Spitalin Rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

  • “Lufta po vjen në Rusi”, Zelensky paralajmëron Putinin

    “Lufta po vjen në Rusi”, Zelensky paralajmëron Putinin

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se lufta do të zhvendoset në Rusi pas një sulmi me dron në kryeqytetin Moskë.

    Zelensky tha se sulmet në territorin rus ishin “të pashmangshme, të natyrshme dhe absolutisht të drejta” në kuadër të luftës midis dy vendeve, raportoi BBC.

    Ministria ruse e mbrojtjes tha se tre drone ukrainas u rrëzuan të dielën, ndërsa dy u përplasën në zyra. Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit, u mbyll gjithashtu për pak kohë. Sulmi me dron në orët e para të së dielës është i fundit për të cilin Moska ka fajësuar Kievin.

    Dhe në një videomesazh të dielën nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Ivano-Frankivsk, Zelensky tha se Ukraina po forcohej.

    “Sot është dita e 522-të e të ashtuquajturit ‘Operacion Special Ushtarak’, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë. Gradualisht, lufta po shkon në territorin e Rusisë – në qendrat e saj simbolike dhe bazat ushtarake, dhe ky është një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”, tha Zelensky.

    Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha të dielën se Moska do të duhej të përdorte një armë bërthamore nëse kundërofensiva e vazhdueshme e Kievit ishte e suksesshme.

    Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë – një organ i kryesuar nga Putin – tha në mediat sociale se nuk do të kishte “asnjë alternativë tjetër” nëse Ukraina merr atë që ai e përshkroi si “tokën tonë”.

    Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar pas sulmit me dron në Moskë dhe kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë.

     

  • Shqipëri-Maqedoni e Veriut, prej sot me kontroll të përbashkët kufitar

    Shqipëri-Maqedoni e Veriut, prej sot me kontroll të përbashkët kufitar

    Artan Grubi në cilësinë e koordinatorit qeveritar për procesin e vendosjes së kontrolleve të përbashkëta të kufirit me Shqipërinë dhe Kosovën, ka njoftuar se nga dita e hënë, me 31 korrik, kontrolli i përbashkët i kufirit midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, hyn në fuqi dhe do të jetë plotësisht funksional për ta lehtësuar dhe thjeshtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona.

    Grudi ka shkruar në Facebook se bashkë me ndërtimin e korridorit 8, lidhja midis Shkupit dhe Tiranës bëhet super moderne, e sigurt dhe e shpejtë si dhe po tejkalohen të gjitha pengesat midis nesh.

    Ai ka njoftuar se ceremonia do të zhvillohet në orën 11:00.

  • Sot protestohet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës të Klan Kosova nga MINT

    Sot protestohet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës të Klan Kosova nga MINT

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, më 31 korrik, e hënë, do të mbajë protestë në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, do të fillojë në ora 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, t’i bashkohen protestës paqësore të hënën.